| E enjte, 26.09.2024, 06:50 PM |
Sëmundjet vinë vetë dhe ikin vetë
Tregim
humoristik
Nga
Shyqyri Fejzo
Me
sa duket, që kur lindi njerëzimi duhet të ketë lindur dhe sëmundja. Ajo ka bërë
uljet dhe ngritjet e veta, sipas qejfit të saj dhe stadeve të zhvillimit të
shoqërisë. Një mjek i ditëve tona për këtë problem e zbrazi hambarin e tij të
diturisë me thënien:”Sëmundjet vinë vetë dhe ikin vetë.” Luftë e ashpër është bërë për t’i vënë emrin
sëmundjes. Kjo luftë ka vazhduar deri në shekujt e vonë.
Në
se do të supozonim një sofër të madhe ku ishin ekspozuar organe, sisteme e tërë
pjesët përbërëse të trupit të njeriut, mjekët, sipas specialiteteve do të turreshin
të rrëmbenin pjesën më të madhe duke
folur në vetën e parë, kërkonin që përkufizimi i sëmundjes të shkonte sipas
tingujve të daulles së tyre. Ka diskutime të zjarrta e sejcili specialist i bie
“daulles së vet”. “Hë! Pak ju duket? E fut në narkozë, i heq pjesën e sëmurë, e
qep prap dhe kur i del narkoza, pacienti si trandafil..”Zhurmim të madh e
tam-tame pa pushim bën daullja e kirurgut. Por patologune dhe daullen e
tij nuk e mban dot salla. “Ulu, ulu se
të pa pazari. Shikojmë statistikat. Mbi gjysmat e vizitave e ndërhyrjeve me
ilaçe në vit e bëj unë”..Pason daullja e pathologut, “Hë! Po pemët
gjenealogjike të familjeve kush i ripërtrin me kolopuça e cuca të vogla?”
dëgjohet këmbëngulja e gjinekologut.
Psihiatri u kujton se ndodhet aty. “Mos e harroni ju kolegë se shkenca jonë
është pak abstrakte, por e domosdoshme se ka të bëjë me materien më të lartë të
njeriut, trurin. A e dini se Pavllovi..”, e kështu me rradhë. Por në fund të
fundit, në këtë sallë ku doktorët po haheshin si marimagat në qyp, ishte
ndodhur dhe një gazetar i ri mjekrosh. Kur kapsllëku i doktorëve gati po u
zinte fytin e gojën, e pyetën me ironi se si mendon ai lidhur me përkufizimin e
sëmundjes. Djaloshi i ri u përgjigj:”
Sëmundja është jetesa e njeriut në liri të kufizuar”.Kjo përgjigje e Karl
Marksit i la të habitur e gojëkycur doktorët mjekroshë të thinjur dhe me syze
ky mendim i ri filozofik.
Në
përgatitjen e mjekëve tanë, si proçedurë e zgjedhjes së kandidatëve për mjek,
gjthnjë kanë shërbyer rezultatet e arritura në shkollë, pa harruar nga pak
neopotizëm dhe vitet e fundit mjekët duke ja parë hairin profesionit se po u
pillte pula dhe kaposhi, çuan me çdo kusht
fëmijët e tyre për tu bërë mjekë. Në këtë mes fillonte gara në fakultet.
Fjala ishte arma e tyre për tu bërë mjek. Qartësia e mendimit, vullneti dhe
dhuntia e memorjes kanë qënë e mbeten levat që do ngrinin gurin e rëndë të
diplomës.
Mjekësia
përfshin një sasi të madhe informacioni që duhet të memorizohet, siç janë
diagnozat, trajtimet, medikamentet, patologjitë dhe proçedurat. Një kujtesë e
fortë i lejon studentët të ruajnë dhe të rikujtojnë informacionin e nevojshëm
gjatë studimeve dhe në praktikë. Në këtë mes rrallë mund të gjeje student te
mos dinte permendësh 34 fosat e foramenat e os petrozës, (kockës së veshit),
apo ciklin e Krepskit. Deri këtu, sa të futej në xhep diploma. Pastaj jeta
bënte ndarjet e veta. Ata që artin e fjalës po e kuptonin si magji, si Saliu, Ndoka, Shehu,_Vasili, Haxhia etj.
zveshën bluzat e bardha dhe veshën kapardinat e bardha modë e re mbrojtjeje dhe
shenja e “dashit me këmborë” si politikanë. Po kur të bëjë qarri arra mund të
bëheshin të aftë ata të drejtojnë
ekonominë e veçanrisht bujqësinë. Në rrëmujën e quajtur ‘demokraci” të
gjithëve, po veçanrisht doktorëve u dukej se punët e shtetit janë shumë të
lehta, si të hash qofte tek daja. Po kur ju vu hallka e punëve e përgjegjësive
në qafë, e bënë si murroja, që me zinxhir në qafë mbushi me purthë vrimat e
gardhit. Kjo u pa që në prioritetet, shkatërrimin e ish pronës së përbashkët
etj. Më tej e më tutje këtu dalin aq probleme sa nuk i nxë as një libër as
dhjetë, por do ndalemi se çfarë u bë me mërgatën e doktorëve të tjerë. Ata që
dolën si piperi mbi pilaf dhe po merreshin me politikë, shpikën një bulizëm të
ri për kolegët e tyre “hamullorë”, ” derdimenë, që nuk e nxjerrin qimen nga
qulli. Ata, edhe deti kos të bëhet, nuk e gjejnë dot lugën ta ngjyejnë një
here.Të njëjtën shkollë kemi kryer, po sa
ngjajnë gishtat e dorës aq ngjajmë dhe ne politikanët me derdimenët.”
Por, dihet se çfarë është xhelozia. Ajo, mbase e ka shtëpinë tek mjeksia.
Ndonjëri që merrte vesh nga gjermanishtja thoshte në fillim me zë të ulët e
pastaj me zërin shpellë: Skifterët nuk ndajnë gjë. “Leben, und leben lassen (“Jeto vetë, lerë
dhe të tjerët” gjermanisht.) Por kush ja vinte veshin këtij”derdimeni”.Ksisoj
doktorët e mbetur si ”miu prapa poçes”nuk e hanin thatë një pabesi të tillë që
po u bënin kolegët e politikës. Pas ndarjes së parë, i erdhi rradha ndarjes së
dytë. Mjekët që e ndjenin veten mjekë, besnikë të betimit të Hipokratit, muarën
rrugët e kurbetit ku ushtrojnë denjësisht profesionin. Ndarja e bëri si ajo
shosha e bujkut e cila i ndan mirë kokrrat nga gozhutat. Disa nga ata mjekë që
mbetën në vend, me xhelozinë në shpirt, për pagat e majme që merrnin mjekët
politikanë, për epërsitë në publik e moralin ekonomik e seksual me fjalën e
bukur në gojë, u hodhën në sulm të arrijnë e kalojnë elitën e doktorëve që
merren me politikë. Në fund të fundit, kush nuk e ha mjaltin? Doktorët që e
ngjyen në politikë po e shijojnë.”Po dhe ne, nënat na kanë pjellë, jo lopa.
”Prandaj ne “derdimenët” si na quajtën kapardinat e bardha, nuk do i kushtojmë
asnjë rëndësi drejtësisë as moralit për arritjen e qëllimit. Ata e arritën qëllimin
në politikë, e ne nuk do të mbetemi gjithnjë me kuleta të holla. E ka thënë më
herët një mendje e ndritur. Ç’rëndësi kanë mjetet? Ne do shijojmë qëllimin.”E
në këtë fushë ata u bazuan tek urtësia popullore që thotë se “Ai që kërkon
gjen, por ai që këmbëngul, gjen dhe merr.” Menjëherë u ngritën strukturat dhe u
forcua veprimtaria. Mijra farmaci dualën si kërpudhat mbas shiut. Qindra
laboratorë privatë e spitale private mbushën vendin, veçanrisht Tiranën e
qytetet e mëdha. Reklama dhe propaganda zhurmon me të gjitha mjetet. “Fjala,
fjala. Me atë morëm diplomat e mjekut, me fjalën po punojmë, po mjekojmë, po
reklamojmë ilaçet. Namin e vizitave, ilaçeve ta çojmë tek molla e kuqe.”
Fatkeqësisht,
njeriu sot është banor dhe qënie e manipuluar e internetit dhe rrjeteve të
shumta sociale. Sot njeriu jeton kohën postfaktuale, kur faktet kanë humbur në
një farë shkalle statusin e vet. Kjo dukuri që po merr përmasa në pothuajse të
gjitha moshat, ka ndikim dhe është e lidhur direkt dhe me punën e doktorëve
tanë. Rekomandimet fiktive për barna të bëra pa bazë shkencore dhe mjeksore nuk
ka bërë vaki ndonjëherë ti bëjnë mirë pacientit. Nëpërmjet portaleve të
ndryshme ka publikime dhe rekomandime vërtet absurde e tej absurdit. Jo rrallë
reklama e tyre bëhet nga mjekë me emër, të cilët mund të jenë marrë bedelë të
ilaçeve që reklamojnë, që kur e dëgjon nuk të vjen më as ti dëgjosh e
përmendësh emrin. Po cekim konkretisht në disa prej tyre.
-Mira
kulix- Kjo është nga shpikjet më të mëdhaja të shekullit, mbasi kush përdor këtë
ilaç, të gjejë vend ku të futet diabeti e tipit 1 dhe tipit 2.Pagjumësia,
lodhja, humbje e oreksit nuk është ndonjë problem kur i turret pacientit në
krahasim me dobitë që sjell.
- Doni të eliminoni plotësisht sëmundjet
e zemrës dhe hypertensionin? Turruni e merrni Cardin-Cure me shumicë e pakicë
dhe ja po nuk ju morën mendët. Kjo bëhet
mirë se shëron sëmundjen dhe vërteton se pacienti ka akoma mend.
-Cancer
Free; Ky ilaç, Po.Ai është i gatshëm të bëjë duel me të gjitha llojet e
kancerit dhe të fitojë. Pa ç’ka se e ngre nja dy tre gradë temperaturën e
pacientit, sjell të përziera e dobësi.Këto janë voglina.
-Neuro
Heal-Merre këtë ilaç dhe sëmundjet
neurodegjenerative (Alzhemerin e
Parkinsonin) marrin arratinë. Epo pacienti do të ketë ca lëkundje gjashtë
ballëshe të humorit, do të mbetet pa gjumë dhe nuk do njohë të afërmit nga
përqëndrimi i dobët.Shëndet, shëndet, pa mbahet pacienti.
-Immun
e Boost.-Pretendohet forcon imunitetin, eliminon të gjitha infeksionet virale
dhe bakteriale. Po ra ajo në gojën e njeriut, mjerë mikrobet. Të gjejnë vend ku
të futen. Nuk ka rëndësi se ke dhimbje koke, skuqje lëkure, puçrra.
Ta
dinte Hua Tou mjeku i famshëm i Kinës së
lashtë si punojnë mjekët e sotëm, si e
ku lindi koviti, do i kishte djegur hiroglifet e tij shkruar për mjeksinë.
Churaka në Hindi, kur të mësonte se cfarë bëhet sot me fallsifikimin, ndërrimin e afateve të
skadimeve të barnave, nuk do jepte asnjë lloj ilaçi përgatitur nga ky mjek i
famshëm. Avicena (Ibn Sina) do e digjte
në shkretëtirën arabike veprën e tij madhore”Kanuni i Mjeksisë” kurse Hipokrati
të dëgjonte për betimin e kodit të tij nga disa mjekë shqiptarë, kulmorë në
spitalin onkologjik, apo për aventurat dashurore të disave deri me pacientet,
duke u ndodhur “rastësisht” në krevatin e pacientes, do tentonte të vriste
veten pa arrirë moshën shekullore. Kjo puna e betimit me sa duket, qënka mjaft
delikate. Se rrëfenja thotë që një ditë
paria e vuri në be qenin të mos hante nga ai i nevojtoreve. Kaluan ditë dhe
qenin e diktuan syveriuesit se po hante e nginjej duke thyer betimin.
-Po
çfarë bën ashtu? Ti je betuar se nuk do të haje asnjëherë mut.- Unë u betova të
mos haja mut të freskët. Ky që po haja tani ishte mut i thatë”-u përgjigj qeni.
Bela e madhe betimi i thyer. Po thyerja e betimit të Hipokratit, është më tepër
se bela për doktorët.
Po
të lexosh reklamat ku përdoren për të rritur besimin edhe nga mjekë të njohur
dalin disa paradokse. Po të mbledhësh peshën e krimbave që bashkëjetuakan me
njeriun, peshën e fekaleve që mbahen në stomak e zorrë, dhjamit,të kolesterolit
te keq, gjakut etj. del se pesha e ta gjorit njeri paska mbetur sa pesha e një
kaposhi.E kujt i duhen këto?
Pacentëve? Njerëzve që vuajnë e
nuk i kanë mundësitë e mjekimit. Ku është vlera e slloganit “fjala shëron?”Pa
le në këto kushte të përmendësh parrullën e ndryshkur “mjeksia falas.”
Shëndetësia
private e kafshon shëndetësinë publike. Këtu nuk bëhet fjalë ti heqë ndonjë
copë dhe kaq, mbaroi kafshimi. E keqja është se po e sakatos aq rëndë sa po e
bën krejt të pa aftë të mbijetojë. Specializimi dhe shërbimi shëndetësor privat
është cilësisht më i mirë, por humanizmi aty po vdes. Se sot kudo po
lulëzon pjesa materiale, se pjesa shpirtërore ka vdekur. Bisnesmenë, menaxherë
e pronarë të këtyre institucioneve e spitale private, nga ana profesionale nuk
kanë asnjë lidhje me mjeksinë, por vetëm me fitimin material.
-Faktorët
e brendëshëm flasin më shumë për të ikur, se për të ndejtur. Njeriu, me fletë
votimi në dorë, e shikon çfarë blen me pagën, si është shërbimi shëndetësor,
arsimi, siguria. Mendimi i partive në përgjithësi as i intereson fare. Në këto
kushte, kur pjesa më aktive e popullsisë është larguar e në largim e sipër,
zgjedhjet i ngjajnë asaj që tregojnë se kur qorrat do të bënin zgjedhjen e
mbretit të qorrave, zgjodhën atë me një sy. E, në këtë vend gjithnjë do
zgjidhet mbret qorri me një sy.. Opozita me këtë gjendje që është sot, le të
fshijë buzët me trastën e kërriçit për të ardhur në pushtet. Le “të lumturohen”
doktorët që katranosën dhe duan ta vazhdojnë “terapinë e shkatërrimit” ende në
të gjithë vendin. Në kundërshtinë e
drejtpërdrejt të pacientit me mjekët sharlatanë, triumfoftë Betimi i Hipokratit të lashtësisë e ndaftë “shapin nga
sheqeri.”Bëhuni doktor i vet-vetes. Asnjërit nuk i besohet sot kur mjeksia është
bërë komerciale, tregëti.Le të kujtojmë vargjet e poetit te famshëm amerikan
Uollt Uitman, shkruar dikur:
“
Kundërshtoni shumë,
binduni
pak!”
Shyqyri Fejzo
Shtator 2024.