| E shtune, 21.09.2024, 06:55 PM |
"Analistëve" lëshoju rrugën dhe studiot televizive
Nga
Blerim Rrecaj
Shumë
gjëra, shumë probleme e procese u zgjatën e u stërzgjatën. Ç'të bësh e ç'të
bëjmë?! Njëra prej tyre është edhe puna e analistëve. Kush i analizon ata? Ata
janë kudo e kurdoherë të qasshëm e të gatshëm për t'u përgjigjur për secilindo
problem që na rrethon e mundon. Ata kanë kohën e hapësirën e dynjasë për të
folur, për t'u nxehur, për të bërtitur, për t'u pajtuar a mospajtuar, për të
thënë " ta them unë a" e "më mbaj për fjale"; për të
treguar formula magjike e rrugëzgjidhje fantastike, duke filluar nga ato më të
thjeshtat e për të vazhduar deri te më të komplikuarat. Mbasi aq fort janë të
pranishëm saqë tashmë mediet edhe mund t'i quajmë streha, kafene, hotele e besa
edhe shtëpi të ëmbla ku pleqërohen analistët. (Nejse e ka thanë Baca Din se çdo
rregull ka përjashtim, për mos me na akuzuar për përgjithësim!) Ata shfaqen
ditë për ditë e natë për natë, duke lënë pas gjurmët e veta. Njëherë një debat
për kulturën, njëri pat kritikuar analistët e shumtë dhe gatishmërinë e tyre
për të folur që prej çështjeve shëndetësisë, sportit, arsimit, politikës,
rrugëve, kanalizimit e deri te problemet botërore e ato bërthamore. Nuk shkoi
shumë kohë, e ai që kështu foli e qeshi, mjaft shpejt rrobat e analistit i
veshi, saqë përnatshëm zë vend në një fotele të butë në njërën studio
televizive, duke folur si për çështje më të lehta, si për ato më të nxehta. Si
për ato freskuese si për ato përvëluese.
Siç
po shihet e siç po duket pa gjithë këta "analistë" do frymonim më
lirisht.
Imponimi
i tyre mediatik sa është bërë bajat aq është dhe qesharak, sa që na kanë lënë
ndonjë rremb pas. Për shembull nganjëherë këta mendimtarë të pashoq aq ndezen e
mërdhezen saqë nuk e di se je duke parë ndonjë film me aktorë që nuk e kanë
shoqin. "Ndalu bre zanin se na tranuan, çka kanë këta, a janë normal, ende
je duke i parë a, tërhiqet me të drejtë vërejtja në familje". Si i zënë ngushtë thua tash veç për pak
minuta se më paska "marrë malli" për t'ua parë fytyrat, gjestet,
mimikat, nervozizmin, mospajtimet e pajtimet, kameleonizmin e pashoq, duke
ndërruar kanalet e shumta. Hej, një mend të thotë rradakja, fort po u shkojka
emisioneve debatuese një mbiemër i tillë. Nga i pari deri te... te i sati more
se shumë janë ba. Nganjëherë po më vjen marre që po flas, e u zgjata kështu, se
po kam drojë se po bëhem farë kryeanalisti. Të them të vërtetën bashkë me të
drejtën udhën po ma zënë një numër kaq i madh analistësh. Po, ndoshta më së
miri është t'ua lëshoj rrugën. Po edhe me ua lëshu rrugën prapë problem i madh,
ata turr e nëpër studio televizive. Pastaj në ato kopshte të rezervuara për ta
duke mbjellë e bart mjegull.
I
pashë a s'i pashë s'është me rëndësi, më thanë a s'më thanë poashtu s'çon
peshë, se ata që e kanë mizën ndër kapuç, s'do të ndihen mirë, po ti more djalë
çka ke paske ba kështu, (fjalë që vështirë po kam me thanë) t'i a budallë po na
thua a?! Po e thoni ju, s'e thashë unë...
Dihet
se veset e barërat e këqija s'i duron njerëzia e shqiptaria...