| E hene, 26.08.2024, 07:29 PM |
SI MOS TË KUJTOJMË TANI NJË BIJË TË ZGJEDHUR TË KOMBIT SHQIPTAR – SHËN NËNË TEREZEN?!
Në
ditëlindjen e saj dhe në 45-vjetorin e dorëzimit të Çmimit Nobel për paqë!
Nga
Frank Shkreli
“Të dashur, nuk
mund të mos përshëndes një njeri fort të përvuajtur, që ndodhet midis nesh.
Është Nëna Tereze e Kalkutës. Të gjithë e dimë nga vjen, cili është Atdheu i
saj. Atdheu i saj është këtu! Edhe në kohën e izolimit të Shqipërisë ishte kjo
rregulltare e përvuajtur, kjo shërbyese e përvuajtur, e më të vrafërve, që
përçonte në tërë botën emrin e Atdheut tuaj. Në personin e Nenës Tereze,
Shqipëria është nderuar gjithmonë.” (Nga fjala e Papa Gjon Palit të II në Shkodër
gjatë vizitës së tij në Shqipëri Prill, 1993).
Vërtetë, si mos ta
kujtojmë këtë bijë të Kombit shqiptar,
“Këtë grua të vogël por të madhe, njëkohsisht, e cila sjell e ruan brenda vetes
hovin e bujarisë së përmbajtur dhe të pamposhtur të zemrës shqiptare”, gjithnjë
sipas mikut të shqiptarëve, Papa Gjon Palit të II, në vizitën e tij historike
në trojet iliro-dardane, në prill të vitit 1993, menjëherë pas shembjes së
Murit të Berlinit.
Anjezë Gonxhe
Bojaxhiu e lindur me 26 Gusht, 1910 në Shkupin shqiptar ndërsa shkoi
në amshim në moshën 87-vjeçare, me 5 Shtator, 1997 në Kalkutë të Indisë. Ky vit shënon gjithashtu edhe 45-vjetorin e
vlerësimit të Nenë Terezës me njohjen prestigjoze botërore, Çmimin Nobel për
Paqe me motivacionin se: “Çmimi Nobel i Paqes ju dha Nënë Terezës së Kalkutës
për angazhimin e saj ndaj më të varfërve, ndër të varfërë, dhe për respektin
dhe vlerësimin e dinjitetit të çdo njeriu. Përveç kësaj: Për punën e bërë në
luftën kundër varfërisë dhe mjerimit, që përbën, gjithashtu, një kërcënim
për paqen”.
45-vjet më parë
(Dhjetor, 1979) murgeshës shqiptare, Nenë Terezës iu dorëzua Çmimi Nobel për
Paqe, pasi ajo ishte nderuar me këtë Çmim (më 17 tetor të vitit 1979), nga
juria ndërkombëtare e Çmimit Nobel për Paqe. Nenë Tereza i foli botës nga një
tribunë prej ku kanë folur personalitetet më të njohura politike dhe fushave të
tjera të veprimtarive njerëzore të kësaj bote, të shekullit të kaluar. Një “Laps i vogël në duar të Zotit”, e quante veten
shpesherë Nenë Tereza, bijë e vogël e një Kombi të vogël, por me një histori të
lavdishme, ndonëse edhe plot mundimesh e vuajtjesh…një bijë e Kombit shqiptar e
cila duke mos njohur kufijt fetarë, etnik e kulturor, i tregoi botës se “është
më kënaqësi të japësh se sa të marrësh”. Një simbol i vërtetë i bujarisë
shqiptare në botë dhe shërbëtore e vërtetë e të varfërve anë e mbanë botës, pa
dallim feje ose origjine. E si mos ta kujtojmë këtë “mrekulli për të gjithë,
këtë lajmëtare, guximtare të dashurisë, shembull gjithmonë aktual i zbulimit,
se çdo njeri është vëllai ynë”, do të deklaronte Papa Pali i VI për të
përvuajturën Nenë Terezën shqiptare, motrën e madhe dhe të vogël tonën.
E si të mos e
kujtojmë atëherë – me këtë rast, 3-përvjetorësh -- këtë bijë të zgjedhur të
Kombit shqiptar që nderon kombin ndër shekuj – duke bërë emrin shqiptar të
njohur e të famshëm anë e mbanë botës?!
Si mos ta përdorim këtë rast – në mos për asgjë tjetër – atëherë për të
reflektuar sado pak dhe për të marrë shembëll
duke dëgjuar thirrjet e Nenë Terezes për paqë e pajtim në familjet tona
individuale shqiptare, kudo që jemi, por edhe në familjen e madhe kombëtare –
për një paqë e pajtim, aq të nevojshëm, për një zhvillim më autentik njerëzor
dhe shoqëror në familjen e madhe shqiptare.
Për
paqë në botë dhe për paqë e pajtim, edhe “për popullin tem shqiptar”. “Që paqja
e Zotit të vijë në zemrat tona, në të gjitha familjet tona”, është shprehur
Shenjtja Nënë Tereza, ndërsa po dilte nga manifestimi solemn i pranimit të
Çmimit Nobel për Paqë, 45 vjetë më parë (1979).
Pasi
iu dorëzua Çmimi Nobel, në një foto portret të saj, Nënë Tereza ka shkruar këto
fjalë: “Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem Shqiptar. Shumë luti
Zotin që paqja e Tij të vij në zemrat tona, në familjet tona, në gjithë botën”,
sipas biografit të njohur të jetës dhe veprimtarisë së Nenë Terezës, Dom Lush
Gjergji.
Po e
kujtoj këtë 45-vjetor të dhënjes së Çmimit Nobel për Paqë, sidomos fjalët e
Nënë Terezës për paqë “në familjet tona”, drejtuar shqiptarëve në atë kohë, si
një rast reflektimi, pasi bota shqiptare ka aq shumë nevojë sot për paqë, për
paqë me njëri tjetrin, mbi të gjitha. “Familja shqiptare”, nuk ka sot paqë --
paqë me veten e as paqë me të tjerët.
Unë
nuk besoj që shoqëria shqiptare në përgjithësi dhe politika shqiptare në
veçanti, të ketë qenë ndonjëherë – në këto pothuaj 35-vite tranzicion të
ashtuquajtur “post-komunist” – më konfliktuale, më e acaruar dhe me mungesë
respekti e dashurie për njëri tjetrin, se ç’është sot. Thirrjen e Nënë Terezës
për paqë e pajtim 45-vite më parë; po e kujtoj, modestsisht, edhe si një
pjestar i komunitetit shqiptaro-amerikan prej më shumë se gjysëm shekulli në
Amerikë – duke shfaqur në këta pëvjetorë në kujtesë të Nenë Terezë -- nevojën
për reflektim për gjëndjen e krijuar
plot konflikte e në çdo nivel në radhët e shqiptarëve, por edhe mungesës së
diskursit normal publik me njëri tjetrin. Një fenomen ky që vihet re jo vetëm
në Shqipëri e Kosovë, por edhe në diasporën e shpërndarë anë e mbanë botës edhe
në mbarë trojet shqiptare. Lexo lajmet e ditës në mediat shqptare dhe të duket
sikur bota shqiptare është në luftë me vet-veten. Sidomos, diskursi politik, jo
vetëm që është keqësuar, por duket se ka vdekur, këto vitet e fundit.
Mungesa
e paqës dhe e dashurisë midis shqiptarëve do të ishte një zhgënjim i madh Për
Shën Nenë Terezën. Për fat të keq, në këndvështrimin e sotëm të zhvillimeve
politike në Shqipëri e Kosovë, por edhe kudo tjetër midis shqiptarëve, paqa,
për të cilën ka bërë thirrje Nënë Tereza 45 vite më parë në Oslo -- “në të
gjitha familjet tona”, pa përjashtim, pikërisht aty ku e donte Nënë Tereza
paqën, dmth. midis shqiptarëve, në familjet tona -- është vështirë të
identifikohet ose të dallohet paqa për të cilën fliste Nenë Tereza sa ishte
gjallë. Si e tillë, sot në jetën publike
dhe politike, në marrëdhëniet midis shqiptarëve në nivele të ndryshme, paqe nuk
ka. Ndërkohë që në sallat e qeverisë e të shtetit, aty ku do duhej të ushtrohej
respekti dhe paqa midis shqiptarëve, për hir të shqiptarëve – pikërisht aty
mbetëron vetëm konflikti, urrejtja dhe mos respekti ndaj njëri tjetrit, e
nganjëherë, fatkeqsisht në vend të paqës, mbretëron dhuna. Politika është politikë
edhe në Shqipëri, si gjithkund tjetër por nuk ka as demokraci as shtet pa paqe
e respekt për njëri tjetrin.
“Nëqoftse
nuk kemi paqe, kjo ndodh sepse kemi harruar se i përkasim njëri tjetrit”. (Nënë
Tereza)
Kriza
politike nëpër të cilën po kalon Shqipëria dhe Kombi shqiptar në përgjithsi,
simbolizon një mungesë paqeje e vëllazërimi -- është një krizë e madhe morale;
një trashëgimi e gjysëm shekulli komunizëm – me besimin se kundërshtari politik
është armik dhe si i tillë duhet të zhdukur me çdo kusht.
Në
këtë periudhë kritike për Kombin shqiptar, vazhdimi i një sistemi të polarizuar
politik -- jashtë kontrolli -- dhe dështimi i klasës politike për t’u marrë,
seriozisht, me problemet madhore të vendit e të Kombit në të gjithë botën
shqiptare, pa përjashtim, do të ketë pasoja tragjike afatgjatë për të gjithë
shqiptarët. Abraham Lincolni citohet të ketë thënë se, “Një shtëpi e ndarë
dhe e përçarë kundër vetvetes nuk mund të qëndrojë në këmbë pa u shembur”.
Paqa politike dhe
shoqërore për të cilën bënte thirrje Nënë Tereza, 45-vjetë më parë para botës
në tribunën e Nobelit për Paqe, kërkon sot që ata që do duhej të ishin në
shërbim të shoqërisë – për hir të paqës dhe të dashurisë -- të ulen në tryezë për të biseduar me ata që kanë
pikpamje të ndryshme, me qëllim të mirë dhe në paqe, për zgjidhjen e problemeve
të përbashkëta të vendit dhe të Kombit. Një gjë e tillë nuk duhet të shikohet
si një dobësi, si diçka që nuk është burrënore. Nuk është burrëri as nuk janë burrshtetas
ata që interesat partiake e personale i venë mbi përparimin dhe interesat
e Kombit, ndërkohë që konfliktin e vendosin mbi kompromisin ee nevojshëm, në
kurriz të paqës në shoqëri dhe në familjen e madhe të shqiptarëve. Për fat të keq, duke marrë parasysh
zhvillimet aktuale politike dhe shoqërore në marrëdhëniet e politikanëve
shqiptarë, duket se është harruar mesazhi i Nënë Terezës i 45-viteve më parë në
Oslo të Norvegjisë: Paqë në familjet tona, si parakusht i paqës dhe bashkimit
në familjen e madhe shqiptare të përhapur anë e mbanë botës.
Sa për Informacion
Ipeshkvia
Prizren-Prishtinë në bashkëpuni
me ITSHKSH organizon Akademi Solemne në ditëlindjen e Shën
Nënë Terezës, ditën e hënë, më 26 gusht 2024, që sivjet përkon me 45-vjetorin
e Çmimit Nobel për Paqe (1979).
Kjo
akademi bën hapjen zyrtare të “Ditëve të Nënë Terezës 2024”, që do të zgjasin
deri më 5 shtator 2024, në ditëfestën liturgjike të saj.
Akademia
do të mbahet në Qendrën “BogdaniPolis”, në orën 19:00, që gjendet në
Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë.
Programi i Akademisë
Fjalë përshëndetëse të autoriteteve
Pikë
muzikore
Marco
Frisina, “Ti do të jesh profet”
Këndon: Kori
i Katedrales Shën Nënë Tereza
Lectio
Magistralis
Don
Lush Gjergji, Disa kujtime, përjetime, dëshmi dhe porosi nga Çmimi
Nobel për Paqe (1979)
Pikë
muzikore
Irena
Prenrecaj (arr. Magdalena Sedaj) “Nënë Tereza”
Këndon: Kori
i Katedrales Shën Nënë Tereza
Prezantim
Libri
Don
Lush Gjergji, “Porositë e Shën Nënë Terezës për ne” botim me rastin
e 45-vjetorit të Çmimit Nobel për Paqe
Prezanton: Ndue
Ukaj
Poezi
dhe lutje
Shën
Nënë Tereza “Mbi gëzimin” Interpreton: Jehona D. Gashi
Pikë
muzikore
Koncertnino
op. 11-Huber
Intepretojnë: Aniset
Cej, Art Krasniqi, Magdalena Sedaj
Koktej rasti në Agorà