Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Agron Tufa: Vdekja e qytetit

| E enjte, 08.08.2024, 07:08 PM |


Agron Tufa

VDEKJA E QYTETIT

Pasditeve dielli rrëmihte një shteg të fshehtë…

Visore t’padukshme natën rrisnin shtatzaninë:

e nesërmja hovte e tradhtohej në pandehmë…

Pluskonin të prapmet e sendeve. Me zjarrminë

dhe uji, dhe limfa zvetënoheshin në djersë.

Shkarja, shkarrëzimi i madh, shkagonin kujtesë:

praptonin zogjtë: një nga një binin, piqeshin si qiqra

në të kundërt të perspektivës. Bulevardi

i mysët e kruspull si shpinë krokodili në hithra -

a si lundër e kalbur përmbys – tash nga inati

i zhdukjes së afërt i hante, i mbante për vete:

dhe zhurmën e takave, patkonjve dhe kërkëllimën e qerreve.

Prej gjithkah një pjesë mblidhet të ikë nga një pjesë

që nuk ngutet të vdesë. Përmidis, tejendanë – mërira –

kërpudha pikëlore helmkuqe. E me gjuhë nëpërke të zezë

ajri gulçon mes pllakash betoni, barrela, fuçira.

Një vozë cit me yje u vetëvra e gjaku pëlciti, i errët e i trashë

mbrëmëherë, në një qoshe ku kriheshin melekët

që digjeshin zjarrmie n’ekstazë, mullarëve me kashtë

kumtri. Kurmi. Kumti. Kusuri...

Ne bjerrur i kishim dhe gjestin, dhe fjalën, dhe rëndë si buaj

përtypnim dhe ndillnim pandehma të egra tamburi

nën ritmin e çartur, nën jehun epsharak të çizmes së huaj.

Qenë pjekur gështenjat. Dhe binin si gëzhoja përtokë

mbi kalldrëme gjerkur, një ditë, edhe boçet mbetën

gojëshqyera, pa dhëmbë, si vezme të zbrazëta e, tok

me to, duarlart, spaletat e gjetheve ndër erëra shkapetën.

Dielli përvidhej – e thamë – një shtegu të murrmë:

ne prisnim. Ditënatë. Gjuhëjashtë. Agsholesh me brymë.

Çalltisën rrebeshet dhe dhëmbët i thyen në shkumë.

Atëherë kurrizi i krokodilit lëvizi: pluskoi n’lundrim.

Si lundër e kalbur bulevardi kalamendej i dehur

dhe shiu i shkrehu epshet e errëta gjer në mëngjes,

dhe pirgjet me ëndrra dheu e gurësh të pjekur

u shuan të gjitha në gëlqere harrese: as kërma, as shpesë,

as engjëj krahëthatë s’denjuan të jenë, për besë,

së paku, cezurë efemere e kohës së vdekur.

Nga "Avangardë engjëjsh", Ideart 2005