| E shtune, 21.09.2024, 06:59 PM |
DREJT PUK ËS SI DREJT VENDLINDJES
-
Në vend të një homazhi për gazetarin e ndjerë, Gjon Gjoni -
Nga
Llesh Ndoj
Nuk
di pse udhëtimi drejt Pukës, këtij qyteti të vogël e shumë simpatik në Veri të
vendit tonë, udhëtoj kurdoherë me kënaqësi duke mos e ndjerë lodhjen edhe pse
rruga është e largët, disi e lodhëshme dhe ditët e mia tani janë larg kohës për
aventurë. Janë rreth 45 vite që e bëj këtë udhë, dikur përmes vështirësive të
jashtëzakonshme, ku pas 3 - 4 orëve në këmbë për të kaluar Munellën, do të
duheshin edhe 3 - 4 të tilla të prisje në Tuç apo Qafë - Bari në se kishe fat
të hipje në ndonjë karroceri skode të ngarkuar me bakër apo lëndë drusore. Aso
kohe ato përbënin bazën ekonomike të asaj periudhe për Pukën dhe që ishin me
një peshë jo të vogël në ekonominë kombëtare, për të vijuar me një odise më
vete në qytetin e vogël, por atëherë plot zhurmim zhvillimi të Fushë - Arrëzit,
që shoqërohej me një ushtrim fizik të konsiderueshëm në radhë për një biletë
autobuzi, shpejtësia e të cilit në rrugën drejt Pukës nuk e kalonte 2 - 3 herë
të ecurit në këmbë për shkak të rrugës së vështirë.
Edhe
sot, megjithë zhvillimin e infrastrukturës rrugore e faktit që s’ka më nevojë
të ecësh me kembë, Puka aty mbetet, krenare mes maleve të lartë e rruga drejt
saj gjarpëron përmes një relievi të bukur por të frikshëm, ku shquhet sidomos
aksi nga Vau i Dejës e në vazhdim, veçanërisht kthesat e famshme të Gomsiqes e
ato të Lufit, dy zona me histori e traditë por me terren të vështirë. Por pas
një udhe të gjatë, në Pukë nuk e ndjeja lodhjen dhe, sa mbërrija, do të dilja
një xhiro qytetit, kafeneve atëherë të pakta e dyqaneve të furnizuara mirë për
kohën. Do të kisha kurdoherë mikpritjen dhe shoqërinë e mikut tim të shtrenjtë,
ish – gazetarit të njohur, kuadrit e intelektualit, tashmë të ndjerë, Gjon
Gjoni (Shuku), që u bë njëkohësisht edhe mësuesi im në lëmin e shkrimeve, për
aq sa kam mundur të lëvroj në këtë fushë. E çuditshme, por e vërtetë, Gjoni
mbetet përsëri “arësyeja” dhe motivi i udhëtimeve të mija drejt Pukës edhe
tashmë kur familja e tij ka 20 vjet që jeton në Tiranë, e Gjoni 15 vite që nuk
jeton më mes nesh. Udhëtimi im i parafundit, realizuar dy vite më parë, ishte i
veçantë dhe emocional. Atë që më kishte pritur për shumë vite atje, në qytetin
e vogël të Migjenit të madh, po mundohesha t’ia ktheja vendlindjes, shokëve e
miqve të shumtë, të përjetësuar në faqet e një libri modest monografik,
titulluar “Gjon Gjoni, intelektuali që nuk mund të harrohet”, me bashkëautor të
ndjerin Idriz Ahmetaj. Në atë ceremoni të veçantë, të bukur e të mirëorganizuar,
moderuar nga i mirënjohuri regjizori Fran Vukaj, në fjalën time me atë rast
pata hedh edhe mendimin (propozimin) që Këshilli Bashkisë Pukë, bën mirë t’a
propozojë emrin e Gjonit në radhën e atyre që janë nderuar me titullin “Qytetar
Nderi” i qytetit të Pukës.
Gjon
Gjoni (Shuku), si bir i asaj treve, kishte kontribuar mjaftueshëm në fushën e
mësuesisë, në aktivitetin e përditshëm shoqëror e shtetërorë e sidomos në
fushën e gazetarisë, përmes të cilit e kishte pasqyruar bukur punën e
përpjekjet e atij rrethi në shtypin periodik të kohës, ku ishte gazetar i
njohur dhe i rregullt, si edh në shtypin lokal, ku ishte themeluesi e drejtuesi
i tij për shumë vite. Puka në ato vite bëri përpjekje të jashtëzakonshme
zhvilluese në të gjithë sektorët e ekonomisë e të jetesës, ndaj nuk mund të
mungonin në shtypin e përditshëm të kohës dhe shkrimet e Gjonit, herë me emrin
e tij e shpesh thjesht si “korespondent i…” ishin gati të përditshme dhe vinin
nga çdo cep i këtij rrethi e nga çdo fushë e jetës dhe veprimtarisë së
njerërzve, kryesisht atyre që punonin drejpërdrejt në frontet e vështira të
punës e prodhimit si në miniera, pyje, kooperativa e ndërmarrje bujqësore, por
edhe në arsim, shëndetësi, kulturë e kudo. Gazeta lokale “Përpjekja”, më pas
“Puka”, “Besa” apo “Fokus Rural”, ku ishte themelues, kryeredaktor, redaktor e
drejtues, për aq sa u botuan, u bënë jo vetëm pasqyrë e punës që bëhej e
rezultateve që shënoheshin, por edhe pararendëse e tyre, duke pasqyruar
mendimin intelektual e shkencor të brezit të të diplomuarve të shumtë të atyre
viteve në rrethin e Pukës në të gjithë sektorët, bashkë me përvojat e
përparuara lokale e kombëtare. Më vonë Gjoni nuk mungoi të kontribuonte edhe me
krijimtari artistike, ku botoi disa libra për Pukën e pukjanët, herë si autor, herë
si bashkëautor, e herë si redaktor, ku spikat libri “Udhërrefyesit e dijes”, i
parashikuar të kishte edhe një ose dy vëllime vijuese, projekt që mbeti në mes
nga që Gjoni, në moshën më të mirë për kësi punësh, e krejt pa pritur ndërroi
jetë në dhjetor të vitit 2009, në Tiranë.
***
-Dajë,
përshëndetje!
Kështu
më shkruajti në celularin tim dy vite pas atij takimi të gushtit 2022, Dritan
Asani, një djalë i ri, fort i angazhuar në politikën lokale, ku është i
zgjedhur për dy mandate anëtar i këshillit bashkiak të rrethit. Dritanin se kam
asgjë nga gjaku, por më drejtohet “dajë” në respekt të nipave të mij me të
cilët i përkasin të njëjtës zonë, asaj të Qelzës së këtij rrethi. Pasi
shkëmbejmë përshëndetjet e rastit e pyetemi me njëri - tjetrin për shëndetin, punën
e familjen, Dritani, pa e fshehur kënaqësinë, me njoftoi se kërkesa e tij dhe e
një grupi këshilltarësh bashkiakë si nismëtarë, ishte marrë parasyshë nga
Këshilli i Bashkisë Pukë dhe Gjon Gjoni ishte shpallur “Qytetar Nderi” i Pukës.
U entuziazmova shumë për këtë vlerësim të merituar dhe nuk e fsheha dot
gëzimin. E falenderova Dritanin duke e ndjerë më afër, si një nip prej vërteti
dhe u ndamë me urimin që të shihemi së shpejti në ceremoninë e dorëzimit të
këtij titulli, pjesmarrjen time në të cilën ia premtova.
***
Ja
pra, Gjon Gjoni u bë prapë motivi i udhëtimit tim drejt Pukës turistike, sot me
20 gusht 2024, me rastin e ceremonisë së organizuar prej Bashkisë Pukë për t’i
dorëzuar familjes së tij titullin “Qytetar Nderi” me të cilin e ka nderuar emrin,
veprën dhe kontributin e Tij. Puka, edhe pse në kushte të vështira natyrore, me
papunësi të madhe e halle të shtuara të kohës, pa vëmendje ndaj zonave të
tilla, ka ndryshuar shumë e është bërë edhe më tërheqëse, vit pas viti.
Njerëzit e saj mbeten aseti më i çmuar që me bujarinë, fisnikërinë e mirësinë
që i kategorizon, prandaj të shijon më
shumë çdo sekond takimi me ta, e të joshin me qëndrue sa më gjatë me ta.
Kështu ndodhi edhe sot! Na pritën me shumë respekt nënkryetari i Bashkisë z. Ferit Ringaj, Kryetari i këshillit të bashkisë z. Gjon Gjoka, drejtoresha e Pallatit të Kulturës “Ndue Shyti”, këshilltarë e punonjës të administratës. Nuk munguan bashkëfshatarët e mirë të Gjon Gjonit, ish shokë e bashkëpunëtorë të tij. - Na u duk se po vjen Gjoni, - na thanë ata, duke mos i fshehur as emocionet, as fjalët falenderuese, për bashkinë dhe për këtë vlerësim. Një ceremoni e thjeshtë dhe e bukur, me pjesëmarrje të konsiderueshme si nga administrata e këshilli bashkiak, ashtu edhe nga shokët, miqtë e bashkëpunëtorët e shumtë të kohës, zhvilluar në sallën e leksioneve të Pallatit të Kulturës “Ndue Shyti” në qytetin e Pukës. Të emocionuar ishin sidomos pjestarët e familjes së Gjonit, bashkëshortja Marte, djemtë Artani e Genti, vajza Diana, por edhe nipat e mbesat e shumtë që kishin lënë punët e tyre të përditshme e kishin udhëtuar nga Ukthi, nga Tirana, nga Roma e Milanoja vetëm për këtë rast.
Fjalën
e hapjes e mbajti regjisori i njohu Fran Vukaj, i cili edhe moderoi të gjithë
aktivitetin. Një paraqitje të jetës e veprës së Gjonit e bëri ish shoku i tij,
intelektuali e krijuesi Ndue Llesh Marku. Përshëndeti në emrin e tij dhe të
kryetarit të bashkisë z. Rrok Dodaj, nënkryetari i saj z. Ferit Ringaj. Përmes
emocioneve të ligjshme në kësi rastesh, titullin e nderit ia dorëzoj
familjarëve kryetari i këshillit bashkisë z. Gjon Gjoka. Titulli iu dorëzua
djalit të madh, Artanit, i cili falenderoi mes emocionesh bashkinë dhe të
pranishmit, duke premtuar se ky vlerësim do të ishte një arësye më shumë për të
qenë krenar me vendlindjen e tyre Pukën, e një motiv më shumë për t’a ruajtur e
transmetuar në breza emrin e mirë të babait të ndjerë, tashmë qytetar nderi i
Pukës, Gjon Gjoni. - Gjoni, - u tha në takim, ka gëzuar titullin më të lartë,
atë të qenit “Njeri”. Ai ka qenë qytetar i nderuar i Pukës. Vendimi i këshillit
të bashkisë vetëm sa e ka “çertifikuar” atë që ai e gëzonte në kujtesën e
njerzve. Përshëndetën edhe intelektuali i nderuar e shkrimtari Mark Mesuli,
këshilltari Dritan Asani, drejtori i shkollës në Qelëz z. Alfred Prendi, z.
Ramadan Kopani, ish - shok e bashkëpunëtorë me Gjonin, etj. Me emocione të
shumta kaloi përshëndetja e zj. Elisabeta Gjoni, mbesa e tij dhe Diana Gjoni, e
bija. Një atmosferë të bukur krijuan tingujt e çiftelisë të instrumentistit
virtuoz Sadri Lleshi, por edhe pjesët e përzgjedhura nga libri monografik “Gjon
Gjoni - intelektuali që nuk mund të harrohet”, me autorë Idriz Ahmetaj (I
ndjerë) dhe Llesh Ndoj, recituar mjeshtërisht nga z. Fran Vuka. Të gjithë me
fjalë vlerësuese për Gjonin, por edhe për bashkinë, që ka ditur të vlerësojë
kontributet e tij mbi 40 - vjeçare në këtë rreth. Një kokteil mes të afërmve,
shokëve, miqve dhe autoriteteve e mbylli këtë ceremoni të thjeshtë e të bukur,
duke hapur mundësi të reja që takimet tona me ata njerëz të nderuar të mos
shkëputen kurrë.
Tash
e në vijim, Gjon Gjoni do na presë në Pukën e tij (dhe timen) si “Qytetar
Nderi” i saj. Nder e respekt për çdo anëtarë të Këshillit të Bashkisë Pukë, për
drejtuesit e bashkisë, administratën e saj e të gjithë pjesmarrësit në këtë
ceremoni të bukur.
I
nderuari di të nderojë, e pukjanët kanë ditur t’a bëjnë këtë edhe në kohë të
vështira.
Llesh Ndoj, studiues e krijues
Pukë, më 20. 09. 2024