E diele, 06.10.2024, 08:42 AM (GMT+1)

Kulturë

Idriz Morina: Për të kallxuar të vërtetën e pas luftës, të forcave të errëta

E merkure, 04.09.2024, 06:56 PM


Për të kallxuar të vërtetën e pas luftës, të forcave të errëta

“Koha Pezull”, roman, botoi “Dardania Press”, 2024, Gani Mehmetaj

Nga Ma.sc. Idriz Morina

Romani “Koha Pezull”, është një nga veprat e fundit të shkrimtarit të njohur tashmë Gani Mehmetaj. Edhe ky roman hyn në ciklin e romaneve të luftës, dhe rrjedhojave të saj.

Intertekstualiteti

Për të orientuar lexuesin, autori Mehmetaj, edhe në këtë roman, nën titullin dhe përcaktimin e zhanrit të veprës - roman, ka vënë paratekstin: Tri pamje të çlirimit!

Ky paratekst shpreh edhe intencionalitetin e romanit, një përpjekje për të dëshmuar, disa të vërteta jo vetëm të hidhura e të pakëndshme, por në shumë raste me pasoja tragjike për individët, madje për personalitete kombëtare, sakrifikues të jetës së tyre dhe familjeve në përpjekjet për arritjen e lirisë, nga okupimi dhe riokupimi i gjatë serb, rreth tetë dekada. Këto imazhe çojnë në kërkimin e shkaktarëve, që po e dëmtonin fatin e vendit, që mund të konsiderohet edhe intencionaliteti kryesor i autorit. Kjo temë shtrohet edhe në disa romane të tjera, përfshirë romanin “Boritë e apokalipsit”.

Pra, me këtë paratekst, paralajmëron lexuesin, se rrëfimi është sintetizuar në tri pamje, e që në roman është strukturuar në tri pjesë, të emëruara: Amoku, Prita dhe Vdekja e prijësit.

Po ashtu që të tria këto pjesë kanë karakter simbolik, të tri rrëfimeve, brenda romanit.

E para simbolizon, figurën e xhindit, përkatësisht të njeriut të xhindosur apo më të relativizuar, të njeriut “të tërbuar”! Madje shkrimtari kujdeset, që këtë figurë ta shpjegojë me fusnotë, që thuaja nuk ngjet në romane.

Mehmetaj për të kristalizuar mesazhin e rrëfimit të parë, “Amokut”, ka zgjedhur një figurë malajziane, e cila këtu fillimisht i atribuohet krimeve dhe kriminelëve serbë, ushtarëve, policëve, rezervistëve e paramilitarëve, të cilat grupime përbënin forcat kryesore pushtuese serbe, që në zbatim të programeve politike serbe, po kryenin gjenocide në vitet 90-të, kryesisht ndaj popullit shqiptarë.

Romani para lexuesit hamendësohet se strukturohet si hipertekst mbi premisën e një ditari, përkatësisht të disa fragmenteve të tij. Ndërsa, për të “argumentuar” se është kështu, autori citon 6 faqe, 41-46, nëndarjen 6 të tregimit të parë, e dhënë me font italik. Ndërsa, edhe në raste të tjera citon shënimet të ditarit të kryepersonazhit Bardhi, që në shumë raste të rrëfimit shndërrohet edhe në rrëfimtar. Po ashtu, për të “argumentuar” ngjarjet e trishta, rrëfimtari “mbështetet” edhe në raporte “zyrtare” dhe dosje, për hetime të kryera nga institucione kombëtare e ndërkombëtare.

Ky roman i nisur dhe i përfunduar në perspektivën e rrëfimit homodiegjetik (Zhenet, 2014), në vetën e parë, me shndërrime edhe në perspektivë të rrëfimit, duke kaluar në heterodiegjetikë, me perspektivë të personazhit, provon rrëfimin objektiv, duke e udhëhequr atë një “i huaj”, që vjen në Kosovë, për të kallxuar të vërtetën e pas luftës, dhe për të zbuluar anën e errët të atyre grupimeve, veprimtaria e të cilëve po rezultonte në dëm të shqiptarëve, të bëra nga një grup shqiptarësh që përdornin retorikë të ashpër patriotike.

Temporaliteti

Ky roman fillon me 12 qershor 1999, me përshkrimin për ngjarjet e një nate më parë, kur në kryeqytetin e Kosovës ishin futur ushtarët rusë, duke shkaktuar edhe një tronditje të rëndë dhe një tjetër goditje për 24 orët në vijim për shqiptarët e mbetur në Prishtinë, dhe më tej.

Rrëfimi, në pjesën e parë përqendrohet fillimisht tek tregimet dhe kujtimet e gazetarit Bardhi, vuajtjet e tij gjatë bombardimeve, dhe përpjekjeve për të siguruar mbijetesën, duke vazhduar me përshkrimin e ngjarjeve pas përfundimit të luftës. Kjo e bën të qartë se koha e rrëfimit të ngjarjeve, apo temporaliteti i jashtëm fillon me përfundimin e bombardimeve të NATO-s, në fund-pranverën e vitit 1999.

Në të dytin, tregimi për Pritën, Bardhi vritet dhe më pas rrënohet edhe rrjedha e parë e tregimit. Heroi, Bardhi, personazh intelektualë, kthehet në viktimë të një dhune të paparë e të pakuptueshme, të cilësuara edhe nga shkrimtari si ‘forca të errëta’.

Kjo periudhë, merr së paku një vit, pa u precizuar në sa, meqë nuk jepen data dhe koha për vrasjen e gazetarit, që mund të aludohet se është Xhemail Mustafa, apo një shëmbëllim i tij, dhe gazetarëve të tjerë të vrarë, që me shkrimet e tyre i kundërviheshin interesave të grupimeve politike të majta.

Pjesa e tretë, i kushtohet vdekjes së Rugovës. Dhe ngjarjet përfundojnë me përpjekjet për zbardhjen e një vrasje të trefishtë. Duket se me vdekjen e Rugovës vjen një hetues nga SHBA-të, i cili, si për objektivë e ka zbardhjen e një vrasje të trefishtë, të pamotivuar nga ekzekutorët.

Edhe në këtë rast nuk ka një kohë të qartë, por duket në bazë të rrjedhës së rrëfimit, se nuk zgjatë më shumë se disa javë. Pra, në dimrin e vitit 2005/2006, përfundon, koha e zhvillimit të ngjarjeve.

Ndërsa, koha e shkrimit të romanit, sipas të dhënave të siguruara, rezulton të jetë bërë ndërmjet kohës 2023-2024, për rreth tetë muaj (sipas autorit), dhe si kufi i fundit i përpunimit të mundshëm është fillimi i vitit 2024.

Autori digresionin e përdor në këtë roman, si thuaja në asnjë tjetër. Për shkak të stilit të shpejtë të rrëfimit, një lloj ecje të përshpejtuar në rrëfim, Mehmetaj përdor digresionin në shumë raste, për të ngadalësuar rrjedhën e rrëfimit, dhe sikur për t’i dhënë kohë lexuesit të pushojë nga intensiteti i lartë i ngjarjeve, frekuenca e panumërt e episodeve kriminale, dhe përshkrimit të tyre.

Madje, digresionin e paralajmëron që në prolog, dy tekste shoqëruese të romanit të Mehmetajt, (prologu dhe epilogu), duke rikujtuar ngjarjet e shekullit të 17-të, kur shqiptarët të udhëhequr nga forcat austrohungareze, do të arrinin ta çlironin nga perandoria osmane pjesën më të madhe, të territorit që njihet historikisht si Dardania, përfshirë dy kryeqendrat e sotshme, Shkupin dhe Prishtinën. Një fitore që u trondit nga sëmundja e Murtajës, dhe si pasojë e përhapjes masive të infeksionit në ushtrinë shqiptare dhe asaj ndihmëse, perandoria Osmane, riktheu territoret. Kjo ngjarje vjen si eksplorim psikologjik, për fatin e ardhshëm të shqiptarëve, si kujtesë për rebelim, dhe si ndrydhje, humbje e besimit për fitore, si pasojë e pushtimit që zgjati edhe disa shekuj më pas.

Kjo referencë historike, do të përsëritet sërish brenda romanit, që është si një mitemë e autorit, në letërsinë e tij.

Ngjarja

Romani fillon me një prolog, narratorin personazh, që vjen nga SHBA-të në një mision të ngarkuar për të zbuluar disa të vërteta, ndodhi tragjike të pasluftës, përfshirë hetimin e disa vrasjeve të natyrës politike.

Zhvillimi i ngjarjeve fillon, me ditën e parë të çlirimit të Kosovës, 12 qershorin, dhe kujtimin e një mbrëmje më parë, që për një natë i mbajti në ankth shqiptarët, kur forcat ruse defiluan në rrugën kryesore të Kryeqytetit, ndërsa i entuziazmoi edhe njëherë forcat serbe të kryenin krime ndaj shqiptarëve të pambrojtur.

Romani, si e përmendëm ndahet në tri pjesë, “Amoku”, tregimi i parë, që është më i gjati, me afër 90 faqe, tregimi i dytë “Prita” me më pak se 50 faqe, dhe tregimi i tretë “Vdekja e prijësit” me afër 80 faqe. Këto pjesë mbahen të bashkuara edhe nëpërmjet prologut dhe epilogut.

Në prolog paralajmërohet misioni i një shtetasi amerikan, që vjen të zbërthejë enigmën e vrasjeve dhe të ndodhive të pashembullta negative pas luftës.

“Kanë ndodhur gjëra që s’t’i kapë mendja, ka ngjarje që duken aq absurde dhe të pakapshme”.... “A mund të zhvilloheshin ngjarjet ndryshe që të mos humbiste madhështia e dëbimit të pushtuesit dhe çlirimit të vendit”... (fq. 7).

Ky konstatim dhe dilema që shtrohet më pas, janë dy konceptet themelore, mbi të cilat ndërtohet ngjarja kryesore, mbledhja e dëshmive, gjetja e shkaktarëve (autorëve) dhe hetimi i vrasjeve politike.

Derisa në tregimin e parë përshkruhen krimet serbe, tronditja psikosociale që kishte shkaktuar lufta, ai vazhdon me rrëfimet qartësisht shqetësuese të intelektualëve shqiptarë, se një grup forcash në emër të luftës çlirimtare, po kryenin krime, duke uzurpuan prona, jo vetëm të kolonistëve serbë, por edhe të shqiptarëve, madje duke provuar me forcë-vringëllim armësh, arbitrarisht t’i dëbonin shqiptarët nga banesat e tyre, edhe pse disa prej tyre, nuk kishin lëvizur prej tyre as gjatë bombardimeve.

Në ndërkohë fillojnë edhe vrasjet. Vrasjet e shqiptarëve të pafajshëm arrijnë kulmin me vrasjet politike të figurave të njohura politike e publike si të gazetarëve, të cilat rrëfehen me mjeshtri në këtë roman, duke përshkruar edhe fatin e gazetarit Bardhoshit. Njëkohësisht jepet edhe imazhi i vrasësve apo i grupeve që i përgatisnin ato. Ky imazh qartësohet në tregimin “Prita”, kur vritet gazetari Bardhoshi, i cili denonconte në media sjelljet negative, të atyre që po kryenin krime, dhe po e dëmtonin qëllimin e shtetformimit – Kosova ende nuk ishte e pavarur (deri më 17 shkurt 2008).

Ndërsa, në tregimin e tretë, “Vdekja e Prijësit”, ngjarja kryesisht zhvillohet rreth vdekjes së Prijësit (aluzioni është i qartë se bëhet fjalë për Presidentin Ibrahim Rugova, dhe vitin 2006).

Dyshimet për shkaqet e vdekjes, rrëfimi për atentatet ndaj tij, dhe hetimet e dështuara përcaktojnë rrjedhën e rrëfimit. Hetuesi Xhorxh, kthehet në SHBA, pas një përpjekje për të zbardhur edhe disa vrasje të tjera të pas luftës, të ndodhura “diku në malet e Rugovës”, por që dëshmitari kyç refuzon të dëshmojë, ndërsa duket se kthehet me “dosjen e kompletuar”, për vrasjen e gazetarit - personazhit Bardhosh!

A është roman apo një përmbledhje novelash?

Pjesa e parë, “Amoku”, mund të qëndrojë si një tregim i gjatë më vete apo edhe si një novelë. Shkëputja e saj nga dy pjesët tjera, nuk e dëmton strukturën e saj, po ashtu ajo mund të kuptohet mjaftueshëm vetëm.

Por, a është novelë?

Një nga premisat, për të dalluar nëse një vepër është roman apo novelë, apo edhe tregim, është gjatësia e tekstit.

Teksti i shtrirë, në tri pjesë, krijon sa i përket gjatësisë, padiskutueshëm, një roman të vetëm.

Por, edhe gjatësia e pjesës së parë, e shtrirë në 90 faqe, është e mjaftueshme për t’u përcaktuar si novelë.

Por, të shohim në çështjet tjera, më thelbësore, nëse tri pjesët mund të cilësohen si novela, dhe romani një trilogji!

Në aspektin tematik, pjesa e parë mund të qëndrojë e vetme, sepse plotëson disa kushte si fokusimi thuaja në një temë të vetme, pasluftën, një linearitet thuaja në rrëfim, dhe një përqendrim të vogël personazhesh.

Por, autori ka zgjedhur, që vepra të lexohet si një roman, dhe për të plotësuar disa kushte të tjera, ai ka zgjedhur zgjerimin e saj edhe me dy pjesë, por që janë njëkohësisht edhe disa tema të tjera, dhe duke shtuar personazhet, veprimet, sekuencat tregimore etj.

Po ashtu duke zgjedhur që të shtojë rrëfimet, njëkohësisht i ka mundësuar vetes, që temën, e shtruar në një mënyrë mjaft komplekse në tregimin e parë, ta thellojë dhe zgjidhë në tregimin e tretë. Po ashtu kjo temë kthehet në boshtin e rrëfimit, pasi i përplotëson dhe qartëson pretendimet e ngritura në pjesën e parë, duke i shkuar më në thellësi, dhe duke arritur ta reprodukojë imazhin e hamendësuar në pjesën e parë.

Një lidhje e patjekalueshme e tyre është rrëfimtari, njëherit edhe personazh, i cili shfaqet edhe në prolog dhe epilog, ku rrëfen për misionin e tij.

Në aspektin e krahasimit të ngjarjeve në këtë roman dhe të atyre që kanë ndodhur, kemi të bëjmë me një rrëfim realist, por edhe sikur në disa raste në romane të tjera të Mehmetajt, kemi edhe një përpjekje mitizuese, një rrëfim mitik, për të siguruar një përgjigje (siç thotë Visoka, 2007, për Kamynë, tek “Murtaja”), të përhershme për krimet institucionale serbe, por edhe për të çmitizuar, luftën si e prezantojnë grupe të caktuara.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora