| E merkure, 14.08.2024, 07:54 PM |
Vula
e sovranitetit!
Shkruan: Florim Zeqa
Partitë politike e Kosovare pa dallim pushtet dhe opozitë,
jo vetëm që nuk e kaluan testin demokratik të mirësjelljes në Kuvend, kanë
dështuar në procedimin e ligjeve që përmirësojnë jetën e qytetarëve. Asnjëra
prej partive parlamentare nuk e pati guximin për inicimin e ligjit për
sigurimet shëndetësore, asnjëra prej tyre nuk e pati guximin që të inicoj
ligjin për ndryshimet kushtetuese që mundësojnë zgjedhjen e presidentit
drejtëpërdrejt nga populli!
Legjislativi i
painteresuar për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve
Por, asnjëri prej deputetëve të partive politike parlamentare
nuk hezituan për miratimin e vendimeve që shkojnë në funksion të përmirësimit
të kushteve të tyre në parlament siq ishte Rregullorja Nr. 08/Rr-004 e Kuvendit
të Kosovës për Shtesa mbi Pagën bazë për Deputetë dhe për klasifikimin e Pagës
për Stafin Mbështetës Politik të Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbi te
cilen rregullore, deri më tani i kemi hiq më pak se 85 deputetë të Kosovës të
cilët kanë angazhuar asistentë personal të paguar nga buxheti i shtetit, pagat
dhe shtesat e të cilëve arrijnë në rreth 1 milion euro nga 5 Maji i vitit të
kaluar apo mbi 70 mijë euro në muaj!
Të mos flasim për proceset vendimarrëse proceset për vendin
përgjatë katër viteve të fundit për të tashmen dhe të ardhmen e vendit, për
koordinimin politik të përmbylljes së dialogut politik me Serbinë në Bruksel
dhe heqjen e masave sanksionuese ndaj Kosovës, të cilat janë duke rënduar si
gurë i rëndë mbi supet e Kosovës.
Bashkimin e qytetit
duhet kërkuar tek shkaqet e ndarjes
Problemi i veriut të vendit nuk është problem i shkaktuar
nga qeveria aktuale dhe a sato paraprake, por është problem i 25 viteve më parë
me vendosjen e forcave ruso-franceze në mes të Urës, duke shkaktuar ndarjen “De
facto” të qytetit të Mitrovicës në dysh dhe pjesës veriore në tërësi!
Në pamundësi të zgjidhjes, problemi i veriut është bartur
nga njëra qeveri tek tjetra, nga njëri kryeministër tek tjetri.
Përpjekje për shtrirje të sovranitetit në Veri ka pasur edhe
në vitin 2011 nga ish kryeministri Hashim Thaqi, por me rekomandimin e
ndërkombëtarëve ndodhi tërheqja dhe situata u normalizua, pasojat dihen, 1
polic i vrarë dhe djegie të pikave kufitare.
Nuk dëshiroj të ndalem tek “Banjska” e vitit të kaluar, për
shkak se të gjithë qytetarët i dijnë pasojat e sulmit dhe konseguencat
ndërkombëtare për Kosovën!
Paralajmërimet dhe përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për
“forcimin” e sovranitetit dhe stabilizimin e plotë të situatës në veri me
hapjen Urës së lumit Ibër, nuk do të jenë të mjaftueshme për lëvizjen e lirë të
qytetarëve.
Ngase nuk është Ura e lumit Ibër ajo që përcakton lëvizjen e
lirë dhe bashkimin e qytetit të ndarë të Mitrovicës. Por, janë barrierat
politike nga Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare si parakusht për normalizimin e
gjendjes në atë pjesë të vendit tonë.
Fillimisht duhet t’i kërkojmë shkaqet e ndarjes së qytetit
të Mitrovicës në dysh në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në “Mitrovica e
Jugut dhe ajo e Veriut” e cila ndodhi me përcaktimin e kufirit administrativ në
mes të dy komunave, bazuar në projeksionet politike dhe hartat origjinale të
Pakos së Ahtisarit!
Kohima i shqiptarëve në
pronat e tyre, vulë e sovranitetit në Veri
Kryeministri Kosovës, Albin Kurti çdo ditë mund të proklamoj
shtrirjen e sovranitetit në veri, mund ta hapë përkohësisht edhe Urën e lumit
Ibër, por shtrirja e sovranitetit në Veri matet me një kriter tjetër, matet në
rrafshin praktik të kthimit të shqiptarëve në shtëpitë (banesat) dhe pronat e
tyre në atë pjesë të cilët që 25 vite jetojnë si refugjatë në pjesën jugore të
Mitrovicës dhe gjithandej Kosovës.
Mërgimtarët edhe pse pa siguri të plotë, çdo ditë lëvizin
nëpër territorin e Serbisë, anipse kjo nuk e nënkupton zgjidhjen e problemeve
me Serbinë, përkundrazi, ne shqiptarët e Kosovës me këtë i kemi dhënë Serbisë
një alibi të fortë para ndërkombëtarëve, se ajo është demokratike dhe
zemergjerë ndaj shqiptarëve!
Pa rrumbullakimin praktik të shtetësisë së Kosovës, lëvizjet
e shtetasve kosovarë nëpër territorin e shtetit serb shkojnë drejtëpërdrejt në
interesin material dhe politik të Serbisë.
Kaq e thjeshtë dhe kaq e dhimbshme është lëvizja e shtetasve
kosovar nëpër Serbi!
Qytetarët e vendit dhe bashkatdhetarët që jetojnë në
mërgatën tonë, duhet ta kuptojnë faktin se nuk ka shtrirje të sovranitetit në
Veri pa kthimin e shqiptarëve në shtëpitë dhe pronat e tyre!
Me përjashtim të Urës simbolikë që ndan qytetin e Mitrovicës
në dysh, të gjitha urat dhe rrugët tjera janë të hapura dhe të frekuentueshme
si nga serbët ashtu edhe nga shqiptarët. Përdorimi i Urës ndarëse po bëhet vetëm
për marketing politik nga pushtetarët në Beograd dhe në Prishtinë për konsum
elektoral, për mbajtje apo marrje të pushtetit dhe asgjë më shumë e as më pak!
Në këtë situatë paradoksale, politikanët kosovarë duhet të
tregohen të kujdesshëm në dy gjëra: në mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe
ruajtjen e raporteve me aleatët strategjik, dy shtylla pa të cilat nuk ka
kuptim hapja e Urës dhe as liria e fituar! Kosova pa banorë dhe shteti shteti
pa miq nuk mbahen dot!
Florim Zeqa
11.08.2024