| E hene, 19.08.2024, 07:55 PM |
Kryeminisitri i Qeverisë së Lajeve
Nga
Ermal Mulosmani
Kush
e ka njohur Kryeministrin Rama në kohët e rinisë, atëherë kur nuk kishte
pushtet ekzekutiv, menjëherë e bën dallimin me transformimin rrënjësor të tij.
Dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm te veshja ekstravagante prej bohemi intelektual
apo shkrimet trandëse plot stil e tharm
të tij, që sillnin në median e shkruar një frymë krejt tjetër nga gjuha e
leshtë dhe pa nerv e kalemxhinjve të tredhur të një kohe tredhëse. E kam fjalën
edhe këtu, sigurisht, por jo vetëm këtu.
Edi
Rama ishte rebeli modern dhe fshikulluesi më sharmant i modeleve të trashëguara
nga kiçi komunsit. Ne e pëlqenim Ramën e asaj kohe se na kishin ardhur në majë
të hundës modelet e pompuara e pa vese të komunizmit, heronjtë artistikë të krijuar sipas modeleve
të parafabrikuara të njeriut të ri. Një
lloj fasade e tejdukshme, lëtyre, gëzimi entusiast që fshihte pas vetes malin e
vërtetë të vuajtjeve apo vlerave njerëzore.
Krijesat
entuziaste, patetike e melodramatike të teatrit komunist kanë qenë pjesa
ndoshta më e shpifur e tij. Ti ishe gati, ndoshta, të vuaje në heshtje e
mirëkuptim varfërinë e skamjen por jo edhe glorifikimin e heronjve entuziastë
të atij sistemi. Po përmend këtu vetëm një
krijesë tipike si Laja te filmi “Kur hidheshin themelet”.
Laja
është një komuniste vigjilente, me një vështrim “dërrmues” mbi armikun, e
veshur partizannçe megjithëse lufta ka mabruar, që flen pak e punon shumë, që
flet si aparatçike me nota patetizmi dhe është krenare. Me një fjalë një
fyryfyçkë që frymon për Partinë dhe systemin e ri. Këtë tip e ka përshkruar me
mjaft vërtetësi edhe Milan Kundera, një nga të preferuarit e Kryeministrit
tonë, te Shakaja (Marketa) apo te
Lehtësia e Papërballueshme kur thotë:
“Unë
mund t’i mbijetoja shumë kollaj vuajtjeve dhe varfërisë në komunizëm. Por e
kisha të pamundur t’i mbijetoja kiçit komunist. Në botën e teveqelëve të
qeshur, me të cilët nuk do kisha mundur të këmbeja asnjë fjalë, do të kisha
vdekur nga tmerri brenda javës”.
Pasi
ke lexuar këtë tekst, menjëherë të dalin përpara me dhjetëra “teveqelë” të
qeshur që na japin receta mirëqenie dhe entuziasmi.
Dhe
ironia më e madhe: Mes tyre spikat bash përkthyesja e Milan Kunderës! Sa herë e
shoh më duket si personazh i Kunderës: Plot qeshje të stisur televizive,
patetizëm të luajtur keq dhe një entuziasëm kallp e zell servil; bredh koshave
të plehrave, këndon labçe e kërcen
malësorçe si t'ja dojë puna. Laja e
dikurshme më duket amatore para saj. Them me vete: Po Kundera ça do të bënte po
ti çonin në varr një video të përkthyeses së tij entuziaste? Nuk kam imagjinatë
të shkoj aq larg…
E
tepërt të zgjatem me Spiropalin, Taulantin, Muzhaqin, Helenën, Ogertën. Është i
njëjti laborator krijues ku përzihet optimizmi me entuziasmin, gëzimi me
llërëpërveshjen, besimi në sukseset e arritura dhe brumosjen me dashurinë e pakufishme
për Liderin. Është e gjitha një amalgmaë e neveritshme hipokrizie, paaftësie e
servilizmi patetik që na sundoi pothuaj gjysmën e jetës sonë.
Çfarë
tmerri!
Edi
Rama ishte fshikulluesi më i pamëshirshëm
dhe zëri më interesant kundër
këtyre krijesave monstuoze të Njeriut të Ri. Me plot stil letrar, kolor
gjuhësor e kurrfarë kujdesi etik deri në arrogancë, Rama krijoi aurën e tij
të artistit modern, antdotit të këtij
virusi komunist.
Jam
shumë kurioz të shihja qeverisjen e sotme të Elizës, Taulantit, Mirelës, Borës,
Ogertës me mendjen e Edi Ramës së 96-ës.
Si thotë ai vargu i famshëm i Azem Shkrelit:
“Sikur
të takoheshim me vetveten sy më sy, do të putheshim apo kishim për t’u pështy?”
Unë
e besoja që Edi Rama do të ishte një Kryeministër arrogant, ekzibicionist,
ambicioz, vizionar, dinjitoz e , le të thëmi edhe i suksesshëm. Por kurrë nuk
do të besoja se do na sillte në Qeveri Lajet, personazhet groteske të një kohe
të shkuar; nuk do e besoja kurrë që do e sillte në ligjërimin publik shtetar
një nivel servilizmi anadollak, do të vazhdonte poshtërimin intelektual të
filluar nga Laja e parë në një pafundësi personazhe lajkatarë e pa karakter.
Ja,
kjo është gjëja më zhgënjyese nga Edi Rama. Siç thotë Kundera, për ta mbyllur:
“Në
botën e teveqelëve të qeshur, me të cilët nuk do kisha mundur të këmbeja asnjë
fjalë, do të kisha vdekur nga tmerri brenda javës”.