Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Viron Kona: Lulja e Naimit

| E hene, 30.09.2024, 06:48 PM |


Viron KONA

Lulja e Naimit

Kushtuar agronomit dhe luleshitësit të lagjes z. Nexhmi Laraku

Luleshitësi i lagjes,

më flet me ëmbëlsi,

çdo lule që ai sjell,

e ofron me dashuri:

Kjo është aloe vera

atje është mëllaga,

kjo është burbuqja,

ja edhe lule shpata.

Ky është borziloku,

kjo lule e jaseminit, 

“qershia mbi tortë”,

është lulja e Naimit.

Ofroj lloj-lloj lulesh,  

që rriten në shtëpi,

merr ç`të do zemra,

atë që pëlqen ti.

Unë i shërbej punës

kënaqem prej fitimit,

gëzohem që pëlqen,

lulebukurën e Naimit.

E ndezur e verbuese,

n ‘rozë dhe portokalli,

vjollcë me të verdhë,

plot dritë dhe bukuri.

E shikon si rrëzëllen,

te shtëpia buzë detit,

i marrosi sarandjotët,

bukuroshja e qytetit!

Mëngjeseve sapo vij,

gjithkush atë kërkon,

e duan që ta mbjellin,

në oborr e në ballkon.

I thonë lule Sarandës,

i thonë  lule e gëzimit,

i thonë dhe bugenvile,

është lulja e Naimit.

Naim Frashërit kur ishte në Turqi i tërhoqi vëmendjen kjo lule me gjelbërim të përhershëm, e cila kacavirrej në pragjet e dyerve të shtëpive private. Ngjyrat e saj janë në nuanca të ndryshme, nga portokallia dhe e verdha, deri te nuancat rozë dhe vjollcë. Më 1874-76, Naimi  punoi në doganën e Sarandës. Asokohe solli me vete edhe një rrënjë të kësaj luleje. Ajo u përhap shpejt dhe sot gjendet në çdo cep të qytetit, por edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë. Emrat e saj janë: lule Saranda, bugenvile (bougainvillea) dhe lulja e Naimit.