| E merkure, 09.10.2024, 07:00 PM |
KARDINALI ERNEST SIMONI, MARTIRI I GJALLË I KOMBIT SHQIPTAR
65-vjetori
i Meshtarisë dhe mesazhi i tij për zgjedhjet e 25 Prillit në Shqipëri
Nga
Frank Shkreli
Në një bisedë në 65-vjetorin e meshtarisë
së tij me Radio Vatikanin në gjuhën shqipe, Kardinali shqiptar, Ernest Simoni
përshëndeti mbarë Kombin shqiptar duke thenë: “Si popull me bujari, me dinjitet
kombëtar, me Gjergj Kastriotin në krye, të mundohemi që të gjithë të bashkohemi
në një harmonizim fjale, mendimi e veprimi, lutjeje, përshpirtërimi, dashnije,
për paqë, buzqeshje e lumturi për të gjithë popullin, para të Madhit Zot, në
forcën e Tij hyjnore që ka me kenë dritë e dhënë prej qiellit, me pa të gjithë
diellin që do shëndrit të gjithë popullin, në rast se na përshëndesim të Madhin
Zot e lutemi…”. Me ketët rast, Kardinali shqiptar ofroi bekimin e tij drejtuar
Shqiptarëve kudo që janë, duke thenë: “Zoti Kjoftë me ju! Bekimi i Hyut të
gjithëpushtetshëm, Ati e Biri e Shpirtit Shejtë, qoftë gjithmonë në zemrat
tuaja! Rrnoftë Populli Shqiptar, Rrnoftë Shqipënia!”
Radio Vatikani në gjuhën shqipe njoftoi
se Kardinali shqiptar Ernest Simoni -- i mbijetuari i burgjeve dhe internimeve
të regjimit të egër komunisto-ateist të Enver Hoxhës – festoi, javën që kaloi, 65-vjetorin
e meshtarisë. Ka qenë 7 prilli i vitit
1956 atëherë kur Dom Ernest Simoni është shuguruar meshtar nga Imzot Ernest
Çoba, ish-Arkipeshkvi i Shkodrës, i cili me një heroizëm të pashoq, vdiq edhe
ai vet nën tortura mizore në duar të xhelatëve komunistë të burgut të Tiranës,
në Janar të vitit 1980.
Fatin e Imzot Çobës dhe të qindra
klerikëve të tjerë në fillim të regjimit komunist due më vonë e pësoi edhe
prifti i ri në atë kohë, Don Ernest Simoni – sot Kardinali i parë shqiptar – i
cili kaloi tre dekada të jetës së tij në burgjet dhe kampet e internimit
komunist të regjimit të Enver Hoxhës. Kalvari
i Don Ernest Simonit nisi në prak të Krishtlindjes të vitit 1963, kur ai arrestohet
nga komunistët si “armik i popullit”, ndër të tjera akuza, sepse kishte
kremtuar një meshë pëkujtimore – siç është traditë e Kishës Katolike kushtuar
të vdekurëve – për shpirt të ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara
të Amerikës, Xhon F. Kenedi, i cili ishte vrarë në Dallas të shtetit Teksas vetëm
disa muaj më parë. Si përfundim, Don
Ernest Simoni arrestohet, burgoset, internohet, dërgohet në punë të detyruara,
përfshir handrakët e Shkodrës dhe në miniera.
Besoj se Kardinali Ernest Simoni të jetë i vetmi klerik katolik shqiptar
ende i gjallë i cili u mbijetoi torturave, burgjeve, kampeve të internimit dhe
në përgjithësi barbarizmave që regjimi komunist i Enver Hoxhës kreu mbi
klerikët shqiptarë të tre feve në përgjithësi -- një barbarizëm që ishte
veçanërisht brutal ndaj Kishës Katolike Shqiptare dhe përfaqsuesve të saj, siç
ishte Don Ernest Simoni, në veçanti.
Kardinal shqiptar, mund të jetë i vetmi ndër klerikët katolikë të atij
brezi të zhdukur nga Enver Hoxha, i cili “Rrnon ende për të tregue”.
Jo se nuk dihej kjo e vërtetë, por u bë
edhe më e qartë me shembjen e Murit të Berlinit dhe me lirimin e disa prej
klerikëve që për fatin e tyre e tonin kishin mbetur ende gjallë “për të
tregue”. Klerikë si Kardinal Simoni dhe
At Zef Pllumi, i cili me veprën e tij, “Rrno për me Tregue”, rrëfimet
rrënqethëse të vuajtjeve të klerikëve katolikë shqiptarë dhe shumë të tjerëve. 30-e ca vjet më parë dhe me ndryshimet
historike anë e mbanë botës ish-komuniste në Evropë, përfshir Shqipërinë
enveriste, këto tregime u bënë të mundura dhe u botuan, pasi diktaturat dhe
diktatorët, përfshir monumentet e tyre po ç’rrënjoseshin dhe po groposeshin,
përfshir Shqipërinë.
Dom Ernest Simoni lirohet në vitin
1990, njëkohësisht filluan të hapeshin kishat e xhamitë. Shqipëria nuk ishte më vendi i parë dhe i
vetëm ateist në botë, sipas kushtetutës së diktaturës të vitit 1967 –
“diktaturës kushtetuese”, siç e quajnë disa edhe sot në Shqipëri duke
justifikuar pjesëmarrjen due mbështetjen e tyre ndaj atij regjimi sikur
diktatura komuniste ishte e interesuar të zbatonte kushtetutën. Me ndryshimin e sistemit, ushtrimi i fesë u bë
i lirë përsëri, u hapen kishat e xhamitë, ato që kishin mbetur pa u rrënuar nga
regjimi komunist i pa Zot dhe i pabesë.
Dom Ernest Simoni rifillon apostolatin e tij fetar e meshtarak në
shërbim të Zotit dhe besimtarëve, të cilëve për pothuaj një gjysëm shekulli u
ishte mohuar e drejta e ushtrimit të fesë në publik, megjithëse ka pasur shumë
shqiptarë të guximshëm që e kishin ruajtur traditën e tyre fetare gjatë
komunizmit, megjithëse mund ta pësonin keq po të diktohej një gjë e tillë nga
regjimi komunist.
Ndërkaq, pas vizitës historike të Papa
Gjon Palit të II në Shqipëri me 25 prill, 1993 -- në shtator të vitit 2014 Papa
Françesku bëri vizitën e tij apostolike në Shqipëri që ishte edhe e vizita e
pare e tij në një shtet të kontinetit evropian.
Gjatë asaj vizite Papa Françesku u takua me Dom Ernest Simonin dhe
dëgjoi dëshmitë mbi vuajtjet e tija nën regjimin komunist. Nga takimi me
priftin e vuajtur shqiptar, Papa Françesku mallëngjehet deri me lotë dhe
emocionohet dukëshëm nga tregimi i vuajtjeve të Dom Ernestit në burgjet
komuniste, sa që e përqafon vëllazërisht të mbijetuarin e regjimit komunist të
Enver Hoxhës, një fotografi kjo shumë domethenëse e që në atë kohë u transmetua
anë e mbanë botës nga mediat ndërkombëtare.
Dy vjet më vonë, më 2016, Papa Françesku i akordon Dom Ernest Simonit
titullin më të lartë administrativ e fetar – atë të kardinalit të Kishës
Katolike – një titull nderi ky, pasi Dom Ernest Simoni e kishte treguar me
vepra se kishte qenë gati të jepte edhe jetën për fenë e tij si dhe për lirinë
dhe paqën e popullit të vet.
Kardinali Ernest Simoni megjithse i
shkuar në moshë (93-vjeç) -- edhe në këtë 65-vjetor të meshtarisë -- vazhdon të
jetë i interesuar për gjendjen aktuale të shqiptarëve, për të mirën e popullit
të vet, për lirinë, paqën dhe mirëqenjen e bashkkombasve të tij në Shqipëri dhe
kudo që janë ata. Në këtë frymë
vëllazërore dhe baritore, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – me rastin e
65-vjetorit të meshtarisë së tij – përcolli nepërmjet radio Vatikanit në gjuhën
shqipe -- këtë porosi të gjithë atyre që me 25 prill do të hedhin votën e tyre
për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, duke thenë:
“Po afrohen zgjedhjet. Zgjedhjet janë
(shprehje) e vullnetit të lirë të popullit. I një populli të pjekur që kërkon
dashuri, paqë, vëllazërim, mirësi e begati, për të gjithë. Secili mendon që me
hedhë votën e vet, zgjedhjen e vet për njerëzit që janë vërtetë, gëzimi i
popullit. Çdo deputet që do të zgjedhet do të konsiderohet prej popullit në
rregull, si një babë i dytë që përpiqet të zgjidhë vështirsitë që ka në anën
jetësore due ekonomike, me gjetë vende pune, me u interesu për edukatën e tyre,
me ndejtë larg mëkatit, për të kriju nji shoqëri plot vëllazënim dhe nji buzëqeshje
në zemër e në sytë e tyne, ashtuqë kur të shohin deputetët, të jetë si me pa
njeriun më të dashur të tyre. Kjo ashtë
fjala e Zotit dhe u shkoftë në veshë të gjithëve”, porositi votuesit shqiptarë,
Kardinali Ernest Simoni.
Kardinalit shqiptar Ernest Simonit i
urojmë 65-vjetorin e meshtarisë dhe jetë të gjatë në shërbim të fesë dhe të
Atdheut. Komunizmi dhe komunistët shqiptarë – atëherë dhe sot -- mund t’i kenë
konsideruar si fitore të përhershme të komunizmit shiqptar dhe atij
ndërkombëtar, shtypjet dhe shfarosjen e klerikëve katolikë dhe të feve të
tjera, në përgjithësi. Atyre nostalgjikëve të komunizmit shqiptar dhe
mbështetsëve të tyre – të cilët janë prononcuar kohët e fundit se “Komunizmi
ishte në anën e duhur të historisë” dhe se “komunizmi kishte më shumë të mira
se këqia”, dua tu them që të gjejnë rastin e të flasin me Kardinal Ernest
Simonin sa është gjallë e ndoshta mund të marrin një përspektivë tjetër për të
“mirat e komunizmit”, për të cilat ata flasin.
Mbrojtja ose heshtja ndaj krimeve
të shqiptarit kundër shqiptarit gjatë periudhës komuniste, mbetet një njollë
kombëtare e cila nuk do të zhduket për derisa personalitete të larta të
politikës shqiptare nuk përfillin zërin brendshëm të ndërgjegjes së vet dhe as
interesat kombëtare.
Por, e keqja kurrë nuk mbizotëron mbi
të mirën, përjetësisht. Siç është
shprehur me një rast -- kolegu dhe bashkvendasi im i nderuari Prof. Sami
Repishti, edhe ky vet e familja e tij viktima të komunizmit dhe të fashizmit –
se, “Njeriu i përket Zotit dhe si i tillë është përgjegjës ndaj ndërgjegjës së
vet, atij zëri të fuqishëm brenda vetes tonë i cili na lavdëron dhe na qorton,
por që është një zë që nuk mund të shuhet.
Natyra e tij shpirtërore dhe fuqia e tij e pamposhtur janë baza e
bindjeve tona se ekziston vetëm një fitore, e vërteta, se e mira fiton
gjithmonë mbi të keqën.”
Jeta dhe vepra e Kardinal Ernest
Simonit – megjithë vuajtjet e tmershme të tija dhe vrasjet e qindra bashkvëllëzërve
të tij të pafajshëm klerikë, vetëm e vetëm, se kishin një mendim ndryshe ndaj imponimit
me force të komunizmit ndërkombëtar sllavo-aziatik mbi shqiptarët – na tregon
sot se ndonëse pak me vonesë dhe pas humbjeve të mëdha, më në fund e mira
gjithmonë fiton mbi të keqen. Lavdi
viktimave të pafajshme të komunizmit shqiptar – këtyre rrezeve të qytetërimit
shqiptar!
Papa
Françesku përqafohet në Katedralën e Shën Palit
në Tiranë me Dom Ernest Simonin gjatë vizitës së tij në Shqipëri në
vitin 2014 --L’Osservatore Romano via EPA)
Nga vizita e Papa Françeskut në Tiranë, 2014 dhe takimi me
Kardinalin Ernest Simonin
Kalvari i Don Ernest Simonit nisi në
prak të Krishtlindjes të vitit 1963, kur ai arrestohet nga komunistët si “armik
i popullit”, ndër të tjera akuza, sepse kishte kremtuar një meshë pëkujtimore –
siç është traditë e Kishës Katolike kushtuar të vdekurve – për shpirt të
ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon F. Kenedi, i cili
ishte vrarë atë vit në Dallas të Teksasit.