| E marte, 23.07.2024, 07:52 PM |
Homazh: Frederik Rreshpja (1940-2006)
Poezia
e Reshpes është pikëtakimi më i ndritshëm i poezisë së Shqipërisë me poezinë e
Kosovës. Kjo nuk është studiuar dhe nuk është shkruar ende…
Nga
Mehmet Kraja - Kryetar i Akademisë
së Shkencave dhe Arteve të Kosovës
Në
dhjetor të vitit 1980 me një grup shkrimtarësh të Kosovës, siç ishte zakoni,
vizituam Shqipërinë. Duke kaluar Malin e Krrabës, në rrugë e sipër nga Tirana
për Elbasan, shoqëruesi ynë, atëherë kritik letrar i njohur, meqë ishim vetëm
ne të dy në makinë, më tha: Të intereson të dish gjë, çfarëdo dhe për këdo? Po,
i thash. Ku është Frederik Rreshpja? Disa ditë përpara kisha lexuar një
përmbledhje me poezi të zgjedhura botuar nga “Rilindja”, përgatitur nga Ali
Podrimja, me titull “Enise, Enise” dhe në gazetën “Rilindja” po ato ditë kisha
shkruar një recension lavdërues për poezinë e Rreshpes, e cila ishte ndryshe
nga poezia që atëherë shkruhej në Shqipëri... Shoqëruesi më tha shkurt:
Frederik Rreshpja është në burg, por jo për atë që mund të mendosh ti. Kaq. Nuk
e ngava ma andej. Mbi dhjetë vjet më vonë u gjenda sërish në Tiranë, tani në
rrethana të tjera. Shqipëria vuante çmendurinë e saj të rënies së komunizmit.
Rreshpen e “takova” si kryeredaktor i revistës “Ora”, një model arrivist i
shtypit prokomunist, që ia kalonte edhe “Zërit të popullit”. Më pas, gjatë
viteve ’90 Rreshpja ishte botues dhe poet që vuante transicionin dhe biografinë
e vet. Por ajo që më ka bërë përshtypje, ishte pandjeshmëria ndaj një fati të
përmbysur të një poeti nga më të mirët të Shqipërisë të gjysmës së dytë të
shekullit XX. Janë po ata që sot shkruajnë lamente për të...
Këto
gjëra dihen, pavarësisht nëse janë shkruar ose jo. Por një gjë nuk është
shkruar: poezia e Reshpes është pikëtakimi më i ndritshëm i poezisë së
Shqipërisë me atë të Kosovës.