E premte, 08.11.2024, 11:23 PM (GMT)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Xhejms Xhojs - Uliksi

E diele, 28.07.2024, 06:58 PM


“ULIKSI” – XHEJMS XHOJS

Nga Prof. Xhelal Zejneli

I.

“Uliksi” (Ulysses, 1922) është një prej romaneve më të rëndësishme të shekullit XX. Autori flet për njeriun e rëndomtë dhe për përpjekjen e tij për ta kapërcyer dhe për ta ndryshuar banalitetin e jetës. Mënyra tradicionale e rrëfimit apo e narracionit shndërrohet në fishekzjarr virtuoz të stilit që imiton teknika të ndryshme të rrëfimit apo të narracionit, prej atyre realiste deri te përroi i ndërgjegjes. Ky roman shënon hapat më të mëdhenj në teknikën romaneske dhe është sintezë e tendencave moderniste.

*   *   *

Romanin “Uliksi” (Ulysses) Xhojsi e shkroi për dhjetë vjet: prej vitit 1914 deri në vitin 1924. Në një letër të vitit 1921 thotë se vetëm deri atëherë, për ta shkruar ”Uliksin” ka harxhuar rreth njëzet mijë orë. Romani ka rreth 800 faqe. Ka mbi dyqind e gjashtëdhjetë mijë fjalë si dhe një vokabular (fjalor) prej rreth tridhjetë mijë fjalësh të ndryshme. I tërë veprimi zhvillohet në Dublin, prej orës tetë të mëngjesit të datës 16 qershor 1904 (ditë e enjte) deri në orën tre pas mesnate të ditës së nesërme, 17 qershor 1904. Me fjalë të tjera, veprimi në roman zgjat 19 orë.

Veprimi përqendrohet mbi tre personazhe kryesore: mbi çiftin e moshës së mesme – Leopold dhe Merion (Moli) Blum, mbi poetin e ri Stiven Dedalus, i cili është heroi kryesor i romanit paraprak të Xhojsit “Portreti i artistit në rini”.

Personazhe kryesore janë bashkëshortët Leopold Blumi e Moli Blumi si dhe Stiven Dedalusi, mësues në një shkollë private. Autori e rrëfen ngjarjen brenda një dite, pikërisht më 16 qershor të vitit 1904. Mu atë ditë Stiven Dedalusi largohet nga puna. Në roman autori paraqet çdo gjë që kishte përjetuar, që kishte menduar dhe që kishte ndjerë nëpërmjet personazheve, brenda një dite në Dublin. Ai ia fillon me përjetimet banale dhe të përditshme për të pasqyruar edhe botëkuptime politike, religjioze, sociale, letrare...

“Uliks” janë të pranishëm edhe disa personazhe episodike të “Portretit...” si dhe të romanit “Dublinasit”.

Romani “Uliksi” është një freskë tejet e vërtetë dhe realiste e Dublinit të para më se një shekulli.

Përse ky roman mban një titull homerik? Xhojsi thotë: “Figura e Odiseut gjithmonë më ka magjepsur, madje qysh si fëmijë”. Shumë kritikë e kanë parë “Uliksin” si një version të ri të “Odisesë”, në të cilin Leopold Blumi gjatë shëtitjeve të tij të përditshme verore nëpër qytet, në mënyrë parodike do të paraqiste Odisenë, gruaja e tij kurorëshkelëse Moli, Penelopën e dëlirë, ndërsa Stiveni – Telemakun.

Kësaj i kundërvihet në mënyrë të prerë prozatori dhe poeti ruso-amerikan Vladimir Vladimiroviç Nabokov i cili thotë se libri ka njëfarë theksi homerik tejet të paqartë dhe të përgjithësuar. Në favor të tij shkon fakti se vetë Xhojsi hoqi dorë prej titujve pseudo-homerikë të kapitujve që ekzistonin në versionin e parë, kur romani dilte në vazhdime nëpër revista. Por, për t’i vërtetuar tezat e veta, shumë kritikë ende i përdorin këta tituj.

Është e pamundur të numërohen të gjitha risitë dhe zbulimet e stilit që i ka paraqitur Xhojsi në këtë vepër. Sot e kësaj dite, shkrimtarë të mbarë botës furnizohen nga burimi i tij. Megjithëkëtë, “Uliksi” nuk u pritë me fanfara, d.m.th. nuk u prit me bujë. Libri dy herë ka qenë në gjykatë. Xhojsi u quajt “pornograf i ndyrë ndaj të cilit Rabële është një shkrimtar tejet i përmbajtur”. Kopjet e botimit të tretë të “Uliksit” u dogjën publikisht. Mirëpo kritikët  me shije artistike subtile (të hollë), e kuptuan sakaq vlerën e vërtetë të veprës. Dhjetë vjet pas botimit, “Uliksi” ishte roman klasik dhe kanonik.

Libraria moderne e shpalli “Uliksin” si romanin më të mirë të shkruar në gjuhën angleze në shekullin XX. Adhuruesit e romanit, sidomos në Irlandë, çdo vit 16 qershorin e festojnë si Ditë të Blumit (Bloomsday).

Shënim:

Fransua Rabële (François Rabelais, 1484-1553) – romancier francez.

Vladimir Vladimiroviç Nabokov ((Shën-Peterburg, 1899– Montreux/Zvicër, 1977) është prozator dhe poet ruso-amerikan. Në vitin 1919 familja e tij e la Rusinë. Shkollimin e vazhdoi në Angli. Shumicën e veprave në gjuhën ruse i shkroi në vitet 1922-1937 derisa jetonte në Berlin. Disa vite në prag të Luftës II Botërore i kaloi në Paris. Në vitin 1940 emigroi në ShBA ku filloi të shkruante në gjuhën angleze. Në vitin 1955 botoi romanin “Lolita”, në fillim të ndaluar për shkak të përmbajtjes “pornografike” , ku flitet për dashurinë e një burri të pjekur ndaj “nimfës” Lolita.

*   *   *

Veprimi i romanit “Uliksi” (Ulysses, 1922) të prozatorit dhe poetit irlandez, Xhejmz Xhojsit (Jmes Jojce, Dublin, 1882 – Cyrih, 1941) zhvillohet në Dublin.

Është një prej romaneve më të rëndësishme të shekullit XX. Theksi vihet mbi njeriun e rëndomtë dhe përpjekjen e tij për të tejkaluar dhe për ta ndryshuar banalitetin jetësor. Mënyra tradicionale e rrëfimit shndërrohet në fishekzjarr virtuoz të stilit që i imiton teknikat e ndryshme të narracionit (të rrëfimit), prej atyre realiste deri te përroi i ndërgjegjes. Ky roman paraqet kërcimin më të madh në teknikën romaneske, por edhe sintezën në synimin modernist.

Në qendër të romanit ndodhen tre personazhe: çifti Leopold dhe Moli Blum dhe poeti e profesori i ri, Stiven Dedalus. Shumë studiues kanë parë lidhjen e “Uliksit” të Xhojsit me “Odisenë” e poetit antik grek, Homerit (shekulli VIII para K.). Në përputhje me këtë, në mënyrë parodike Blumi do të paraqiste Uliksin, gruaja e tij do ishte Penelopa, ndërsa Stiven Dedalusi – Telemakun. Xhojsi ka qenë i entuziazmuar me figurën e Odiseut, por më vonë i ka mohuar të gjitha lidhjet me këtë vepër.

Shënim: Homeri është autor i epëve “Iliada” dhe “Odisea”, dy vepra më të vjetra të ruajtura të letërsisë greke dhe evropiane.

*   *   *

Romani ndahet në kapituj që janë të sistemuar në tri tërësi të mëdha. Veprimi fillon në kullën Martello, me paraqitjen e studentit të mjekësisë Bak Muligan dhe Stiven Dedalusit. Stiveni është i zemëruar ndaj kolegut të tij i cili e fyen nënën e tij që kishte vdekur para do kohe dhe vetë atë, ngase e fajëson për vrasjen e saj. Stefani konsiderohet agnostik dhe kishte refuzuar të lutet për të para vdekjes.

Shënim: Agnostik (gr. agnostos – i panjohur) – doktrinë filozofike idealiste e cila mohon mundësinë e njohjes së botës objektive. Këtë doktrinë e kanë mbrojtur: filozofi anglez Dejvid Hjum (David Hume, 1711-1776), filozofi anglez Xhorxh Berkli (George Berkeley, 1685-1753), filozofi gjerman Emanuel Kant (Emmanuel Kant, 1724-1804), filozofi dhe sociologu francez, pozitivisti Ogist Kont (Auguste Comte, 1798-1857), filozofi dhe psikologu anglez Herbert Spenser (Herbert Spencer, 1820-1903). Në të vërtetë nuk ekziston asgjë që nuk do të mundë të njihej; ekzistojnë vetëm gjëra dhe dukuri të natyrës të cilat në  shkallën historike të caktuar të zhvillimit të shkencës ende nuk janë njohur. Por ka studiues që thonë se përvoja historike, parashikimi shkencor dhe nënshtrimi i forcave të natyrës njeriut, e hedhin poshtë agnosticizmin.

*   *   *

Pastaj pasqyrohet dita e Stefanit në shkollë duke ligjëruar historinë dhe duke biseduar me drejtorin, zotin Dizi i cili i lutet t’i ndihmojë për ta botuar artikullin për sëmundjen e këmbës së bagëtisë. Kapitulli i tretë është shkruar në formën e përroit të ndërgjegjes (stream consciousness). E tregon qëndrimin e Stefanit në breg. Atij i kujtohet Parisi dhe i ngjallen mendimet për filozofinë.

Pjesa e dytë na shpie te Leopold Blumi i cili ia çon ushqimin e mëngjesit në krevat gruas së vet Molit. Shkon në mishtore dhe e lexon letrën që ia ka dërguar e bija Mili. Para do kohësh ajo është punësuar te një fotograf. Pastaj shëtit nëpër Dublin, blen një sapun të cilin tërë ditën do ta mbajë në xhepin e kapotës, lexon letrën e dashurisë që ia ka dërguar Marta dhe shkon në banjë avulli. Pastaj Blumi hipën në koçi dhe shkon në varrimin e Dignamit. Pas kësaj viziton redaksinë e gazetës “Freeman” ku punon në zyrën e shpalljeve. Ky kapitull është pasqyruar si një varg artikujsh gazetareskë. Gjatë ditës e viziton bibliotekën e qytetit ku Stiveni flet për Shekspirin, shkon në restorant, në pab dhe e viziton Mina Pjurfojin në repartin e lindjeve. Mesnatë. Blumi i dehur ecën nëpër zonën e bordeleve të Dublinit. Aty sheh imazhe. E paramendon veten në role të ndryshme. Në fund takon Stefanin e dehur të cilit i fanitet hija e nënës së vdekur.

Në pjesën e tretë e shohim Blumin duke i ndihmuar Stefanit që të zhdehet. E merr në shtëpi të vet ku bisedojnë deri vonë.

Kapitulli i fundit është shkruar pa i përdorur shenjat e pikësimit dhe paraqet përroin e ndërgjegjes të Moli Blumit. Moli mendohet për Blumin i cili assesi të mbajë punën, për aventurat e tij me shërbëtoret dhe për raportin e tij me Boilanin e Zjarrtë.

*   *   *

Titulli i origjinalit: “Ulysses”;

Gjuha: angleze;

Lloji i veprës: roman;

Gjinia (stili, zhanri): roman i përroit të ndërgjegjes, roman psikologjik, roman autobiografik, roman satirik;

Koha e zhvillimit të veprimit: periudha prej 16 qershorit 1904 deri në orën tre pas mesnate të 17 qershorit;

Vendi i zhvillimit të veprimit: Dublin (kryeqytet i Irlandës);

Personazhe kryesore: Leopold Blumi, Stiven Dedalusi, Moli Blumi.

Viti i botimit: 1922;

Numri i faqeve (varësisht nga botimi): 765;

Tema: Pasqyrimi i bredhjeve të zotit Blum nëpër Dublin. Gjatë ndërveprimit të tij të drejtpërdrejtë apo të tërthortë me banorët e tjerë të qytetit, e fitojmë pasqyrën e asaj shoqërie. Pasqyrohet edhe raporti i tij me bashkëshorten Moli si dhe marrëdhëniet disi atërore me Stiven Dedalusin;

Ideja: Kritikë e shoqërisë bashkëkohore të zbrazët si dhe raporti ndërmjet prindit dhe fëmijës.

Pjesa I

1.

Bak Maligan zbriti prej shkallëve duke mbajtur me vete legenin për t’u rruar në të cilin kishte vënë pasqyrën dhe briskun. Kishte të veshur një fustan të verdhë shtëpiak. U ngjit në bazamentin e rrumbullakët të topit dhe e përshëndeti Stiven Dedalusin i cili e shikonte me mërzi. Vazhdoi të ecë, ndërsa Stiven Dedalusi e përcillte. E pyeti në mënyrë të qetë se sa do të qëndronte në kullë Hajnesi. Dedalusi i tha se po qe se Hajnesi do të mbetej, ai do të ikte ngase ai njeri tërë kohën llomotit për vrasjen e një pantere të zezë.

Baku përsëri u ngjit në murin mbrojtës dhe e hodhi shikimin kah Gjiri i Dublinit. Krenohej me detin dhe i kërkonte Stefanit për t’ia mësuar leximin e grekëve në origjinal. Pastaj e shikoi Stivenin drejt në sy dhe i tregoi se tezja e tij mendonte se ai e kishte vrarë të ëmën dhe për këtë arsye nuk dëshironte të ketë punë me të. Vazhdoi të flasë dhe t’i thotë se të paktën do të duhej të përulej dhe të lutej për të, meqë e ëma i ishte lutur në prag të vdekjes. Stiveni ia nguli sytë skajit të grisur të mëngës së tij dhe nuk tha asgjë. Bak, duke u rruar, i tha Stivenit se do t’ia siguronte një palë pantallona dhe një këmishë. Stiveni ia ktheu duke i thënë se nuk do të mbante pantallona ngjyre të përhimët. Baku tha me vetvete: “Ky që e ka vrarë të ëmën, nga mirësjellja nuk mund të mbajë asgjë përpos rrobave ngjyre të zezë”. Baku përfundoi të rruarit dhe që të dy vazhduan. U përpoq të kuptonte përse Stiveni i hidhërohej atij. Ai ia mbante për të madhe se te tezja e kishte paraqitur me fjalët: “Ky është Dedalusi të cilit nëna i ka ngordhur si një kafshë”. Për një çast Baku qeshi, por shpejt e mori veten dhe vazhdoi duke thënë se nuk është me rëndësi se për nënën e kujt është fjala. Madje ai çdo ditë sheh njerëz të vdesin, të cilët pastaj i bëjnë secesion në Mater Misericordiae dhe Richmond. Stefani i tha se nuk ia mban për të madhe fyerjen ndaj të ëmës, por ndaj vetë atij. Baku ia ktheu duke i thënë se ai nuk është konsekuent dhe se duhet t’i lërë mënjanë mendimet e zymta. Derisa e ndiqnin kujtimet për të ëmën, Stiven Dedalusi qetësisht e sodiste detin. Thonjtë e saj të kuq të përgjakshëm, molla e ngjeshur me sheqer ngjyrëgështenje që përgatitej për të, gota e saj me ujë e mbushur në çezmën e kuzhinës. Iu duk sikur sytë e saj të qelqtë, ia shponin shpirtin nga varri. Zëri i Bakut ia ndërpreu mendimet e zymta. E ftonte për të ngrënë mëngjes. Hajnesi qëndronte pranë dyerve të hapura, ndërsa Baku përzhiste vezë. Dedalusi solli bukë, gjalpë dhe mjaltë. Pasi u ul, Baku konstatoi se nuk ka qumësht, gjë që e zemëroi. Por Hajnesi ndërhyri duke thënë se gruaja me qumështin pritet të mbërrijë në çdo çast. Derisa Baku ishte duke e prerë bukën, Hajnesi i mbushi gotat me çaj. Pastaj i bëri vërejtje Maligenit se çajin e bën shumë të rëndë. Baku, duke imituar zërin e ndonjë plake, ia ktheu dhe i tha: “Kur bëj çaj, bëj çaj, e kur bëj ujë, atëherë bëj ujë”. Pasi gruaja e la qumështin, vazhduan të hanë mëngjesin. Baku i dha dy shilingat e fundit për qumështin dhe i porositi Dadalusit të shkojë deri në shkollë t’i marrë paratë e veta ngase sonte duhet të pinë dhe  të festojnë. Ai e tallte Dedalusin se lahej vetëm një herë në muaj, por ai ia kthente duke i thënë se e gjithë Irlandën e lante rryma e gjirit. Hajnesi e përcillte bisedën e tyre dhe përgatitej të shkonte në bibliotekën kombëtare. Shfaqi interesim për proverbat e Dedalusit duke thënë se ai do të mundë të bënte prej tyre një përmbledhje. Dedalusi pyeti nëse një gjë e tillë do t’i sillte ndonjë farë fitimi. Kjo e zemëroi Bakun i cili e konsideronte atë si të pangopur dhe se do të tallej me të tjerët sikur me ta.

Të gjithë së bashku u lëshuan poshtë kullës. Hajnesit i interesonte mendimi i Dedalusit për Hamletin, por Baku reagoi sakaq. Nuk donte të dëgjojë për këtë derisa s’kishte pirë të paktën nja tri shtamba. Dedalusit kjo s’i pengonte. Edhe ashtu shumë kishte pritur, ndaj do të presë edhe ca. Baku nisi të kërcejë plot hare dhe të këndojë një këngë disi fyese që e quante Jozef Zdrukthëtari. Hajnesi konstatoi se kënga ishte disi blasfemike, ndonëse vetë ai nuk ishte ndonjë farë besimtari. Baku i hoq teshat dhe kërceu në ujë. Hajnesi vazhdoi rrugën ngase nuk donte të lahej menjëherë pas ngrënies së mëngjesit. Para se të shkonte Stefani, Baku kërkoi t’ia lente çelësin dhe dy lekë (feni). Do të takohen në Anije në dymbëdhjetë e gjysmë.

2.

Stiveni ishte mësues në shkollë. I pyeste nxënësit një nga një për njohuritë nga historia. Pastaj tekstin e lexonin me zë. Fëmijët ia përkujtonin se sot është e enjte, që do të thotë se orët janë të shkurtuara se dhe në orën dhjetë kanë hokej. Që të gjithë u shpërndanë kah sytë, këmbët. Mbeti vetëm Sargenti i cili ia solli Dedalusit fletoren për t’ia kontrolluar. Zoti Dizi e urdhëroi që detyrat nga matematika t’i shkruajë edhe një herë. Por djaloshi vetëm i përshkroi nga dërrasa e zezë. Vetë nuk dinte të zgjidhë as edhe një detyrë të vetme. Dedalusi u ul pranë tij dhe e zgjidhi detyrën në fletore kurse ky shikonte. Pas kësaj Sargenti një detyrë e zgjidhi vetë. Tani e lejoi të shkonte në hokej. Fëmijët në fushën e sportit u rreshtuan për të luajtur hokej. Z. Dizi erdhi te zyra e Stivenit për t’ia dhënë paratë. Z. Dizi me krenari ia tregoi disa arkëza ku i ruante paratë. E sugjeroi që edhe vetë të blejë një arkëz ku do t’i mbante paratë. Po qe se paratë i mban në xhep mund t’i humbë. Dedalusi ia ktheu duke i thënë se arkëza e tij do të kishte qenë kryesisht e zbrazët. Kjo e nxiti Dizi t’i thotë se njeriu duhet të dijë si t’i menaxhojë paratë dhe si të jetojë nga puna e vet. E pyeti Dedalusin në kishte borxhe. Dedalusi i numëroi në mendje njerëzit të cilëve u kishte borxh para, veshmbathje, dreka. I tha se në këtë çast nuk mund ta thotë një gjë të tillë. Z. Dizi iu lut Dedalusit të presë pak sa ta përfundojë dhe ta shtypë tekstin për sëmundjen e këmbëve dhe të nofullës. Pasi e kreu, iu lut t’i ndihmonte për ta botuar në gazetë. Herën tjetër kur të shpërthejë epidemia, do të ndalojë importin e bagëtisë irlandeze. Kjo është një sëmundje që mund të mjekohet dhe që mjekohet në Austri. Pastaj shtoi se Anglia ndodhet në duart e hebrenjve dhe tha se këto janë shenja të rrënimit kombëtar. Dedalusi ia ktheu duke i thënë se tregtar është ai i cili mallin e blen lirë dhe e shet shtrenjtë, pavarësisht nga fakti se cilës fe i përket. Dedalusi i tha se nuk e njeh mirë kryeredaktorin. Megjithëkëtë, do të tentojë t’ia botojë tekstin. Lidhur me këtë do ta njoftojë nesër. Pastaj doli, kaloi pranë fëmijëve të cilët luanin hokej. Dizi e thirri përsëri. Vrapoi deri tek ai dhe i tha se Irlanda është i vetmi vend i cili kurrë nuk i ka përndjekur hebrenjtë, kështu sepse kurrë nuk ka lejuar që të vijnë. Qeshi me fjalët e veta dhe u kthye në zyrë.

3.

Stiveni e vizitoi xhaxhain e vet Riçin. Derën e çeli Valteri dhe e ftoi brenda. Riçi e thirri me fishkëllimë Valterin që t’i thotë nënës të përgatisë raki malti (elb i përgatitur për birrë) për të dhe Stivenin, por Valteri ia ktheu duke i thënë se ajo është duke e larë Krisin. Valteri babait të vet i drejtohej me “zotëri”, ndërsa Stiveni pyeti se në çfarë dere është martuar xhaxhai. Stiveni dëshironte ta refuzojë pijen por xhaxhai nguli këmbë. Biseduan për të kaluarën e Stivenit, se si kishte tentuar të bëhej i shenjtë, për ditët e egra të tij dhe për synimin e tij për të shkruar libra titujt e të cilëve do të ishin vetëm një shkronjë. Pastaj foli për qëndrimin e tij në Paris.

Për në shtëpi Dedalusi u kthye nëpër bregun jugor. Mendonte për dhomën e ftohtë që e priste në kullë dhe për pjatat që kishin mbetur të palara që nga mëngjesi. Pyeti veten se kush do t’i lante ato? U ul në ulësen prej guri. I doli para një qen. Dedalusi u mendua: A thua vallë do të më sulmojë? Por ai kishte shkop dhe do të mund të mbrohej. Pas qenit ia behën pronarët e tij, një burrë dhe një grua. Qeni sillej rreth e rrotull, pas hijeve të pulëbardhave. Vrapoi deri te kërma e një qeni që ndodhej pranë Dedalusit, iu afrua, i mori erë, por britma e pronarit ia ndërpreu nuhatjen. Burri dhe gruaja mblidhnin guaca, pastaj vazhduan rrugën.

Dedalusi përsëri mbeti vetë. Grisi një copë letër në të cilën z. Dizi e kishte shkruar artikullin dhe kishte shkarravitur disa fjali. Kur mbaroi, u shtri përgjatë shkëmbinjve të mprehtë dhe shikonte diellin që perëndonte. Pastaj shikimi iu ndal te një këpucë e hedhur, i vështronte palët e lëkurës së rrudhur. I hodhi sytë mbi barin të cilin batica e herë e drejtonte, herë e shtrinte. E çoi mendjen mos do të ishte më mirë që me paratë që i mori sot prej z. Dizi të shkonte te dhëmbëtari. Dhëmbët s’i ka mirë, madje njëri prej tyre i lëviz.

Pjesa II

4.

Z. Leopold Blumi përgatiste mëngjesin duke menduar njëherazi për ushqimin e tij të parapëlqyer, përbrendësat e kafshëve dhe të shpendëve. Më së shumti adhuronte veshka delesh. Derisa priste të vlojë uji për çaj, iu afrua macja. Duke u sjellë rreth këmbës së tavolinës, kërkonte t’i kushtohet vëmendje. I dha qumësht në një enë.

Kaloi nëpër korridor dhe e pyeti në donte të hajë diçka, mërmëriti diçka sikur të thoshte se nuk donte. E vërejti se shkonte në krevat. E mori kapelën prej varëses dhe pa bërë zhurmë, doli jashtë. Nuk dëshironte ta shqetësojë. Bënte mot i mirë, ecte nëpër Dublin, kaloi pranë pijetores, pastaj pranë shkollës shtetërore të Shën Jozefit. U ndal para mishtores dhe nëpër vitrinë vështronte kurorat, suxhukun, veshkat prej të cilave ende pikonte gjaku. Në mishtore hyri një vajzë që banonte aty afër, i vështroi duart e thata të saj si pasojë e përdorimit të detergjentit për larje si dhe ijët e forta të saj. Priti të shohë se ç’do të blinte, e kur mbaroi, vendosi ta përcjellë. Por sakaq hoqi dorë. U kthye në shtëpi, në verandë gjeti dy letra dhe një kartëpostale, lexoi emrin, zonja Merion Blum. I shkoi në dhomë dhe ia dorëzoi letrën dhe kartëpostalen. Ajo i shikoi dhe i vuri ndër jastëk. Iu lut atij t’i bënte çaj. Leopold Blumi i ngriti roletat e dhomës deri në gjysmë, i mori prej dyshemesë kombinezonin dhe mbathjet dhe i vuri pranë krevatit.

Ai qiti gjalpë në tavë dhe në të e vuri veshkën. E përgatiti çajin dhe e hapi letrën. Bukën me gjalpin dhe çajin i vuri në tabaka dhe i çoi në dhomë. Ajo iu lut ta ngrejë librin që kishte rënë ndër krevat, e kishte shënuar një faqe në libër. I interesonte fjala metempsikozë. Ai i tha se  grekët e vjetër ashtu e quanin besimin se njeriu mund të shndërrohet në kafshë ose në trung. Ajo ndjeu sikur diçka digjej. Ishte veshka e cila ende po përzhitej në tavë. Leopold Blumi rendi nëpër shkallë. Nuk ishte djegur gjithaq. Pjesën e djegur ia dha maces, kurse tjetrën e hëngri. E lexoi letrën që ia dërgonte e bija Milli. Dje kishte mbushur pesëmbëdhjetë vjeç dhe i falënderohej për dhuratën. Brengosej disi ngase e dinte se ajo ishte e djallëzuar dhe mendjelehtë.

Mori gazetën Kuriozitete dhe doli jashtë për të shkuar në nevojtore. U mendua se si do të mundë të ndërtonin në oborr një plevicë dhe të mbillnin kacavjerrëse të kuqërremta dhe hardhi. Pastaj të mbillnin diçka në oborr, por për këtë duhet pasur pleh ngase pa të toka mbetet jopjellore.

5.

Zoti Blum u nis për në varrim. U ndal përskaj vitrinës së Belfastit dhe të Kompanisë së Çajit Oriental dhe i lexoi mbishkrimet në pakot e çajit. E hoq kapelën dhe i përshkoi flokët me gishtërinj. Ishte një mëngjes disi i nxehtë. E mori letrën që e kishte vënë pas shiritit prej lëkure të kapelës dhe futi në xhepin e jelekut. Përsëri i hodhi sytë kah vitrina dhe e çoi mendjen te Lindja e Largët. Me siguri është vend i mrekullueshëm.

Vajti në postë, e shtyri kartëpostalen nëpër rrjetën e kutisë postare dhe pyeti në kishte ndonjë letër për të. Vështroi pllakatin që i ftonte njerëzit për në ushtri, ndërsa nëpunësja e kontrollonte numrin postar. Në paradë ishin pasqyruar ushtarët e të gjitha llojeve ushtarake. Iu dukën disi si të marrë dhe të hipnotizuar. Kartëpostalen dhe letrën i futi në xhep.

Doli nga posta dhe sakaq takoi Mek’koin. Shpresonte t’i largohet shpejt. I tregoi se ishte nisur në varrimin e Dignamit. Derisa Mek’koi i tregonte se kishte mësuar për vdekjen e Digmanit, Blumi vështronte një vashë elegante, e cila, e shoqëruar nga një mashkull, priste koçinë. A thua ku ishte nisur, në fshat, me siguri në Bredston. Mashkullit që ishte shoqërues i saj, i ra në sy se Blumi e vëzhgonte, ndaj akoma më shumë u përpoq t’i nxirrte paratë e imëta. Mek’koi e pyeti për bashkëshorten. Blumi ia bëri me dije se do të këndonte në shfaqjen solemne. Në Belfast, kjo është diçka që i ngjan turneut, kanë edhe këshill. Mek’koi iu lut ta nënshkruajë në varrim, për çdo eventualitet nëse nuk do të mundë të mbërrijë, edhe pse  do të tentojë të mbërrijë. U ndanë. Zoti Blum u ndal pas këndit të rrugës. Kaloi pranë gërdallave të koçisë që sapo kishin grenë. Tha me vetveten: Sa mirë e kanë ato, s’dinë asgjë dhe nuk brengosen për asgjë. Mbërriti pas murit të stacionit hekurudhor. S’kishte kush përpos një fëmije, i cili pranë depos luante me pisha (gogla).

E nxori letrën që sapo e mori nga posta. Këtu mund ta lexonte në qetësi. Ishte letër dashurie nga Marta. Ajo e pyeste se kur do të mund të shiheshin dhe çfarë parfumi përdor gruaja e tij. Letrën e lexoi dy herë, e grisi në copa dhe i hodhi.

Mbërriti te Kisha e të Gjithë Shenjtorëve. U ngjit shkallëve dhe hyri nga ana e pasme. Mbahej njëfarë mbledhjeje e vëllazërisë. Vështronte ndarjen e naforës. Marrja e pjesëve të trupit të vdekur iu duk një veprim i çuditshëm. Mendonte se si tani ato gra me siguri ndjehen si një familje. Shikonte klerikun në altar. Dëgjonte predikimin, por e priste muzikën. Mesha u krye dhe ai u nis për në barnatore që para varrimit t’i përgatisnin losion. E kishte harruar recetën, por kjo s’ishte ndonjë problem ngase do ta luste farmacistin që ta verifikojë në regjistrin e recetave. Mori sapun, kurse për të tjerat do të vijë më vonë kur të jenë gati. U nis për te hamami turk.

6.

Zoti Blum zuri vend në koçi bashkë me zotin Dedalus, zotin Pauer dhe me Martin Kaningemin. Blumi mendonte për procesin e përgatitjes për varrim së personit të ndjerë. Ta lajnë trupin dhe flokët, nuk është një punë e parapëlqyer. Shkonin nëpër Irishtoun. Kur kalonte koçia pranë tyre, kalimtarët i hiqnin kapelat. Blumi e pa djalin e Dedalusit. Zoti Dedalus e pyeti plot mërzi nëse kishte qenë me të ai xhagajduri Maligen. Supozonte se ka qenë te tezja Seli. Zoti Dedalus thoshte se Maligeni vërtet ishte një person i keq. Kishte ndërmend t’i shkruante letër tezes së tij që më në fund t’ia çelte asaj sytë që të shihte se ç’njeri ishte nipi i saj. Assesi nuk dëshironte që t’ia prishte djalin.

Blumi mendonte për të birin i cili tani, po të ishte gjallë, do t’i kishte njëmbëdhjetë vjet. Mendonte se si nëpër shtëpi luan me Molin. Do t’i fliste për jetën, do t’i ndihmonte se si të pavarësohej dhe do t’ia mësonte gjermanishten. Mili është e dashur, tashmë është studente dhe së shpejti do të bëhet edhe grua.

Koçia u ndal, mbërritën te kanali i madh. Vazhduan udhëtimin. Blumi e çeli gazetën dhe shpejt e shpejt ia hodhi një sy faqes ku lajmëroheshin vdekjet. E çoi mendjen te letra, iu kujtua se e kishte bërë copë e grimë, kurse atë që e kishte lexuar në vaskë, e kishte në xhep. Kaluan pranë Teatrit të Mbretëreshës, ndërsa Blumi pyeti veten në do të shkonte për të parë diçka sonte.

Zoti Pauer e pyeti për përparimin e turneut të koncertit. Blumi u ndërlidh duke i thënë se kjo është një ide mjaft e mirë, se do të shkohet vetëm në qytetet kryesore, por ai nuk do të shkojë me ata. Ia kishin dalë t’i tubojnë të gjithë yjet e muzikës.

Pasi rrëfyen një anekdotë për një person që e njihnin, i ndalën fjalët për të treguar respekt për të ndjerin. Zoti Pauer i tha se e kishte parë javën e kaluar dhe nuk shpresonte se sot do të udhëtonin bashkë në koçi. Pranë tyre kaloi një arkivol i vogël, kishte vdekur një fëmijë. Komentonin se kjo është diçka e dhimbshme, ka vdekur pa e shijuar jetën. Zoti Pauer shtoi se sidomos është rëndë kur njeriu ia merr jetën vetes, ky është një turp i madh për familjen, por Kaningem ndërhyri duke thënë se edhe në raste të tilla duhet të shfaqim dhembshuri ngase aty kemi të bëjmë me errësimin momental të mendjes.

Koçia përsëri u ndal, këtë herë për shkak të gjedhëve. Nesër është ditë e therjes. Blumi tha se më së miri do të kishte qenë sikur administrata e qytetit t’i vazhdonte binarët e tramvajit prej parkut deri në breg. Kësisoj të gjitha kafshët do të transportoheshin me anije. Tha po ashtu se do të kishte qenë një punë e mirë sikur të kishim tramvaje urbane varrimi.

Dolën nga koçia dhe iu bashkuan përcjellësve të pikëlluar. Zoti Blum vërejti se ishte një funeral varfanjakësh, karroca që mbartte arkivolin dhe tri koçi. Kaningemi i tha me zë të ulët zotit Pauer se ishte një situatë e pakëndshme kur fliste për vetëvrasjen para Blumit, ngase babai i tij e ka helmuar veten.

Ndërkohë zoti Blum kishte mësuar se i ndjeri kishte lënë pas vetes pesë fëmijë. I kishte shprehur ngushëllime vejushës. Pastaj të gjithë hynë kishë, mbërriti ministranti (djalosh apo person i cili shërben në shërbesën apo në liturgjinë katolike). Mbërriti edhe prifti. Pasi prifti e kreu detyrën e vet, varrmihësit e nxorën arkivolin. pas mbarimit të varrimit, të gjithë u shpërndanë.

7.

Pranë shtyllës së Nelsonit tramvajet e ngadalësonin lëvizjen dhe kalonin në binarë të tjerë. Mbikëqyrësi i kompanisë së tramvajeve të Dublinit lajmëronte nisjen e tyre. Para postës kryesore punonin pastruesit e këpucëve. Në Rrugën e Princeshave të Veriut qëndronin karrocat postare që i merrnin thasët me letra, me kartëpostale, pakot e destinuara për krahinën, për Anglinë dhe për vendet përtej detit.

Ngasësit i vendosnin fuçitë e zbrazëta në karroca. Zoti Blum iu lut Red Mërit t’ia presë shpalljen nga gazeta. E mori copën e prerë dhe i tha se do të ndalej shtypshkronjë, ndërsa Mëri   e pyeti nëse dëshironte t’i jepnin edhe një shënim.

Red Mëri i foli Blumit për një person të njohur i cili sapo kalonte pranë tabelave të shpalljeve gazetareske. Simon Dedalusi ia ktheu duke i thënë se trurin e ka në zverk ngase qafën e kishte të trashë dhe me rrudha. Në atë çast ia behu një djalosh i cili e hodhi një zarf mbi tavolinë. Ishte shpërndarësi i telegrameve.

Zoti Blum i tregoi këshilltarit Naneti se Aleksandër Kijsi dëshironte që dy çelësat e kryqëzuar të jenë në krye të faqes dhe të përshkuar me rreth, e pastaj të pasojë emri Aleksandër Kijs, tregtar çaji, vere dhe pijesh alkoolike dhe në pjesën e sipërme shtëpia e çelësave. Shefi u pajtua duke thënë se një gjë e tillë është e realizueshme.

Në të dalë, Blumi vështroi radhitësin se si e rendiste rreshtin me kujdes. E lëvdoi për shpejtësinë në punë. U kthye në biro për t’i telefonuar redaktorit që t’i thoshte të mos shkonte me makinë tek ai në shtëpi, pa e ditur në është aty. Në dalje u përplas me Linihenin dhe u tha të tjerëve se do të dalë pak.

Në biro erdhi Stiven Dedalusi. E kishte sjellë tekstin e Di?sit. Me ta parë tekstin, profesori nguroi. Redaktori dëshironte që Stiveni të shkruante diçka. Artikullin për sëmundjen e këmbëve dhe të nofullës e konsideronte mashtrim të njerëzve. Ata kishin nevojë për diçka më konkrete. Për disa çaste biseduan për oratorët e mëdhenj. Profesori e veçoi fjalimin e Xhon F. Tejlorit. Pasi mbaroi, Stiveni propozoi të shkojnë në ndonjë bar. Që të dy u pajtuan. Rrugës redaktori i tha Stivenit se teksti për sëmundjen e këmbëve dhe të nofullës, megjithëkëtë do të mjaftojë, do të gjejë vend në gazetë.

Duke dalë nga biroja, i takoi Blumi. Donte të bisedonte me Milli Kraufordin lidhur me shpalljet, por ai nuk ishte i interesuar. E mori me mend se shkonin të pinë, por donte të dijë nëse kjo bëhej me nismën e Dedalusit të ri.

8.

Zoti Blumi ecte nëpër Urën  O'Konel. Në shëtitje e sipër e pa vajzën e Dedalusit. Ishte e leckosur dhe dukej e paushqyer. Nëna u kishte vdekur duke lënë pas vetes pesëmbëdhjetë fëmijë. E hodhi shikimin kah pulëbardhat. E hodhi midis tyre një top letrash të rrudhura, por ato nuk lëvizën fare, ishin mësuar tanimë. Kaloi pranë vajzës që shiste molla, bleu dy kuleç, i thërrmoi dhe hodhi në lumë. Sakaq, pulëbardhat rendën pas tyre.

Duke ecur nëpër rrugë, kaloi pranë shitores së biçikletave të Reverit. Iu kujtua pikniku kur Moli kishte të veshur një fustan të bukur ngjyre të përhimët e që i rinte tejet mirë. Por ajo s’e donte më atë fustan ngase atë ditë atij i doli nga vendi kyçi i dorës. Mili ende ishte e vogël. Iu kujtua se si e lanin në mbrëmje. Tani është e madhe dhe merret me fotografi. Atëherë ishin të lumtur.

Takoi zonjën Brin. Ajo e pyeti për Molin. I tha se Moli është shumë mirë. Milli është punësuar te një fotograf, puna i shkon mjaft mirë. Të gjithë fëmijët e zonjës Brin janë parapaguar te bukëpjekësi. Ankohet për bashkëshortin i cili në shtëpi i studion ligjet kundër shpifjeve. Zonja Brin e shikoi burrin e vet dhe u nis pas tij. Blumi i vështroi disa çaste duke menduar se sa vështirë e ka ajo me atë burrë.

U ndal në udhëkryqin e Rrugës së Flotës. U mendua se ku do të drekonte. I duhej të gjente shpalljen në Bibliotekën Kombëtare. Rrugës do të kthehet te Bartoni. Duke ecur takoi skuadrën e policëve. Mbaroi së ngrëni drekën. Secili kthehej atje nga kishte ardhur.

Mendonte se si dikur kishte qenë më i lumtur, por a kishte qenë ai apo ai tani është ai, s’ishte i sigurt. Ai ishte njëzet e tetë vjeç, Moli njëzet e tre, por pas vdekjes së Radit çdo gjë ndryshoi. Kohën s’mund ta kthesh pas. Nuk ishte i sigurt në do ta kishte filluar çdo gjë nga e para.

E çeli derën e restorantit të Bartonit, e pushtoi era e rëndë e mishit të freskët dhe e të larave të perimeve. Brenda kishte vetëm meshkuj që hanin dhe pinin. Pyeti veten nëse ishte edhe ai si ata. Ndjeu erën e birrës së derdhur dhe të shurrës. Nuk mund qëndronte në një restorant të tillë, i urrente ngrënësit e pistë. Vendosi të hante diçka të lehtë te Devi Birni. Sanduiçin nuk e pëlqeu, djathi ishte pa shije, por vera ishte për mrekulli. Pasi hëngri u nis për në bibliotekë. Takoi një të ri të verbër i cili tentonte ta kalojë rrugën. E pyeti në i duhej ndihmë. I riu u pajtua. U përpoq ta merrte me mend se si do të ishte të jetosh tërë kohën në errësirë. E tërë jeta në njëfarë mënyre u është ëndërr. Ata i kanë të zhvilluara shqisat e tjera. E ndjejnë erën e çdo rruge, të pranverës, të verës. Ishte e tmerrshme, djalë i ri, kjo vërtet nuk është e drejtë.

9.

Stiveni fliste me Xhon Iglentonin dhe Rasëllin për Hamletin. Rasëlli thoshte se arti duhet të na i zbulojë idetë. Pyetje më e rëndësishme është se sa një vepër buron thellë nga jeta. Fjalët e Shellit dhe të Hamletit na çojnë në botën e ideve të Platonit. Hyri në zyrë zoti Best për t’u treguar se Hajnesi kishte shkuar. Ishte i entuziazmuar me poezitë e dashurisë nga Konahti të Hajdit. Sakaq u nis për te Xhilli për t’i blerë.

Stiveni pyeti veten ç’fantazmë është ajo që shfaqet te Hamleti, kush është mbreti Hamlet. Pastaj ai fillon të rrëfejë historinë e Shekspirit, i cili gjatë gjithë jetës së tij e mësoi Hamletin që të mundë ta luante rolin e shfaqjes së fantazmës të mbretit. Ai i drejtohet në të njëjtën kohë edhe djalit të vet Hamletit edhe trupit të të birit Hamnet Shekspirit.

Rasëlli i kundërvihej interpretimit të tillë të veprës. Atij nuk i nevojitej një analizë e tillë e jetës së autorit. Vazhdoi duke thënë se e kemi Mbretin Lir që është i pavdekshëm. Xhon Iglentoni tha se bota beson se Shekspiri ka gabuar, ndërsa Stiveni reagoi ashpër duke thënë se një gjeni i tillë nuk gabon. Po ashtu tha se lajthitjet e tij janë të planifikuara dhe mund të shërbejnë si hapësirë për njohuri të reja. Besti edhe më tej mbronte qëndrimin se Hamleti është shprehje e ndonjë gjëje personale, diçka si një ditar intim. Bisedën e ndërpreu për një çast ardhja e Bak Maligenit i cili hiqej sikur nuk dinte gjë për Shekspirin. Më herët Stiveni i kishte dërguar telegram Bakut ngase ishte i frymëzuar. Aty i sqaronte se sentimentalist është ai person që do të dëshironte të kënaqet, e që për një gjë të tillë nuk merrte falënderim.

Në bibliotekë mbërriti Blumi për të parë “Njerëzit e Killkenit” të vitit të kaluar. Vazhdoi biseda për Hamletin. Stiveni flet për gruan e Shekspirit, En e cila sipas tij ka qenë një grua e pabindur, por ndonëse e shfrenuar, nuk e ka shkelur betimin martesor. Sipas Stivenit, në dramat e Shekspirit janë përfshirë anëtarët e familjes. Vdekja e së ëmës e frymëzoi atë për skenën me Volumnian në Koriolanus. Vdekja e djalit të tij është vdekja e  Arturit te Mbreti Xhon, princi i zi është Hamnet Shekspiri. Po ashtu ka pasur tre vëllezër, Xhilbertin, Riçërdin dhe Edmondin, emra që shfaqen në dramat e tij. Emrin e vet e ka përfshirë në tingëllima (sonete).

Sipas Stivenit, Shekspirin nuk e entuziazmojnë as meshkujt as femrat. Para fundit të jetës është kthyer aty ku kishte lindur, aty ku kishte qenë gjithmonë, si fëmijë dhe tani si njeri i rritur. Pasi Stiveni i paraqiti tezat e veta për Shekspirin, Baku i ngrit. Pas tij iku edhe Dedalusi.

10.

Prifti Xhon Kamnej u nis për shëtitje deri në Arten. Takoi gruan e zotit Dejvid Shihi i cili është deputet në parlament. Këmbyen disa fjalë të mira. Pastaj edhe njëri edhe tjetra vazhduan në rrugën e vet. Buzë Sheshit Mountxhoj takoi tre fëmijë të shkollës fillore. I pyeti se si quheshin. Njërin prej tyre e angazhoi t’ia hidhte në kutinë postare letrën që ia dërgonte atit provincial (titull i kreut të ndonjë urdhri të kishës katolike, pushteti i të cilit përfshin disa manastire).

Te kthesa u kthye dhe vazhdoi nëpër Rrugën Qarkore të Veriut. Një mori nxënësish të shkollës Vëllezërit Krishterë e kaluan rrugën. Pastaj kaloi pranë Kishës së Shën Jozefit ku u ndje era e fortë e temjanit. Vazhdoi nëpër Hyrje të Rrugës së Veriut ku takoi zotin Gelleger i cili qëndronte para dyqanit të vet nga ku vinte erë proshute dhe gjalpi.

Tek ura Njukomin hipi në tramvajin që e çonte jashtë qytetit, ngase nuk i donte ta përdorë rrugën e papastër të Ishullit të Baltës. Zbriti në stacionin e rrugës Hout. Kaloi pranë fushës së dikujt të mbushur me kosha lakrash. At Kanmi ishte duke lexuar breviarin e tij dhe duke shikuar retë. Një djalosh kaloi nëpër gardh. Pas tij edhe një vajzë. At Kanmi që të dy i bekoi dhe vazhdoi të lexojë breviarin.

*  *  *

Kërni Kilihir e mbylli librin afarist dhe shikoi nga afër kapakun e arkivolit të vendosur në qoshe. Ia vështroi formën dhe dekorimet prej bronzi. E ktheu kapakun në vend dhe u ndal pranë derës. Për ta kaluar kohën më shpejtë, Oficeri 57 u ndal pranë Kilihirit.  I tha me zë të ulët se atë person e kishte parë mbrëmë. At Xhon Kanmi hipi në tramvaj në Njukomin dhe u nis për në Dollimunt.

*  *  *

Një marinar me një këmbë çalonte në paterica. Ecte nëpër rrugën Ikllis. Një zonjë u ndal dhe i dha një enë bakri. Ai ndalej para çdo dritareje dhe murmuriste: Për Anglinë...shtëpinë dhe bukuroshet. Në një dritare lëvizi perdja dhe një vajzë i hodhi para përtej rrethojës. Paratë ranë në trotuar. Dy djem që e shikonin marinarin dhe cungun e këmbës, vrapuam drejt tij dhe ia hodhën paratë në kapelën e shtrirë.

*  *  *

Kejti dhe Budi Dedalus hyrën në kuzhinën plot avull. Megi me lugë kuzhine shtynte diçka në tenxheren me shkumë të nxehtë. Budi e pyeti nëse i kishte depozituar librat. Kejti ia kishte dërguar MekGinisit, por ajo asgjë s’kishte dashur t’i jepte për ta. Budi u zemërua dhe ishte e unët. E pyeti Megin nëse kishte diçka për të ngrënë, por në tenxhere kishte këmisha që zienin. Ajo kishte  supë me bizele. Mori një tas dhe mbushi me supë të trashë nga tenxherja.

*  *  *

Në dyqanin e Tortonit ndodhet Bojlani i Zjarrtë. Një vajzë e re bionde, një shishe të mbështjellë me letër rozë dhe frutat i vendoste në një shportë të thurur. Bojlani i Zjarrtë shëtiste nëpër qyqan duke i shikuar frutat dhe duke e thithur aromën e tyre. E luti vajzën që shportën ta dërgojë me tramvaj, kurse ajo ia dha notesin dhe lapsin për ta shkruar adresën e saktë. Derisa ajo i numëronte frutat për ta bërë arkëtimin, Bojlani i Zjarrtë e vështronte bluzën e saj.

*  *  *

Ned Lamberti i tregonte Xhekut se ndodheshin në sallën historike të abacisë së Shën Mërisë, në të njëjtin abaci në të cilën Toma i Mëndafshtë në vitin 1534 u shpall rebel. Ky është një prej vendeve më historike të Dublinit. Deri në ditën e bashkimit, aty ka qenë banka e vjetër e Irlandës. Derisa nuk e ndërtuan sinagogën në rrugën Adelaida, aty ka qenë edhe tempulli i çifutëve. Pastaj e përcolli mysafirin deri te dalja dhe i tha që lirisht të vinte edhe ndonjëherë tjetër. Pas pak iu kujtua se kishte harruar t’i tregonte për ngjarjen kur konti nga Kildare ia kishte vënë zjarrin katedrales në Keshil. Pasi e kishte djegur katedralen kishte thënë se i vinte keq që e kishte bërë një gjë të tillë. Kishte menduar se brenda ndodhej kryepeshkopi.

*  *  *

Zoti Blum shfletonte librin “Zbulimet e tmerrshme të Maria Monkut”. Pastaj e shikoi kryeveprën e Aristotelit. Ishin shtypur keq. I la librat dhe e mori të tretin, “Përralla nga getoja” të shkrimtarit dhe zhurnalistit austriak Leopold fon Saçer-Masok. Atë tashmë e kishte lexuar. Gjeti një titull të ri, “Bukuroshet e serta”. Por pasi e shfletoi, iu kujtua se këtë libër dikur ia kishte sjellë asaj për ta parë nëse do t’i pëlqente. Lexoi një titull tjetër, “Kënaqësitë e mëkatit”. Vendosi për këtë të fundit.

Leopold fon Saçer-Masok (Leopold von Sacher-Masoch; Lviv, Ukrainë, 1836 – Mannheim, Gjermani, 1895). Nga emri i tij rrjedh termi mazohizëm, i shpikur nga bashkëkohësi i tij, psikiatri austriak, autor i veprës themelore “Psychopathia Sexualis” (1886), Rihard fon Kraft-Ebing (Richard von Krafft-Ebing, 1840-1902). Masoku nuk pajtohej që termi mazohizëm të ndërlidhet me emri i tij.

*  *  *

Dili Dedalusi endej nëpër trotuar. Nga ndërtesa dëgjoi thirrjet e ankandësit që shiste perde. Zoti Dedalus dha krye nga Rreshti Uilliam dhe menjëherë i bëri vërejtje së bijës që të përmirësohej ngase nuk dëshironte që të përfundonte si xhaxhai i saj me kokën midis shpatullave. Fillimisht nuk dëshironte të pranojë de kishte huazuar katër shilinga, por ajo sakaq e shpërfilli, ndaj ai hoqi dorë dhe i dha asaj një shilingë. Kur ajo i kërkoi ende, ky u zemërua dhe i tha se prej të gjithëve do të heqë dorë.

*  *  *

Para antikuariatit ndodheshin Redi dhe të bijat. Zoti Dedalus takoi At Koullin. Ai i tregoi se është barrikaduar për arsye se nja dy vetë sillen rreth shtëpisë së tij dhe tentojnë të hyjnë brenda. E pret Ben Dollardin i cili i kishte premtuar ndihmë. Do të kërkonte nga Xhoni i Gjatë që ta bindë të lirohet prej atyre dyve, të paktën për një kohë. Në atë moment mbërriti Beni, ndërsa Dedalusi e shikoi me përbuzje kostumin e tij të madh. Beni u ndal pranë tyre duke u buzëqeshur atyre dhe duke qeshur me rrobat e veta.

*  *  *

Hajnesi dhe Bak Maligeni kishin zënë vend në bar, ishin ulur mu përballë një burri fytyrëgjatë i cili po e shikonte me vëmendje tabelën e shahut. Që të dy kishin porositur melanzh,  pak pogaçe elbi dhe gjalpë. Baku komentoi se si Hajnesi nuk ishte i pranishëm në ligjëratën e Dedalusit për Hamletin. Hajnesi ishte i sigurt se Dedalusi kishte ndonjë teori të veçantë. Njerëzit e tillë gjithmonë kanë teori të veçanta. Pyetjes së Hajnesit, Baku iu përgjigj se Dedalusi do të shkruante diçka për lëvizjen e tyre, mbase brenda dhjetë vjetëve. Ata e kishin vëmendjen edhe te pogaçja nga e cila ende dilte avull.

11.

Zonjusha Dus dhe zonjusha Kenedi ishin ulur në kafene dhe pritnin çaj. Nëpër dritare vëzhgonin njerëzit dhe koçitë. Filluan të flisnin për zotin Blum dhe syrin e tij të zgurdulluar. Që të dyja shpërthyen në gaz. Çdoherë ndonjëra prej tyre thoshte diçka për zotin Blum dhe kjo shkaktonte valë të re të qeshurash.

Në kafene mbërriti zoti Dedalus. E pyeti zonjushën Dus se si e kaloi pushimin, kurse ajo e hodhi fjalën te ngjyra e trupit që kishte marrë gjatë ditëve që i kishte kaluar në plazh. Ndërkohë, zoti Blum e kaloi urën Eseks. Mendjen e kishte te letrat që duhej t’ia shkruante Martës. Erdhi Liniheni. Tentoi t’u vardiset zonjushave, por ato e injoruan. Iu drejtua zotit Dedalus dhe i tregoi se sot kishte pirë me djalin e tij, Stivnin. Në bar hyri Bojlani i Zjarrtë.  Zonjushën Kenedi e përshëndeti duke e prekur me skajin e kapelës prej kashte, ndërsa ajo ia ktheu me një buzëqeshje. Bojlani i Zjarrtë e piu pijen e vet, pagoi dhe doli përjashta. Pas tij, doli edhe Liniheni. Në hyrje të barit takuan Ben Dollardin i cili përpiqej ta bindë At Koullin që të mos brengoset. Alf Birgeni dëshiron të flasë me gjatamanin. U ulën te zoti Dedalus. Komentonin Blumin dhe gruan e tij, e cila të shtunën e kaluar kishte luajtur në piano në kafene, por dikush u kishte thënë se ishte marrë edhe me atë punën tjetër. Zoti Dedalus konfirmoi se zonja Merion Blum i kishte hequr të gjitha teshat.

Koulli u ul para pianos dhe ia dha këngës. Ia dolën ta bindin Dedalusin të ulet dhe të luajë në piano. Pas pak në skenë përsëri u ngjit at Koulli i cili i tha se do ta ndiqte. Kur i dha fund, të gjithë të pranishmit i duartrokitën. At Koulli vazhdoi të luajë në piano. Blumi po e dëgjonte Riçi Guldingun i cili fliste për mbrëmjen kur e kishte dëgjuar Dedalusin duke kënduar. Për shkak të autoritetit dhe famës, Ben Dollardi fliste me Simon Dedalusin i cili vetëm pohonte me kokë dhe pinte cigare.

Blumi i shkroi letër Martës. Posta është afër, i duhet edhe fletëpagesë dhe pullë. Përpiqej ta thërriste kamerierin, por Peti është pak si shurdh. Derisa priste, e shikonte zonjushën Dus e cila ishte përkulur mbi banak për t’ia treguar avokatit Xhorxh Liduel guacën që ia kishte sjellë prej pushimeve, me qëllim që ai ta dëgjonte.

Pasi iu vunë pak, Ben Dollardi u ul para pianos. Blumi ia doli ta thërriste Petin dhe ta paguante llogarinë. Në të dalë, dëgjoi britma dhe lëvdata për Binin dhe i erdhi mirë që iu shmang kësaj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora