| E diele, 25.08.2024, 06:54 PM |
Mbi urë. Strugë. 2024.
Gjithkush ka kohën e vet për të jetuar. Jeta për të gjithë është e shkurtër dhe e papërsëritshme: Të ngresh lart emrin tënd me vepra, vetëm kjo është e arritja e virtytit - Poeti filozof Virgjili
NË
PËRKUJTIM TË PROF. DR. NUHI VINCA
Veprimtari
në Strugë
Nga
Kadri Tarelli
Para pak ditësh, më saktësisht më 18, të gushtit, 2024, në sallën e
teatrit “Poshka”, në qytetin e Strugës, në 40 ditë të ndarjes nga jeta, u
përkujtua emri dhe vepra e atdhetarit, shkrimtarit, studiuesit, përkthyesit dhe
poetit strugan e Prof. Dr. Nuhi Vinca.
Pjesëmarrja ishte mjafte madhe, familjarë, qytetarë, miq e shokë të
vjetër e të rinj, disa të ardhur edhe nga Dardania, Prishtina, Prizrendi,
Mitrovica, Suedia, mes tyre edhe grupi ynë nga Durrësi: Shpendi Topollaj, Kadri
Tarelli, Gëzim Agasi dhe piktori Arben Kristani.
Si fillim në Strugë, ne u pritëm nga çifti Ilir Kafexholli dhe Teuta Vinca
Kafexholli, bijë e Prof. Nuhiut, ardhur nga Prishtina.
Më duhet të them, se çuditërisht është shkrimi i dytë që po i kushtoj një
personaliteti si Prof. dr. Nuhi Vunca, këtij veprimtari të ndritur të letrave
shqipe, por në drejtime të pangjashme me njëri-tjetrin:
I pari, drejt ngjitjes në majë të karrierës dhe lavdisë, është shkruar në
nëntor 2021, me rastin e festimit të 90-vjetorit të tij, organizuar nga
Instituti Albanologjik i Prishtinës, veprimtari e pasqyruar në: Gazeta “Bota Sot”. Dardani. 18.
11. 2021, “VOAL. Zëri Shqiptarëve”,
Zvicër, 18. 11. 2021, “Fjala e lire”,
Londër, 18. 11. 2021, dhe gazeta “Fjala”. Tiranë, me titull: “Kuvendim me
prof.. Dr. Nuhi Vinca”. 27. 11. 2021.
Ndërsa i dyti, tani pas kaq kohësh, drejt ngjitjes te yjet, drejt lavdisë
e përjetësisë, me dhimbjen e ndarjes me një mik të rrallë. Kjo ngjarje e rëndë
dhe e hidhur, po më shtyn të përcjell pak nga mbresat tona, nga një veprimtari
sa të rrallë në organizim e formë, aq edhe e pasur me kumtin e përkujtimit në
përjetësi të jetës dhe të veprës së këtij mësuesi dhe studiuesi me përmasa
kombëtare. Diku në bisedë, rrethuar me miqtë, u shpreha: “Në takime të tilla,
veç familjarëve vijnë edhe të afërmit, të gjithë të shtyrë nga dhimbja e zakoni,
si përjetim i traditave tona të ardhura nga shekujt, ndërsa në këtë tubim, me
ç’po shoh, marrin pjesë miq e shokë të ardhur nga larg, siç është edhe ardhja e
z. Hysen Ibrahimi, Kryetar i shoqatës atdhetare letrare artistike shqiptare,
“Papa Klementi XI. Albani. Suedi”. Të gjithëve na bashkojnë vlerat, sa
njerëzore aq edhe intelektuale, si atdhetarë, studiues e krijues, që i bëjnë
nder kombit. Janë pikërisht këto vlera që na bëjnë të jemi sot këtu, të ndjejmë
së bashku dhimbjen e të ndajmë bashkërisht humbjen e një miku të shtrenjtë”.
Shpendi Topollaj, që foli në emër të grupit durrsak, si mik i hershëm i
Prof. Nuhiut, në fjalën e tij qëndisur bukur, ku ndjehej krenari e trishtim,
mes të tjerave, shton: “........ Nuhiu shkoi i lumtur, se në këto dit të ndarjes
nga kjo botë, këtu me të është e gjithë Shqipëria. ...... Ndaj për këtë njeri
dhe intelektual të përmasave të pazakonta, duke e vlerësuar atë sipas mënyrës
Hegeliane, që artikulonte, se “Njeriu s’është kurrgjë tjetër, veçse një varg i
veprave të veta”. Kështu që duke e parë vendin dhe rolin që vepra e tij luajti
e do të luajë në edukimin qytetar e atdhetar të shqiptarëve në Maqedoninë e
Veriut, mendoj se është rasti, që t’i kujtojmë drejtuesit e pushtetit vendor,
këtu në Strugë, që Profesorit të nderuar Nuhi Vinca, t’i ngrihet bust dhe t’i
vendoset në breg, atje ku Drini del nga liqeni, që ai e deshi dhe i këndoi aq
shumë, pikërisht aty ku ai nis udhëtimin nëpër Shqipërinë e tij të shtrenjtë”.
Fjalimet nuk kishin të sosur nga bashkëkohanikët, miqtë, bashkëpunëtorët,
ish nxënësit e tij të hershëm, mes tyre edhe lexues e vlerësues të veprës
letrare e studimore, të cilët sollën në kujtesë copëza jete të jetuar sipas
kohës, rrethanave, kushteve e mundësive, shpesh herë jo të lehta, mbase jo të
mundshme. Mund të përmend disa nga emrat që morën fjalën: Vegim Vinca, Shpendi
Topollaj, Hysen Ibrahimi, Agim Vinca, Bajazit Murtishi, Vait Nasufi, Xhevat
Lumani, Ilire Vinca, etj.
Me ndjesi malli, artiste Ilire Vinca, na solli në kujtesë disa nga
vargjet e gdhendura nga Prof. Nuhiu, i cili në frymëzim poeti, dhimbje
atdhetari, shprese shqiptari e pritje luftëtari, shkruante: - “Këtu te ky gur,
shpirt gur,/ndahet Shqipëria nga Shqipëria...../Këtu në Qafëthanë, /këtu në
Qafëthanë,/ një shekull e pret, jetimin një nanë....”. Fjala prekëse e
artistes, u shoqërua me violinë nga artistja me emër të veçantë por të bukur,
Syhana Reçi.
Në fund, pas kuvendit në sallën e teatrit, një tjetër ndodhi na priste:
Ashtu në grup të gjithë pjesëmarrësit u ngjitëm mbi urrën e lumit Drin, që
bashkon dy anët e qytetit të Strugës dhe ashtu në valëzimin e rrjedhës së
ujërave të kristalta, hodhëm lule shumëngjyrëshe. Veprim magjik, që mrekullon
cilin do që përjeton një skenë të tillë. Veprim që nuk e kam ndeshur gjëkundi.
Do të jetë mrekulli, nëse ceremoni të tilla përkujtimore shoqërohen me hedhje
lulesh në lumë, det apo liqen. Nuk di ç’të them: është zakon i riteve pagane,
të mbetura e të ardhura ashtu natyrshëm nga besimi i hershëm i lashtësisë, apo
një zakon i lindur, po natyrshëm, vetëm në qytetin e Strugës. Në të dy rastet
është një mrekulli e vërtetë.
Për poetët dhe dijetarët, nuk ka vdekje. Ka vetëm ngjitje në përjetësi.
Më pëlqen ta kujtoj shprehjen e të diturit Viktor Hygo, kur thotë: “Njeriu e
ngre vetë piedestalin, koha i ngre monumentin”. I bindur se Prof. Dr. Nuhiu i
ngriti vetë piedestalin, ashtu edhe monumentin.
Kadri Tarelli
21, të gushtit 2024.