| E enjte, 22.08.2024, 07:56 PM |
PSE RRUGA THUMANË - KASHAR NUK MUND TA SHMANGË FUSHË – KRUJËN?...
NGA
NDUE DEDAJ
Fushë
- Kruja është vetë Kruja, më saktë një “paradhomë” e saj. Dhe Kruja është
kryeqyteti i historisë së shqiptarëve. Asnjë rrugë nuk mund ta lërë mënjanë
atë, aq më tepër një segment rrugor si ai Thumanë - Kashar, që është pjesë e
Rrugës së Kombit, paçka se e integruar në atë që quhet “Korridori blu”. Ajo që
autostradat nuk “pyesin” për qytezat, zanat industriale etj., pasi këto kanë
rrugët e dyta për t’u lidhur, në këtë rast nuk ka vend. Në radhë të parë për
vetë shqiptarët, por qoftë dhe për turistët e huaj, që të hutuar pyesin: “More,
nga bie rruga për tek ai qyteti në mal, ku luftoi Heroi juaj Kombëtar që mundi
Sulltan Muratin?” Po, ja, ne kemi bërë autostradën, është bllokuar hyrja dhe
dalja e Fushë - Krujës, prandaj ju mund t’i bini nga... Kina, për të shkuar te
kalaja e Krujës dhe Muzeu i Gjergj Kastriotit. Ata nuk mund ta kuptojnë këtë
“labirinthin” tonë rrugor që të pengon të shkosh noramalisht në një nga qendrat
më të rëndësishme të trashëgimisë së shqiptarëve, ku, më e pakta, zor se ka
shqiptar të Kosovës dhe trojeve të tjera arbnore që nuk e ka vizituar një herë!
Për më tepër, Presidenti Rugova, e pati lënë me fjalë që në Krujë të betoheshin
të gjithë presidentët dhe kryeministrat shqiptarë. Pse jo, dhe
kryeparlamentarët!...
Kruja
nuk ka vetëm këtë aset historik të papërsëritshëm. Dikush tjetër mund të këkojë
të vejë në të vetmen qytezë ku qe ndaluar Presidenti amerikan Xhorxh Bushi (II)
në vitin 2007, pra në Fushë – Krujë ku humbi orën e dorës dhe prapë e njëjta
përgjigje: bjeri nga të mundësh, se rruga për atje është e bllokuar, e ndaluar,
e zënë dhe siç thotë ndonjë banor me sarkazëm, nëse nuk hapet, shpejt mbi
asfalt do të mbijë bari. Edhe dikush që është nisur për në qytezën antike ilire
të Zgërdheshit duhet t’i vijë rrotull kësaj “unazës” pa unazë të Fushë-Krujës.
Edhe ai që është nisur për peligrinazh në Sarisalltik, apo për pushime në
Qafë-Shtamë, duhet të ndërrojë rrugë tre - katër herë, derisa të dalë në
“shtegun” e duhur! Ndonëse të gjitha rrugët duhet të të çojnë në Krujë, sot për
sot mund të shkosh atje vetëm duke i rënë tërthorazi, sa nga Mamurrasi, sa nga
Kamza, apo mbase dhe rrugës malore nga Malbardha, që përdorej gjatë stërvitjeve
ushtarake!...
Përtej
anës historike e turistike, vetë Fushë - Kruja është një rajon industrial, i
prodhimit të çimentos, i artit të moblimit, i agroturizmit etj., që meriton
shumë më tepër vëmëndje nga shteti, qoftë dhe për faktin se aty ka pasur
kriminalitet jo të paktë, që nuk luftohet me retorikë boshe, por duke e
zhvilluar me përparësi ekonominë. Është thënë me kohë që Fushë - Kruja është
një lagje e Tiranës, por që kjo e fundit nuk e sheh si të tillë, përkundrazi e
trajton si të njerkës. Njerëzit kanë investuar tash tridhjetë vjet në aksin
Milot - Fushë Krujë - Kamzë, duke krijuar biznese të suksesshme dhe më ç’të
drejtë atyre u vihet barrikada që i ndanë nga pjesa tjetër e zhvilluar e
rajonit? Ku janë rrugët dytësore? Po ashtu, cili shtet ka tagrin t’i fusë të
gjitha mjetet nëpër “vrimë të gjilpërës”, dhe ata që nuk kanë të ardhura për të
paguar tarifën e austostradës? Nga do të kalojnë nevojëtarët që kanë për të
shkuar në punë me natë në shtet a në privat, te prona e tyre në anën tjetër të
rrugës, në spital etj.
Si
ka mundësi që shteti bie në ujdi kaq lehtësisht me koncesionarin për të
shkundur xhepat e varfërisë së shqiptarëve? Kush është në anën e banorëve?
Qeveria jo! Sindikatat jo! Shoqëria civile jo! Opozitës i pritën drutë shkurt
nga pozita, edhe kur ajo u bashkohet më të drejtë protestuesve: “Ju doni të
përfitoni politikisht, keni hallin e pushtetit!” Kush atëherë do të flasë me të
madhe për shqetësimet e publikut të zonës? Mbi të gjitha a mban dikush
përgjegjësi për anomalitë dhe anormalitetin e shkaktuar me bekimin e qeverisë?
Tek e fundit, autostrada është një biznes i madh, që paska të drejtë të
“rrafshojë” gjithë bizneset e tjera më të vogla, duke u prerë rrugën hyrëse dhe
dalëse?! Rrugët dytësore as në Fushë - Krujë dhe askund tjetër në autostradat
tona nuk janë një realitet.
Për
të gjitha këto, me protestuesit e Thumanës lypet të bashkohen të gjithë
qytetarët, akademikët e historisë që mbajnë ligjërata për kombëtarinë nga
Kruja, qeverisësit lokale që janë votuar për t’iu gjendur në të mirë e në të
keq votuesve të tyre, shefat e ekonomisë së vendit, operatorët e biznesit etj.,
pasi rruga e ndaluar është problemi i të gjithëve. Kryeministri nuk mund të
bëjë shurdhin, ashtu siç ushtroi autoritetin e tij që rruga Thumanë - Kashar të
përfundonte sa më shpejt, ashtu duhet të ndërhyjë që Fushë – Kruja të mos lihet
pa rrugën që i përket. Do të ishte absurde t’iu thuhej banorëve t’i bien rrugës
së vjetër që e lidhte atë me Laçin!? Në sytë e shumëkujt Fushë-Kruja shihet në
përspektivë si një nga nyjet e progresit ekonomik dhe insfrastrukturor të
vendit, një “zonë e lirë” e zhvilluar më së miri dhe jo t’i ndërpritën dhe ato
rrugë që ka!?..
Ka
tridhjetë vjet që Kruja nuk ka vëmendjen që kishte dje, ku me thënë të drejtën
regjimi i kaluar i dha atij qyteti përparësi, pikërisht se lidhej me simbolikën
e qendresës shqiptare të Motit të Madh. Pati sigurisht dhe dëme, pasi u prish
pazari i njohur, por tek e fundit delegacionet e huaja aty e mbanin së pari
hapin. Tani Krujën nuk e përfshin asnjë agjendë qeveritare. E, pra, heronj të
rinj të kombit nuk ka më, edhe nëse diku në shtetarët e sotëm të naltë ka
ndonjë iluzion për me iu përngja Skanderbegut!…