| E merkure, 07.08.2024, 07:55 PM |
Ambasadore
Poete
Nga
Edison Ypi
Zonja
Ambasadore, Nancy Van Horn,
E
kam të qartë që ende nuk je Ambasadore. Por të lutem më lejo të drejtohem
kështu. Për një arësye të thjeshtë. Dhe, pse jo, të pranueshme: Sepse dua me
gjithë shpirt të jesh Ambasadore e Amerikës në Shqipëri. Si mundet me qenë një
Ambasadore më e mirë se Nancy Van Horn që flet Shqip dhe përshëndet me aq
njerzillëk, unë këtë nuk e di, nuk e gjej dot, nuk mundem as ta fantazoj.
Prezantimi
Juaj Shqip, Zonja Ambasadore, ishte një ngrohtësi, një mrekulli, një
frymëndalje, një Nder, një favor, që s'na ishte bërë kurrë më parë. Të
falenderoj nga zemra për atë prezantim madhështor, të ndjerë, qytetar,
njerëzor.
Tre
pyetjet Tuaja, kanë të bëjnë me Vend, Kulinari, Kulturë. Shto të folurën Shqip,
pamja ndryshon rrënjësisht. Jemi ngjitur tepër lart. Në një tjetër sferë. Në
një tjetër qiell. Kemi të bëjmë me Poezi. Ju, Zonja Ambasadore, pra, para se të
jeni diplomate, qytetare, intelektuale, udhëtare, dashamirëse e vendit tim, pas
një prezantimi të tillë kaq befasues, kaq të bukur, kaq mbresëlënës, para së
gjithash jeni Poete.
Sa
i përket vendit që duhet ta vizitoni të parin, kam këtë sugjerim: Jo tamam
vend. Pse jo, udhëtim. Paksa i gjatë. Nja 10 orë brenda një dite. Por
marramendjet që do shohësh do e lodhin lodhjen. Pasi në mbarim të këtij
udhëtimi të kesh parë më tepër se gjysmën e Shqipërisë, do ndjesh një çlodhje
aq të thellë sa nuk e ke provuar kurrë më parë.
Tiranë,
Durrës, Lushnje, Fier, Tepelenë, Këlcyrë, Përmet, Leskovik, Ersekë, Korçë,
Pogradec, Elbasan, Tiranë - kalo nëpër këto vende brenda 1 dite Zonja Ambasadore.
Pastaj bëj si di vet, ndiq instinktin tënd, zgjidh njërin që të la mbresat më
të thella. Nga ky gjerdan perlash, Lugina e Vjosës, i fundit lumë i egër në
Europë, do jetë Qershia mbi Tortë. Nëse, me gjasa, do jetë Pogradeci vendi i
parë që do vizitosh, bëj kujdes. Ke të bësh me vende aq magjike, aq
turbulluese, me rrezatim aq të fuqishëm, sa s'është çudi, ndonjëri nga
margaritarët e këtij gjerdani, Tepelena, Këlcyra, Përmeti, Korça, Pogradeci,
Mokra, do të marrosi fare. Do biesh në dashuri. Nga erdhe, nuk do kthehesh
kurrë më. Do mbetesh përgjithmonë aty.
Ushqimi
që duhet ta provosh urgjent quhet "Tavë Dheje". E bëjnë kudo dhe në
gjithfarë mënyrash. Më mirë në Shqipërinë e Mesme. Mos e lër pa provuar. Zgjidh
një mbrëmje të freskët. Shko tek cilindo restorant andej nga Krraba ose Rruga e
Ndroqit. Diellin mesdhetar, temperamentin e sertë, shijen e pangatërrueshme,
aromën dehëse të tokës shqiptare, aromat tronditëse, erëzat e forta, këto dhe
të tjera do i gjesh të gjitha brenda asaj tave balte Shqipërie që e mban
ushqimin më të shijshëm dhe më të freskët se çdo pjatë e praruar qeramike, gotë
ergjëndi, kupë floriri, apo tas i shtrenjtë porcelani.
Librin
që më së shumti e dëshmon shpirtin e vendit tim, Zonja Ambasadore, e ka shkruar
gjeniu i Letërsisë botërore, Përbindëshi i Shenjtë Ismail Kadare. Quhet
"Breznitë e Hanknatëve". Libër më të bukur nuk ke lexuar. Jo sepse
s'ke dashur. Por sepse s'ekziston. Është libri më i vërtetë, më sugjestiv, më
njohës se çdo libër i shkruar për Shqipërinë dhe shqiptarët, sa dhe për mbarë
njerëzit, e mbarë botës. Merre lexoje atë kryevepër. Do të pëlqejë
pafundësisht. Jo me ngut. As me përtesë. Me kujdes, me delikatesë. Përpije atë
libër pakashumë si kullufite Tavën. Fillimisht duke e kqyrur pa e prekur për
t'i admiruar pamjen, rrezatimin, magjinë. Pastaj prite në copa me thikat e
mendjes. Nëse preferon, copat mund t'i lëpish. Nguli pirunat, lugët, dhe të
tjerat instrumenta nga laboratori, apo kantieri yt i leximit. Të lutem bëj si
të thashë. Derisa më së fundi atij margaritari t'ja kesh grisur lëkurën, shqyer
indin, ndjerë qelizën, prekur kockën, thithur palcën, zbuluar magjepsjen, dhe
sa të jesh gjallë të mos e harrosh më kurrë.
------------
Me
këshillat e amvisave të Youtubit, korra sot një fitore historike më të
lavdishme se shembja e diktaturës, shpallja e pluralizmit, zvarritja e
shtatores së kurvit, ja dola të bëj këtë byrek me qepë e domate të cilit pas
pak do i vërsulem. Por para se ta kullufis dhe të lumturohem, kam një pyetje:
Diametri i tepsisë 40 centimetra, petët e gatëshme, qepë, domate, një lugë
miell, vaj, kripë, energji për tu pjekur, jo më tepër se nja 4 mijë të vjetra,
sa kushton vallë byreku im sa modest dhe mbretëror në ndonjë nga ato
ultrarestorantet e superjugut ?
Ja
dhe një tjetër fitore ngadhnjimtare me speca dhe domate Divjake, për inat të
halabakëve, spurdhjakve, minjve të vrimave, hajdutëve, injorantëve,
analfabetave, të pabesëve, kockaxhinjve, zorraxhinjve, faqezinjve, tradhëtarve,
bastardave, plehrave që i thonë vetes "konservatorë", por Himarën e
Petro Markos, Himarën millenare shqiptare, ja falin grekut, babën ja dhurojnë
malazezit, nënën ja fusin në krevat serbit.