| E merkure, 25.09.2024, 06:54 PM |
Karipllari
Nga
Edison Ypi
Karipllarin
e kam njohur te kafe "Fideli" ku mes zhurmave, tymrave, tollovirave
tranzicionale, pinim kafe dhe llafoseshim duke bërtitur e duke qeshur me
budallallëkun e kallaballëkut.
Karipllari
dhe një miku i tij më dëgjonin mendueshëm teksa u flisja për demokracinë,
lirinë, qytetarinë, komunitetin, edukatën, etikën, mirsjelljen, jetën urbane,
Artin, Letërsinë.
I
thoja aso kohe auditorit tim të zgjedhur me vetëm dy studentë: Mund të bëhem
pronar, për shembull, i një kafeneje. Por nuk do ndodhi kurrë. Nuk ja sjell Beu
kafen plebeut. Hyzmeqari ja sjell kafen Beut.
Dëgjoja
i mahnitur Karipllarin kur llafosej për fshatin nga sapo kishte zbarkuar:
Balta, mizat, mickonjat, vajtjet në mal për dru me kalë, kthimet e lodhëshme,
gjymi me ujë varur në çengel mbi zjarr, lopa e sëmurë, viçi i porsalindur,
drutë për dimër, zahireja, pastërmaja, mullarët e barit, e të tjera mrekullira
bukolike.
Te
Karipllari dhe tjetri, të dy seriozë dhe të vendosur për ta përmirësuar jetën
duke punuar sa më tepër, shihja përfaqësuesit tipikë të atyre që do ndërtonin
të ardhmen e vet dhe të vendit sapo dalë nga tmerret e Diktaturës.
Karipllari
dhe tjetri më konsideronin mua si një lloj recepsionisti në paradhomën e metropolit,
prej të cilit duhej të merrnin çelsat e dhomave të epërme të kryeqytetit, ku me
guxim dhe vendosmëri do hidhnin hapat e para drejt suksesit, pra krejt ndryshe
nga moshtarët e tyre që uleshin për kafe dhe s'kishte vinç t'i ngrinte pa
kaluar të paktën nja tre a katër orë.
Vazhdova
të pi kafe me dy miqtë e rinj duke çmuar distancën që mbanin dhe refuzimin që
ata u bënin jetës së kollajtë, snobave, snobizmit, llapazanave, mburravecave që
vetëm marrin dhe nuk japin.
Te
"Fideli", Karipllari ishte i vetmi që nuk e fshihte katunarllikun.
Ndjehej rehat në identitetin katundaresk, të cilin identitet, as e shpallte as
e fshihte, dhe mirë bënte.
Karipllari
nuk ishte katundar për një apo dy apo tre arsye. Karipllari ishte katundar në
gjithçka. Karipllari ishte katundar nga koka te këmbët. Në të ndejtur, në të
ecur, në të folur. Karipllari ishte një superkatundar. Karipllari ishte një
katundar që i kishte brenda vetes të gjithë katundarët dhe të gjitha
katundarizmat e botës. Pse të lodhesha ta kënaq kureshtjen mbi katundarët dhe
katundarizmin duke pirë kafe me të gjithë katundarët ? Ja ku kam njërin që i
përfaqson të gjithë. Katundarin e përsosur. Fshatarin e pavdekshëm. Karipllarin
e madhërishëm.
Mes
pordhëve dhe piskamave, te "Fideli" nisën të çfaqen dallandyshet e
para të katastrofave të ardhëshme mediatike, politike, ekonomike. Ca bërthama
apo ca vatra me në krye ca ambiciozë të paaftë të patalentuar që përpiqeshin,
dhe ja arrinin, të binin në sy duke mbushur boshin me bosh. Kryesisht me
prejardhje komuniste, bij dhe nipa nomenklaturistësh. Tek-tuk edhe nga oxhaqe
bejlerësh pasunarë të persekutuar dhe çpronësuar. Ishin ata që sot e hedhin në
tavan, ata katër a pesë që dihet cilët janë, dhe krrupë ndjej emrat tua
shkruaj.
Sa
i përket refuzimit ndaj kësaj murtaje që u çfaq në horizont, unë, Karipllari
dhe tjetri, fillimisht qemë në një mendje, dhe shtrënguam rradhët.
Pati,
fatkeqësisht, edhe episode të tilla: Duke më parë në tavolinë me Karipllarin
dhe tjetrin, më thoshin me zë të lartë dhe ton përçmues:
Me
këta bajga rri akoma ti ?
Nuk
ua vija veshin.
Por
disa plasaritje nisën të duken në horizont. Për shembull, kur flisja me zjarr
për Kadarenë, Karipllari disa herë ma ngriu gjakun: E mo se Kadaea një kopjac
është, thoshte Karipllari, të gjitha i ka të kopjuara nga Markes-i.
Katundari
Karipllari, pa i lëvizur qerpiku, shqiptonte diçka aq të padenjë, aq të fëlliqt
për gjeniun tonë, saqë unë nuk do guxoja as ta mendoja. Megjithatë, në mbrojtje
të ekuilibrit të tij psiqik, nuk ja mora për të madhe. Vazhduam të talleshim e
të qeshnim me kronistat, opinionistat, analistat, reportazhistat, redaktorët
trukokallë, e të tjerë e të tjerë, pa ua ndarë këshillat apo sugjerime mbi
mirsjelljen, vetpërmbajtjen, tekstin e përsosur në përmbajtje dhe tingull,
fjalët e kursyera, shmagjen e diarreve verbale, dhe, me theks të veçantë,
refuzimin e rreptë të pasurimit të shpejtë dhe abuziv, si rreziku më i madh
ndaj vetes, shoqërisë, vendit, humanizmit, profesionalizmit, ardhmërisë,
vlerave njerzore, dhe gjithçkaje.
Një
mbrëmje me shi pasi u zhdëpëm me patate të skuqura, salc kosi dhe birrë, kur
dolëm duke gromësitur nga një kioskë mbi lanë, na thanë se kishin vrarë Azem
Hajdarin. S'na bëri asnjë përshtypje. Na u duk po aq e natyrshme sa shiu i imët
i shtatorit që binte pa u ndalur. Madje, nëse kujtesa s'më gënjen, këmbyem nga
një buzëqeshje kuptimplote. Ndoshta urtësitë e mia mbi rrezikun e rrugaçërisë,
hajdutllëkut, banditizmit, te miqtë e mi katundarë kishin zënë vend, ishin
mirkuptuar.
Një
herë Karipllarit i bëra një goxha nder. Nga mënyra si i shihte femrat, vura se
Karipllari po vuante nga virgjëria e zgjatur. Mu dhymys. I thash njërës nga
ato:
-Aman
çliroje pak se po i shpërthen sperma nga veshët.
-Pa
merak, tha ustallesha, betohem në nderin tim se nuk do e lejoj të martohet i
virgjër.
Pas
disa ditësh Karipllari u çfaq shendeverë, më i zhdërvjellët se kurrë, gati për
martesë.
Një
herë tjetër Karipllari më tregoi garsonierën ku jetonte. Ç'të shihje. Katua e
tëra. Gjithandej kakërdhia. Dele dhe cjepër duke u dridhur nga frika sikur të
isha unë kasapi që pas pak do i therja.
Ndërkohë
që koha kalonte, vura re një rrëshqitje, një ikje, një shkurtim distance me
snobat, snobizmin, OJF-të që kishin nisur të gëlonin. Jepnin e merrnin me këmbë
e me duar, për shembull, me një deputet. Kur pas ca kohësh, një ditë,
Karipllari, pa e pyetur, më tha se deputeti
e
ndihmoi në përshpejtimin e aprovimit të një ligji, falë të cilit, Karipllari
dhe tjetri nuk e kryen shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
Më
mbeti fryma.
Katundar
çunak që përdhos tempullin e pluralizmit si ndonjë mafioz regjur. Karipllari
nisi të më çfaqej i pa skrupull, pa masë, pa pengesë, pa prag, pa kufij, pa
etikë, pa moral.
Kaluan
vite.
Përmes
një manovre të errët, Karipllari u bë sebep që, edhepse autori më i lexuar, u
largova nga gazeta Panorama.
Këshillat
e mia për mirsjellje, mos tundimi ndaj pasurimit të shpejtë etj pangapak i mori
lumi.
Ndërkohë
që unë moralisti badiava mbeta me biberon në gojë, Karipllar katundari sot
është me vila, udhëtime të shtrenjta nëpër vendet më trendy dhe më ekzotike, sa
po bën lëmsh botën, po ngatërron Vatikanin me Skraparin, Luksemburgun me
shtetin e Baba Mondit.
Vonë
koptova thelbin e hiles së Karipllarit.
Karipllari,
nga njëra anë më dëgjonte me vëmendje mua për të marrë prej meje sekretet si të
mbetej i varfër, nga ana tjetër, tinëz meje, ndiqte dhe zbatonte mënyrat e
pasurimit abuziv përmes lëpirjeve dhe servilizmave të snobave, llapaqenave,
kokboshave, atyre që vite të shkuara Karipllarin e cilësonin bajgë.
Kështu
kaloi jeta e Karipllarit duke lëpirë bythat e eprorëve deri në llamburtje.
Tani
që s'ka më kafe "Fidel", as përbetime të miat për të mos u bërë kurrë
pronar, s'është çudi, po ata që Karipllarin e atëhershëm e cilësonin bajgë, po
i thonë Karipllarit të sotëm të udhëtimeve nëpër ishuj ekzotikë të mos merret
me mua që mbeta gjith jetën lakuriq me duar në xhepa.
Predikimet
për qytetari, respekt, humanizëm u bënë pluhur e hi. Karipllarit të preokupuar
vetëm për servilizma ekstreme, as i bie në men për të tilla.
Karipllari
i sotëm, ai që çoku zhgarraviste ndonjë kronikë, sot duhet ti kthehet Abetares
për të mësuar Alfabetin. Ka harruar të shkruaj, të flasi, të pyesi, të
përgjigjet. Nuk ka dijeni për gjëra serioze ose joserioze, të rëndësishme apo
të parëndësishme. E vetmja gjë serioze dhe e rëndësishme për Karipllarin e
sotëm është rrethi i brimës së bythës së shefit, eprorit, pronarit, që duhet
lëpirë me gjuhë të zgjatur në thellësi.
Karipllari
i sotëm ka mbetur si mos o Zot. Një viktimë e kohës sonë. Një hije. Një pupac
që e ftojnë nëpër banaqe për lolo. Një gaztor që s'i duhet as Dreqit. Një
llapazan i padobishëm. Një manekin i krehur. Një tarallak i shëndetshëm. Një
kufomë e qeshur.