| E diele, 06.10.2024, 05:59 PM |
LIBRI ”PORTRETE SHKRIMTARËSH” I AUTORIT ZEKERIJA IDRIZI ËSHTË NJË ENCIKLOPEDI PËR LETËRSINË SHQIPE
NGA
MA. SC. FATMIR HALIMI
Shtëpia botuese
ProkultPress nga Prishtina nxori nga
botimi me mjetet e veta materiale, në qindra kopje, librin ”Portrete
shkrimtarësh” të shkrimtarit, filozofit, studiuesit të letërsisë, teologut, z.
Zekerija Idrizi.
Botuesi Fatmir
Halimi duke e parë se autori Zekerija Idrizi është një gjigant i shkrimit dhe i
publicistikës sot, se Zekerija sot është një kokë gjeniale e kombit tonë, se
Zekerija Idrizi sot është njeriu më
prodhimtar në letrat shqipe, vendosi që ta përkrahë me botimin e librit
“Portrete shkrimtarësh”. Zekrija Idrizi nga Shkupi i Maqedonisë Veriore, e që
jeton në Berlin të Gjermanisë ka në dorëshkrim me dhjetëra libra për botim ,
andaj ne kërkojmë nga shtetet tona si nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e
Veriut që ta përkrahim financiarisht për botimin e librave këtë kolos të
letërsisë dhe këtë kolos të kombit tonë.
Libri “Portrete
shkrimtarësh” i Zekerija Idrizi është një enciklopedi më vete pasi që në të
janë të përfshirë të gjithë shkrimtarët e letërsisë shqipe, kudo që ata
veprojnë e punojnë, duke përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut,
Malin e Zi, pra edhe diasporën shqiptare si Evropën Amerikën e largët e të
tjerë.
Në këtë libër janë
të përfshirë më shumë se tre qind poet e shkrimtarë. Shkrimtarë që krijojnë
letërsi kryesisht pas luftës së Kosovës, ose më mirë të themi shkrimtarë të
shekullit XXI.
Për librin sa
ishte në dorëshkrim kanë shkruar recensione më shumë se dhjetëra kritikë e
krijues, e që në vazhdim po paraqesim vetëm disa pjese të shkrimeve të tyre:
“Nga leximi dhe studimi që i kam bërë
zhvillimit të mendimit botëror, në përgjithësi, dhe të atij shqiptar, në
veçanti, kam hasur në faktin që çdo revolucion shoqëror, shkencor e
kulturo-qytetërues ka enciklopeditë e veta me anë të të cilave vendos piketat e
rrugëtimit të tij drejt shtigjeve të progresit të gjithëmbarshëm. Ky rrugëtim
veçanërisht është nisur në epokën e revolucionit francez, kur Didero dhe shumë
kolegë të tij nxorën një enciklopedi që pati ndikim të madh, si në Francë,
ashtu edhe në Evropë. Më pas ky ndikim u shtri në të gjithë botën. Një
revolucion të tillë në botën shqiptare e filloi edhe rilindasi famëmadh Sami
Frashëri, duke botuar enciklopedinë e tij gjashtë vëllimore me titull
“Kamus-ul-alam”.
Në këtë rrugëtim kaq sublim ka udhëtuar edhe z. Idrizi përmes shkrimit dhe
përgatitjes tashmë për botim të kësaj vepre me vlerë dhe peshë studimore,
publicistike e letrare.
Thënë me një fjalë, libri “Portrete shkrimtarësh” është një enciklopedi e
mirëfilltë që botës shqiptare i ka munguar.” thotë shkrimtari dhe studiuesi
nga Struga, Prof. dr. Bexhet
Asani.
Kurse Bilall
Maliqi nga Presheva shprehet kështu: “Jo më kotë
thuhet se shkrimtarët janë pasaporta e një kombi dhe identiteti ynë, prandaj
kjo na jep të kuptojmë se sa e madhe dhe sa e gjerë është kultura dhe letërsia
jonë kombëtare dhe me këtë lexuesit, si dhe unë, mësojmë për disa krijues më
pak të njohur në gjeografitë shqiptare, sepse për disa pena të njohura kemi
mësuar në shkolla e në studime, por për gjeneratën pak më të re, lexuesit kanë
pak njohuri, sidomos për biografitë e tyre, prandaj kjo penë e njohur ka bërë
një punë shumë të madhe që këta krijues, që frymojnë brenda kopertinave të
këtij libri, si botim i veçantë, t’i kenë si pasuri bibliotekat tona dhe
rajonale, si dhe t’i kenë në duar lexuesit brez pas brezi.”
“Së fundi, duke mbartur në koshiencën e tij një tjetër
ide, mendim që tashmë u përkthye në një punë impenjative, z. Idrizi ka ecur
ngadalshëm, me shumë vullnet e përkushtim dhe me punë sistematike studimore në
rrugëtimin e jetëshkrimeve dhe veprave të shkrimtarëve për të mbledhur nektarin
e portretit të tyre e duke e përmbledhur në librin “PORTRETE SHKRIMTARËSH” si
një dëshmi që do t’i vijë në ndihmë mbarë shqiptarisë, veçanërisht dashamirëve
të letërsisë, studentëve dhe studiuesve të saj.
Në këtë vepër kapitale z. Idrizi na njeh me figura ikonike të poetëve,
studiuesve, kritikëve, mësuesve, publicistëve, përkthyesve, duke na prezantuar
një stil unik me segmente përshkruese-detajuese.”. shkruan zonja e letrave
shqipe, Emine Boriçi- Kritike letrare.
Pra
së fundi presim nga institucionet tona që ta përkrahin këtë enciklopedi për
letërsinë tonë dhe vetë autorin e saj Zekerija Idrizin , në mënyrë që pena e
tij të mos ndalet së shkruari.
Urojmë
që libri ta gjen secilin lexues dhe njëherit të zgjoi edhe kërshërinë e
kritikës letrarë në të gjitha trevat tona.