Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shyqyri Fejzo: Çmimet e sesionit shkencor

| E shtune, 31.08.2024, 06:40 PM |


Çmimet e sesionit shkencor

Nga Shyqyri Fejzo

Sesioni shkencor e tundi

Lumë vërshuan lavdrimet

Tani që i erdhi fundi

Në tavolinë erdhën çmimet

Debat i zjarrtë për vlerësimet

Me kohë goja e ka nxënë

Se të parat janë ushqimet

Goja s'flet kurrë pa ngrënë

Shpejt media u ndodh aty

Ballë për ballë ka dale

Rastin nuk e bëri dy

Të shikojë  çfar ka çmimi i parë

"Në kumtesë qartë e thash

Nuk ka lindje pa një nënë

Është  shumë mirë të hash

Se  sa të rrish i pangrënë"

Punë e medias në katër rrota

Teknike mikrofon dhe sytë

Që ta marrë mirë vesh bota

I drejton nga çmim i dytë

"Kam zbuluar diçka të re

Dardha e qullët, fiqtë rreshka

Të pjekur, po ranë përdhe

E sigurtë është, i ha breshka"

Gjeta si shurdhët të dëgjojnë

Hiqni dorë, se nuk ishte dija

I bën të verbërit të shikojnë

Del se qënka vetëm mirësia

Media dëgjoi dhe një katundar

Njihej se kish mentë me okë

Atë të shtunë ish në Pazar

Me sytë si kau  e duar në kokë

"Të gjithë ju qënki me mend

Gjer në qiell u  shkoftë jehona

Lidhni gomarin në tjetër vend

Mjaft po shini me taksat tona."