| E shtune, 14.09.2024, 05:50 PM |
Beteja e Vjenës, 12 shtator 1683, humbja që çoi në tkurrjen e pandalshme të sundimeve të Perandorisë Osmane
Përgatiti
Albert Vataj
Më
12 shtator 1683 – Ushtri të vendeve evropiane (Francë, Gjermani, Austri)
bashkojnë forcat dhe mposhtin ushtrinë osmane në betejën e Vienës. Trupat
osmane komandoheshin nga veziri Mustafa Pasha, pjesëtar i familjes së njohur
shqiptare të Qyprilinjëve, e cila qeverisi Perandorine Osmane për dekada. Kjo
fitore i dha fund ankthit te Evropës Perendimore ndaj rrezikut të pushtimit nga
Perandoria e Lindjes. Por rezultati i betejës ndikoi edhe në diçka tjetër.
Sipas një gojëdhëne, trupat osmane (rreth 140 mijë) u tërhoqën duke lënë pas
qindra thasë me kafe të papjekur që e kishin sjellë për nevojat e veta - ose si
paraqitje të kësaj pije lindore në perëndim, nëse do të kishin fituar.
Megjithatë, efekti ishte thuajse i njëjtë, sepse sasia e kafesë së lënë pas u
përdor si bazë për fillimin e tregtisë austriake të kafesë dhe për famën që do
të fitonte "kafeja vieneze", një lloj ekspreso me shumë ajkë.
Beteja
e Vjenës u zhvillua në malin Kahlenberg afër Vjenës, më 12 shtator 1683, pasi
qyteti ishte rrethuar nga Perandoria Osmane për dy muaj. Beteja u zhvillua nga
Perandoria e Shenjtë Romake (udhëhequr nga monarkia e Habsburgëve) dhe
Komonuelthi Polako-Lituanez, të dy nën komandën e mbretit John III Sobieski,
kundër osmanëve dhe shteteve të tyre vasalë dhe tributorë.. Beteja shënoi herën
e parë që Komonuelthi dhe Perandoria e Shenjtë Romake kishin bashkëpunuar
ushtarakisht kundër osmanëve. Humbja shihet shpesh si një pikë kthese për
zgjerimin osman në Evropë, pas së cilës ata nuk do të fitonin më terren. Në
luftën që pasoi që zgjati deri në vitin 1699, osmanët do t'ia dorëzonin pjesën
më të madhe të Hungarisë, Perandorit të Shenjtë Romak, Leopold I.