| E enjte, 19.09.2024, 06:55 PM |
Nuk ka hapje të Urës pa dialog!
Nga
Florim Zeqa
Misioni i NATO-s, përkatësisht KFOR-i ka
ritheksuar se vendimi për hapjen e Urës së Ibrit duhet të merret në dialog dhe
në koordinim me ndërkombëtarët, në mënyrë që të mos rrezikohet siguria e
komuniteteve lokale dhe e trupave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë.
Tërheqja e “moderuar” e
Kurtit nga hapja e Urës
Në
një komunikatë për media, përfaqësuesi i NATO-s, Goffus ka diskutuar për
situatën e sigurisë në Kosovë, i cili adresoi shqetësimet e sigurisë në lidhje
me hapjen e mundshme për trafikun rrugor të urës së lumit Ibër në Mitrovicë.
Goffus
theksoi nevojën për një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme mes dy
vendeve dhe popujve. Ai vuri në dukje se vendimet duhet të merren përmes
dialogut e jo në mënyrë të njëanshme, në koordinim të plotë me komunitetin
ndërkombëtar, në mënyrë që të mos rrezikohet siguria e komuniteteve lokale në
të dy anët e lumit Ibër.
Kjo
deklaratë e shefit të NATO-s shënon fundin gjuhës populiste të Albin Kurtit, me
kartën e 'hapjes' së Urës mbi lumin Ibër!
Deklarata
e fundit e Albin Kurtit “Për hapjen e Urës së Ibrit po i presim QUINT-in e
KFOR-in”, e tregon qartë tërheqjen e tij përfundimtare nga vendimi për hapjen e
Urës kryesore që e ndan qytetin e Mitrovicës në dysh.
Përfundimisht
tani është e qartë se Ura mbi lumin Ibër nuk do të hapet para zgjedhjeve të 9
shkurtit 2025 dhe pas tyre deri në arritjen e një momentumi të ri politik pas
krijimit të qeverisë së re.
Për
fatin e keq të Kosovës dhe të qytetarëve, ketë konstatim timin nuk po e kanë
guximin ta thonë troç politikanët, e aq më pak liderët e lartë shtetëror dhe
partiak, e për më keq se kaq, nuk po e thonë as njohësit e rrethanave politike,
të cilët janë të kyqyr në rrjedhat e sistemit politik, të cilët i dinë më mirë
sesa unë rrethanat që e kanë determinuar themelimin e Asociacionit një etnik
serb në pjesën veriore.
Andaj,
nuk është aspak e ndershme për të luajtur me ndjenjat qytetarëve, duke u
thirrur në gjëra krejtësisht të parealizueshme siq është hapja Urës mbi lumin
Ibër pa pëlqimin e ndërkombëtarëve.
Fundi i gjuhës populiste
të Albin Kurtit
Pra,
tashmë i erdhi fundi gjuhës populiste të Albin Kurtit me kartën e “hapjes” së
Urës kryesore në Mitrovicë, të urës simbol të ndarjes së sovranitetit të
shtetit të Kosovës mes serbëve dhe shqiptarëve.
Sikurse
heqja e një mbishkrimi dhe vendosja e një tjetri në veriun e vendit që nuk e
nënkupton shtrirjen e sovranitetit në veri, as tërheqja taktike e serbëve nga
isntitucionet shtetërore në veri nuk e nënkupton shtrirjen e sovranitetit me
kryetarë pa legjitimitet qytetar!
Shtrirja
reale dhe e vërtetë e sovranitetit në veri nënkupton vjeljen e tatimeve mbi
pronat dhe bizneset serbe në veri, inkasimin e rrymës dhe të ujit dhe të gjitha
shërbimeve tjera nga serbët lokal të veriut.
Kryeministri
aktual me tërheqjen e fundit për hapjen e Urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë, u
zhvesh komplet nga të gjitha premtimet mashtruese ndaj qytetarëve.
Ngjyrosja
dhe fasadimi i Urës i mbeti i vetmi ngushllim për mos-hapjen e paralajmëuar për
15 gusht 2024 me pompozitet të madh në mediat e vendore dhe ndërkombëtare!
Përfundimisht,
nuk do të jetë Albin Kurti ai që do ta hapë Urën pa përmbushjen e obligimeve
ndërkombëtare me të cilat e kanë ngarkuar Kosovën pararendësit e tij në
qeveritë paraprake! Mosmbajtja e premtimit bazik për hapjen e Urës kryesore në
Mitrovicë e ka ulur për tokë imazhin e Kurtit para qytetarëve të vendit, duke e
lënë atë me imazh të thyer edhe para aleatëve strategjik të Republikës së
Kosovës, të cilët e presin me padurim largimin e tij nga pushteti
KFOR-i
do të vazhdoj të zbatojë mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të
Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të krijuar në një mjedis të sigurt për
të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, përfshirë edhe lirinë
e lëvizjes së qytetarëve. Domosdoshmërisht isntitucionet e Republikës së
Kosovës në çdo kohë duhet të jenë të koordinuara dhe bashkrenduara në veprime
me KFOR-in dhe misionin e BE-së, si garantuese të lirisë dhe sovranitetit të
shtetit tonë.
Florim Zeqa
18.09.2024