Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mihal Gjergji: Abaz Aliu

| E enjte, 08.08.2024, 07:42 PM |


Mihal Gjergji

ABAZ ALIU

Tek rend mbi kal, se s’ndalesh dot

Të vrasin prapë ca beduinë

Mbi dhimbjen tënde pikon lotë

Një hënë e ngrënë, që tret mërzinë

Sa shumë lëngoi vendi yt

Me nëmë e gjëmë e me zjarrmi

Ju dhe Atdheut me gjithë shpirt

E kishe Mekë dhe perëndi!

E ti, me fill të dhembshurisë

Arnoje plagë, që s’mbyllen kurrë

Shpërblim në moshën e rinisë

Të dhanë një plumb dhe një flamur

Në Qerbela bën kuje era

E trembur, s’di pse hesht Nivica?

Veç ndjej prej honeve të thella

Një ulërimë që sjell morrnica!

Qënka Havaja, kërkon djalin

Të zgjat një vetull mbi humnerë

Të shkrep me sy, të ndezë strallin

Pse të mos kthehej dhe një herë?!

P.S: Dëshmori Abaz Ali Malaj nga Nivica

Kurvelesh, Gusht 2017