| E hene, 07.10.2024, 06:56 PM |
Ndue Ukaj:
Llogoret
që ka hapë qeveria e vendit tonë kundër perëndimit, nuk janë suksese, por gropa
të zeza e me pasoja tepër serioze për vendin tonë, disa prej të cilave veçse
jemi duke i paguar shtrenjtë.
Parullat
patriotike, të cilat i mban lart pushteti, nuk janë vepra patriotike, por
shërbejnë si ajo lopa patriotike, për me mjelë, në funksion të pushtetit e
sundimit.
Pamundësia
për ta realizuar një takim me vlerë në Shtëpi të Bardhë, për kaq shumë vite në
pushtet, nuk është shenjë e miqësisë së Kosovës me perëndimin, por e kundërta.
Sanksionet,
izolimi, si dhe qortimet e përditshme drejtuar Kosovës, nuk kanë lidhje me
miqësi, por janë dëmi më i madh që i është bërë vendit tonë, që nga pas lufta e
deri me sot.
Broçkollat
për gjoja shtrirje të sovranitetit në veri, janë pije droguese ideologjike për
elektorat, sidomos për ata që teshat patriotike i kanë stinore.
Paaftësia
që për një mandat e më shumë, mos me mujtë me mbaru një punë me vlerë, që e
mban vulën e kësaj qeverie, nuk mundet m'u mbështjellë me gënjeshtra, siç nuk
mundet m'u fshehë dielli me shoshë në një ditë të bukur vere.
Këto,
janë vetëm disa nga arsyet, përse sot pushteti populist, bërtet e çirret tek
numron fitoret dhe entuziazmin e "fitoreve" e propagandon me epsh të
pashoq, ama humbjet dhe shkretimin e jetës, e di se ua lë qytetarëve dhe
breznive që vijnë.
Këto
soj pushtetesh, tregon historia, predikojnë vazhdimisht për parajsën, por
popujt i tyre i çojnë në ferr. Kujtone pak Shqipërinë dalëzotëse e të
fortifikuar kundrejt imperializimit perëndimor - kjo është logjika që e ka
mbërthyer vendin tonë.
Suksesi
më i madh i kësaj qeverie, e për çka ka m'u mbajtë mend shumë gjatë, është
largimi nga perëndimi dhe degradimi i raporteve me krejt botën, që ishte krahë
nesh e me ne.
Pushteti
i sotëm, me llavat e egra propaganduese, sajojnë armiq e mbjellin frikë, sepse
frika është aleat besnik i pushteteve të këqija.
Dhe
kjo është arsyeja pse mundohen t'iu mbushin mendjen besimtarëve të tyre, se ata
janë të shenjtë, kurse krejt të tjerët, perëndimi, opozita, Shqipëria, mediat,
etj., janë shejtana.
Një
stërkeqje kaq të frikshme politike, njeriu normal, do të ndihej keq sikur ta
shihte në një vend tjetër shumë të largët, e le më në vendin e vet.
T'i
lexosh lajmet e sotme, ngjan si në tregimet e ankthshme komuniste: shteti rri
pip përpara partisë, partia është e shenjtë, shfaqet kudo, si një fantazma që
vështron gjithçka e di gjithçka, që shenjtron ata që i bashkohen dhe i dënon me
flakën e drejtësisë partiake krejt ata që s' janë me të.
Kjo
gjuha kaq e idhët, nuk ka lidhje me vlera demokratike dhe as me interesat e
vendit tonë.
Me
këto hov të degradimit, asnjë shtet nuk ka nevojë të punojë kundër nesh.