Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Atdhe Geci: Atdheu e di si ngrihet dielli me duar

| E premte, 13.09.2024, 06:16 PM |


Atdhe Geci

ATDHEU E DI SI NGRIHET DIELLI ME DUAR

Dje e mundëm një fushë mbushur me varre,

e mundëm një kohë të burgjeve

e pushkatimeve, e mundëm një vrasës të lirisë,

gjenocidin e mundëm,

një pushtues, që vrasjen e kishte mësim.

Nuk e mbaj më ngarkesën e shekujve

nuk mbajnë as ata të dhimbshëm të paktë,

pyes, pse vonon një forcë që i atdheut i prinë?

Ai, që popullit tonë i jep dritë dhe lavdi!...

Bashkohuni të dhimbshëm të paktë rreth flamurit!

Bashkohuni të dalë zot të Dheut të Atdheut!

Kosova dardane e do emrin e tokës së vet,

e do dhe motër Çamëria, motër Iliria,

Krahina e Mollës së Gjakut dhe Ulqini,

ah, fortesat mbi det, Shkupi, Tetova, Gostivari e

Kumanova, ah matanë ndanë lumit të përjetshëm dardan...

Nuk e mbaj më ngarkesën e shekujve

thotë ai që vdekjen për atdhe e do, kujtesën e lirinë të shkruar në liri e dua...

Kosovë dardane, protagoniste e fatit të Atdheut

gjithçka nis nga fjala dhe ngjizja e urtisë,

gjithçka nga mendimi nis, nga zemra dhe duart tua!

Dardanë, bëhuni grusht për të keqen,

e për armiqësinë.

Heshtja e harrimi i vendlindjes dhe

atdheut, ndaj Çamërisë, është krim, po, krim pa

doras e muranë, një vetëgroposje e qenies…

Çfardo të jetë udha turbullore e kombit

e do kapedanin e vetë që i prinë Atdheut!...

Djepi i shqiptarëve është shkretuar

nga Dhébraktisja e pafund e krahëve rinorë

nga shpërdorimi i lirisë dhe heshtja e durimi,

ky faj i pjesëmarrjes në Keqësi,

indin e shpresës këput,

Shqipëri, e atdhenjta tokë shqiptare

nuk të dua të heshtur dhe harrimtare

ngrite zërin për pjesët e pushtuara

se është zë për veten, për ne të gjithë,

se t´i e di si ngrihet dielli me duar!...

Atdhe Geci - poezi nga libri "Iliada shqiptare"