| E enjte, 19.09.2024, 06:56 PM |
PRITËN KOALICIONE BEFASUESE, LDK HEQ VIJAT E KUQE PËR PAN!
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
Afrimi i zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit
2025, ka shqetësuar skajshëm opozitën e çakorduar të Kosovës. Pozicioni
opozitar i saj, në mungesë të një kauze të mirëfilltë, përveç një propagande të
shpëlarë, kryesisht, shpifëse e hiç të argumentuar, është bërë bumerang dhe
mosbesuese. Sforcimi artificial në opozitë-bërje, ndaj pozitës aktuale, po e
zbehë rreshtimi përkrahë Serbisë dhe të disa eksponentëve ndërkombëtarë, me
simpati apo edhe me pagesë nga Serbia me aleatët e saj tradicional.
Tri akuzat bazë që i bëhen Kurtit dhe qeverisë së
tij, nga opozita destruktive janë:
1) Kurti na i vuri sanksionet me qëndrimet
kokëforta të tij, në raport me ndërkombëtarët!?
2) Kurti dhe qeveria e tij nuk po koordinohet me
ndërkombëtarët, në marrjen e vendimeve, për shtrirjen e sovranitetit në veriun
e Kosovës!?
3) Kurti ka ndërprerë të gjitha marrëdhëniet më
qeverinë shqiptare.
Qëndrimi ekuivok i ndërkombëtarëve, trimëron
Serbinë!
Së pari, sanksionet u vunë pas sulmit banditesk
terrorist dhe shkeljes të sovranitetit tokësor të Kosovës! Ndërkohë që, Kosova
dhe bota priste të ndodhë e kundërta. Pra, të sanksionohet Serbia agresore dhe
jo viktima Kosovë! Pas dajakosjes të ushtarakëve të KFOR-it, nga turma bandite
serbe, Borrell bëri thirrje: "Të arrestohen dhe të dënohen
kriminelët". Policia e Kosovës burgosi fillimisht 3 (tre) sish,
Borrell ndërroi mendje: "Pse po i provokoni serbët në veriun e Kosovës?!
Pas të gjitha nismave për shtrirjen e sovranitetit, Qeveria e Kosovës është
anatemuar, shantazhuar, madje deri në kërcënim të hapur nga ndërkombëtarët, të
cilët donin ruajtjen, me çdo kusht, të statusquaos në veriun e Kosovës, qoftë
edhe "me banda nëpër këmbë"!
Kjo ishte inkurajimi dhe thirrja e hapur e ndërkombëtarëve,
të bërë serbëve, për të kundërshtuar dhe barrikaduar kundër qeverisë së
Kosovës. Madje edhe në dajakosjen e sakatosjen e dy amputimeve të këmbëve të dy
ushtarakëve KFOR-istë hungarezë, pjesë e krimit të drejtëpërdrejtë janë edhe
Borrelli, me shokë, përkatësisht, BE-në e tij. Qeveria filloi ushtrimin e
sovranitetit, duke ndaluar votimin e serbëve të Kosovës, për zgjedhjet e
Serbisë e deri ke mbyllja e komunave paralele në veriun e Kosovës. Dhe, të
gjitha veprimet e qeverisë, për shtrirjen e sovranitetit, ndërkombëtarët i kanë
quajtur provokim të serbëve!?
Së dyti, Kurti dhe qeveria e tij, për të gjitha
veprimet sovraniste, në veriun e Kosovës, ka paralajmëruar dhe konsultuar
ndërkombëtarët. Madje, edhe i ka alarmuar ata se ndarja e Kosovës, me kufirin e
vënë në Urën mbi Ibër, nga KFOR-i francez, me praninë dhe aprovimin e trojkës
së "UÇK-së": Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Agim Çeku, pikërisht, në
ditët tragjike të vrasjes të një duzinë dhe përzënien e dhunshme të mijëra
shqiptarëve vendorë të veriut.
Një dëshmi vetëfolëse, të pranuar nga amerikani
James O`Brian: "Për mos ndalimin e - dinarit serb -, edhe pse i kemi thënë
qeverisë Kurti, megjithatë ajo e bëri ndalimin". Ndërkohë, ambasadori Jef
Hovenier thoshtë të shtyhet afati i zbatimit të këtij vendimi, Jim
O`Brian dhe disa përfaqësues të Kuintit ngulmonin të anulohet
vendimi, pa përcaktuar asnjë afat kohor! Atëherë, çfarë koordinimi mund të
bëhet, kur edhe pas një çerek-shekulli çlirim të Kosovës dhe njohjen e
pavarëisë të Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ?!
Së treti, kryeministri shqiptar, Edvin Rama, me
qeverinë e tij, u rreshtuan njëjtësisht me presidentin serb, Vuçiq dhe aleatët
e tij brenda BE-së, gjithnjë kundër Kosovës, që nga Ballkani i Hapur e deri ke
ndarja e Kosovës. Andaj, kujt i duhet në Kosovë marrëdhënia me klyshërinë
serbe, qofshin ata edhe shqip-folës?!
E vështirë fushata e PDK-AAK, në raport me LDK dhe
LVV
Fushata për zgjedhjet në pritje, pothuajse, ka
filluar. Se çfarë do të jetë kjo fushatë, për LDK, PDK dhe AAK-NISMA, kundër
partisë në pushtet, fillimi është i zymtë. Nga partitë-banda të PAN-it,
LDK-në do ta veçoja, duke shpresuar në disa avantazhe të saj, që e shquajnë në
epërsinë e saj, në raport me opozitën aktuale.
Negativiteti i PDK dhe AAK, nismon me falsifikimin
e madh, duke u vetëquajtura si të djathta!? Realisht, janë të majta ekstreme,
pra, staliniste, të cilat kanë dalë nga një mitër e përgjakur. Hiqen si
pro-amerikane, por janë, nismë e mbarim, kundra amerikane dhe tërësisht
anti-perëndimore. Dhe, kjo zë fill me LPK-në amë të tyre, e cila, dikur,
protestonte kundër bashkimit të dy Gjermanive, "sepse po dobësohet
komunizmi botëror me nënën Rusi në krye!" Këto protesta ishin në vazhdën
ideologjike-staliniste të udhëheqësit shpirtëror, kriminelit vrastar të
shqiptarëve, Enver Hoxha, për gjysmë-shekulli radhazi.
Fushatën parazgjedhore të partive të PAN-it, e
vështirëson shumë akuza bazike e Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë,
për krime monstrume, me emërtesen adekuate - Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale
-, e cila vetëm përgjatë sundimit kriminal të Qeverisë së Përkohshme të Hashim
Thaçit u ekzekutuan, pa gjyq, 456 ushtarakë të FARK-ut; veprimtarë e kuadro të
LDK-së, kundërshtarë politikë edhe brenda llojit, kuadro të hershme të LPK-së,
për ta shmangur konkurrencën politike.
Tashmë krimi i faktuar vrastar dhe korrupsioni
galopant, respektivisht, hajnia zyrtare, do të jenë pengesë serioze, për një
fushatë normale, madje aspak të besueshme, pavarësisht propagandës leha-qene të
stilit enverist, me byroistët e tij.
Rrjedhimisht, gjasat e opozitës PAN-iste në
përballjen e suksesshme me pozitën aktuale në pushtet, nuk janë aspak
premtuese. Pritjet për rezultatin zgjedhor të 9 shkurtit të ardhshëm, do të
jenë zhgënjyese, sepse përveç ulurimave shpifëse, sharëse dhe denigruese ndaj
pozitës, nuk kanë bërë asnjë reformë, asnjë nismë, për të nxjerrur
partitë e tyre nga bataku humbës i 14 shkurtit 2021. Të tmerruar nga mos
reformimi, përshkak të grupeve klanore brenda partiake, në veçanti në PDK,
zhbërja e partisë dhe riformimi i partive të reja, me elementë të pa
inkriminuar, për të shpëtuar aq sa mund të shpëtohet nga anëtarësia aktuale, do
të ishte e shëndetshme, jo vetëm për partitë e PAN-it, por edhe për Kosovën.
Sepse inkriminimi i partive-banda të PAN-it, është mjaftueshëm masiv.
Të gjitha veprimet sovraniste, PAN-istët e
çoroditur e vulë-humbur, i quajnë se bëhen për përfitim votash nga pozita! Kjo
na kujton një bisedë në mes të një serbi dhe një shqiptari:
Serbi pyet shqiptarin - përse lufton
ti?
Shqiptari: Për bukë goje për vete dhe
fëmijtë.
- Shqiptari: Po ti, - pyet serbin?
- Serbi: Për nder e lavdi.
- Shqiptari: Vërtet, gjithkush lufton për atë që i
mungon.
Pikërisht, votat po i mungojnë opozitës. Andaj,
"ia çajnë hallin kalorësit që po i varën këmbët!"
LDK-ja meriton të trajtohet, paksa, më ndryshe,
sepse ajo është themeluar dhe drejtuar nga burrështetasi unik, Dr. Ibrahim
Rugova. LDK-ja bëri paqen dhe luftën, duke e shpenë Kosovën drejt lirisë dhe
pavarësisë. Në të kundërtën, partitë e koalicionuara në PAN, bojkotuan
mbijetesën ekonomike të Kosovës përgjatë dekadës 1990-1998. Në vitet 1998-1999
sabotuan luftën, duke mos lejuar angazhimin e "UÇK-së të LPK-së" në
Luftën e Kosovës. Dhe, këtë e thojnë dhe e faktojnë themeluesit e kësaj UÇK-je,
ngaqë uzurpatorët e SHTAB-istë të Rognerit, duke qenë të shantazhuar me dosje
të krimeve vrastare, ishin bërë argatë të Shërbimeve Infaormative të shteteve
armike të Kosovës, të cilat nuk e donin çlirimin e Kosovës. Edhe këtë e thonë
dhe e përserisin, madje me shkrime të botuara publike, ish-shokët në LPK-në e
tyre.
Lidershipi i LDK-së së mëparshme, përkatësisht,
klani brenda Kryesisë të saj, ishte kapur nga PDK-ja, duke u bërë bisht dhe
patericë e saj. Për rrjedhojë, klani i saj, krejt i paautorizuar, foli në emër
të LDK-së, duke e implikuar në fajësinë fatale, në firmosjen e disa
marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën.
Befasuese dhe zhgënjyese do të ishte koalicioni me
partitë e inkriminuara!
Kuvendi i 10-të i jashtëzakonshëm i LDK-së, solli
në udhëheqje një lidership të ri, si shpresë e reformimit dhe të prosperimit të
partisë, tashmë, të devijuar dukshëm nga rruga rugoviane. Vetë ndryshimet në
Lidership, ishte nismë e reformave. Lënia e zyrës dhe dalja në terren të
kryetarit të ri, me ekipin e përzgjedhur, ngjallën shpresë dhe kjo u lëndëzua
me ngritjen e saj në zgjedhjet komunale. Megjithatë, reformat duhet të
vazhdojnë, sepse janë të shëndetshme për partinë.
Lufta e LDK-së për vendin e parë, në zgjedhjet e
ardhshme, nuk duhet të përqendrohet vetëm në luftën kundër pozitës, duke
"harruar" rivalët e saj, të cilët përgjakën LDK-në dhe Kosovën. Dhe,
këtë duhet thënë e përsëritur, përndryshe të spostojnë në renditjen listore,
edhe pse LDK-ja kurrë nuk ka pasur struktura vrastare e kriminale në radhët e
saj.
Heqja e vijave të kuqe për koalicione me partitë
tjera, përkatësisht me partitë e PAN-it, pa asnjë përjashtim, pa asnjë kufizim,
gjithsesi, dëmton fushatën zgjedhore të saj. Sepse e kthen LDK-në prapa, duke
favozizuar sjelljen dhe mbajtjen e partive të inkriminuara në pushtet, siç bëri
dikur, duke e zbritur partinë në kuotën fatale të 12 %-shit. Sidoqoftë, ka kohë
për reflektim. Përndryshe, pasojat e koalicionit, respektivisht, të amnistimit
të krimeve serike, madje pa kërkuar falje, LDK-ja i ka provuar, deri në
përtokje. Sa më parë të kuptohet kjo gjëmë, aq më e leverdishme do të jetë për
LDK-në, e cila, pa medyshje, është më e pastra dhe më fisnikja në Shqiptari.
Pra, ka qenë dhe duhet të mbetet aset kombëtar, sepse nën udhëheqjen e mençur
të kryetarit të saj, Dr. Ibrahim Rugova bëri paqen dhe luftën.
Në Kosovë çështja e koalicioneve është problematike
dhe nuk ka shumë hapësirë për të zgjedhur partnerin në koalicion. Kemi hyrë në
dekadën e tretë, me një shoqëri, skajshëm, të inkriminuar. Fillin e ka që nga
lufta e Kosovës. Një soj "komandantësh", fort të dyshuar për sjelljet
e tyre ultra kriminale, të etur për pushtet dhe para, të përkrahur nga Shërbime
Informative keqdashëse ndaj shqiptarëve, u zhytën në krime serike, për
përfitime personale e grupore. Drejtësia e kapur, është drejtësi e munguar.
Andaj, kriminelë të bollshëm bredhin të lirë, duke bëre jetë përrallore, në
kushtet e Kosovës, nga përfitime të pista e kriminale. Reagimi kundërshtues e
kriminal ndaj Vettingut; Ligjit për Verifikimin e Pasurive të Paligjshme, Ligji
i Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë të Pajustifikueshme, është tregues faktik i
degradimit të shoqërisë kosovare. Kjo na sjell ndërmend debatin e para dy
dekadave, për heqjen e imunitetit të deputetëve të inkriminuar. Më rezistentët
ishin, pikërisht, deputetet kriminelë, të futur kontrabandë në Parlament.
Pyetja e shtruar nëse mund të këtë ndonjë koalicion
befasues, përgjigja e saktë do të ishte: Befasia proverbiale do të ishte nëse
ndonjë subjekt politik i pa inkriminuar, do të koalicionohet me ndonjë parti
rrast të inkriminuar, qoftë vrastare ose hajnore apo në të dyja bashkë. Dhe,
sipas të gjitha gjasave, mjerisht, kjo mund të ndodhë. Sepse robëria tej
shekullore, ka dëmtuar fort mendjen dhe shpirtin shqiptar.