| E hene, 05.08.2024, 07:53 PM |
Flasin Prof Lush Susaj dhe specialisti Haxhi Balla: Ky nivel nga 90 miligramë për kilogramë i nitrateve varion nga 540 deri në 850
-
Niveli i lartë i nitrateve kryesisht tek pjeprat dhe shalqinjtë problem
shqetësues për gjithë shoqërinë
-Të
gjitha fondet e bujqësisë i marrin OJF e shokëve të klaneve nepotike të
pushtetarëve.
-Niveli
i lartë buron nga përdorimi i lartë e pa kriter i plehut azotik (Uresë dhe
Nitratit).
Nga
Albert Z. ZHOLI
Këto ditë në shumë media është bërë publike niveli i lartë i
nitrateve kryesisht tek pjeprat dhe shalqinjtë. Një problem që ka ngjallur
debate mes shumë institucioneve dhe opinionit të gjerë. Sipas shumë
specialistëve niveli i lejuar i nitrateve tek pjepri duhet deri në 90 miligramë
për kilogramë. Por në të gjitha matjet e kryera me një paisje të posaçme të
certifikuar ndërkombëtarisht, në katër tregje të Tiranës, ky nivel varioi nga
540 deri në 850. Nga vjen ky nivel skandaloz i nitrateve tek këto produkte?
Disa media për të qenë të saktë në përcaktim ju drejtuan edhe ISUV për të
saktësuar rezultatin që doli nga testimi paraprak. Por ISUV ju shmangë
përgjegjësinë duke theksuar se “pjepri nuk është në listën e analizave që duhet
të kryhen. Por çfarë thonë specialistët? “Në produktet e BE dhe të gjitha
vendeve të tjera e kanë në listën e tyre pjeprin për matjen e nitrateve. Po
Shqipëria pse jo? Kjo është një rast unikal ose një antikap në Shqipëri që nuk
përfshihet në listën e kontrolleve, sepse ky hyn në të njëjtën kategori siç hyn
edhe shalqini dhe produktet e tjera” Duke parë sensibilitetin e opinionit Ministrja e
Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, u kërkoi qytetarëve të mos u
besojnë pajisjeve të pacertifikuara që gjurmojnë praninë e nitratit apo
kimikateve të tjera në produktet ushqimore. Sipas saj, Instituti i Sigurisë
Ushqimore dhe Veterinarisë, është instituti përgjegjës për të gjitha analizat
laboratorike, që kontrollon frutat dhe perimet që tregtohen në vend.
“Institucioni që është përgjegjës për të gjitha analizat
laboratorike është ISUV, një institucion shtetëror i fokusuar në akreditimin e
testeve laboratorike. Sot jemi 1361 kontrolle. Gjurmohet edhe ku ka produkte që
mund të ketë përmbajtje të lartë të disa produkte si nitrati. Duhet të heqim
dorë nga pajisje që nuk janë të certifikuara. Çdo produkt që mund të ketë
indikacion të shkojë dhe të certifikohet në ISUV. Sot produktet bujqësore,
sidomos nga zona e Myzeqesë, nuk ndodh që të mos kenë produkte të
certifikuara”.
Ndërkohë, në mbledhjen para disa ditëve të Këshillit të
Ministrave, u miratua një projektligj, që organizon rregullat për produktet
organike të prodhuara në vendin tonë.
“Synohet që këto produkte të vendosen në tregun shqiptar sipas
të gjitha standardeve të Bashkimit Evropian. Rregullohen parimet për
certifikimin e operatorëve organikë, rregullat e kontrollit zyrtar në çdo fazë
të prodhimit, përgatitjes, ruajtjes dhe shpërndarjes, importit dhe eksportit.
Janë përcaktuar edhe autoritetet përkatëse, që do të kenë në përgjegjësi
kontrollin zyrtar në çdo hallkë të zinxhirit të prodhimit organik”, u shpreh
ministrja Denaj.
Ligji siguron dhe miratimin e listës së produkteve për mbrojtjen
e bimëve dhe produkteve plehëruese, që përcaktohen në bujqësinë organike.Po pse
kjo punë nuk ishte bërë deri dje? Kush mban përgjegjësinë për këtë problem për
gjithë popullsinë e vendit? Përse Ministria problemet i merr nga populli dhe jo
nga specialistët?
Prof Lush Susaj
Tek
shalqini dhe pjepri janë nivele alarmante të nitrateve, ndërsa tek frutat më
pak.
Tek
perimet e vona dhe të hershme janë po nivele shumë të rrezikshme.
Ka
aparaturë të thjeshtë që kushton 150 euro, që e kontrollon dhe lexon direkt në
treg. Fermerët tonë nuk e kanë këshillimin e duhur bujqësor, pasi paratë e
trajnimeve i marrin shoqatat e partisë. Agronomët janë lënë pa punë dhe po ikin
përditë, duke lënë një shkretëtirë pas, ku Shqipëria ka më shumë nevojë për
agronomë se sa për mjekë, por meqë punët po i bëjnë shoqatat, e kanë vrarë
rolin e agronomit dhe të veterinarit. Të gjitha fondet i marrin OJF e shokëve
të klaneve nepotike të pushtetarëve. Niveli i lartë buron nga përdorimi i lartë
e pa kriter i plehut azotik (Uresë dhe Nitratit), nga ku rritet masa
vegjetative dhe pesha e shalqinit dhe pjeprit, trangullit, domates, etj, por
kështu rritet përmbajtja e nitrateve në frut. Nitratet kur depërtojnë në
organizmin tonë nga konsumi i frutave shndërrohen në nitrite, që dobësojnë dhe
denatyrojnë hemoglobinën e gjakut, nga ku njeriu ndjen vështirësi në
frymëmarrje, nuk mbushet dot me frymë. Ky është shkaku i vdekjes se ngadaltë të
eksporteve tona bujqësore, për këtë arsye na kthehen pas maunet e ngarkuara me
shalqin, trangull, domate e pjepër, duke shkaktuar mbetjen e shalqinit në
parcela, kalbjen në fushë dhe falimentin e fermerëve.
Kudo
që të shkosh në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht nga demagogjia, nuk ke
agronom, që kontrollon protokollin mbi kohën dhe dozën e plehërimit, dhe
fermerët hedhin kuturu, pa ditur për pasojat.
Haxhi
Balla, specialist i bujqësisë
Ky
problem më ka shqetësuar vërtetë. I ndjek zhvillimet me shumë vëmendje. Me sa e
njoh unë situatën administrative çdo rreth ka drejtori AKU, ndërkohë çdo bashki
ka drejtori për sigurinë ushqimore. Po ku qëndron e keqja e mos funksionimit,
në zbatim të ligjit?! Sepse këto segmente janë të korruptuara totalisht, rrallë
bëhen procesverbale korrekte. Atje ku del tymi, nuk është pa gjë. Prandaj
drejtorat ndërrohen shpesh, sepse nuk është gjetur ilaçi për të vendosur në
punë AKU. Departamentet e bujqësisë janë përgjegjëse për këto nëse janë të
vërteta. Ureja dhe nitratet nëse janë në këto përmasa janë të dëmshme për
organizmin e njeriut. Kjo tregon se nuk ka kontroll dhe nuk ka agronomë në fshatra.
Kështu specialistët e AKU si duket janë indiferent nuk ndjekin procedurat, por
marrin pagën dhe tregu është jashtë kontrollit. Por më kryesorja ose bëjnë
indiferentin ose agronomi neglizhon që duhet ta kontrollojë zinxhirin prodhues,
e të mos lejojë abuzim me dozat e plehut dhe pesticideve. Nëse sa thuhen janë
të vërteta kështu është vrarë siguria ushqimore, eksporti, reputacioni, çdo
gjë.
Por
ka dhe një problem tjetër disa herë mendohet se pesticidet nuk janë efektive
dhe hidhen pa kriter. Kjo ndodh edhe pse është rritur ndjeshëm çmimi i
pesticideve. Ndërsa situata me pesticidet është edhe më e rëndë, pasi në jo pak
raste nuk e japin efektin e duhur (janë skarco), edhe në kushtet e zbatimit
perfekt të protokolleve të trajtimit. Kështu prodhuesi i hedh pa kriter pa
ditur dëmin që sjellin. Pra problemet e bujqësisë nuk kanë të sosur.