| E enjte, 22.08.2024, 07:55 PM |
Ngarendin aktakuzat ndaj ministrave dhe dostave të qeverisë!
Shkruan:
Florim Zeqa
Korrupsioni
i lartë ne KEK ka lidhje me qeverinë, ndryshe nuk ka si të arsyetohet mbrojtja
që i bën kryeministri shefit të KEK-ut! Vazhdojnë aktakuzat ndaj dostave të
kryeministrit, së fundmi Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj
ish-shefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), për
keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Punë e madhe për Task
Forcën e policisë
Në
anën tjetër nga Task Forca po hetohen disa ministra të qeverisë të cilët në
mënyrë të organizuar dhe të kundërligjshme, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë
kryer vepra penale të dëmtimit të buxhetit të shtetit.
Tashmë
askush nuk mund ta fsheh korrupsionin, nepotizmin dhe krimin e organizuar në
majat e shtetit, pasi ai është prezent në secilën ministri dhe dikaster
qeveritarë, në presidencë dhe parlament.
Do
të ishte e tepërt përmendja e emrave të ministrave nën aktakuza dhe të atyre që
janë nën hetime të Task Forcës dhe të Prokuroisë Speciale, pasi ata janë çdo
ditë prezent në mediat elektronike dhe vizuele (televizione).
Arsye
tjetër për të mos përmendur emra të përveqëm, është edhe fakti se tashmë
prokuroria është duke u marrur me ta dhe se tanimë ka filluar fushata
(mediatike) elektorale për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të caktuara për 9
shkurt të vitit të ardhshëm.
Kryeministri
që mbron ministrat nën aktakuza dhe nën hetime, nën pretekstin se kinse nuk din
gjë për afera korruptive të ministrave të tij, ngre dyshime të bazuara për
korrupsion të organizuar qeveritar! Kryeministri që e shan prokurorin e shtetit
dhe i mbron të korruptuarit as vet nuk mund të jetë me duar të pastra!
Për
fatin e keq të vendit tonë, edhe me këtë qeveri vazhdoj sindroma e korrupsionit
të lartë qeveritarë dhe krimit të organizuar nëpër institucionet e larta të
shtetit.
“Meritat”
për zhvillimin dhe rritjen e korrupsionit nëpër disa ministri i kanë
bashkëpunëtorët e brendshëm dhe të jashtëm, më veçanti sekserët e tyre në
Diasporë, përmes të cilëve e bëjnë shpëlarjen e parave të pista të krimit të
organizuar ekonomik.
Kryeministri
që erdhi në pushtet me premtimin e qeverisjes me duar të pastra, rrezikon të
largohet nga pushteti me duar të pista! Inkriminimi i kësaj qeverie në
korrupsion i shuan shpresat e qytetarëve për ndryshime pozitive.
Shpresa vdes e fundit
Megjithatë,
e vetmja shpresë reale mbetet ngjizja e një alternative të re politike, me
njerëz të rinjë, të pastër dhe të përgjegjshëm, të papërfshirë në skenën
aktuale politike. Mungesa e alternativës së re politike do të ndikojë në rënjen
e daljes së elektoratit në zgjedhjet e 9 shkurit 2025.
Florim
Zeqa
21.08.2024