| E merkure, 25.09.2024, 06:59 PM |
Prof. Blerim Latifi:
Filozofi
gjerman Martin Heidegger, në një intervistë të tij, thotë se nga përvoja
njerëzore dhe historia e dimë se çdo gjë thelbësore dhe madhështore buron nga
fakti se njerëzit kanë një atdhe dhe janë të rrënjosur në një traditë.
Afrim
Bunjaku kishte një atdhe dhe ishte i rrënjosur në një traditë të madhe, në
traditën e Bunjakëve të Samadrexhës, të cilët ishin gjithmonë aty ku punohej e
luftohej për Kosovë e Shqipni. Prandaj edhe ai ishte aty ku ndodhi 24 shtatori
i vitit 2023. Për të mbetur emri dhe imazhi i asaj dite.
_____________
A
ju kujtohet kryetari i nderuar i Suharekës Bali Muharremaj kur mundohej me një
rrametë dushku me i shu flakët që kishin përfshi komunën e tij?
Kështu
edhe kryeministri Rama me një gotë ujë nga tryeza modeste shpirtërore e
Bektashizmit shqiptar, po do t'ia mësyj për t'i shuar flakët gjigante të
ekstremizmit fetar në botë.
Përfundimisht
Kadare kishte të drejtë kur Ballkanin e quante një zonë që prodhon donkishotë
për metër katror më shumë se çdo vend tjetër i botës.
_____________
Mohikani
i fundit i rëndësishëm i teorisë marksiste, Frederic Jameson, paska vdekur.
Veprat e tij të shumta, që për fokus kryesor kanë marrëdhëniet komplekse midis
ideologjisë, artit dhe kulturës, pas rënies së komunizmit kanë shërbyer si një
lloj ngushëllimi teorik për intelektualët e deprimuar dhe militantët e
shkapërderdhur të hipotezës komuniste.
Tekstet
e tij të thukta dhe me ndikim mbi estetikën janë përpjekje e sofistikuar për të
ngritur një teori marksiste mbi kulturën e artin përtej skemës klasike të
determinizmit ekonomik. Një përpjekje e tillë ka qenë në thelb të krejt
Marksizmit perëndimor, i cili aspironte që ta bënte përmes teorisë kritike atë
që se bënte dot përmes aksionit politik.
Jameson
jetoi gjatë, sa për ta parë vjetërsimin e kësaj teorie dhe pafuqinë e të Majtës
për të ofruar një alternativë të re dhe të besueshme ndaj kapitalizmit liberal
dhe kapitalizmit të ri shtetëror në shekullin 21.