| E diele, 15.09.2024, 06:58 PM |
BASHKIMIN E KOMBIT PO E KRYEJNË SHKRIMTARËT DHE ARTISTËT
Pa
tjetër që në letërsi, ana artistike e një vepre, ka rëndësinë e saj, por janë
ca tema që, me vërtetësinë e tragjizmit rrëqethës që mbartin brenda tyre, e
tejkalojnë atë. - Shpendi Topollaj
Gjakova priti miq e krijues nga gjithë trojet
arbërore
Përurim libri dhe ekspozitë pikture
Nga
Kadri Tarelli
E
pritëm me shumë kënaqësi ftesën e piktorit dhe veprimtarit gjakovar Halil
Ahmeti, për të marrë pjesë në veprimtari letrare dhe artistike në Gjakovë,
organizuar më datën, 07, 09, 2024, nga dy shoqata simotra, Shoqata “Drini” -
Gjakovë-Shkodër, dhe “Drini” - Shkodër-Gjakovë. Të dyja shoqatat, bashkëpunuan
me Klubin “Gjon N. Kazazi”, Gjakovë. E gjitha kjo, me mbështetjen e Drejtorisë
për Kulturë, Rini dhe sport, në KK. Gjakovë.
Salla
e bibliotekës së qytetit u mbush plot e përplot me pjesëmarrës, kryesisht
intelektualë, shkrimtarë, poetë, piktorë, pse jo edhe artistë e valltarë, etj.
Mund t’i përmend me nderim: Prof. Muharrem Kurti, Gjon Nikoll Kazazi, Engjëll
Berisha, drejtor i bibliotekës Publike “Ibrahim Rugova”, Pashk Gecaj, anëtar i
shoqatës “Drini” - Gjakovë-Shkodër, Inxhinier Faruk Polloshka, njëkohësisht
edhe të tjerë, si Prof. Muhamet Rugova, ish i burgosur politik, Prof.
Universiteti Ruzhdi Sefa, Prof. dr. Migena Arllati, aktori Nimon Muça,
tropojani shkrimtar, poet, publicist Hasan Selimi, luftëtarja dibrane Rajmonda
Maleçka, pjesëmarrëse në tre luftra, në Dardani, Maqedoni dhe Preshevë, piktori
tropojan Avdulla Gjongecaj, kryeredaktor i Gazetës e Alpeve “Tropoja”, Ramiz
Lushaj, Isuf Hajdari, poeti dhe botuesi Berat Batiu nga Prizreni, poeti Tahir
Bezhani, mes nesh edhe valltare ardhur nga Malisheva.
Personaliteti
i njohur shkodran Filip Guraziu, përuron librin e tij të fundit “Jetesë n’mes
egërsinave”, novelë, ndërsa vetë artisti Halil Ahmeti hap ekspozitën e tij të
parë vetjake, me piktura të punuara prej kohësh.
Nga
Shkodra në këtë kuvend libri ishin të pranishëm: Filip Guraziu, autori i
librit, znj. Justina Guraziu, mjeke dhe bashkëshorte, Nexhat Grezda, kryetar i
shoqatës “Shkodër-Gjakovë”, dhe Ali Demushi.
Dhe
ne, një grup durrsakësh nuk e bëmë fjalën dysh, dhe ja ku jemi: Shpendi
Topollaj, shkrimtar, poet, kritik, publicist, piktori Arben Kristani dhe unë
Kadri Tarelli, ish mësues, shkrimtar dhe gazetar, që po shkruaj këtë reportazh
të shkurtër, në nderim për organizatorët dhe mirënjohje për kënaqësinë që na
krijuan. Na erdhi keq që për arsye shëndeti, nuk erdhe dy shokët tanë, Eduard
Allamani (Jurist) dhe Gëzim Agasi, (ekonomist), ish Prefekt i Durrësit.
Libri
i Filip Guraziut është i vogël në pamje por i rëndë në përmbajtje, pasi ka
shumë dhimbje njerëzore, shkaktuar nga sistemi i diktaturës komuniste, si në
ish Jugosllavi dhe ca më keq në Shqipëri. Personazhi, Kujtim Druvari, bir i Gjakovës, arratiset si shumë e shumë të
rinj dardanas dhe vjen në Shqipëri për
t’i shpëtuar përndjekjes. Por.... veç ai e di se ç’ hoqi birucave dhe burgjeve.
Askush nuk mund të hahet me fatin. Koha bëri të vetën. Të dy diktaturat
dështuan. Kujtimi pas njëzet vitesh kthehet në Gjakovë, por nuk i harron miqtë
e tij, që nuk u thyen para trysnisë dhe torturave për të dëshmuar në gjyq.
Diçka e rrallë për kohën, ndaj Filip Guraziu i vendos në libër, si simbol
fisnikërie dhe qëndrese.
Shpendi
Topollaj, i cili diskutoi në këtë kuvend, i ka kushtuar një shkrim këtij libri,
me titull, “Fati i trishtë i kosovarëve, në librin e Filip Guraziut”, botuar në
gazetë “Telegraf”. Tiranë, 05. 09. 2024 dhe “Fjala e lire”, Londër. Diskutimi u
prit ngrohtë dhe me duartrokitje.
Halil
Ahmeti është mësues dhe luftëtar i Gjakovës dhe por edhe i yni, i Durrësit,
pasi për gjashtë vite me radhë, ka punuar si mësues i arteve figurative, në
disa shkolla të Durrësit (1993 – 1999). Ndaj me krenari e quaj koleg dhe
“Misionar i dijes dhe edukimit”.
Intelektualët
e Gjakovës dhe më përtej në krejt Dardaninë, e njohin mirë jetën dhe
veprimtarinë e artistit, luftëtarit dhe veprimtarit Halil Ahmeti. Është një
jetë plot thyerje, lufte, mundime, ndëshkime, dështime e në fund fitore. Jetë
si një roman i madh i ngjeshur në mish, i përjetuar fizikisht dhe shpirtërisht,
ku në një farë mënyre është vetë drama dhe romani i Dardanisë shqiptare, është
pasqyra dhe gjithë historia e përgjakur dhe e lavdishme e luftës çlirimtare në
këto 45 vjet, (1981-1999- 2024), përfshirë edhe 25 vjet Dardani e lirë dhe e
Mosvarme. Shpendi Topollaj i ka kushtuar një shkrim me titull: “Piktori
gjakovar me ekspozitë të re”. Publikuar gazeta “Telegraf”, Tiranë dhe “Fjala
lire”, Londër. 06. 09. 2024.
Kur
Halili më rrëfeu albumin ku janë përfshirë një pjesë punimesh, tashmë të
vendosura edhe në ekspozitë, më thotë se kjo pikturë në ballinë ka një histori
të veçantë, është plagosur në luftë, është prerë me thikë, mbase me bajonetë.
Unë po mundohesha të gjej edhe titullin për ta vendosur poshtë saj, por Halili
nuk më la të mendohem gjatë:
-
E kam titulluar, “Gjurmë lufte”.
-
Ndërsa unë po e quaj “Plagë lufte”, - i them qetësisht. - Plagë që dhemb sa
herë e shikon, apo që e shikojmë së bashku, si të jetë plagë në trupin tonë, që
dëshmon, ashtu si plagët e Gjakovës dhe Dardanisë, të përjetësuar në lapidarët
dhe përmendoret e shumta të vendosura nëpër sheshe dhe anët e rrugëve, për të
mos i harruar kurrë, si brezi i sotëm dhe ata që do ta trashëgojnë Dardaninë
tonë.
Pikturat
e këtij artisti, (ato që mbetën nga shkatërrimi i luftës), janë unike për nga
përmbajtja dhe forma, që shpesh i afrohen simbolikës, pa lënë mënjanë portretet
dhe natyrën e qetë. Vizitorët kanë të drejtë të mendojnë e gjykojnë vlerat. Çdo
njëra është një botë më vete dhe flet me poezinë e ngjyrave dhe me gjuhën e
heshtjes.....!
Besoj
kam të drejtë të shpreh edhe dy mendime njëherazi. Mbase vetë Halili më dëgjon
me vëmendje dhe i ve në jetë:
.
Ai mund dhe duhet të shkruajë monografinë e tij personale, një jetë përherë në
lëvizje, ku jeta dhe vdekja flinin pranë njëra-tjetrës. Dhe, kështu të futet në
libër, që unë e quaj “Arka e kujtesës”, si trashëgim i vyer i familjes, i yni
si bashkëkohës, por edhe i historisë së Dardanisë.
.
Më tej, mbase i mbushet mendja që në të ardhmen kjo ekspozitë të hapet edhe në
Durrës. E vlen që durrsakët, kolegët mësues dhe nxënësit e dikurshëm, të njihen
me penelin e mësuesit dhe luftëtarit, dikur i ri dhe plot energji, sot burrë i
thinjur, jo vetëm nga mosha.
Si
përherë, kur jemi në takime të tilla, piktori ynë Arben Kristani, gjatë kohës
që ne pimë kafe, apo diskutojmë shoqërisht, shkëputet, merr takëmet e pikturës,
kavaletin, ngjyrat dhe niset të gjejë bukuritë e natyrës apo të veçantat e
qytetit, që të mund të pikturojë. Në gjakove zgjodhi një pamje nga Çarshia e
këtij qyteti, e cila para njëzetepesë vitesh, u dogj nga pushtuesi serb, por u
ribë edhe njëherë si dikur, e bukur dhe me finesë të hollë. ....... Si përherë
krenari e qytetit!
Në
fund, dua të përgëzoj drejtuesit vendor të Gjakovës, që kanë ndërtuar në qendër
të qytetit atë bibliotekë sa të bukur, aq edhe funksionale. Ju lumtë! Një vepër
arti për krijuesit dhe artisët! Ju admiroj që e doni dhe e vlerësoni qytetin,
kulturën, dijen dhe librin. Me dhimbje po shtoj edhe këto fjalë, por nuk kam se
çfarë të bëj; Durrësi ynë i lashtë i vjetër sa bota mesdhetare, nuk ka një
bibliotekë të mirëfilltë dhe as është menduar të ketë. Ka mbetur në një
ndërtesë të vjetër, (Shtëpi banimi të para Luftës II-të Botërore). Premtimet e
pushtetarëve lokal e qendror, shkojnë e vijnë, ndërsa qyteti vuan pasojat e mosdashjes.
Nuk
më mbetet tjetër, veç t’u uroj suksese dy krijuesve, shkrimtarit Filip Guraziu
dhe piktorit Halil Ahmetit.
Gjakova,
Dardania dhe krejt bota shqiptare ka nevojë për krijimtarinë e tyre. I
mirëpresim!
Faleminderit
dhe mirënjohje!
Kadri Tarelli
Durrës. 07, Vjeshta e parë, 2024.
Shënim: Fotografitë u realizuan
nga mjeshtri gjakovar Shkëlzen Rexha.