| E marte, 10.09.2024, 06:46 PM |
DEKLARATË
Shoqata
Labëria para disa ditësh u njoh me padinë që studiuesi Fitim Çaushi ka bërë
ndaj nënkryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë z. Vaso Tole,
lidhur me tjetërsimin e trashëgimisë
kulturore shqiptare, specifikisht të këngës polifonike, një element kyç i
identitetit kombëtar. Në qendër të padisë qëndron pretendimi se Tole ka
regjistruar këngën polifonike shqiptare në UNESCO me emërtesën “iso-polifoni”,
duke e lidhur atë me sirenat e mitologjisë greke. Sipas paditësit, ky veprim
përbën një shkelje të rëndë të ligjit “Për Mbrojtjen dhe ruajtjen e
Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore” dhe një përpjekje për të tjetërsuar
origjinën e kësaj forme unike muzikore. Çaushi argumenton se Tole ka
anashkaluar institucionet përkatëse shtetërore gjatë procesit të aplikimit në
UNESCO, duke vepruar në mënyrë të pavarur dhe pa konsultim të duhur. Më tej, padia
ngre dyshime serioze mbi vërtetësinë e informacionit të paraqitur në dosjen e
UNESCO-s, duke pretenduar se Tole ka referuar botime “iso-polifonike” që në
fakt nuk ekzistojnë. Një aspekt tjetër i rëndësishëm i padisë është akuza se
Tole ka tjetërsuar origjinën e polifonisë shqiptare, duke e lidhur atë me
kulturën greke dhe duke injoruar studimet e mëparshme të etnomuzikologëve
shqiptarë. Kjo, sipas Çaushit, përbën një cënim të rëndë të identitetit
kulturor kombëtar dhe një mohim të trashëgimisë së lashtë iliro-arbërore.
Paditësi kërkon nga gjykata të urdhërojë heqjen e dosjes së “iso-polifonisë”
nga UNESCO dhe të rivendosë interpretimin e polifonisë shqiptare sipas
studimeve të mëparshme shkencore shqiptare. Kjo çështje nxjerr në pah tensionet
e vazhdueshme rreth interpretimit dhe pronësisë së trashëgimisë kulturore në
Ballkan, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar në
kontekstin e trashëgimisë botërore. Në lidhje me akuzën, Shoqata Labëria ka
vite që e ka ngritur zërin e saj për këtë
emërtim duke zhvilluar edhe një Simpozium Shkencor me 13 profesorë të artit dhe
kulturës (400 pjesëmarrës) si dhe me
shumë artistë që mbartin dhe e trasmetojnë këtë këngë magjike. Në përkrahje të
kësaj nisme ne patëm mbështetjen e 250 intelektualëve të shquar shqiptarë midis
të cilëve Ismail Kadare dhe Rexhep Qose. Madje disa anëtarë të Kryesisë së
Shoqatës kanë marrë dy takime me Kryetarin e Akademisë së Shkencave z. Skënder
Gjinushi si dhe me ish-Ministren e Kulturës
për zgjidhjen e këtij problemi madhor, por kërkesat e saj kanë rënë në vesh të
shurdhët. Nëpërmjet kësaj deklarate Shoqata Atdhetare Kulturore Labëria, “Nderi i Kombit” i bën me dije
opinionit publik dhe të gjitha institucioneve përkatëse se ne e kemi kthyer në
mision të lartë shpirtëror ruajtjen, transmetimin dhe lartësimin e këngës
polifonike si një thesar i paçmueshëm i artit shqiptar. Kjo këngë historikisht
ka bërë diferencën me të gjitha vendet e botës, të cilat i kanë dhënë
vlerësimin maksimal këngës sonë të bukur. Kur flet populli, flet dija dhe,
populli thotë Polifoni dhe jo Isopolifoni, ndaj Ministria e Kulturës dhe
Akademia e Shkencave duhet të dëgjojë popullin, të dëgjojë studiuesit e shumtë
që e quajnë Polifoni apo Shumëzërësh. Kërkojmë që Ministria e Kulturës të flasë
jo si foli në vitin 2002 apo në vitin 2005, por të flasë dhe t’i kërkojë UNESCO
– s, që, kryevepra shqiptare e trashëgimisë gojore të njerëzimit të emërtohet
“Polifoni”, ashtu si cilësohet edhe në Enciklopedinë Shqiptare të vitit 2009,
katër vjet pas vitit 2005, me emrin “Polifoni”. Heshtja dhe mosveprimi i
institucioneve shtetërore shqiptare bëri që edhe Lahuta, ky instrument muzikor
autentik shqiptar, origjina e së cilës, (– sipas etnomuzikologut të madh
Ramadan Sokoli, – daton në vitin 1335), të grabitet nga Serbia dhe, në nëntor
2018, të njihet si trashëgimi kulturore e Serbisë. “Polifonia Popullore
Shqiptare”, bashkudhëtarja e pa moshë e njerëzimit, e cila na identifikon si
Komb, trashëguar nga etërit tanë nëpër shekuj na bën krenarë me emrin e saj që
e ka vulosur koha, populli dhe jo me emërtimet e individëve për kredo
personale. Në faqen zyrtare elektronike të Organizatës së Kombeve të Bashkuara
për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), në referencën “Iso-Polifonia
popullore Shqiptare” dhe në Vendimin përkatës të saj të vitit 2008 për
regjistrimin e kësaj polifonie në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore
Jomateriale të Njerëzimit, është përcaktuar: “Termi ‘iso’ i muzikës
tradicionale polifonike shqiptare lidhet me ison e muzikës kishtare bizantine”.
Kjo është e pabazë, antishqiptare, antishkencore dhe me tendenca mohuese të
historisë shqiptare të këngës popullore. Ndaj kjo deklaratë vjen si një thirrje
për çdo shqiptar se Shoqata Labëria do përkrah jo vetëm studiuesin Fitim
Çaushi, por çdo individ, shoqatë, organizatë, grupim artistic, që mbron,
përcjell dhe propogandon emrin e bukur “Polifonia shqiptare”.
Kryesia e Shoqatës Labëria, “Nderi i Kombit”
Tiranë 06/09/2024