| E shtune, 31.08.2024, 06:57 PM |
Gjekë Gjonaj, një zë shqip prej të naltit vend, prej fjalës e ngriti një kuvend
Refleksione mbi stërkalat ulqinake të krijimtarisë së Gjekë Gjonajt nga trevat shqiptare në Mal të Zi
Nga Zef Pergegaj
Në një copë
tokë besa sa një ishull i madh, në
një kënd të Ilirisë, thuajse i
përpirë nga dallgët e tradhtisë së madhe Evropiane, çdo shqiptar që ka një zemër patrioti, të trashëguar nga
avulli i rrënjëve të lisave të drejtë
me rrënjë të thella, aty ku
kalanë e ngriti Teuta e ulqinakët
marinarë˜, që tokës e bregut i dhanë
name , e ka për nder që syri i tij e gjuha e fjalës të jetë
dritë mbrojtjeje e trojeve të veta. Pragu mbrohet me pushkë që kurrë nuk
iu ndryshk shqiptarit, por tapia e dheut tënd shkruhet me gjak dhe firmoset me
penë. Bijtë e penës edhe në kushte të vështira si marinarët nga çmenduria e
dallgëve të detit kur tërbohet, i dolën zot vendit. Mund të them se Gjekë Gjonaj, shpirtbardhi në Mal të Zi me një zë
shqip prej të naltit vend prej fjalës e ngriti një kuvend!
Piramidat
e kulturës se një kombi janë librat. Këtë mendoj se ka synuar Gjekë˜ Gjonaj me
librat e tij. Një trevë patriotike e
zakonore, ku ka lind dhe është brumuar autori i disa librave, studimeve,
reportazheve dhe hulumtimeve, tregon se edhe në shpirtin e tij ndodhet ndezur
një zjarr atdhetar, kur u jep dritën e syve të vet, për të çarë perden e
Errësirës dhe të mohimit, siç ka ndodhur me figurën e Prekë Calit nga Malësia e
Kelmendit, një nga figurat madhore e madhështore të patriotizmit shqiptar, të
cilit ai do t’i kushtonte librin e tij të rëndësishëm monografik “Prekë
Cali-Piramidë e kufijve të Shqipërisë”.
Njeriu
që gjurmëve të kohës u fal jetë dhe i
bën të flasë
Po
nuk është i vetmi personazh, Gjonaj gjurmët e kërkimit i ndesh në gurin e parë
të librit shqip tek Buzuku, për të ardhur tek Nana Tereze, Baca Kurti, Dedë
Gjo’ Luli, Fishta e meshtarë të Malësisë. Madje nuk i harron shkrimtarët dhe
gjuhëtarët e deri tek Presidenti Rugova. E Gjeka me një përkushtim kërkon që
anija e shqiptarit të mos lundrojë
me vela të grisura nga shtrëngatat, në
mënyrë që bregu ynë të jetë i lirë!
E
kam ndjekur disa herë krijimtarinë publicistike të Gjekë Gjonajt, e cila edhe
pse ka prekur të gjithë brigjet dhe ka depërtuar në të gjitha shtigjet e tokës
tonë ka mbërritur edhe këtu në Amerikë,
jo thjeshtë si përvojë, por edhe si gjurmë e frymë e parë bashkimi e komunikimi që zgjon një histori,
këndellët në një betejë, lajmëron me një kandil të ndezur, kur të tjerët
mendojnë se është fikur, përpush hirin që ka mbuluar legjendat dhe mirët e
Malësisë dhe të trevës së tij, i krip me kripën e lotit të dhimbjes nën lëkurë
dhe me varkën e peshkatarit të regjur nga furtunat na i sjellë të gjalla në
bregun tonë. Në këtë kuptim ai është një misionar me këmbë në tokë.
Gjeka
e plotësoi ditën e banorit të trevave shqiptare në Mal të Zi, në “Kronika
Javës” 1986-1992 , kohë kur ai ka punuar si gazetar në Radio Televizionin e Malit të Zi, duke e lidh
kohën me kohën si dorëzat me kallëza, ku piqet buka e historisë kombëtare… Si
një bletë punëtore në hoje e me nektar ai
me thesare e mbushi atë hambar!
“Gjurmëve
të kohës”, Enti Botues “Gjergj Fishta” është libri i parë i Gjonajt që më ka
rënë në dorë, në të cilin ai shkruan për
figura të shquara kombëtare si: “Dom Gjon Buzuku, autor i librit të parë
shqip”,
“Vepra
e Gjon Buzukut dhe rëndësia e saj shkencore”, “At Gjergj Fishta, figurë madhore
e kulturës dhe e historisë sonë kombëtare”, “Nëna Tereze – shenjtore misionare
e dashurisë”, “Nëna Tereze është shqiptare”, “Shtatorja e Nënës Tereze edhe në
Ulqin, por edhe në grigjën e kishës së Shna Ndout në Tuz”.
Autori
të bie në sy menjëherë edhe pa e njohur se është i lidhur si flaka me lisin në
vatrën e shqiptarit me dheun e të parëve dhe besimin, me lahutën , traditën dhe
ansamblin e zanave. Në kreun e titulluar “Personalitete historike”, janë tubuar
shkrimet: “Dedë Gjo’ Luli, figurë historike e Malësisë”, ”Shtëpia muze e Dedë
Gjo’ Lulit”, “Baca Kurti-krenaria e Malësisë”, “Tringë Smajlja Ivezaj-heroinë e
Malësisë”, “Pretash Zeka, luftëtar për mbrojtjen e trojeve shqiptare”, “Epopeja
e lavdishme e Oso Kukës”. Kjo është një aurorë e shenjtë që vlon nën dheun
tonë.
Autori
nuk mënjanon figurat e kohës me të cilat është shkruar koha.
Kreu
i tretë më titullin “Lamtumirë, President” përfshin shkrime rreth kalimit në
jetën tjetër të presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Kreu i katërt ka dy
shkrime për dy figura të mëdha nga radhët e klerit shqiptar të anëve të
Malësisë: Dom Simon Filipajt, njeriut që realizoi botimin e plotë të Biblës në
gjuhën letrare shqipe dhe at Vinçenc Malaj, figurë poliedrike e kulturës dhe e
historisë shqiptare. Në kreun e pestë përmblidhen shkrime kushtuar arsimtarëve,
gazetarëve dhe artistëve të njohur të anëve të Malit të Zi, si Gjergj Gjokaj,
Mark Ujkiqi, Zake Prelvukaj, Seida Belegoviq etj. Në kreun e gjashtë
përmblidhen intervista të ndryshme, si me aktoren Ema Andrea dhe aktorin Timo
Flloko, me poetin Xhevahir Spahiu dhe me shkrimtarin Besnik Mustafaj. Kreu i
shtatë u është lënë opinioneve dhe vështrimeve për figura të mëdha të kombit
shqiptar, si dhe mjaft dukurive nga jeta bashkëkohore e shqiptarëve të Malit të
Zi. Në kreun e tetë, sillen shkrime me prurje nga fusha e folklorit dhe e
etnografisë, si “Muzeumi etnografik i Malësisë”, “Xhubleta-mbretëresha e
veshjeve shqiptare” dhe “Veshja popullore e Shestanit”. Ai pohon: “Përherë jam
gëzuar dhe gëzohem që populli im ka pasur, ka dhe do të ketë intelektualë të
përmasave universale, të cilët, për mua kanë mbetur dhe janë shembull i punës
vetëmohuese për të ngritur kulturën shqiptare në një nivel të lartë!” ( Vijon-
Koha Javore)