E diele, 06.10.2024, 09:06 AM (GMT+1)

Mendime

Feti Tunuzliu: Dyshimi i arsyeshëm është kusht për hetim penal

E merkure, 04.09.2024, 06:55 PM


DYSHIMI I ARSYESHËM - JO DYSHIMI I BAZUAR, ËSHTË KUSHT ABSOLUT PËR HETIM FORMAL PENAL

Nga Feti TUNUZLIU

1.       Vështrim i shkurtër

Legjislacioni  juridik pozitiv penal i Republikës së Kosovës përcakton shprehimisht se hetimi paraqet të parën fazë të procedurës penale, fazë e cila pasohet me ngritjen e aktakuzës (faza e II); shqyrtimin gjyqësor (faza III) dhe mjetin juridik (faza e IV). Kështu specifikohet pikërisht me dispozitën e nenit 69 të Kodit nr. 08/L-032 të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës shpallur në "Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës", nr. 24, datë 17 gusht 2022 (tutje: KPPK).

Ligjvënësi kosovar ka parashikuar që hetimi fillon me nxjerrjen e aktvendimit formal me ç'rast, autori i tij - prokurori i shtetit, analizon dhe vlerëson kushtet ligjore të natyrës materiale-penale dhe të natyrës procedurale-penale për ta justifikuar ekzistimin e dyshimit të arsyeshëm përkitazi me veprën e kryer penale nga i dyshuari. Megjithatë, tërheq vëmendjen togfjalëshi procedural-penal – dyshimi i arsyeshëm sepse, në aspektin  përmbajtësor gjatë praktikës prokuroriale jo rrallë,  zëvendësohet gabimisht me togfjalëshin procedural-penal – dyshimi i bazuar. Që të dy togfjalëshat e juridizuar me KPPK, na shpërfaqen, pra, si shprehje versionesh sinonimike, ndonëse nuk janë të tilla në pikëpamje semantike sepse nuk kanë ngjashmëri fjalësh a shprehjesh përnga kuptimi. Kjo për arsye se të njejtat përkufizohen si dy shprehje juridike të ndara, të veçanta dhe nuk përputhen mes veti duke iu atribuuar dispozitave respektive të KPPK, siç do shohim më poshtë. Nuk mund të mos vihet në dukje se kjo gjuhë dhe terminologji juridike gëlon gabimisht gjatë praktikës prokuroriale duke u neglizhuar dhe relativizuar, gjë që tingëllon paradoksale. Por, ky përdorim i pasaktë ligjërisht,  jo rrallë përdoret edhe gjatë prononcimeve të subjektëve procedural-penal në praktikën gjyqësore, avokatore, policore, gjatë komunikimit të përditshëm juridik e gjuhësor dhe në morinë e mediave kosovare duke rënë ndesh konkretisht me  gjuhën ligjore profesionale të KPPK si e drejtë e shkruar procedurale penale. Mbi këtë bazë, fundja, pretendoj se ky fenomen bie ndesh me konceptin dhe mendësinë juridike të vet shtetit sepse nuk është thjeshtë vetëm një kërkesë ligjore por përbën njërin ndër parimet themelore mbi të cilat ndërtohen themelet e një drejtësie në shoqërinë tonë demokratike, pra, nisë procedura penale sapo ekziston dyshimi i arsyeshëm se është kryer vepër penale (neni 6 i KPPK.)

E quajmë të nevojshme të theksojmë se me çfarë kuptime e ngjyrime kuptimore i pasqyron Fjalori i gjuhës së sotme shqipe, Tiranë, 1980. termet: dyshimi; (i) arsyeshëm; (i) bazuar, Duke qenë fjalor gjuhësor (filologjik), pra jo enciklopedik, ky Fjalor, tri termet e sipërpermendur i shpjegon sipas këtyre nuancave: termi – dyshim, në fq. 396, jep këto shpjegime: dyshim, - I m,. sh. – E, ET. 1. Pasiguri, lëkundje e mosbesim për vërtetësinë ose për saktësinë e diçkaje, për mundësinë e plotësimit të një pune etj.; gjendja e atij  që dyshon, ndjenjë pasigurie, lëkundjeje e mosbesimi për dikë a për diçka ... 2. Mendimi se dikush nuk është ndofta aq i mire sa duket, mendimi pak a shumë i bazuar se dikush  është njeri jo i mire; të menduarit keq për dikë a për diçka ... Tutje, i njejti Fjalor, në fq. 55 shpjegon termin – arsyeshëm, kësisoj: arsyeshëm ndajf. Në mënyrë të arsyeshme; duke i matur e duke i peshuar mire fjalët, sjelljet e veprimet. Ndërsa në fq. 119, shpjegon termin - bazuar, kësisoj: Bazuar  (i, e) mb. Që është  i mbështetur në arsye, në parime etj., që  është i ndërtuar mbi një bazë  të shëndoshë;

2.       Dyshimi i arsyeshëm për fillimin e hetimit formal dhe kushtet ligjore materiale-penale

Normat juridike të inkorporuara  në pjesën e përgjithshme të Kodit Penal nr. 06/L-074 të Republikës së Kosovës i cili qe shpallur në "Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës", nr.2/14 (KPK) rezultojnë të jenë  gjithëpërfshirëse sepse "zbatohen për të gjitha veprat penale të përcaktuara me ligjet e Republikës së Kosovës" (neni 6 i KPK). Ndërlidhur me këtë, imponohet analiza e relacionit mes shprehjes, përkatësisht togfjalëshit procedural-penal – dyshimi i arsyeshëm dhe kushteve (kumulative) që kushtëzojnë ekzistimin e një vepre penale: 1) vepra të jetë e kundërligjshme; 2) pasoja të jetë e dëmshme apo e rrezikshme; 3) të ekzistoi përcaktueshmëria me anë të ligjit  dhe 4) dhe të ketë sanksion penal apo masë të trajtimit të detyrueshëm për atë vepër penale (neni 7 i KPK).

Tutje, imponohet nevoja që të analizohet aspekti përmbajtësor i sintagmës procedurale-penale – dyshimi i arsyeshëm rreth një vepre konkrete penale për të parë se si korrespondon me dispozitat e përgjithshme materiale nga KPK  të cilat i atribuuohen: mënyrës së kryerjes së veprës penale (me veprim ose mosveprim – neni 8); kohës kur  është kryer vepra penale (neni 9); vendit ku është kryer vepra penale (neni 10) sepse kësisoj konkretizohen mënyra, koha dhe vendi se si është zhvilluar një ngjarje e caktuar që pretendohet se ka dyshim të arsyeshëm të cilësohet vepër e dyshuar penale.

Më tej, është detyrim profesional të analizohen edhe normat tjera të përgjithshme juridike materiale të KPK të cilat rregullojnë veç e veç shkaqet e përjashtimit të kundërligjshmërisë: instituti i veprës së rëndësisë së vogël (neni 11); instituti i mbrojtjes së nevojshme (neni 12 i KPK); instituti i nevojës ekstreme (neni 13 i KPK); rrethanat e dhunës ose kanosjes (nen 14); Veprat e kryera nën shtrëngim (neni 15) dhe Urdhërat nga lartë (neni 16). Kësisoj, identifikohet shkaku (eventual) konkret që korrespondon me veprimet apo sjelljet e manifestuara nga ana e kryesit të një vepre të dyshuar penale.

Ngjashëm analizohet togfjalëshi procedural penal – dyshim i arsyeshëm në raport edhe me përgjegjësinë penale që ngërthen në vete: përgjegjshmërinë penale dhe fajësinë, sipas KPK. Këtej, në kuadër të përgjegjshmërisë penale, rezulton i pashmangshëm vlerësimi i elementit intelektual (mendor) dhe elementit volutiv (dëshira) shprehur nga kryesi i veprës penale në një çështje të caktuar penale. Ndërkaq, në kuadër të fajit bëhet vlerësimi nga këndi i dashjes (neni 21 i KPK) dhe pakujdesisë (neni 23 i KPK) që i ka manifestuar autori i veprës penale. Brendapërbrenda dashjes, duhet perqëndruar në ate nëse kryesi ka shpërfaqur dashjen direkte apo dashjen eventuale, etj. Pastaj, brendapërbrenda pakujdesisë doemos konkretizohet nëse kryesi ka reflektuar pakujdesinë me vetëdije apo pakujdesinë pa vetëdije, gjatë zhvillimit të ngjarjes penale.

Gjithnjë duke patur në qendër të vëmendjes përmbajtjen, thelbin e shprehjes juridike procedurale penale – dyshim i arsyeshëm, nuk duhet neglizhuar çështjet materiale nga pjesa e përgjithshme e KPK: lajthimi (faktik – neni 25) dhe (juridik – neni 26); përgatitja e veprës penale (neni 27); tentativa (neni 28): e plotë apo e metë, etj.; bashkëpunimi në kryerjen e veprës penale duke i kristalizuar format konkrete të tij: bashkëkryerja (neni 31), shtytja (neni 32) dhe ndihma (neni 33).

3.       Dyshimi i arsyeshëm për fillimin e hetimit formal dhe kushtet ligjore procedurale-penale

Njera nga tiparet kruciale të hetimit, siç u tha më sipër, është se hetimi si procedurë penale apo si proces penal, paraqet funksion ekskluziv prokurorial.

Në kuptimin ligjor procedural-penal, hetimi i një vepre të caktuar penale synon mbledhjen e provave e të dhënave të duhura për të vendosur nëse duhet të pushoi hetimi i filluar apo të ngritet aktakuza. Përtej kësaj, e njejta normë, përcakton se gjatë rrjedhës së hetimit penal vendoset edhe lidhur me rrethanën nëse duhet mbledhur edhe prova të tilla riprodhimi i të cilave pamundësohet apo vështirësohet në fazën e mëvonshme, ate të shqyrtimit gjyqësor (neni 101.2 të KPPK).

Kësisoj, qëllimi i hetimit nuk është grumbullimi i të gjitha të dhënave për kryesin dhe veprën penale, por vetëm i të dhënave të duhura, të domosdoshme për  vërtetimin e  dyshimit të arsyeshëm n'raport me kryesin dhe veprën e dyshuar penale.  Në këtë kuptim,  dyshimi i arsyeshëm paraqet condico sine qua non që të  filloi hetimi formal penal. Pra, është kusht absolutisht obligativ i cili kushtëzohet nga lartësia e dënimit të veçant  parashikuar për një vepër të inkriminuar penale. Kur bëhet ndonjë kallëzim penal për shkak të dyshimit  të arsyeshëm për "vepra penale për të cilat dënimi maksimal i parapar është jo më shumë se tre (3) vjet burgim  ... prokurori i shtetit vlerëson se ekziston dyshimi i bazuar mirë për të mbështetur aktakuzën, prokurori i shtetit mund të ngrit aktakuzë" (neni 99. 2 KPPK). Kjo lloj aktakuze në teorinë juridike dhe praktikën penale njihet me togfjalëshin terminologjik - aktakuzë e drejtpërdrejtë.

Përndryshe, sigurimi i të dhënave  të domosdoshme, përkatësisht të duhura për ngritjen e aktakuzës reflekton, përveç ekonomizimit të procedurës hetimore, përshpejtimit të saj dhe shkarkimin nga materiali i panevojshëm provues. Mirëpo, gjithnjë pa paragjykuar faktet dhe objektivitetin prokurorialo-gjyqësor.

Procedura hetimore fillon atëherë kur organi i akuzës gjen se ekziston dyshimi i arsyeshëm se personi i caktuar ka kryer vepër penale sipas kallëzimit penal të organeve publike (neni 79 i KPPK), personave fizik e zyrtar (neni 80 i KPPK), policisë (neni 82 i KPPK). Përtej kësaj, KPPK  parashef edhe mundësinë procedurale të kryerjes së disa veprimeve hetimore  që mëtojnë gjetjen (arrestimin) e kryesit  të panjohur nga organet e punëve të brendshme. Por, informatat që i mbledhin këto organe, nuk kanë vlerë provuese gjatë procedurës penale.

Ja se si e përkufizon shprehjen juridike - dyshim i arsyeshëm, KPPK: "Dyshim i arsyeshëm – njohuri për informacionin që do të bindtte një vëzhgues objektiv që një vepër penale ka ndodhur, po ndodh ose ka mundësi të konsiderueshme që do të ndodh dhe se personi në fjalë mund të kryej ose mund të ketë kryer veprën penale", duke sugjeruar sakaq se "çfarë mund të konsiderohet  si "e arsyeshme"do të varet nga të gjitha rrethanat" (neni 19 paragr. 1. nënparag. 1.8 i KPPK).

Nga ç'u tha më sipër, mëtoj se duhet të krijohet bindja e brendshme e lirë, logjike dhe racionale te organi i akuzës se disponon rrethana dhe fakte  që arsyetojnë ekzistimin e dyshimit të arsyeshëm. Ky dyshim i arsyeshëm ngrihet pas vlerësimit të çdo provë veç e veç (metoda e analizës) dhe nga të gjitha provat e lidhura njera me tjetrën e pastaj nga bashkimi i  tyre në një tërësi (metoda e sintezës). Për më tepër, trajtimi shterues e i detajuar duhet t'i bëhet vetëm materialit provues i cili përkon me dispozitat e KPPK, sikundër janë: rregullat e përgjithshme, pranueshmëria e provave, kufizimet e provave dhe mbështetja e provave (Kapitulli XVII – Provat).

Përndryshe, ndjekja penale realizohet sipas detyrës zyrtare nga prokurori i shtetit si autoritet procedues ose me propozimin e të dëmtuarit (neni 100 i KPPK).

KPPK parasheh mundësinë e fillimit të fazës së hetimit formal kundër të dyshuarit që nuk është i pandehur, por është "personi për të cilin policia apo prokurori i shtetit dyshojnë se ka kryer vepër penale, por ndaj të cilit nuk është filluar hetimi" (neni 19 par. 1. nënpar 1.3 të KPPK). E "i pandehur është personi kundër të cilit zbatohet procedura penale" (neni 19 par. 1. nënpar. 1.4 të KPPK).

Veprimi procedural i hetimit formalisht realizohet përmes aktvendimit me shkrim hartuar nga prokurori i shtetit me kompetencë lëndore dhe territoriale.

KPPK obligon shprehimisht se "duhet të ceket si i pandehur në aktvendimin  për fillimin e hetimit" personi për të cilin ka dyshim të arsyeshëm se është kryes i veprës penale (neni 101 par. 3). Në këtë aktvendim, poashtu hedhet dritë edhe mbi faktet e rrethanat relevante me të cilat justifikohet ndjenja e dyshimit të arsyeshëm duke specifikuar (vetëm) elementet me karakter esencial, qenësor të figurës së veprës së dyshuar penale.  Sapo nxjerret ky aktvendim, hetimi fillon së  zbatuari si juridiksion prokurorial (neni 102.1 të KPPK) duke mos patur mundësi ligjore të sfidohet përmes ankimimi  sepse KPPK nuk parasheh shprehimisht që aktvendimi për fillimin e hetimit të merr formën e prerë. (nenet: 99-102 i KPPK),

Përndryshe, gjatë procedurës hetimore, ekziston mundësia e krijimit të këtyre situatave procedurale që ndërlidhen me togfjalëshin procedural penal – dyshimi i arsyeshëm, sikundër janë:

1)      zgjërimi i hetimit - sipas të cilit, "nëse prokurori i shtetit mëson për kryerjen e një vepre tjetër penale  ose për një të dyshuar tjetër gjatë hetimit, prokurori i shtetit mund të filloi hetim të ri për veprën e re penale apo të dyshuarit ose mund të zgjëroi hetimin ekzistues" (neni 101.4 të KPPK). Në këtë paragraf, termi "mëson" pretendoi se duhet interpretuar në kuptimin e gjërë. Interpretuar kësisoj, termi "mëson" konceptualisht mund të barazohet me formulimin, përkatësisht mund të asocoi në "ekzistimin e dyshimit të arsyeshëm për kryerjen e veprës penale ose për zgjërimin e hetimit".  Kopjen e aktvendimit  për fillimin e hetimit dhe aktvendimit për zgjërim të hetimit prokurori i shtetit ia dërgon gjyqtarit të procedurës paraprake.

2)      pushimi i hetimit - sipas të cilit, hetimi i filluar, përkatësisht hetimi që është në rrjedhë e sipër mund të pushojë, (veç tjerash) edhe kur provat e disponuara vërtetojnë se më nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën ishte nisur hetimi i tillë. Pushimi i hetimit formal nga prokurori i shtetit realizohet përmes aktvendimit formal (neni 156 i KPPK) dhe

3)      ngritja e aktakuzës - sipas së cilës, nëse hetimi ka përfunduar, përkatësisht nëse gjatë hetimit  paditësi i autorizuar pretendon se të dhënat disponuese rreth të pandehurit apo ngjarjes penale sjellin dyshimin e bazuar mirë (neni 19   par. 1. nënpar. 1.12 të KPPK) për ekzistimin e veprës penale, atëherë përfundon faza e parë - hetimi dhe pason faza e dytë - ngritja e aktakuzës.

4.       Rreth togfjalëshit - dyshimi i bazuar

Derisa shprehjen - dyshimi i arsyeshëm ligjdhënësi kosovar e  përkufizon me nënparg. 1.8, par. 1. neni 19 i KPPK, siç potencuam më sipër, shprehjen dyshimi i bazuar e përkufizon  me nënparag. 1.9. par. 1 neni 19 të KPPK, kësisoj: "Dyshim i bazuar – njohuri për informacionin që do të bindte një vëzhgues objektiv që një vepër penale ka ndodhur, po ndodh ose ka mundësi të konsiderueshme që do të ndodhë dhe se personi në fjalë ka më shumë gjasa që të ketë kryer veprën penale se sa që të mos e ketë kryer atë".

Nga tekstet e këtyre përkufizimeve  lehtësisht rezultojnë përputhjet dhe dallimet kuptimore, konceptuale të këtyre dy shprehjeve procedurale penale. Por, ne, këtu do merremi vetëm me dallimet (jo edhe përputhjet) mes këtyre dy shprehjeve të mësipërme dhe ate në formë të thukët.

Njëri dallim konsiston në përkufizimin ligjor të shprehjes – dyshimi i bazuar (ose i themeltë) kah mbarimi i formulimit ("... ka më shumë gjasa që të ketë kryer veprën penale se sa që të mos e ketë kryer atë"). Pikërisht mungesa e këtij formulimi te përkufizimi  "dyshim i arsyeshëm" dallon në përmbajtje dyshimin e arsyeshëm nga dyshimi i bazuar. Rrjedhimisht, përkufizimin e dyshimit të arsyeshëm, ligjdhënësi sikur e lë nën hijen e përkufizimit - dyshim i bazuar. Dyshimin e arsyeshëm,  pothuajse e bën përmbajtësisht më të "varfër", më të "zbehtë" gjë që varet nga kualiteti dhe kuantiteti i provave    përmbajnë  atë shkallë dyshimi që është i domosdoshëm vetëm sa për nismën formale të procesit hetimor. Rrjedhimisht, shprehjen – dyshimi i arsyeshëm e bën më të lehtë për t'u përmbushur si kusht ligjor në raport me shprehjen – dyshimi i bazuar që ngelet më i  përthelluar (nëse mund të thuhet kështu).

Jo vetëm kaq. Derisa shprehja juridike procedurale-penale – dyshimi i arsyeshëm përdoret në dispozitat e KPPK që i referohen nergut veprimeve fillestare policore (neni 70 i KPPK),  kallëzimit penal (neni 72 i KPPK), hedhjes së kallëzimit penal (neni  84 i KPPK) dhe fillimit të hetimit penal (nenet 99-102 të KPPK), shprehjen juridike procedurale-penale - dyshim i bazuar, KPPK e përdor vetëm në kuadër këtyre masave:

1) masave të veçanta hetimore  - Qëllimi dhe llojet e masave të veçanta hetimore, ku përfshihen: Vëzhgimi i fshehtë fotografik ose me video në vende publike; Hetim i fshehtë; Monitorim i fshehtë i bisedave në vende publike, etj. (neni 86 i KPPK); Kushtet ligjore  për masat e veçanta hetimore  (neni 88 i KPPK); Urdhërat për masat e veçanta hetimore ( neni 90 i KPPK); Zbatimi i urdhërit për masat e veçanta hetimore (91 i KPPK) dhe

2) masave për sigurimin e pranisë së të pandehurit: Premtimi i të pandehurit se nuk do ta braktisë vendqëndrimin (neni 174 KPPK); Ndalimi për t'iu afruar vendit apo personit të caktuar (neni 175 i KPPK); Paraqitja në stacionin policor (neni 176 i KPPK), Dorëzania (neni 177 i KPPK); Arresti shtëpiak (neni 181 i KPPK) dhe Paraburgimi (neni 184 i KPPK).

Në këtë kontekst, vetëm kalimthi të theksojmë se ekzistimi i dyshimit të bazuar – si kusht ligjor,  parashihet edhe te arrestimi dhe ndalimi i të pandehurit gjatë hetimit (neni 162 i KPPK) !

Duke përfunduar këtë shkrim të theksojmë se derisa shprehja juridike procedurale penale - dyshim i arsyeshëm në kuptimin strikt ligjor përbën kushtin e domosdoshëm për të filluar procedura hetimore përmes një vendimi formal prokurorial në një rast konkret, shprehja juridike procedurale penale – dyshim i bazuar, në kuptimin strikt ligjor përbën kushtin e domosdoshëm për diçka tjetër: për të kërkuar, respektivisht per të urdhëruar masa të veçanta hetimore  dhe masa për sigurimin e pranisë së të pandehurit në një procedurë të caktuar penale.

Së këndejmi, n'aspektin e përmbajtjes kuptimore, sintagma procedurale penale - dyshim i arsyeshëm, si termini technici i fondit leksikor të fushës penale nuk mund të zëvendësohet me sintagmën - dyshim i bazuar, sepse në këtë aspekt, duke u dalluar ndërmjet vedi, nuk rezultojnë si sinonime a fjalë të barasvlershme. Kjo duhet ngulitur njëherë e mirë sidomos në mendjen e juristëve prakticientë të fushës së drejtësisë penale dhe kështu shprehja – dyshimi i bazuar të zë vendin e vet  të merituar në kuptim të saktësisë së terminologjisë juridike procedurale-penale në vend se të përdoret gabimisht e në trajtë të shtrembëruar. Thënë shkurt, nga ana e çdo përdoruesi është joligjor përdorimi i shprehjes - dyshim i bazuar në vend të shprehjes ligjore - dyshim i arsyeshëm, me ç'gjë nuk i kontribuuohet dot sundimit të drejtë e të plotë të ligjit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora