| E premte, 30.08.2024, 06:56 PM |
IN MEMOIRIAM
MUSTAFË
SHALA MES ATDHETARISË DHE HUMANITETIT
Lajmi
i hidhur për vdekjen e ish fqinjit tim, Mustafë Shala jehoi pikëllueshëm në mua
dhe, më tej në Gjilan edhe më larg, gjithë andej ku preku fjalë-mirësia dhe
dorëdhënia e lirë, përherë e shtrirë për nevojtarë e bamirësit e mikut e
bashkëqytetarit tonë, atdhetarit Mustafë Shala. Mustafë Shala nuk iu përkiste
mburracakëve, nuk ishte një premtues i zbrazët, assesi një reklamues i
dorëdhënies së tij. Më parë se dora atij ia jepte zemra dhe, kjo është e
dëshmuar sa e sa herë... Kush e ka njohur mirë Mustafën, ishte përherë një
atdhedashës, por jo vetëm me fjalë. Ai mëtonte kurdoherë që atdhedashurinë ta
konkretizonte dhe, sa herë i jepej mundësia nuk kursehej. E kishte ndihmuar
ZOK-un njësitë vullnetare të UÇK-s, por, nuk numërohen ndihma të tjera të
shumta, për të cila mund t`i dinë vetëm njerëzit më të afërm të Mustafës ose
nuk i dinë, ngase i dinte vetëm ai dhe përdoruesit fatlumë! Ja pse i gëzohemi
afarizmit të kategorisë së Mustafë Shalës...
Gjithsesi,
për shkakun bamirës të një ndërmarrësi të tillë, sikur ishte dhe mbeti me po
ato vlera, miku ynë Mustafë Shala. Andaj, shkuarja e tij në botën e amshuar la
zbrazësi... Mustafa pos që do t`i mungojë familjes së tij të dashur, do t`i
mungojë veprimtarisë bisnesore, do t`i mungojë institucioneve shtet-ndërtuese,
do t`i mungojë miqve e shokëve të shumtë, do t`i mungojë kulturës dhe
qytetarisë së Gjilanit!
Me
pikëllim e sinqeritet të thellë ndahemi nga dashamiri e miku i ndejave të
këndshme! Gjithnjë ndejat tona, pos asaj njerëzores së rëndomtë, nuk mbeteshin
pa u përshkuar edhe nga brengat për mbarëvajtjen e fatit tonë si shqiptarë dhe,
fati i rrugëtimit të mëtejmë të shtetit tonë të ri, të ngritur me gjak e
sakrifica gjithfarësh por, edhe me gabime e papërgjegjësi drejtuese të klasës
politike të gjitha ngjyrimeve... Megjithatë, pusho i qetë në dheun e atdheut
tënd Miku ynë i çmuar Mustafë Shala! Lamtumirë!
Gjilan, më 30 gusht 2024
Mehmetali REXHEPI