E marte, 03.12.2024, 02:34 AM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Arratisje në Theth, në kërkim të thesareve bukurie

E premte, 04.10.2024, 06:00 PM


ARRATISJE NË THETH, NË KËRKIM TË THESAREVE BUKURIE

UDHËPËRSHKRIM NGA PËLLUMB GORICA

Të udhëtosh në Veriun madhështor, të ashpër, hyjnor (të Zanave) … të ndjesh, të prekësh, të shijosh magjinë e Alpeve Tona, pa të cilin Shqipëria s’do të mund të quhej Vendi i Shqipeve, ëndja merr ngjyrimet e një arratisjeje në pamjet mahnitëse të dallgëzimeve kulme majash dhe ujëvarash kaltëroshe.

Kështu ne u nisëm drejt Thethit, një thesar bukurie (si bukuritë zvicerane të pashtershme) e pikturuar nga një artist peizazhi, në agim me një entuziazëm yjor dhe atë ngazëllim të brendshëm që godet ata, të cilëtë janë gati të përballen me diçka të re, të madhe.

Rruga e ngushtë, me kthesa e mbështjell rreth vetes si një gjarpër i madh, ndonjëherë mjaft pjerrët, nëpër një pyll zanash krijonte tunele magjike. Ecën nëpër atë pyll me pemët me trungje jeshile që bien në sy në qiellin blu. Degët e tyre, lëviznin dhe merrnin frymë, duke vërshëllyer një muzikë të vazhdueshme. Daljet tipike shkëmbore të mbuluar me myshk ngjanin me jastëkë gjigantë të gjelbër.

Hyjmë në Luginën mitike të Shalës, tashmë duke pritur që të na tregojë thesaret e saj natyrale dhe historike. Shijojmë këtë lloj Edeni, të ngërçuar në përqafimin e majave sundimtare autentike, të pikturës klasike të Alpeve Shqiptare.

Lugina e Shalës me një natyre që mrekullon shpirtin dhe mbushin sytë me bukuri, jeton në gjallërinë e saj kulmore dhe ne vetëm mund të vepronim në Theth, të përbërë nga një vendbanim i përhapur me ndërtime arkitekturore të shpërndara gjithandej, në një botë magjike, e bërë nga gjëra të vogla, zhurma të vogla... edhe kufijtë ngushtohen në horizont.

Jehon tenori nazik i Lesniqes, i shpejt dhe i kthjellët si fjongo e argjend nëpër shpatet përreth për të rendur më pas larg, drejt liqenit të Komanit (do të kalonim orë të tëra duke soditur rrjedhën lakadredhëse dhe lineare).

Kullat e lashta, të ngjajnë si kështjella për luftë, të denja për t’u krahasuar me ato të aristokratëve të Europës Perëndimore tregonin histori të lashta që fshiheshin natën e kohës. Sa e sa ngjarje mbartin ato: lindje, dasma, vdekje, djegje, rrënime…

Duart e mjeshtërve i ndërtuan me dashuri dhe durim, veçanërisht arkitrarët e lakuar, dyert e drurit, frëngjitë si sytë e së shkuarës, qoshet këndore me figura gjeometrike (diku trekëndore, hënore). Ato dëshmonin Trininë e Shenjtë të vendasve (jetë, paqe dhe ndëshkim) për cilindo që guxonte të prekte kullën, simbolin e qëndresës, gjallimit dhe ardhmërisë. Në një kullë 120 – vjeçare admiron arkitekturat e simboleve ekzoterike të kornizuara mes gurëve, ku janë gdhendur Dielli, Hëna dhe Kryqi, që përcjellin mesazhe mahnitëse.

Përshëndetemi përzemërsisht me vendasit, veçanërisht me ata të një moshe të caktuar, tashmë të zënë me punët e tyre të përditshme. Por, ndërsa mbrëmja fillon të shtrihet, dhe peizazhi ndryshon pamjen e tij duke treguar fytyrën arkaike dhe misterioze, një fllad profetik sjellë pëshpëritje misterioze.

Rruga na udhëzon drejt bujtinave “moderne”, që parfumojnë aromat e duarve të malësorëve. Vërtetë piktoreske, sidomos detajet e ndërtimit të tyre, mbi themelet e kullave të gurta, që janë dhimbje sysh nga mure betoni apo prej gur Skrapari, nga çatitë me llamarina të kuqe, rrethimet me tela dhe dritaret me duralumin. Kjo mani do të bëj që jo larg në vite, të kemi një Theth, të pushtuar nga barbarizma të padurueshme. Uji i Lumit të Shalës, do të kthehet i ndotur, nga plehra kudo.

Aty vërtet hahet e flihet mirë… Mbi gjithçka spikasin Flia (e pjekur në saç) apo petullat me mjaltë. Ndaj çdokush që shkel atje largohet i mrekulluar nga dashamirësia e pazakontë, përkujdesja, kushtet; nga sofra plot; nga korrektësia e morali; nga traditat e shpalosura. Mbi të gjitha: njerëz të sjellshëm (gjithmonë të buzëqeshur) me ndjeshmëri të madhe ndaj turistëve.

Me punë bëjnë një jetë të mirëplotësuar për të ardhmen optimiste, që për ne ishin përtej çdo pritshmërie, për të cilën nuk e merr as në qytete të mëdha. Por ajo që më bën përshtypje veçanërisht është mirësia e tyre, e cila shkëlqen ndjeshëm nga ato pak fjali, që përbëjnë një element të shpirtit të tyre, të cilën e manifestojnë, me fjalë miqësore dhe po aq, me dorën në zemër, të thonë ‘’Të falem nderit që bujtët’’.shkrimet në tabelë; bizhuterinë e pyjeve dhe shkëmbinjtë e lashtë.

Vështrimet e udhëtarëve

Thethi, në mes malesh, është një nga vendet më të bukura natyrore të Shqipërisë, një xhevahir i padiskutueshëm dhe dëshmitar i kohërave të kaluara. Truall i banuar që në lashtësi prej fisit ilir të Labeatëve. Një strehë paqeje dhe ushqimi, dhe histori udhëtarësh. Personazhet e përrallave, Eposi i Kreshnikëve, Muji dhe Halili, Zanat, Orët, Shtojzovallet, këngët, legjendat, veshjet popullore, cilësitë e mira traditat që fsheh ky vend, të rrënjosura thellë dhe veçanërisht mikpritja frymëzuan shkrimtarë, studiues, historianë dhe piktorë të huaj, të ndërmarrin udhëtime historike këtu, albanologu austro-hungarez Franz Nopcsa; udhëtarja, misionarja e Kryqit të Kuq amerikan Rose Lane; albanologu, studiuesi dhe përkthyesi i njohur, kanadezi Robert Esie.

Dhe veçanërisht udhëpërshkruesja e viseve të panjohura shqiptare, intelektualja dhe shkrimtarja britanike Edith Durhami. E kanë shprehur simbolikisht mirënjohjen ndaj saj thethjanët, duke gdhendur në gur fjalët përmendore: “Edith Durham - Kralica e Malësorëve”, aty ku ndaloi për herë të parë.

Thethjanët, si të lindur prej legjendash, me besë e krenari, krijuan identitet, një traditë morale dhe burrërore, me zakone dhe norma të sjelljes me dinjitet. Këndvështrimet e historisë shekullore të fusin në mendime për të vërtetat dhe dukuritë luftarake, jetësore, sociale, ekonomike, kulturore; aq edhe në marrëdhëniet shoqërore ndër breza.

Ata kanë jetuar kohëra të vështira; kanë përjetuar sakrifica dhe persekutime nga hordhitë e huaja, nga shpërfytyrimet njerëzore e ligësitë brenda dhe jashtë tyre. Qëndresa e gjatë në shekuj ka skalitur dhjetëra figura të njohura, që dhanë jetën për të mbrojtur këto troje.

Në pështjellimet zhuritëse të shpirtrave njerëzorë, janë lartuar në stina ringjalljeje dhe gëzimi të ndërthurjes së jetës, që, herë ngrihej në qiell prej lavdisë e herë shuhej në të pamoralshmen prej hasmërive, vështirësive ekonomike, (për shume vite ka pasur ikje, ndonëse ka edhe kthime) sa nga mungesa e vëmendjes, aq edhe prej diskriminimit si vendbanim malor.

Thethi, prej largësisë dhe ashpërsisë, është parë me syrin e njerkës nga çdo qeveri. Asgjë nuk ndryshoi nga premtimet e Komunizmit Utopik që i zhveshi nga gjithçka, si nga prona ashtu edhe nga virtytet. Ata, të mbrujtur me ndjenja krenarie, dinjiteti e karakteri, nuk e honepsnin pronën e përbashkët, sikurse edhe nuk pajtoheshin me Luftën e Klasave. Vuajtjet e Ferrit Komunist thethjanët i kanë vënë në sprova të vështira. Mes mundimeve kaptuan kufinjtë drejt lirisë. Vështirësi të tjera u krijuan prej ndryshimeve ekonomike dhe shoqërore të “Demokracisë” duke e lënë sërish në harresë. Sidoqoftë, brenda atij oazi malesh, në mes gjelbërimit magjepsës, thethjanët që e duan thellë me shpirt dhe e kishin në shpirt, jetuan në këto hapësira: histori dashurish, dhimbjesh, gëzimesh dhe hidhërimesh që kanë populluar shpirtrat njerëzorë që nga nata e kohës dhe shuma e të gjithë këtyre elementëve ishin si mozaiku që ndërtoi ngurtësinë e jetës së tyre e cila do të ishte e neveritshme të harrohej. Me sa duket, megjithatë, e gjithë kjo është një aspekt tjetër i tyre. Thethjanët janë banorë me karaktere të forta: individualistë, konservatorë, këmbëngulës, të zgjuar dhe të gatshëm të mbrojnë edhe pëllëmbën e fundit të tokës së vet.

Thethin, dëbora si mysafire e ulur këmbëkryq për shumë kohë, e bënte jetesën të vështirë, ndaj detyroi shumicën prej tyre të largohen në qytete e krahina të tjera. Por “zogjtë” e saj, si diej të rilindur, të lidhur me vendlindjen, duke përjetuar Turizmin dhe suksesin që vjen nga ai, i kthyen Thethit buzëqeshjen me ngjyrat e shpresës.

Kisha Ikonike e Thethit- një tempull qetësie

Qielli i veshur me re, si tufa leshi delesh, por pa shi, ajri i freskët dhe i këndshëm, në njërën anë gjelbërimi i pyjeve, në anën tjetër malet impozante që rrethojnë luginën.

Kënaqesh duke soditur këtë peizazh madhështor. Është vërtet mahnitës.

Në mes të Thethit Kisha e Të ngjiturit të Zojës në Qiell, e kombinuar me peizazhin e mrekullueshëm (nën hijen e një peme bliri) si në një pikturë të njohur impresioniste, të shekullit të nëntëmbëdhjetë, është vërtet e bukur. E projektuar nga duar ëndërrimtare: me arkitekturë drejtkëndore dhe kullën e lartë të saj (e ndërtuar në vitin 1892) është bazuar te teknika e ndërtimit dhe e elementëve arkitekturorë të kohës.

Ishte ora e meshës dhe tingulli i festiv i këmbanës na erdhi rëndë në veshë. Ajo ftonte banorët të kryenin ritet e Së djelës, duke e mbushur atë me besimtarë e turistë.

Dera e hapur e kishës, kohë pas kohe sillte prej andej zërin pleqëror të priftit që këndonte me zë të lartë meshën. Ndërkohë, njihesh me historinë e krijimit të kësaj kishe në vitin 1840.

At Shtjefën Gjeçovi, i përkushtuar, hapi shkollën shqipe këtu dhe u mësoi fëmijëve shkrim e lexim në Gjuhën Shqipe, në kushte tejskajshmërisht të rënda, pas Kolerës që preku edhe Thethin, në dimrin e acartë 1916 - 1917, duke lënë gjurmë në formimin e kombit, me një punë aq të vyer, saqë shpesh ia kalon edhe akademikëve.

Ai ishte i pari që formalizoi (duke i hedhur në të shkruar) ligjet e Të parëve tanë (kanunin) ndërkohë që shkroi edhe romane dhe drama historike për Mesjetën Shqiptare, si edhe saktifikoi të shpëtonte pasuritë arkeologjike të nëntokës sonë.

E dhimbshme është historia e shndrrimit të kishës (në vitin e zi 1967) në magazinë drithi, kur nisi herezia e pashembullt ndaj objekteve të kultit, që t‘ua mohonte edhe thethianëve meshën e faljen; sikurse edhe gjithë festat e ritet fetare, për t‘i zëvendësuar me festa komuniste, në përpjekje për të çrrënjosur Zotin nga zemra e shpirti i tyre. Pas ardhjes së Demokracisë, emigrantët thethianë të Amerikës e rindërtuan këtë foltore panoramike. E gjithë kjo tregon se janë të përkushtuar ndaj saj. Dhe ajo, me shenjtëri, bekon shpirtrat e tyre e jo vetëm...

Ndanë kishës janë varret e atyre që kanë mbaruar udhëtimin e jetës. Këtu prehet edhe albanologu kanadez Robert Eslie (sepse s’do kishte vend më të bukur për të sesa në malet shqiptare) në një varr tepër të thjeshtë, mpleksur mes varreve të njerëzve zakonshëm të Thethit. Tashmë, varri i tij i thjeshtë mbante vetëm një mbishkrim “Robert Eslie, 1950-2013”. Në kohën kur shumë shqiptarë e lënë vendin tonë dhe ikin, Robert Elsie erdhi si meteor të japë mesazhe për bashkëkombësit tanë, me veprat e veta kushtuar Gjuhës e Letërsisë Shqipe dhe Historiografisë së tyre, që përmbajnë vlera të veçanta, të cilat referohen si kontribute të qenësishme, jo vetëm nga Shqiptarët, por edhe nga gjithë ata që kanë interes për fushat e Studimeve Albanologjike.

Kulla e Ngujimit: një histori mitike

I hedhim një sy, ecim përpara dhe gjejmë një kullë, e cila dallohet nga ndryshimet që ka përjetuar me kalimin e kohës. E përhirë nga një tis i zymtë, Kulla e Ngujimit, trekatshe; me frëngji e me mure të trasha, me gurë të gdhendur mbi shkëmbinj, sikurse një shqiponjë që rri në folenë e vet. Arkitektura dhe simetria e saj aq perfekte, me strukturë që ka mbetur e paprekur sikur të mos kishte kaluar koha, të mahnit. Ajo njihet si kulla e fjalës së urtë dhe burrërisë, kur shtronin udhën gjykimet e normave dhe kodeve zakonore (që fliste me mitin epik të gjakmarrjes të atyre që u kanosej jeta, të njerëzve që iu fshehën përgjakjeve të mijevjeçarëve). Ishte, si të thuash, burgu ku vrasësi vetëdënohej. Aty kanë jetuar burra zakoni, të cilët me urtësi kanë shuar sherre dhe kanë falur gjaqe; kanë marrë vendime e kanë lidhur miqësi.

Sokol Koçeku, njëri nga trashëgimtarët e Kullës së Ngujimit, i veshur me kostum popullor, na thirri plot bujari duke na treguar një shkallë të shaluar përmes një derë harkore gotike (nga kati përdhesë ngrihet një shkallë druri) ndjen një prekje misteri dhe mahnitjeje të historinë së saj. Brenda saj enden mendimet, në lartësinë e përçuarjes së fjalës dhe misionit human. Në odat me dhoga druri vështron relikte: magjen, sofrën, enët prej bakri dhe dekoret tipike të velenxave me lesh deleje.

Mbi bardhësinë e mureve foto bardh e zi të varura, që tregojnë malësorët e së shkuarës, portrete fotografike të figurave me ndikim në këto anë: të Mehmet Shpendit, të Ali Putës, të Tring Smajljat e Smajl Avdisë; mbi të gjitha, edhe i mëndjendriturit ndër princat arbërorë, Lekë Dukagjini.

Sokoli, me një bashkëbisedim të ngrohtë, të mençur e plot kulturë, derdhi një përrallë lëvdatash për ikonën e kullës, “leksione’’ të Ligjit të Maleve (Kanunit) dhe rregullat e pashkruara të tij., të kaluarën e largët, atë të kaluar kur gjakmarrja në Theth e kudo në malësi grinte si një mokër mulliri jetë njerëzish. Gjithashtu përcjell mënyrën si funksiononte kanuni, kur ndërmjetësohej për pajtimin e gjakut dhe më kryesorja, misionin e kullës: citime të paragrafëve të normave të Së Drejtës, kur vrasësi kërkonte besë për një farë kohe të mbrohej me ngujim… Pë ata burra në hasmëri, që nuk kishin mundur të merrnin gjakun, i poshtëronin me fjalë nëpër dasma, nëpër cermoni vdekje e kuvende dhe ua jepnin kafen nën gju.

- Kulla e Ngujimit, - thotë Sokoli, - ka katër shekuj e ndërtuar (tre shekuj që ka funksionuar dhe një shekull që nuk e kryen rolin e saj). E quaj me vend të përmend faktin se këtu janë pajtuar mbi 300 gjaqe, nga i gjithë Bajraku i Shalës.

Sokoli e përshëndet largimin tonë me lojën e tingujve të instrumentit më të hershëm (më i pari): një gjethe frashëri në buzë, teksa zgjoi qetësinë e kullës. Melodi ku ishte mishëruar zëri, tingulli e timbri i maleve: si puhizë pranverore, si gurgullimë e ujërave qe zbresin nga Bjeshkët e Okolit.

Natyra ofron “vepra arti”

Është lumturi e vërtetë të përshkosh dhe të shijosh, pa nxitim, stolitë e bukura të natyrës së Thethit: ajër dhe ujëra të ftohta në një blu të thellë, aq të dashur për dëgjimin njerëzor vërshonin përgjatë grykave të padukshme, qoftë të ngadaltë apo të vrullshme, me aftësinë të qetësojnë shpirtrat nga skalitjet me kalimin e kohës nga agjentë atmosferikë që janë ngërçosur mbi të duke krijuar njëkohësisht kryevepra natyrore; është e populluar nga kafshë të egra; e pasur me pyje shekullore të harlisur, si flokët; me magji gjethesh të verdha, aq sa piktori do t’i kishte zili; ura druri midis grykave të thella, që të krijojnë marramendje; shtigje qindravjeçare dhe shpella prehistorike.

Të ecësh në Theth është si të ecësh nëpër faqet e një libri të vjetër, ku çdo detaj, nga kullat deri te lartësitë marramendshme, që ngrenë kryet si qeleshe të bardha, dukej sikur ishin zbukuruar nga forca misterioze që zbusnin sytë e udhëtarëve të habitur.

Aty kishte zënë fill edhe një ndër legjendat më të bukura shqiptare, që thotë se, kohë më parë, jetonte një çift i dashuruar, i cili, me pak sakrificë, arriti të nisë një jetë:

“Dy të dashuruar jetuan një histori dashurie të mrekullueshme. Zana e bjeshkëve, gruaja e bariut, ishte shtatëzënë dhe gëzimi i burrit nuk pati kufi. Nga ajo lindi një krijesë e mrekullueshme. Burri donte një burrë në krah: pra, donte një djalë. Zoti nuk ia plotësoi dëshirën, sepse kishte një tjetër plan: atë të dhimbjes së burrit. U dha një vajzë të bukur dhe të shëndetshme. Burri u çmend nga zemërimi. Rrëmbeu foshnjën dhe e flaku në humnerë. Gjaku i saj i pafajshëm spërkati ujërat, pyllin e shkëmbinjtë. Klithmat dhe mallkimet e gruas, përtej gjëmës, arritën deri te veshi i Zotit. Ai lëshoi rrufe dhe bubullima në këtë Parajsë Tokësore, saqë e shndërroi në formën që ka sot: të thepisur, me ujëra të ftohta, me humnera të frikshme, me lugina dhe bimësi të harlisur e me gjithfarë kafshësh të egra.”

Me të vërtetë histori për t’i lejuar vetes të endesh në peizazhin e Thethit, duke kërkuar të bukurën, si në filmat explorer. Ecim përgjatë luginës së lumit, dhe ngjitemi në një shteg që shpesh humbet pjerrtësive intensive, i mbrojtur nga një gardh me thurje degësh ahu (me kapërcyell) për të përmbajtur një tufë delesh që kullosnin, të udhëhequr nga një qen i bukur. Shpesh na duhej të bënim foto dhe të admironim peizazhin i cili, pavarësisht ndonjë reje duke na turbulluar pak pamjen, ishte absolutisht dhe padiskutueshëm i mahnitshëm.

Me entuziazmin dhe emocionet që shkëlqenin nëpër çdo pore, si një fëmije që nuk reshtë kurrë së mahnituri, u nisëm atje, ku shkëmbinjtë bashkohen dhe tendosin një forcë uji. Kështu e lëmë veten të magjepsemi nga natyra përreth nesh, mes zhurmës së ujit, flladit të pyllit...

Ujëvara e Grunasit përplaset në një pellg (bie mbi njëzetë e pesë metra). Për disa çaste, humbasim veten, rrëmbyer nga bukuria e saj, aqsa fotografitë, heshtjet, reflektimet, bisedat dhe fantazitë ishin përbërësit e ndjesive brenda ujëvarës, nga mijëra stërkala që shpërndaheshin si një shi qielli.

Në Ndërlysë (thonë se vjen nga ndër lis) ku sapo kalon një urë të vogël me dru, mbi një kanion të ngushtë, atje ku rrjedh Lumi i Zi, me “këngën” e tij që na shoqëron, dhe të çon në panorama të tjera fantastike. Këtu uji ndjek rrugët e detyrueshme, gëlltitur nga çarje shkëmbore. Të përpijnë vështrimin llokoçitjet e ujërave, që ndër shekuj, kanë marrë pamje unike, të skulptorit të pashoq, me figura të çuditshme si krijesa mitologjike.

Një kryq modest prej druri është vendi i duhur për të bërë një ndalesë të bukur, ndërsa hyn në pyllin e harlisur.

Herë pas here të hapen në sy shikime të peizazhit. Në të majtë, një kulle klasike, me një pamje të këndshme të vetes, që mund ta mendosh si qelën e ndonjë heremiti, ndërsa më tej ngjyrat e mrekullueshme të vjeshtës pikturonin shpatet malore. Syri kap edhe stane, grupe të vogla dhish që kullosin të patrazuar nga kalimi ynë i heshtur, një lëndinë e pjerrët e cila ngjan si një parcelë e mbjellë…

Një rrjedhë magjepsëse uji që zbriste nga shkëmbinjtë hidhej në një pellg me ujë të pastër kristal, një bukuri vërtet goditëse, që duket si një pikturë. Është Pusi Kolë Gjonit në Kapré (ka pre rruga). Toponimi i ri e njeh si “Syri i Kaltër”. Flladi i lehtë lëvizte ujin, duke krijuar rrathë të vegjël që vibrojnë të florinjtat gjethe. I afrohemi këtij vërshimi ujor, ku ka edhe guximtarë që lahen e hidhen me kokë, atje kaltërsia e stërkalave të saj është mbledhur në një oaz.

Legjenda sulmon përfytyrimin tonë për nimfat që kërcejnë të gëzuara. Ajkunën e Bardhë, që shëronte plagët e Mujit, ndërkohë binte në dashuri me Halilin. Aty e hirshmja, e nurplota faqebardhë, duarbardhë e llërëbardhë…, krihte flokët dredha - dredha, që i lëshoheshin drejt belit të hollë; lante sy e faqe me ujin e ftohtë të dëborës së shkrirë… Por, me të dëgjuar Hyin e Pyllit, i binte lirës e zëëmbël, ashtu e zhveshur, duke u ngjitur përpjetë nëpër shkëmbinjtë humiste prapa tyre.

***

Ishte pa dyshim një udhëtim i bukur, në Thethin me peizazhe dhe veçanti befasuese, në këtë stinë, të freskët dhe të lagësht, tashmë plot ngjyra, që të jep poezinë e madhe të esenciales. Nëse do vijmë sërish, jemi të sigurt se udhëtimi tjetër do të ishte po kaq magjik.

*Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i pjesshëm apo i plotë me çdo lloj mjeti apo forme, pa lejën me shkrim të autorit.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora