| E shtune, 31.08.2024, 06:56 PM |
QËNDRIM DINJITOZ DHE BURRËROR KUNDËR SIGURIMIT TË SHTETIT TË SERBISË
(Rrëfimi
në vetën e parë i Jusuf Zejnullahut)
Nga
Adil FETAHU
Jusuf
Zejnullahu ka qenë kryetar i Këshillit Ekzekutiv (qeverisë) të Kuvendit të
Kosovës në kohën e vlimeve politike e juridike në Kosovë, në kohën e regjimit
të dhunshëm të Serbisë mbi Kosovën. Në kohën sa ishte Jusufi kryetar i qeverisë
legjitime të Kosovës, ndodhën thyerjet dhe ndryshimet më të mëdha
institucionale në raportet Kosovë – Serbi. Së pari, në një mbledhje të
përbashkët të Qeverisë së Kosovës me Qeverinë e Serbisë, të mbajtur në Gërmi
(Prishtinë) më 9 qershor 1990, Jusufi me kabinetin e tij refuzoi kategorikisht
kërkesat e Qeverisë së Serbisë për të bashkëpunuar në zbatimin e politikës së
Serbisë në Kosovë, sipas amendamenteve të Kushtetutës së Serbisë me të cilat
ishte reduktuar autonomia e Kosovës dhe hequr statusi i njësisë federale.
Pas
asaj mbledhje historike, Kuvendi i Serbisë (më 26 qershor 1990) miratoi Ligjin
mbi veprimin e organeve republikane në rrethana të posaçme, sipas të cilit
organet republikane të Serbisë uzurpuan të gjitha kompetencat dhe autorizimet e
organeve të pushtetit në Kosovë. Ishte kjo shkelje flagrante e Kushtetutës së
Jugosllavisë.
Më
2 korrik 1990, delegatët e Kuvendit të Kosovës miratuan Deklaratën Kushtetuese
për Kosovën republikë, në kuadër të RSFJ-së (nëse ajo do të ekzistojë; ose
shtet i pavarur nëse RSFJ shpërbëhet dhe republikat tjera pavarësohen).
Më
5 korrik 1990, forcat policore dhe ushtarake të Serbisë bënë grusht-shtet ,
duke suprimuar Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës dhe përndjekur delegatët e Kuvendit
dhe anëtarët e Qeverisë, mjetet e informimit: RTV dhe gazetën (e vetme)
Rilindja. Më 7 shtator 1990, delegatë e Kuvendit të Kosovës miratuan
Kushtetutën e re, për Kosovën Republikë, në frymën e Deklaratës Kushtetuese të
2 Korrikut.
Në
rrethanat e krijuara, Jusuf Zejnullahu, nga pozita e kryetarit të Qeverisë
legjitime të Kosovës, alarmonte Qeverinë e Jugosllavisë dhe faktorët
ndërkombëtarë për shkeljen e lirive dhe të drejtave legjitime të popullit të
Kosovës nga regjimi okupues i Serbisë. Jusufi, në cilësi të kryetarit të
Qeverisë së Kosovës, i kërkoi Parlamentit të Europës t’i gjykojë veprimet e
Serbisë, gjë që ai organ e bëri me Rezolutën e aprovuar në korrik 1990.
Aktiviteti i ngjeshur i Jusufit, Rezoluta e Parlamentit të Europës dhe intervista
e gjatë e dhënë ato ditë gazetës ‘’Zëri’’, me të cilat Jusufi e cilësonte
Serbinë si okupatore të Kosovës dhe paralajmëronte se populli nuk do të mund ta
durojë okupimin, i gjindosën organet e pushtetit të Serbisë, të cilat ndiqnin
për t’i arrestuar e gjykuar delegatët e Kuvendit dhe anëtarët e Qeverisë, nën
akuzën se po përgatisin kundërrevolucion kundër Serbisë e Jugosllavisë. Në
shënjestër të organeve serbe ishte kryetari i Qeverisë, Jusuf Zejnullahu, të
cilin organet serbe e arrestuan më 18 gusht 1990. Për mënyrën e arrestimit dhe
qëndrimit të tij karshi organeve të sigurimit shtetëror të Serbisë, në vazhdim
po japim rrëfimin e tij autentik, në vetën e parë.
*
‘’Më
18 gusht 1990, në orën 7 të mëngjesit inspektorët e policisë serbe më erdhën në
shtëpi, duke më bërë me dije se kishin dokumentin zyrtar, urdhërin me shkrim
për të më arrestua. Më përcollën në një prej kabineteve të SPB të Kosovës. Nuk
vonoi dhe brenda hyri një person i panjohur për mua. Ma mori mendja se ishte i
dërguar nga MPB të Serbisë. Menjëherë filloi me akuza dhe kërcënime. Më
akuzonte se isha duke zhvillua aktivitet kundër Serbisë dhe Jugosllavisë.
Vazhdoi duke thënë se për këto veprime dënimi mund të jetë prej 5 deri 10 vjet
burgim. Kohë pas kohe ndalej, duke pritur se si do të reagoj në pohimet e
tij. Unë nuk doja të reagoja dhe
qëndroja krejt i qetë dhe i painteresuar për atë që thoshte. Në një moment, ai mori një gazetë nga
tavolina ku qëndronte dhe ma vuri përpara, duke më pyetur nëse kjo ishte imja?
Ishte gazeta ‘’Borba’’, botim i Sarajevës. E kuptova se ai e kishte fjalën për
intervistën time dhënë gazetës ‘’Zëri’’, të cilën e kishte botuar edhe ajo
gazetë. Shihej me germa të mëdha titulli: ‘Zejnullahu: Federata Jugosllave më
nuk ekziston’. U përgjigja se ajo gazetë
nuk është imja, dhe vazhdova:
-Në
vend të kësaj pyetjeje, ju duhet të më përgjigjeni se përse unë jam këtu?
-
Jeni këtu për shkak të aktivitetit kundër shtetit dhe ju keni bërë vepër të
rëndë penale. Në vazhdim ai tha se unë duhet të jepja deklaratë për veprimtari
armiqësore dhe kundër shtetit.
Në
atë moment u hap dera dhe hynë brenda dy persona. Njeni prej tyre mbanë në duar
një makinë shkrimi. E vendosi makinën mbi tavolinë dhe u ul i gatshëm për të
filluar shtypjen. Kishte ardhur për të shtypur deklaratën time. Ai ka qenë një
punëtor (daktilograf) i Qeverisë dhe unë e njihja. Ishte krejt i habitur, se
nuk e kishte pritur t’ishte me shefin në atë pozitë, që të shkruante për vepra
të mia antishtetërore, siç kërkonte oficeri. Oficeri iu drejtua atij, duke e
pyetur nëse është gati për të filluar. Daktilografi vetëm uli kokën, në kuptim
se ishte gati. Unë iu drejtova daktilografit:
-Ti
këtu nuk ke punë. Unë nuk do të ja asnjë deklaratë. Nuk është ky vendi ku unë
jap deklarata, prandaj ti mund të shkosh, sepse këtu nuk është puna e
deklaratave. Daktilografi u habit edhe më tepër, nuk bënte zë por rrinte si i
shtangur dhe shikonte oficerin. Oficeri m’u drejtua me kërkesën se unë duhet të
jap deklaratën, ky është detyrim, dhe vazhdoi ‘përndryshe, ne dijmë edhe
ndryshme’. Kishte fjalën për përdorimin
e dhunës dhe torturave për të nxjerrë deklaratën.
-
Unë do të befasohesha nëse ju bëni sjellje civilizuese, veprimet e tjera tuajat
mua nuk më befasojnë fare. Megjithatë, as juve dhe askujt tjetër këtu unë nuk
do t’i jap deklaratë. Unë nuk ju
përgjigjem juve, por vetëm organeve kompetente të Kosovës, në bazë të
Kushtetutës. Ju nuk jeni kompetent për biseda me mua, dhe as unë nuk kam asnjë
detyrim ndaj jush, i thash.
Duke
parë se biseda që po zhvillonim nuk duhej ta dëgjonte akush, urdhëroi
daktilografin ta merrte makinën dhe të dilte nga zyra. Kur ai u largua,
unë i thash oficerit: ‘dua ta lajmëroj
familjen dhe të tregoj se ku gjendëm’. Ai ma ktheu:
-Ju
nuk mund të flisni me askënd, këtu jeni për vepra penale dhe ju duhet të përgjigjeni
para gjyqit. Nuk donte të thoshte se isha i burgosur. Unë këtë e prisja, e
dija:
-
Pra, më tregoni ju përse jam këtu dhe me ç’të drejtë ju e bëni këtë?
-
Ju jeni këtu, sepse keni bërë vepër penale kundër shtetit. Ju do të dënoheni më
së paku 5 vjet burgim. Do të gjykoheni në Serbi, në gjyqin e Valevës.
-
Kuptohet, se ju gjykimin tim nuk mund ta bëni në Kosovë. Atë mund ta bëni vetëm
në Serbi. Por, nguliteni në mend, se asnjë gjyq të Serbisë unë nuk e pranoj,
sado që ju mendoni se do ta bëni këtë.
Pra, ju e kuptoni mirë pse gjykimet tona nuk mundeni t’i bëni në Kosovë.
Jashtë Kosovës çdo gjykim juaj është farsë dhe asgjë tjetër.
Kur
mbarova me këto fjalë, ai u ngrit dhe doli nga zyra, pa thënë asnjë fjalë.
Brenda hyri një person tjetër, i cili kishte detyrë vetëm të më mbante nën
vëzhgim. Kaloi një kohë e gjatë derisa përsëri hyri oficeri, kurse rojtari doli
menjëherë.
-Këtu
nuk jeni vetëm ju,- filloi të flasë oficeri, - këtu ka edhe njerëz të tjerë që
i kemi marrë dhe të gjithë ata do të përgjigjen para gjyqit. E kuptova se
paskan burgosur edhe të tjerë, por nuk e dija deri ku kanë shkuar me burgime: a kanë filluar burgosje
masive, siç flitej, apo janë kufizuar në një numër më të vogël? Këtë doja ta
dija, por ishte e pamundur në atë pozitë që isha.
-Ju
nuk keni përse t’i merrni të tjerët, - vazhdova, - unë jam përgjegjës, sepse
unë i drejtoj veprimet e organeve legale, prandaj vetëm unë e kam atë
përgjegjësi, por jo para jush, veçse ashtu si është e përcaktuar me kushtetutë.
Ai
tha se edhe ata, si anëtarë të qeverisë, janë përgjegjës, bashkë me mua. Prej
kësaj kuptova se qenkan burgosur edhe anëtarët e Qeverisë dhe përafërsisht e
dija se cilët mund të ishin: Jusuf Karakushi, Selajdin Skeja, Muhamet Bicaj dhe
Lekë Vuksani. Përveç këtyre, kishte qenë i burgosur edhe Agim Mala, dretori i
përgjithshëm i RTV të Prishtinës.
Përsëri
i thash se të tjerët nuk keni pse t’i mbani në arrest, sepse unë jam i vetmi
përgjegjës për të gjitha veprimet dhe punën e qeverisë. I thash, nëse ju
mendoni se këtu dikush ka përgjegjësi për atë që ju po thoni, atëherë po ju
lehtësoj punën: unë jam përgjegjësi dhe askush tjetër. Pra, ju keni punë me mua
e jo me të tjerët. Ata duhet t’i lironi të shkojnë. Por, ai vazhdoi duke
përsëritë, se edhe ata kanë përgjegjësi dhe duhet të gjykohen.
-Të
tjerët nuk keni pse t’i mbani këtu, vazhdova unë, ata duhet t’i lironi të
shkojnë në shtëpitë e veta. E pasi ju nuk po më tregoni pse jam këtu, edhe unë
dua të shkoj. Ju nuk do të mund ta burgosni tërë popullin. Veprimet tuaja nuk
pranohen jo vetëm nga populli i Kosovës, por nga askush në botë. Ju e keni
gabim nëse mendoni se me burgime mund të bëni diçka. Duhet të mësoni nga e
kaluara. Çka keni arritur me burgosjet: Asgjë, as në Kosovë, po as në Serbi dhe
natyrisht kurrë nuk do të arrini të bëni gjë as në të ardhmen.
Dëshiroja
ta detyroja të fliste, por edhe t’ia bëj të ditur se nuk kemi ndër mend të
lëshojmë pe ose të nënshtrohemi, pa marrë parasysh se ç’masa do të ndërmarrin
ata. Ishte e qartë dhe sa herë e vërtetur në praktikë, se askush nuk ka mundur
ta nënshtrojë një popull të tërë, pra këtë nuk do të mund ta bënte me shqiptarët as Serbia. Disi, si i hutuar, ai
vazhdoi:
-Tani
do të vie këtu gjykatësi hetues, dhe pastaj do të ju dërgojmë në burg e aty do
të hyni në procedurë gjyqësore. Pa e kryer fjalën e tij, iu përgjigja:
-Mirë,
le të vie ai gjykatës e të mos kem punë me ju.
Pas
këtij dialogu, ai e lëshoi zyrën dhe, si zakonisht, pas një vonese të gjatë,
erdhi përsëri. Pa u ulur, më ofroi që ta thërras familjen në telefon, por se
duhet të flisja në gjuhën serbokroate.
-Me
familjen time flas vetëm shqip, nuk dua të flas në gjuhë tjetër, i thash. Me
kaq mori fund dhe kështu unë nuk mund ta lajmëroja familjen, sepse nuk doja të
flisja në gjuhën serbe. Ishin orët e pasditës. Në një moment ai më ofroi për të
sjellë diçka për të pirë apo për të ngrënë. Shkurt dhe në mënyrë të prerë e
refuzova. Pas kësaj, ai doli përsëri. Unë e ndërrova vendin dhe u ula pranë një
tavoline të paraparë për mbledhje dhe fillova ta shfletoj një gazetë që ndodhej
mbi tavolinë. Brenda hyri një person tjetër, të cilin, si edhe atë të parin
kurrë nuk i kisha parë. Sapo u ul, filloi të flasë ç’i vinte në gojë rreth
punës armiqësore të shqiptarëve, ndihmave që Serbia i ka dhënë Kosovës,
ndërtimeve në Kosovë me mjetet e Serbisë, e kështu me radhë. Nuk isha fare i
interesuar ta dëgjoja as të flisja me të dhe vazhdoja të shfletoja gazetën, pa
lexuar asnjë fjalë. Ai e ndërroi temën dhe tha:
-Çfarë
do ai Rugova, mos do ta ndajë Kosovën? Ai është vetëm një armik i këtij shteti
dhe asgjë tjetër. Ne nuk do ta lejojmë atë të veprojë këtu. E ndali të folurit
për një moment. Unë nuk e dija përse e hapi atë çështje. LDK-ja ishte formuar
dhe profilizuar si parti politike, në të cilën ishin anëtarësuar shumë njerëz
dhe ajo, si çdo lëvizje që kishte për qëllim mbrojtjen e Kosovës dhe të drejtat e popullit të saj,
kishte përkrahjen masive të popullit. Ajo përkrahje manifestohej gjithandej dhe
gjer në atë shkallë sa që ishte tronditëse për regjimin okupues të Serbisë. Ma
mori mendja se ai fliste për Rugovën, duke menduar në LDK-n nga frika e kalimit
të saj në rezistencë më aktive se ajo që shihej në Kosovë. As ata dhe as ne nuk
mendonim se do të mbetej përherë gjendja ekzistuese e pa rezistencë aktive ndaj
regjimit të Serbisë në Kosovë.
Me
ashpërsimin e veprimeve të regjimit pushtues, por edhe pa të, ishte e sigurt se
rezistenca do të merrte kahje më aktive, që Serbisë nuk i levërdiste në asnjë
mënyrë.
-Rugova
dëshiron këtu,-vazhdoi ai përsëri,- kryengritje të shqiptarëve, por ne nuk do
ta lejojmë.
Nuk
munda më të heshtë, edhepse nuk doja më të hapja dialog. Ai e kishte detyrë t’i
thoshte ato fjalë, për të treguar se gjoja Serbia ishte e vendosur në shtypjen
e veprimeve separatiste të shqiptarëve në Kosovë.
-Nëse
ju jeni frikësuar aq shumë,- ndërhyra unë,- atëherë së pari ndaloni këto
veprime në Serbi. Ju atje keni mjaft punë, në qoftë se ju pengojnë lëvizjet e
ndryshme politike. Lereni Rugovën dhe të tjerët, e merruni me Drashkoviqin,
Sheshelin dhe çetnikët e tjerë në Serbi. Ata janë duke ndjellë luftën, edhe
kundër jush, edhe kundër nesh. Me ata keni punë, e jo me Rugovën apo dikë
tjetër këtu. U shpërqendrua krejtësisht.
Nuk dinte më nga të fillonte. Si dukej, kishte për detyrë të thoshte atë që ata
donin të zbatonin në Kosovë. Pa asnjë lidhje me bisedën e mëparshme, vazhdoi:
-Të
gjitha shtëpitë që shqiptarët i kanë ndërtuar në ‘’Dragodan’’, janë ndërtuar me
para të Serbisë. Ne do t’i marrim. Ato janë tonat, pasi janë ndërtuar me mjetet
tona. Shqiptarët janë bërë kapitalista me mjete të hueja e tani duan të ndahen
dhe të shkëputin tokën tonë e t’i bashkangjiten dikujt tjetër. Aludimi ishte i
qartë. Serbia jetonte me frikë se Kosova do t’i bashkangjitet Shqipërisë dhe
këtë kurrë nuk e hiqnin nga mendja e tyre. Doja që edhe më tepër ta
shpërqendroja atë dhe e pyeta gati vrazhdët:
-A
keni qenë ndonjëherë në ‘Avalski drum’? Atje janë shtëitë njëmijë herë më të
mira se këto këtu. Pse nuk i merrni ato? Bile ato janë të zbrazta, sepse
beogradasit atje shkojnë vetëm për fundjave, kurse këtu në shtëpi jetojnë
njerëzit me familjet e tyre. Merrni ato shtëpi atje.
Pa
përfunduar mirë, brenda hyri përsëri ai personi i mëparshëm. Me një urdhër të
prerë dhe të ashpër iu drejtua këtij: ‘’Dil jashtë’’! E kuptova se ky që hyri
ishte me kompetenca më të larta. Poashtu, e kuptova se ai ishte shefi i
shërbimeve të brendshme për Kosovën, të cilin e kishe emëruar Serbia. E dija se
ai quhej Llukiq. Ky ishte me pozitë më të lartë në Ministrinë e Brendshme të
Serbisë. Shumë vite më vonë, kam mësuar se ai kishte qenë Jovica Stanishiq,
shef i Shërbimit Sekret të Serbisë dhe dorë e djathtë e Millosheviqit. Ai është
një prej kriminelëve të luftës, i cili po gjykohet nga Tribunali i Hagës për
krime lufte në trevat e ish-Jugosllavisë. Pa u ulur mirë, m’u drejtua:
-Mundeni
ta lajmëroni familjen, ja telefoni dhe mund të flisni si të doni. Më habiti ky ndryshim. Ishin tani orët e vona të
mbrëmjes. E refuzova këtë pa e zgjatur. Pa asnjë koment për këtë, ai vazhdoi:
‘Situata po komplikohet’.
-Ku
është komplikuar, këtu brenda apo jashtë, e pyeta.
-Jashtë
po komplikohet situata,- tha dhe vazhdoi,- TV e Zagrebit ka lajmëruar se ju
jeni burgosur sot në Prishtinë. Këtë lajm po e përcjellin edhe agjencitë e
tjera të lajmeve në botë. Ka edhe lëvizje të njerëzve në terren. Si duket
populli do të mësyjë Prishtinën. Ne nuk e dëshirojmë këtë, prandaj TV e
Beogradit sapo e ka dhënë lajmin se ju nuk jeni burgosur, por vetëm jeni marrrë
n bisedë informative.
-Kësaj
ju i thoni bisedë informative? Unë nuk e kuptoj çdo të thotë ajo, por nëse nuk
jam i burgosur, atëherë unë dua të shkoj. Poashtu, dua të di se a janë liruar
njerëzit e tjerë që i keni marrë? Nëse ata nuk janë liruar, atëherë as unë nuk
dua të largohem para se të lirohen ata. Askush përveç meje nuk ka përgjegjësi
për kundërshtimet dhe veprimet e ndodhura. Unë e mbaj tërë përgjegjësinë dhe të
tjerët nuk keni pse t’i mbani këtu ose t’i merrni. M’u përgjegj, se në ndërtesë
nuk kishte tjerë. Këtu gjendet vetëm Karakushi, por ai nuk është i burgosur,-
tha. Me të po bisedohet vetëm si ish-koleg, e jo si i fajsuar. Ai poashtu
kërkoi që ju të liroheni.
Për
të parë reagimin, i thash se unë, pra, dua të dal prej këtu bashkë me Karakushin. E dija se ai
nuk ishte në atë ndërtesë me dëshirën e vet, por e kanë marrë si të tjerët.
-Ju
dhe Karakushi do të shkoni,- tha dhe vazhdoi,- vetëm edhe pak. U ngrit dhe nga
një prej vitrinave të zyrës molli një shishe me vinjak Kosove. E hapi atë për
herë të parë, pasi ishe e papërdorur, dhe mbushi dy gota e tha:
-Qe
unë po e pi i pari, pa gajle mund të pini edhe ju. Ai e piu gotën e vet dhe e
mbushi përsëri, dhe m’u drejtua mua: ‘Pse nuk po e lajmëroni Slloben, këshu ata e quanin Millosheviqin, dhe
vazhdoi,- ju keni punuar bashkë, keni pasur shumë biseda si shokë. Ja telefoni
dhe mund të bisedoni edhe tani.
Ishte
ofertë e çuditshme. Unë as që prisja diçka të këtillë. Natyrisht, nuk ishte
koha për biseda me të. Thjesht, nuk dëshiroja. I thash: ’Unë nuk e kam shok
atë. Kemi bashkëpunuar, por vetëm nga pozicionet zyrtare dhe pozitat që kemi
pasur. Nuk mundet më të bisedojmë. Ai ka zgjedhur rrugë të tjera dhe të
rrezikshme. Unë nuk kam se çka të bisedoj me te. Ai e di mirë mendimin tim. Atë
ia kam thënë shumë qartë sa e sa herë.
Edhe
njëherë kërkoi që të flisja me Millosheviqin dhe duke parë se unë nuk do ta
bëjë këtë, e ndali ngulmimin. Vazhdoi bisedën duke thënë se ai nuk do të kishte
vepruar në këtë mënyrë me një udhëheqës të lartë. Tha se ka konsiderata ndaj
meje dhe prandaj është sjellë korrekt në bisedë. Poashtu, shprehi keqardhje për
këtë ngjarje të pakëndshme dhe tha se shpreson se kjo nuk do të ndodhë më.
Ishin këto vetëm fjalë dhe asgjë tjetër. Ai donte me këtë të linte përshtypjen se
marrja jonë në polici ka qenë gabim. Pasi gati po vinte mesnata, atëherë ai më
ofroi që të më voziste deri në shtëpi. Dolëm nga ndërtesa dhe hymë në një
veturë të tipit ‘Zastava 101’ dhe u drejtuam për Dardani. Në oborrin e çerdhes
së fëmijëve, e cila ishte përballë shtëpisë sime, i thash të ndalet dhe unë
dola nga vetura dhe u drejtova për në shtëpi. Ajo ishte mbushur me njerëz;
ishin pjesëtarët e familjes dhe miq e shokë të mi të ngushtë.
Kështu
mori fund burgosja jonë e parë. Në polici nuk kishte mbetur më askush. Posa
hyra në shtëpi, u lajmërua Karakushi dhe më informoi se të gjithë kishin dalë
nga policia. Ai donte të dinte nëse kisha mbërritur edhe unë në shtëpi.
Pas
kësaj ngjarje, u pa se reagimi serb kishte vendosur të merrte masa të rrepta
dhe të fillone burgimet. Vetëm në saje të presionit të opinionit botëror, ata
vendosën që kësaj herë të mos na mbanin në burg.
(Rrëfimi për ‘burgosjen’ është marrë nga libri: STUHI LUFTE
MBI KOSOVË, prej të njëjtit autor).