| E shtune, 05.10.2024, 06:55 PM |
Merimanga
kombëtare
Nga
Ndue Ukaj
Át
Gjon Shllaku ishte frat erudit, të cilin regjimi barbar i Enver Hoxhës e kishte
pushkatuar. Ai në librin “Shqiptari-Frati-Shqipnia”, ka një shkrim shumë me
vlerë, me titull “Nuk dijm shka duem, pse nuk duem shka dijm”, në të cilin, pos
tjerash, para lexuesit sjell një ngjarje që lidhet me kohën e pushtimit
austro-hungarez në Shqipëri.
Ai
tregon për një tregtar shkodran, të cilin, një ditë e kishte vizituar një
oficer austriak. Mes tregtarit dhe oficerit ishte biseduar për gjendjen e
Shqipërisë e fatet kombit.
Tregtari
po i shpjegonte oficerit sesa poshtë kishte mbetë Shqipëria në gjitha
pikëpamjet, në krahasim me shtetet e Ballkanit.
“Do
t’a dijsh zotni, - ia pritëka tregtari- se asht Turku qi për katërgjint vjetë e
ma shumë nuk na la kanë me çue krye e perparue”- dhe vazhdonte t’ia shpjegonte
gjendjen e gjatë të vuajtjeve të kombit shqiptar.
Kurse
oficeri austriak iu përgjigj:
“Asht
e vërtetë gjithëshka thoni Ju, por njatë pluhurë marimange që po e shoh njatje
në skaj të murit a thue ndoshta Turku i Aizis nuk të ka lanë me e hjekë prej
andej?”
Sigurisht,
pas kësaj bisede, tregtari, nëse ka pasë pak mend në krye, ka mbetë pa fjalë e
ndoshta edhe është turpru. Dhe ka pasë mundësi të reflektojë dhe kur të jetë
larguar oficeri, menjëherë ta pastronte merimangën ose të vazhdonte me të
njëjtën logjikë, t' i akuzonte të tjerët për prapambeturinë e vendit të tij.
Át
Shllaku shkrimin e tij vazhdon duke thënë se, “vendi ynë është mbushë me këso
merimangash që me pluhurë të veta e kanë mbulue kryekëput shpirtin e shqiptarit
e vijon gjithnjë me endë lirisht në trollin e Shqipnis.”
Këto
marimanga të frikshme e kanë vërrshuar Kosovën dhe shihen prapa secilës
paraqitje të udhëheqësve tonë, të cilët, e kanë ngulfatë zhvillimin e vendit,
dhe të trullosur e të dehun nga pija e keqe e pushtetit, natë e ditë sillen e
pështillen e nuk bëjnë gja tjetër, pos që akuzojnë të tjerët.
Natë
e ditë flasin për të tjerët, duke u munduar t'iu mbushin mendjen krejt botës sa
të këqij janë të tjerët.
Kurse
oficerët politilkë, përditë u thonë: o të mjerë, kthejeni kryet prapa e shihni
marimangat.
E
këta, nuk i bren as ndërgjegja e as nuk kanë vetëdije shtetërore, që të kthehen
prapa e t'i pastrojnë marimangat.
Ky
as mjerim nuk është, ngaqë mjerimi është një gjendje kthjellimi, kur njeriu kërkon
shtegdalje; kjo gjendje është një shkallë e marrëzisë, të cilën mendja
njerëzore zor e ka ta dedektojë.