| E diele, 06.10.2024, 06:48 PM |
Mbrenda një takimi me dyer të mbyllura
Nga
Blerim Rrecaj
Papritur
i erdhi një kujtim, trokiti në derë të tij. I hapi derën. E pranoi. Dhe folën
për ndodhinë e pothuajse dy dekadave më parë. Ballëpërballë e këmbëkryq me
kujtimin. Jetë, o jetë, tha, ndërsa dëgjonte kujtimin që filloi t'i fliste, për
një ngjarje, për një ndodhi, që iu duk se ia vlente të dëgjonte e të
përshkruante atë që ai ia diktonte. Ishte kohë e një viti, e një muaji, e një
dite pranverore. Kur atëbotë, sapo kishte filluar të punonte te një gazetë e
përditshme, me seli e zyrë në qendër të qytetit, në sheshin kryesor të saj.
Ishte një kohë e turbullt, e paqartë, pas çlirimit, një lloj tranzicioni i
rëndë, me plot zig-zage, kur pakënaqësitë
dhe dëshirat për ndryshime thelbësore vlonin, qofshin këto të brendshme a të
jashtme, ku përmendeshin statuset para statusit, e çështje të tilla të mprehta.
Se
mos është ndryshe sot, pyeti e nëpërmendi rrjedhën e gjërave, proceseve, e për
mos u lodh u hodh te ajo çfarë kishte ndodh e për çfarë ishte duke folë.
Pra,
mëngjes më mëngjes mblidhej me kolegët në zyrë, ku pas mbledhjeve që mbaheshin,
shpërndaheshin për të mbledhur informatat, për marrë deklaratat, e materialet e
nevojshme rrugëve, kafeneve, konferencave, takimeve, vetë, o të shoqëruar nga shoferët a fotoreporterët,
për artikujt e kronikat që do të ktheheshin për t'i shkruar nëpër kompjuterët
varg e vijë vënë mbi tavolina.
Një
ditë prej ditësh së bashku me një koleg u dërguan në Ministrinë e Rinisë,
Kulturës e Sportit për të përcjellur një aktivitet, për ndarjen e ca
shpërblimeve, që do t'u ndaheshin ca nxënësve të shkollave të mesme që kanë
punuar e shkruar për temën që ka të bëjë për përmirësimin e kultivimin e marrëdhënieve me popullsisë shumicë
shqiptare të Kosovës dhe komuniteteve të tjera joshumicë. Shpërblimet do të
jepeshin nga ministri i kulturës dhe një diplomati të lartë amerikan.
U
nisën këmbë, pasi nuk e kishin larg, koha e mirë e me diell, e gjatë rrugës
nëpër atë tollovi lëvizjesh, binin në sy edhe kafenetë e mbushura, shitësit
ambulantë, lypësit, hapësirat publike të nxëna prej reklamash të lloj lloj
veprimtarie biznesore, e ndonjë kulturore, shtyllat dritëmbajtëse në të cilat
kacavireshin pjesë të mëdha katërkëndshe që mbanin emra bankash, grafite të
shumta nëpër mure ndërtesash, që shprehnin ndonjë revoltë a pakënaqësi.
Ngadalë-ngadalë mbërritën me kolegun para objektit të ministrisë. Hapën dyert
hijerënda, u përshëndetën me portierin e u ngjitën shkallëve lart. Mbërritën
para zyrës së ministrit. Aty përpara plot kolegë të medieve tjera, me blloqe
shënimesh, lapsa, regjistrues zëri e kamera që prisnin, e prisnin.
Më
në fund erdh ministri e diplomati shoqëruar me stafin e tyre, u përshëndetën e
u bënë gati të hyjnë brenda. Morëm vesh që kanë një takim brenda zyrës mes vete
pa praninë e medieve, e pastaj do të dilnin për të dhënë shpërblimet e për t'u
deklaruar e u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Me kolegun ecën pas stafit të
ministrit, e bashkë me ta hyjmë brenda. Nuk i ndaloi kush, mbase se ti, i tha
kolegu kolegut, duke qeshur, që kë këtë fytyrë paksa "aziatike" e përngjan me diplomatin
amerikan me prejardhje prej atyre vendeve. Nuk e ke keq, i tha kolegu, se unë i
takoj komunitetit çerkez. Sidoqoftë, rrinin pip në këmbë mes personave të dy
delegacioneve, ndërsa të tjerët kishin zënë karriget. Diplomati ballëpërballë
ministrit. Përkthyesi në mes. Ne bënin se shkruanim diç nëpër fletoret tona.
Flitej
për gjendjen, për raportet, punën, sfidat e vështirësitë, bashkëpunimin mes
ministrive, medieve, organizatat joqeveritare, bashkësive fetare e një mori
tjerë aktorësh e faktorësh duke përmendur dhe të ashtuquajturën Ministri për
Kthim dhe Komunitete.
Diplomati
me mjaft vite mbi supe dukej mjaft i informuar e me përvojë dhe interesohej për
rolin e ministrit në këtë fushë.
-Cila
është pikëpamja juaj për të tashmen e të ardhmen, sa i përket bashkëpunimit,
tolerancës, harmonisë mes komuniteteve, pyeti diplomati.
-Po,
shiko, iu drejtua ministri përkthyesit, duke i thënë, përcjellja porosinë mikut
.-Se është meritë e kryetarit të Kosovës që unë jam në këtë pozitë, se kryetari
po na jep hapësirë ne të rinjve duke na vënë në pozita të rëndësishme, bile në një pozitë ministri është edhe një
koleg imi, po kaq i ri, dhe që i takon partisë që unë i takoj.
-Mirë,
tha diplomati,-dhe cilat janë pikat kryesore për përmirësimin e jetesës mes
qytetarëve në vendin tuaj.
-Pika
jonë kryesore është të jemi në miqësi të përhershme së pari me Shtetet e
Bashkuara të Amerikës, pastaj me të gjithë aleatët tanë. Kjo është parësore e
thelbësore, pastaj po punojmë fuqishëm për çdo kë të ndihet mirë e i barabartë.
Diplomati
herë-herë nënqeshte lehtë e pavërejtshëm, ndërsa ndokujt nga stafi buzëqeshja i
dilte më transparente.
Ministri
paksa u bë nervoz, e i thonte përkthyesit, përktheja mirë, këto që po t'i them
mikut tonë të shquar, duke e bërë ndërmjetësuesin gjuhësor paksa të skuqet e të
ndihej në siklet.
Pak
a shumë ky takim kështu përfundoi mes ca pyetjeve konkrete të diplomatit dhe ca
përgjigjjeve përgjithësuese të ministrit.
Dolëm
bashkë me ta, gazetarët morën deklaratat e zakonshme për sfidat, bashkëpunimin,
ndihmën, gjendjen e përpjekjet që po bëhen në terren.
U
ftuan nxënësit fatlumë për të marrë mirënjohjet e çmimet.
Nga
selia e ministrisë erdhëm drejt e në seli të redaksisë, ku endej stres i
nevojshëm, e i panevojshëm nga puna, a nga mospuna, nga ndonjë zënkë mes
kolegësh e mes redaktorësh, ose nga ndonjë relacion tjetër grindjeje a shtyrje
bërrylash. Pak ose aspak dallime nëpër zyre ministrish e redaksish seç doli një
konstatim i vetvetimshëm.
Në
fillim nuk u kuptua pyetja se çfarë artikulli kanë dëshirë ta shohin brenda
faqeve të gazetës, atë të dyerve të mbyllura, apo atë të dyerve të hapura.