Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Planet ruse e serbe për ta ndezur nga brenda Kosovën vazhdojnë të mbesin operative
E merkure, 04.09.2024, 06:57 PM
Prof. Blerim Latifi:
Kjo
lagjja e Prishtinës, ku ditë më parë ndodhi përleshja e përgjakshme mes dy
familjeve, e ka emrin Aktash. Nga një kërkim i shpejtë në internet, rezulton se
ky emër vjen nga gjuhët turkike dhe e ka kuptimin "shkëmb i bardhë".
Shumë vende në Republikat ruse me popullsi muslimane e paskan këtë emër.
Si
ka ardhur ky emër tek ne?
Me
gjasë bashkë me çerkezët, të cilët gjatë viteve 1860-1880 u dëbuan nga Rusia në
drejtim të Perandorisë Osmane, e cila pastaj një pjesë e tyre i solli në
Kosovë.
Gjysma
e dytë e shekullit 19 njeh një dinamikë të jashtëzakonshme të lëvizjeve
demografike në Kosovë. Kjo është koha e ardhjes së muhaxhirëve shqiptarë, të
cilët ishin dëbuar nga rajonet e Nishit e Toplicës prej ushtrisë serbe.
Po
ashtu shënohet një ardhje e boshnjakëve muslimanë, pas marrjes së Bosnjës nga
Austro-Hungaria.
Nga
Shqipëria kemi një ardhje tjetër njerëzish, por shumë më të vogël. Është fjala
për dhjetëra familje shqiptarësh katolikë nga Lugina e Fanit në Mirditë. Këta
sot e përbëjnë njërin prej tri grupeve të katolikëve kosovarë, bashkë me ata që
quhen "katolikët malësorë" dhe "latinët". Falë fanëve
mirditorë dhe sidomos muhaxhirëve nga fushat e Toplicës, dominimi etnik
shqiptar do të ruhej në Kosovë.
Kjo
dyndje multietnike gjatë atyre viteve do të bëhej burim i shumë tensioneve dhe
incidenteve etno-fetare në Kosovë, të cilat sot i lexojmë në raportet e
konsujve të huaj që në atë kohë vepronin në Kosovë. Këto tensione shpesh
nxiteshin prej vetë këtyre konsujve, sidomos atyre rusë dhe serbë. Disa prej
tyre do ta paguanin me kokë infiltrimin e tyre, siç është rasti i konsullit
serb në Prishtinë dhe atij rus në Mitrovicë.
Nga
ajo kohë ka kaluar më shumë se një shekull, por planet ruse e serbe për ta
ndezur nga brenda Kosovën vazhdojnë të mbesin operative.
____________
Po
shikoja një dokumentar mbi ndikimin e Mafias njujorkeze në ngritjen dhe
zhvillimin e Las Vegasit, në krye me mafiozin Bugsy Siegel.
Pasi
i kishin stabilizuar bizneset e tyre të krijuara përmes krimeve e dhunës, bosët mafiozë të Las
Vegasit kishin gjetur kohën që të bëheshin edhe bamirës të njerëzve në nevojë,
të investonin në vlerat komunitare të qytetit, përfshi edhe kinematografinë e
Hollywood-it.
Një
shembull tjetër: kryemafiozi i Amerikës Latine, Pablo Escobar, u jepte para
kesh fëmijëve të varfër të rrugëve të Medellinit, ndërtonte parqe lodrash për
ta, u ndërtonte shtëpi të pastrehëve dhe financonte disa organizata bamirësie.
Shembujt
e kësaj natyre janë të pafundëm në botë. Shembuj që na tregojnë se shpesh,
tmerrësisht shpesh, prapa "bamirësve" fshihen njerëz të ndyrë,
zhvatës, kriminelë, terroristë, që i kanë duart e përlyera me gjak dhe bizneset
e ngritura mbi shkatërrimin e jetëve të kush e di sa njerëzve të tjerë.
____________
Perënditë
e qiellit e të tokës, ose thënë ndryshe ata që kanë folur e shkruar në emër të
tyre, kanë lëshuar dënime e mallkime mbi të përgjatë shekujve, por ajo ishte
dhe mbetet zanafilla universale e dashurisë për dijen. Quhet kureshtje.
Vetëm
pasi na zotëron kureshtja, ne nisemi në rrugën e mendimit e kërkimit për
përgjigjjet dhe zbulojmë kënaqësinë e diturisë.
Kjo
urti e moçme kurrë nuk e ka humbur vlerën e saj.
Sot
shkollat dështojnë pikërisht pse nuk arrijnë të zgjojnë kureshtjen tek
nxënësit. Nuk arrijnë t'i bëjnë kureshtarë ata për botën në të cilën jetojnë.
Për pasojë ato, pra shkollat, kthehen në sisteme të të mësuarit me detyrim dhe
kjo gjë ndikon që nxënësit të mos i duan ato dhe të gjejnë kënaqësi jashtë
mureve të tyre. Krejt kjo sjell deri tek një kompromis i padobishëm dhe i
dëmshëm midis të mësuarit me detyrim dhe indiferencës së nxënësve. Ky kompromis
quhet: të mësuarit mekanik. Rezultati final: analfabeti funksional.