| E shtune, 20.07.2024, 07:58 PM |
DY TË MËDHEJË PËR NJË TË MADH – Agolli e Koliqi për Azem Shkrelin
Përzgjodhi
Frank Shkreli
Azem
Shkrelí lindi më 1938 në Rugovë të Pejës. Shkollën fillore e kreu në
vendlindje, ndërsa në Prishtinë ai vazhdoi shkollën e mesme për të vazhduar
fakultetin Filozofik, degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Për shumë vjet ai
ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit
Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit.
Ka
botuar këto vepra në poezi Bulzat (1960), Engjujt e rrugëve (1963), E di një
fialë prej guri (1969), Nga bibla e heshtjes (1975), Pagëzimi i fjalës (1981),
Nata e papagajve (1990), Lirikë me shi (1994), Zogj dhe gurë (1997). Në prozë:
Karvani i bardhë (1961), Sytë e Evës (1975), Muri përfundi shqipes Shtatë nga
ata, si dhe dramat: Fosilet (1968), Varri i qyqes (1983) etj. Poezitë e tij
janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja.
Në fund të viteve 1950, do të shfaqet brezi i “të nëntëve” i prirë nga
Azem Shkreli, i cili vendosi kulme poetike në letërsinë shqipe, është shprehur,
shkrimtari Ali Aliu.
Dritëro
Agolli: Kur në Kosovë takova Azem Shkrelin
“Azem
Shkreli ishte nga shkrimtarët e parë të Kosovës që njoha nga afër. Nga ai kisha
lexuar poezi dhe kisha dëgjuar të më tregonte ndonjëri, se jeton në Prishtinë
një poet me emrin Azem Shkreli, se ka një pamje të tillë dhe se flet kështu apo
ashtu dhe kaq. Por kur shkova për herën e parë në Kosovë në vjeshtën e 1972-së
për Ditët e Poezisë që organizoheshin në Gjakovë e takova edhe Azemin mes
grupit të shquar të poetëve të asaj ane të Shqipërisë.
Në
fillim më bënë përshtypje lëvizjet e tij të përhershme si veriu. Ai ulej pak në
tryezë dhe papritur ngrihej, shkonte të takonte ndonjërin, kthehej për të
qëndruar pakëz në tryezë dhe ikte përsëri,se dikush e priste në ndonjë anë. Por
edhe kur rrinte në tryezë, shpesh heshtëte me sy të përhumbur diku dhe dukej sikur
nuk dëgjonte asgjë nga ç’flitej. Vetëm kur fjala vinte tek poezia dhe tek arti
në përgjithësi dhe kur ndizej ndonjë polemikë, sytë e tij dilnin nga përhumbja
duke shkrepëtirë, shikonte me kokën mënjanë dhe pastaj hidhej për të pohuar apo
mohuar ndonjë mendim. Atëherë harronte të lëvizte nga tryeza dhe bëhej një
bashkëbisefues i mirë. Megjithatë ai nuk fliste shumë.
Kjo
ishte përshtypja ime e parë në takimet e fillimit me Azem Shkrelin. Në ato
takimet poetike të Gjakovës , ku lexonim nga një vjershë poetët pjesëmarrës ,
unë lexova disa vargje kushtuar nënës sime, që fillonin: Nëna ime , e bukura
Hatixhé, Më e bukura nga gjithë fshatarkat, Atje në minder mbi një dyshemé, Më
polli mua kur u kthye nga arat. Azem Shkreli gjithë ato ditë që qëndrova në
Prishtinë, sa më takonte, e bënte zërin si timin, më imitonte dhe përsëriste:
-Dritëro! -Hë, Azem?-përgjegjesha unë. Dhe ai qëndronte para meje, duke më
imituar në recitim dhe duke përsëritur vargjet: Nëna ime, e bukura Hatixhé, Më
e bukura nga gjithë fshatarkat… Pastaj qeshte dhe tundte kokën: -E, Dritëro,
nëna ime e bukura Hatixhé? Edhe ti boll i bukur ke dalë! Kaluan vitet dhe ne u
bëmë miq. Sa herë që vinte në Tiranë, kur ishte drejtor i Teatrit të Prishtinës
dhe më vonë drejtor i Kosova Filmit, ne takoheshim herë në Hotel Dajti dhe herë
në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, takoheshim edhe me Beharen, të shoqen
e tij, një grua e dashur, e këndshme në kuvendime , e pashme dhe atdhetare.
Por
më vonë, pas lëvizjeve për liri dhe pavarësi në Kosovë, në fillimin e viteve
80-të, dhe pas mbylljes së kufinjve, rrallë takoheshim. Vetëm në vitet 90-të,
filluan përsëri të vinin në Tiranë poetët e Kosovës, si zogj shtegtarë, të
vinin nga vendet e tjera të Evropës, nga Gjermania, Zvicra apo Austria. Ne
këtej po nuk mund të lëviznim për në Kosovë për ato arsye që përmenda.
Megjithatë, në vitin 1992, pas Mbrëmjeve Poetike të Strugës, unë dhe gruaja ime
Sadija, morëm guximin dhe shkuam në Prishtinë, duke e kaluar kufirin me
Maqedoninë së fshehurazi.
Në
Prishtinë ne fjetëm atë natë gushti në shtëpinë e mikut tonë të dashur, Ali
Aliut, që bashkë me të shoqen e tij Merza, grua fisnike dhe e palodhur për
mysafirët, na pritën ngrohtë dhe mirë. Të nesërmen dolëm nëpër Prishtinë, e
cila nuk e kishte atë gëzimin e njëzet vjetëve të shkuar , por dukej sikur
ishte mbuluar nga një hije e rëndë si teneqe, hije e pushtimit të egër sërb.
Nën këtë hije si teneqe ne u takuam me Rexhep Qosen, me Ibrahim Rugovën, Adem
Demaçin e të tjerë. Mes tyre takuam edhe Azem Shkrelin. Ai na tha se gruan e kishte
të sëmurë rëndë nga veshkat dhe ne vumë re një trishtim në sytë e tij. Por
Azemi ishte i çuditshëm! Na ftoi për drekë në shtëpi, edhe se Beharen e kishte
të sëmurë. Në shtëpi ne e gjetëm Beharen duke punuar për tryezën e mysafirëve.
Kishte një fytyrë gati gri, fytyrë prej të sëmuri të vërtetë, por sëmundjen
mundohej ta vinte poshtë me punën. U përqafuam dhe u ulëm bashkë me Ali Aliun,
që ishte me ne. Pastaj erdhi edhe Ibrahim Rugova dhe një tjetër që nuk më
kujtohet. U ul edhe Beharja në tryezë dhe ne shijuam gjellët e saj të mira.
Azemi, në fillim i heshtur, u gjallërua. Duke pirë ne filluam të flisnim për
politikën, dhe vetëm për atë, për gjendjen në Tiranë, për rrugën e demokracisë
në Shqipëri, për genocidin sërb në Kosovë, për problemet e Lidhjes Demokratike
e me radhë. Azemi, i menduar, donte t’ia ndryshonte drejtimin bisedës: -E po,
si nuk folëm për letërsinë! tha ai dhe psherëtiu. -Kur gjëmojnë topat, hesht
muza!- përsërita unë një shprehje latine. Vërtetë, Azemin e shqetësonte
letërsia: si do ecte ajo në kushtet e reja të ndryshimeve demokratike pas
rënies së sistemit të socializmit totalitar, cilat do të ishin raportet mes
shkrimtarëve dhe çfarë lidhje do të kishin shkrimtarët e Shqipërive këtej dhe
andej Drinit.
Këto
shqetësime ai i kishte të sinqerta, pasi ishte një shkrimtar i vërtetë, një
poet i shquar me një origjinalitet të papërsëritshëm. Ai është njê poet modern
i një natyre të veçantë. Në poezinë e ti shkrihet fryma kombëtare me frymën
evropiane me një harmoni të natyrshme, duke krijuar një variacion të lakmueshëm
në artin poetik. Vargjet e tij janë metrikë dhe ametrikë, të matur e të lirë,
po gjithmonë të shoqëruar me muzikalitetin poetik. Në to ndjehet shqetësimi për
kohën dhe njeriun, kombin dhe lirinë. Në gjithë poezinë e Azem Shkrelit
mbizotërojnë zogjtë dhe guri. Këto janë dy simbole apo metafora të qëndresës
dhe ëndrrës ka këto dy metafora. Këtë e tregon edhe titulli”Zogj dhe gurë”. Unë
këtë libër e kam lexuar në dorëshkrim para nja dy muajve se të vdiste Azemi. Ai
erdhi në shtëpi tek unë, si gjithmonë kur ndodhej në Tiranë, dhe ma dha
dorëshkrimin në gjysma letrash. -Ky është libri im i fundit-tha ai. -Jo i
fundit, por i gjashtëmbëdhjeti! thashë unë duke qeshur. -Fjala që vjen! tha ai
i skuqur pakëz. Unë pastaj e pyeta për Ali Podrimjen se çfarë po bënte,
biseduam për Fahredin Gungën dhe e kujtuam me dhimbje për vdekjen e tij të
papritur.
Fol?m
për Din Mehmetin dhe për poezinë e tij, që unë e çmoj shumë, e me radh?. Pastaj
kujtuam ato shtatë-tetë ditë të vitit 1992, kur ai bashkë me Ali Podrimjen
banuan në shtëpinë time. Në ato ditë mbrëmjeve polemizonim për partitë e majta
dhe të djathta në Shqipëri. Unë mbroja të majtën , ata anonin nga e djathta.
Kur polemika ndizej. Azemi ngrihej në këmbë me kokën mënjanë dhe me duart në
xhepa, ndërsa Aliu shtrihej në kanape me krahun nën qafë. Heshtnim për një çast
dhe pastaj fillonim e lexonim vjersha. Ata kishin qenë në Vlor? dhe kishin
shkruar vargje me motive nga ai qytet dhe nga deti. E, Azem? Poezia nuk na
zemëron si politika!-thosha unë. Po të mos ishte poezia, do të kishim ngrënë
njëri-tjetrin, siç ke thënë ti njëherë! kujtonte Azemi një thënien time të
vjetër diku në ndonjë tryezë. Pas disa ditëve nga çasti që ma la dorëshkrimin
“Zogj dhe gurë”, erdhi dhe e mori, doemos të përcjellë me lavdërimet e mia të
përzemërta. Kur hyri në shtëpi ai ishte skuqur dhe merrte frymë me zor. – Janë
të larta këto shkallët tuaja!- i tha ai Sadijes. Dhe këto ishin fjalët e fundit
që dëgjova prej tij…”
“Shkreli
zë vend në krye të poezisë aktuale shqiptare. Krahas cilësisë, poezia e
Shkrelit shënoi kthesë në rrjedhat e poezisë në Kosovë: e zgjeroi spektrin
tematik; e subjektivizoi dhe intimizoi heroin lirik dhe çka është më me peshë,
solli një ndjesi të re, të mprehtë ndaj gjuhës, ndaj fjalës. Kështu, ajo i hapi
rrugë bindshëm poezisë së viteve pesëdhjetë, të ngarkuar me patosin e euforisë
kolektive.
Poezia
e tij, shënoi kthesën e parë më të rëndësishme, në radhë të parë, duke e
çliruar unin lirik intim nga ai kolektlv, duke skalitur në të temën e dashurisë
për vendlindjen dhe duke portretizuar njeriun e truallit rugovas, me ngjyrimet
e traditës dhe të lashtësisë, dashurinë për vashën, lirikën peizazhiste, etj.
Shfaqja
e Azem Shkrelit si poet, përpos që përputhej me ardhjen e talentit të fuqishëm,
shënonte njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezísë
shqipe të Pasluftës. Shkreli u ngjít natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme
shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike
në tjetrën, deri në atë të fundit, që e la dorëshkrim “Zogj dhe gurë”, botuar
më 1997.
Vdiq
në pranverën e vitit 1997”, përfundon artikulli i Dritëro Agollit, në kujtim të
takimeve me Poetin dhe shkrimtarin e njohur nga Shkreli i Rugovës, Azem
Shkrelin – shkrim i plotë i Agollit, botuar gjatë viteve në disa gazeta e
portale.
“Kroje
të reja në Parnaz Shqiptar”, ishte shkrimi i Ernest Koliqi, në të cilin
vlerësonte shkrimtarët dhe poetët e rinjë shqiptarë të Kosovës në vitin 1957,
në numrin e parë të revistës së tij, Shëjzat. Një ndër ata poetë e shkrimtarë
të Kosovës radhitej edhe Azem Shkreli – bazuar në një antologji (Shkëndijat e
para” -- Shtëpia Botuese, “Mustafa Bakija”, Prishtinë, 1956). “Këtyne djelmve
ndjellamirë i buzqeshë prej s’largu Lavdija e majeve të Parnazit edhe i joshë
me i u ngjitun termal rrmoreve të thepisuna për me shijue, në kaltheritë e
heshtuna pranë qiellit, shugurimin e saj
të hyjnueshëm e hyjnues. Këta i ngjiten malit të Zànave, heshtja e të
cilit vlon me gurgullime gurrash harmonioze, nga ana e andejme, e na përpiqemi me i hypun
n’anë të këndejshme, por,në kreshten vetmitare, të ruejtun nga Ora e
amshueme e Fisit, na pret e njàjta
lavdi.”. Për Koliqin njëri prej këtyre
“djemëve ndjellamirë që buzqeshin prej s’largu” me poezinë dhe shkrimet e tyre,
ishte sipas mendimit të tij edhe Azem Shkreli.
“Më
pelqen shumë Azem Shkreli. Tringullon nji notë trishtimi në poezinë e tij, por
e shkrime në melodi të thjeshtë e depërtuese që therë e ledhaton në të njàjtin
hov. E thurë me natyrëshmëni vargun e vet që dridhet si gëm plym me lule
t’ërshëme në frymë të flladeve ma të holla të melankonisë. Kishim me dashtun të
riprodhojmë këtu dy vjershat që bartin emnin e tij n’antologjinë që kemi në
dorë, por tyranija e vendit na shtrëngon
të kënaqemi vetem me dy citate të shkurta. Vjersha, “Nanës”, fillon në mënyrë
shumë të prekëshme:
“Sisen
prej goje ma hoqe, nanë, pa u ngi,
E
m’lé tue qà;
Dhe,
si të vdissha nanë, s’me dhe ma të pi,
as
erdhe me më pa”.
Nënkuptohet
në gjymsaterr që i a shton shortin këtij shfrim i nji dramë familjare? Ndoshta nji divorc me randim vuejtjesh mbi
fmìnë e mitun e të pafaj? Rritet djali e plaket në deshir të s’amës
prej së cilës zakoni i rrebët e ndau për së gjalli.
“Por...
Prëhnin t’and, nanë, gjithmonë mall e pata
E
motet ndèr veti po ndrrohen;
Andrrat
e mija, nanë, qënkan andrra të gjata,
Dhe,
qe, rrudhat e ballit po m’shtohen.”
Edhe
tjetra këtu, rrjedh me lëvizje plot hir, vlerësonte Koliqi poetin e ri nga
Shkreli i Rugovës, Azem Shkrelin:
“Këtu
linda dhe këtu do t’mbes
E
të vdes.
Se
ky mur,
kjo
votër me gurë
E
ky prak
Janë
t’lam me gjak të t’parve mij
Që
luftuen,
Qendruen,
Dhe
ranë për liri --
E
liri s’panë.”
Me
këtë poezi të Azem Shkrelit, përfundon Ernest Koliqi shkrimin “Kroje të reja në
Parnaz Shqiptar”, botuar në revistën e tij “Shëjzat” -- në numrin e parë të
kësaj reviste të famëshme -- Gusht, 1957, duke iu uruar shkrimtarëve dhe
poetënve shqiptarë të Kosovës, duke thirrur lutjen e Zotit që mbi ta të vegojë
fati i mirë për të gjithë ata, në veçanti, si dhe për letrat shqipe në përgjithësi.
Ishin këto dy vlerësime të Poetit të Shkrelit të Rugovës – Azem Shkrelit – nga dy të mëdhej të letrave shqipe, Dritëro Agolli dhe Ernest Koliqi – njëri nga jugu dhe tjetri nga veriu i trojeve shqiptare -- me vlerësimet e tyre për një poet dhe shkrimtar nga Dardania – Agolli pas vdekjes së poetit Azem Shkreli në vitin 1977 dhe Koliqi me vlerësimin e tij në vitin 1957 – në fillim veprimtarisë Azem Shkrelir, njërit prej “djemëve ndjellamirë që buzqeshin prej s’largu” – lind e rritë në trojet e Dradanisë së lashtë.