Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mihal Gjergji: Më presin

| E diele, 25.08.2024, 06:15 PM |


Mihal Gjergji

MË PRESIN

Më pret fëmijëria t’a flak moshën tutje

Në shteg të gremisur të shkel si dikur

Por barra e jetës më varet mbi supe

Dhe maja ku ngjitja ngjason si qivur

Në supin e malit ndalova të prehem

Me furkën e dimrit dëborën e tjerr

Nektarin e mallit do pi e do dehem

Mëndafshi i erës me vete e sjell

Çarcafin e reve e djegin rrufetë

Në viset e mia me muzgjet e artë

Litarët e shiut i mbledhin rrëketë

(Si s’pata mbi krye një gunë a një shark!)

Më presin dy varre. Sa shpesh kam munguar!

Siç prisnin të ktheja dikur në shtëpi

Me prushin e shpirtit ç’bekim kanë pikuar?

Në këngët e djepit dëgjoja hyjni!

Një ditë, doemos do më marrin në gji!

P.S: Edukatorët e mi të parë dhe të çmuar, nëna dhe babai. Meraku i tyre ende më ruan çdo hap e çdo thinjë. Ata vijnë shpirtërisht drejt meje, ndërsa unë shkoj fizikisht drejt tyre, çdo ditë, rënduar nga pesha e viteve dhe barra e halleve. Ata meritojnë lulet, nderimin dhe dashurinë time.

Tiranë, Mars 2020