Mendime
Idriz Zeqiraj: Pretendimi i nënkryetar Muhaxherit, për fitoren e LDK, ka bazë reale
E marte, 23.07.2024, 06:53 PM
PRETENDIMI I NËNKRYETAR MUHAXHERIT, PËR FITOREN E LDK, KA BAZË REALE
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Intelektuali
i kompletuar, Dr. Ibrahim Rugova, themeloi partinë e parë pluraliste në Ballkan
e më gjerë, LDK-në. Në gjallje të Rugovës, ky subjekt politik bëri paqen dhe
luftën. Dhe, kjo, tashmë, është dëshmuar, duke demantuar bindshëm "partitë
e luftës", të cilave u munguan formacionet ushtarake në fushë-beteja,
sepse sabotatorët e luftës i kishin brenda SHTAB-it të tyre.
Pas
amshimit të kryezotit Rugovë, orekset karrieriste e klanore brenda LDK-së u
shpërfaqen shfrenueshëm. Ndarja e parë përgjysmoi partinë, dikur kryezonjë në
Kosovë. Koalicionet e kundër vullnetshme e mospërfillëse të anëtarësisë, e
sollën LDK-në kuotën e 12 %-it.
Kuvendi
i 10-të i jashtëzakonshëm filloi me reformat, duke zgjedhur kryetarin e ri,
Lumir Abdixhikun, Kryesinë e re, duke lënë jashtë saj ish-kryetarin Mustafa dhe
një pjesë të klanit të tij. Kuvendi u mbyll pa debat, pa analizën e nevojshme,
për gjendjen katastrofale në parti. Përkundrazi, ish-kryetari u vlerësua me
titull Nderi, gjë që befasoi dhe zhgënjeu shumë.
Nënkryetari
për Organizim partiak i LDK-së, Gazmend Muhaxheri thotë se "ky subjekt
politik, sipas sondazheve, ka rritje të madhe". Vërtet, krahasuar me
partitë e PAN-it, të cilat nga zgjedhjet e fundit parlamentare, kanë dalë po
kaq humbëse, sa edhe LDK-ja, nuk kanë bërë fare reforma partiake. Ndërkohë që
LDK-ja, të paktën, ka filluar dhe është në proces. Vazhdimi i reformave është,
barometër i ringritjes së partsisë.
Kryetari
Abdixhiku, me stafin e tij, përkundër burokracisë të pararendësit të tij, kanë
lënë zyrat dhe janë aktivizuar brenda dhe jashtë Kosovës, për komunikim me
anëtarësinë, elektoratin dhe shtresat e ndryshme qytetare. Brenda Kryesisë janë
ndarë detyrat, janë krijuar komisione, e mbi të gjitha, është hartuar edhe
plan-programi për qeverisjen profesionale të Kosovës.
Ajo
që është parë me rezerva nga elektorati
i LDK-së, ka qenë proklamimi për "Rruga e re", e cila u kujton
anëtarësisë një emërtesë të ngjashme të "partisë" dështake të
Bukoshit, ashtu si edhe "Lidhja e re" e Isa Mustafës, një emërtesë që
paralajmëroi devijimin e frymës rugoviane. Dhe, dështimi ishte i pritshëm.
Emërtesa të tilla ngjallin huti e frikë, për braktisjen e rrugës dhe të
frymëzimit rugovian. Megjithatë, kryetar Lumiri ka lehtësuar dilemën se
"kjo vlen për qeverisjen dhe nuk prekë partinë".
Konventa
e organizuar e LDK-së, shpalosja e programit, shpjegimet teorike intelektuale
të Kryetarit të ri, kanë lënë mbresa domëthënëse, jo vetëm në anëtarësi, por
edhe më gjerë në popull. E gjithë kjo zgjoi vëmendje në opinion dhe vlerësim në
sondazhe, siç thotë nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri, partia ka rritje
të prekshme.
Ftesa
e kryetarit të PS-së, Edvin Rama, nga kryetari Abdixhiku, me rastin e 25
vjetorit të çlirimit, "Presidentit Rugova dhe Perëndimi", ngjalli
koxha përfolje e habi në parti. Emisarët e kësaj partie, tipike neokomuniste,
me shumësi janë kuadro të monizmit, përkatësisht, të brezit pasues enverist.
Presidenti Rugova me të drejtë i vuri vijën e kuqe PS-së. Aq më parë tani, kur
shkatërroi pluralizmin politik në Shqipëri, të fituar më gjak e mund, pas një
regjimi tipik fashist të Enver Hoxhës. Pra, rrënimi zyrtar i opozitës në
Shqipëri, duhej të kundërshtohej me bllokadë totale nga i gjithë spektri
politik i Kosovës.
Kur
e majta shqiptare thoshte se kryeqyteti i Kosovës është Beogradi, e djathta
shqiptare afirmonte Prishtinën kryeqytet dhe të drejtën e shqiptarëve të
Kosovës për të qenë shtet. Sidoqoftë, zyrtarët drejtues të LDK-së, duhej ta
sqaronin anëtarësinë, qoftë edhe vetëm strukturat e saj, pse u ftua kreu i
social-komunistëve shqiptarë, në cilësinë e pozitës partiake apo shtetërore, në
një ngjarje kushtuar Presidentit Rugova?! As tani nuk është vonë, për të dhënë
sqarimet përkatëse. Urojmë që kjo vizitë të harrohet, si një ëndërr e keqe, dhe
të mos këtë ndikim në elektoratin dhe sondazhet premtuese të LDK-së.
Konstatimi
i nënkryetarit Gazmend Muhaxheri se "elektorati i LDK-së është kthyer në
"shtratin" e vet politik", ka bazë reale, po të kemi parasysh
faktin se në zgjedhjet e fundit lokale, tashmë, me kryetar të ri, u kthyen tej
100 mijë anëtarë në shtëpinë e tyre të artë - LDK-e.
Me
reformat në proces, Lidershipi i i ri i LDK-së, duhet të reflektojë, madje të
harrojë eliminimin e kuadrove me heshtje, nga frika e konkurrencës apo arsye
tjera. Logjika se "nuk na bënë shejë" largimi i x-y-it, ishte
"llogari pa hanxhinë". Mania e largimit, me lënie në
"harresë", të kuadrove të dëshmuar, për punë e devotshmëri në parti, nuk
kalon gjithëherë pa rrjedhoja. Duke bërë akuza për të tjerët, pa pranuar
fajësinë klanore, nuk është e shëndetshme për një parti emërmirë, siç është
LDK-ja.
Ka
vërejtje për zgjedhjet në parti, ngaqë duhej të ishin më të hapura dhe me
elementet e debatit të hershëm rugovian. E kuptoj se klani, me llogarinë e tij,
për të qëndruar gjatë në pozita drejtuese partiake, ka bërë seleksionime dhe
grupime mbështetësish. Kjo e vështirëson depërtimin e elementëve të rinj në
poste drejtuese, me votim të fshehtë. Megjithatë, aklamacioni, është kancer i
demokracisë. Mund të lejohet krijimi i fraksioneve legale brenda partisë, siç i
kanë demokracitë e zhvilluara, por jo edhe klanet ilegale, siç kanë ndodhur në
LDK-në post-rugoviane.
Jam
pjesë e themelimit të Degës, respektivisht, të Nëndegëve dhe të Aktivave të
LDK-së, në Gjermani, që nga vitet `90-a. Por, fenomeni i grupimeve, me porosi
në votimin e fshehtë, nuk ka ekzistuar. Tani kjo po ndodhë dhe është
"pëshqesh" i ish-klanit, që dëmtoi Degën në Gjermani, ndërsa e
shkatërroi Degën e LDK-së në Zvicër. Madje ende ka rezistencë dhe nostalgji për
ish-lidershipin klanor. Klanet janë si xhelozia, e cila brenë edhe dashurinë më
ideale. Varet sa do të arrijë t`i neutralizojë klanet lidershipi i ri i LDK-së,
sepse ka zëra që vazhdojnë ta dëmtojnë LDK-në, e ndoshta edhe ta dobësojnë
ekipin e ri drejtues të saj!
Lidershipi
i ri, për të joshur dhe rikthyer të tërë anëtarësinë e larguar, për shkak të
koalicioneve me ata që kanë përgjakur LDK-në dhe Kosovën, e ka shansin të
vazhdojë reformat dhe të zotohet se e kaluara nuk do të përsëritet. E kuptoj se
e djathta e Kosovës është në hall të madh, sepse veç LDK-së, grupimet e tjera
të së djathtës janë minore për nevojat e koalicionit. Koalicioni LDK-LVV ishte
dhe mbetet më i pranueshmi, sepse nuk ishin dhe nuk janë pjesë e krimeve.
Por,
intrigimet e Hashimit, argatëve të tij brenda LDK-së dhe Grenellit, e prishën
koalicionin më profesional në kuadro. Për një koalicion të tillë duhet të
mendojnë, qysh tani, dy subjektet politike të cituara, sepse do të ishin në të
mirë të tyre dhe, parasegjithash, në të mirë të Kosovës. Tri partitë, përbërëse
të PAN-it: PDK, AAK, NISMA, mashtrueshëm thirrën në djathtizëm, sepse janë
pjellë nga një mitër e përgjakur - LPK-së staliniste.
Opozitarizmi
i sforcuar, aq më keq i njëjtësuar me partitë e inkriminuara, i kthehet në
bumerang LDK-së. Të thuhet, në mes tyre edhe kuadro të LDK-së, se "Hashimi
kishte vendosur sovranitetin qysh moti në veriun e Mitrovicës, ndërkohë që edhe
në vitin 2018 ishin hapur 6 (gjashtë) njësi bankare ilegale të Serbisë",
është përpjekje e dështuar për ta rehabilituar Hashimin, me bandën e tij
partiake. Për këto koordinime opozitare të paparime, kanë reaguar edhe kuadro
të dëshmuara të LDK-së, si Adem Salihaj, Skënder Zogaj dhe të tjerë, të cilët
drejtuesit e djeshëm dhe të sotëm i kanë harruar dhe hedhur si "tepricë
teknologjike!"
LDK-ja,
në krahasim me partitë e inkriminuara, çalon në propagandën partiake. As LVV
nuk shquhet për këtë, veç se e kompenson, në një masë, me "armatën e Facebook-ut".
Ndërkohë që partitë e PAN-it kanë pushtuar komplet mediat. Dhe, sa po të hapësh
cilindo nga stacionet televizive, të Etnikumit Shqiptar dhe në Mërgatë, shikon,
njërin pas tjetrit, eksponentë të krimit dhe të hajnisë zyrtare. Krejt njëjtë
qëndron edhe kapja e Sistemit të Drejtësisë nga PDK-ja dhe AAK-ja. As LDK-ja
dhe as LVV nuk kanë fare qasje në aparatin gjyqësor, pavarësisht të ndonjë
punësimi skajor. Dhe, këtë pisllëk e mbron sllogani klishe: "pavarësia e
gjyqësorit!" Është supër-cinike të thuhet se "qeveria ka pushtuar
mediat dhe drejtësinë", kur dihet se ato janë të kapura, madje tërësisht,
nga partitë-banda të PAN-it.
Prag-fundosja
e LDK-së, në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, ishte nisma e ndryshimit të
domosdoshëm. Ishte gjyqi që i bëri populli partive rrënuese të shtetit. Me
keqardhje e dhimbje, klani vicioz, brenda Kryesisë të LDK-së, pa përfillur
elektoratin, anëtarësinë, Këshillin e Përgjithshëm, Grupin e deputetëve, madje
as vet Kryesinë e LDK-së, si për inat të të gjitha këtyre strukturave partiake,
si patericë, e mbante PDK-në në pushtet, duke kulmuar me bërjen e Hashimit
president, për ta shkelur porosinë-amanet të Presidentit Rugova: "Të mos
lejohet ngritja e Hashimit në poste të larta drejtuese, sepse është i dëmshëm
për Kosovën!" Profecia e urtakut Rugovë, rezultoi plotësisht e saktë. Dhe
sot, jo vetëm populli i Kosovës, por i tërë kombi shqiptar jeton në ethe dhe pa
gjum normal, nga pazarllëqet e pista të Hashimit, me dostat e tij.
Ishte
ajo rënie rapide e LDK-së, që e detyroi kryetarin Mustafa, me klanin e tij, të
organizonin Kuvendin e jashtëzakonshëm zgjedhor. Kjo është edhe nisma e
ringritjes të LDK-së.
Për
partitë e inkriminuara të opozitës të sotme, reformat partiake nuk janë
zgjidhje, sepse janë kapluar nga metastazat, pa shpresë shërimi. Ato jo
reformimi, por vetëm riformimi, spastrim me fshesë të hekurtë, madje edhe me
ndryshim emri të partisë, për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet nga
anëtarësia e tyre.
Për
ndryshim nga PAN-i, LDK-ja nuk i ka as mëkatët vrastare dhe as hajninë zyrtare.
Ajo është viktimë e lakmisë për pushtet, e një grupi vicioz, të cilët me
shantazh e joshje, për interesa personale apo grupore, mëkatoi me nënshkrimet
fatale, të programuara nga Hashim dallaverja.
Bazuar
në rolin parësor të LDK-së, për bërjen e paqes dhe të luftës, si parti
shtetformuese dhe të qeverisjes - me duar të pastra -, si dhe përformancën
aktuale, pretendimi i nënkryetarit Gazmend Muhaxheri, për fitoren e mundshme të
partisë së Rugovës, ka bazë reale. Sondazhet e herëpashershme, të cilat e
nxjerrin LDK-në si subjektin e tretë elektoral, duken absurde, kur dihen të
bëmat numerike kriminale të PDK-së, si hajnia industriale dhe përgjakja e
Kosovës, gjatë dhe pas luftës, me vrasjet katër-shifrore të kundërshtarëve
politikë shqiptarë.
Propaganda
lehaqene, tipike enveriste, se gjoja PDK-ja është parti-shtetformuese; se
ajo bëri luftën, duke agjituar për
përvetësimin e luftës faktike të FARK-ut, deri në mohimin e këtij formacioni
ushtarak vendimtar, në legjitimimin e luftën çlirimtare të Kosovës, është
absurd. Edhe -zogjtë e malit e dinë- se LPK-ja, përkatësisht, krerët hafije të
shërbimeve të huaja, sabotuan luftën dhe nuk e angazhuan fare në luftën e
Kosovës atë UÇK-në të LPK-së së tyre. Këtë e thonë dhe e faktojnë bindshëm vetë
themeluesit e asaj "UÇK-je" imagjinare, fantomë!
Ikja
e ballafaqimit të LDK-së, me partinë shkatërrimtare faktike të shtetit të
Kosovës, siç është, pikërisht, PDK-ja, kjo e fundit po përfiton hapësirë,
elektorat. LDK-ja është përqendruar në sulmin frontal të drejtë opozitar karshi
pozitës, duke synuar vendin e parë. Por, herë-herë edhe me kritika paushalle,
kur përsëritë slloganin e PDK-së se "ne kishim vu rend e ligj, duke
ushtruar sovranitet të plotë në veiun e Kosovës!" Pra, e përsërisim, si
shembull domëthënës, duke lavdëruar dhe rehabilituar Hashim Thaçin, me bandën e
tij, edhe pse në vitin 2018 Serbia kishte hapur 6 (gjashtë) filiale ilegale
bankare në veriun e Kosovës!
Është
logjike që LDK-ja të luftojë për pozicionin e parë politik në Kosovë, duke mos
anashkaluar mundjen e PDK-së dhe një koalicion përjashtues me partitë-banda të
PAN-it. Këto subjekte politike, të kontrabanduara jashtë ligjshëm në jetën
politike të Kosovës, shrfytëzojnë çdo rast e mundësi, për ta sulmuar dhe
denigruar LDK-në, ndërkohë që kjo e fundit heshtë, sikur nuk po ndodhë asgjë!
Kulmojnë me cinizëm kur përsërisin falsifikueshëm se "ne jemi parti
shtetformuese; parti të luftës; parti të dala nga lufta; FARK-u nuk ka
ekzistzuar dhe broçkulla të tjera idioteske. Rrjedhimisht, LDK-ja, vullnetshëm,
po i lënë parësinë PDK-së. Dhe, kjo do të ishte zhgënjyese për anëtarësinë,
elektoratin e LDK-së.
Vijat
e kuqe, madje rrast të retushuara, ndaj subjekteve përgjakëse dhe pazarxhinj të
Kosovës, duhet të jenë guidë dhe parim për rikthimin prijës të LDK-së
rugoviane. Kohë e mjaftueshme për të realizuar suksesin e pritshëm të
rugovistëve luftëbërës dhe shtetformues.
Andaj,
nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri, njëherësh edhe kryetar shumë i
suksesshëm i komunës së Pejës, ka të drejtë në entusiazmin e tij se ngadalë,
por me hapa të sigurtë LDK-ja është në procesin e bashkimit të anëtarësisë dhe,
normalisht, mund të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme të Kosovës, natyrisht,
duke zgjedhur partner idealistë, që prosperimin e Atdheu-Kosovë e vënë mbi
interesat partiake.