| E enjte, 29.08.2024, 06:55 PM |
LDK-në nuk e ndihmon më aureola e Rugovës!
Shkruan:
Florim Zeqa
Aureola
e ka origjinën nga fetë evropiane parakristiane. Gjendet në shumë mozaikë, në
të cilët një disk drite rrethon kokën e perëndive olimpike. Aureola shfaqet
gjithashtu në yjet funerare helenistike për të shprehur nderimin ndaj
personaliteteve që i përkasin botës së përtejme.
Iluministi fundit
shqiptarë në ballkan
Ibrahim
Rugova është iluministi i fundshekullit 20 dhe fillimshekullit 21 për
shqiptarët e Kosovës, i kthyer tashmë në figurë sa hyjnore po aq mitologjike
për elektoratin e ri të LDK-së, të cilët për Rugovën vetëm kanë dëgjuar apo
mësuar prej prindërve dhe gjyshërve të tyre.
Figura
e Ibrahim Rugovës është kthyer në figurë mitologjike e cila nuk e ndihmon më
rritën dhe zhvillimin e LDK-së, jo për fajin e tij, por për shkak të hijezimit
të grupeve të interesit që po e pengojnë ndriçimin e tre shkronjave të arta nga
hyjnori Rugovë.
Fitorja
e fundit e LDK-së në zgjedhjet parlamentare ka ndodhur dy dekada më parë nën
udhëheqjen e liderit historik Ibrahim Rugova. Nga ajo kohë e deri më sot kanë
ndodhur gjashtë procese zgjedhore të nivelit nacional nga të cilat LDK-ja mbeti
duarthatë pa e shijuar kënaqësinë e fitores!
Edhe
përkundër humbjeve serike dhe të njëpasnjëshme nga viti 2010 e deri pas
zgjedhjeve të vitit 2021 LDK-ja është drejtuar nga i njëjti lidership, sa i
papërgjegjshëm po aq edhe i dëmshëm për këtë subjekt politik, i cili e
katandisi në kuotat më të ulëta historike (12 %).
Për
18 vite rresht pas shkuarjes në amshim të Rugovës, LDK-në e udhëhoqën grupet e
interesit të kthyera në fraksione ndarëse dhe përçarëse në garën e pashëmbullt
për të marrë primatin e rugovizmit në partinë e Ibrahim Rugovës.
Për
18 vite rresht nuk u mbajt asnjë proces i rregullt zgjedhor brenda LDK-së.
Emërimet në vend të propozimeve të lira demokratike dhe instalimi i
aklamacionit në vend të votës së lirë e ngulfatën demokracinë e brendshme në
LDK.
"Lidhja e re"
dhe "Rruga e re" nuk janë vazhdimësi e LDK-së Rugoviane
Zërat
reformator dhe intelektualët që i shprehen mendimet ndryshe nga lideri i
partisë u larguan dhe u anatemuan nga strukturat drejtuese të partisë. Vendet e
tyre i zunë servilët dhe puthadorët e pushtetit të cilët u kthyen në uzurpatorë
të partisë së Ibrahim Rugovës.
Si
pasojë e linçimeve, shantazheve dhe kërcënimeve nga grupet e interesit vazhduan
largimet individuale dhe kolektive nga ish partia e Rugovës, derisa partia u
tkurr në 12 %!
Edhe
përkundër rezultatit katastrofal, përseri rrënuesit e filozofisë politike
rugoviane vazhduan të qeverisin me LDK-në duke e ëndërruar pushtetitin qendror,
nga i cili gjithnjë e më shumë po largohen shkaku i dominimit të grupeve të
interesit ndaj zërave reformator brenda partisë.
Sa
më shumë që rriten dhe zhvillohen grupet e interesit nga brenda, aq më e vogël
do të bëhet LDK-ja! Sa më shumë që unifikohen zërat reformator brenda partisë,
aq më afërt do të jetë fitorja e LDK-së në zgjedhjet nacionale.
"Lidhja
e re" dhe "Rruga e re" nuk janë vazhdimësi e LDK-së Rugoviane,
ato paraqesin devijim total nga rruga dhe filozofia politike rugoviane. Pa
ç'rrënjosjen e grupeve të interesit dhe kthimin në rrugën e vjetër rugoviane
nuk do të ketë shkëlqim të tre shkronjave të arta-LDK!
Lavdi aureoles së LDK-së
(23 dhjetor 1989-21 janar 2006)!