Udhëpërshkrim
Ndue Dedaj: Pse mendohen këto male
E marte, 16.07.2024, 06:55 PM
PSE MENDOHEN KËTO MALE
-
Reportazh -
NGA
NDUE DEDAJ
Pse
mendohen malet shqiptare, gjashtëdhjetë vjet pas poemës së njohur të Kadaresë?
Nuk është më ai peizazhi i moçëm i Mesjetës, ku një malësor ecën buzë mbrëmjes
dhe pushka e gjatë, zgjatim i shtyllës së tij kurrizore, qindra kilometra hije
lëshon mbi dhé. Nuk mendohen më as për të zgjatur linjat e tensionit të lartë,
ndërtimin e Fierzës e Komanit, hapjen e shkollave dhe minierave të shumta,
ndërtimin e Laçit industrial, apo të Kukësit të ri etj. Atëherë pse mendohen
këto male të lartë, që vetëm gjatësia u ka mbetur ajo që ka qenë, se për tjetër
janë bërë për të mos u “njohur”? Mendohen mbase për kurthin që iu ngreh
vazhdimisht pas shpine Tirana metropolitane, edhe pse ajo ka mbi krye si
kësulë, herë të blertë e herë të bardhë, një mal të vetin, Dajtin. Malet, që
nuk i zh’bani legjenda e vet e mbijetesës, mbajnë vesh e bëjnë çudi se si mund
të hyjnë ministrat e shtetit e kryebashkiakët njëri pas tjetrit në burg, se
kanë shpërdoruar lekët e popullit. “Kësaj i thonë me i varë ujkut mëlqitë në
qafë”, shprehen ato në gjuhën e vet malsorçe. Nuk “kuptojnë” shumë gjëra nga e
sotmja kaotike e vendit, si përshembull, ç’do me thënë incenerator i përfolur
Tirane apo Elbasani, dosja bashkiake 5D me drejtorë të ndjekur penalisht,
tendera abuzivë andej - këndej republikës, apo si munden me qenë investitorë
strategjikë ministrat e deputetët e shumicës, ato dinë se ç’është SPAK-u, por
jo dhe SASPAK-u!... A thua kështu qenka puna / loja, qeveria me folë përditë
fjalë të mëdha për integrimin në Europë e qeveritarët më vjedhë lekët që
Bashkimi Europian ka çuar për rrugët, modernizimin e mjekësisë, përpunuesit e
plehrave, bujqësinë etj?!
Nuk
mund t’i fotografosh më malet, lumenjtë, pyjet për revistat e ilustruara, nga
vrarjet që ka pësuar gjithëkund natyra. Njeriu është treguar mizor në
shkatërrimin e saj. Të parët pushtetarët, por jo të vetmit, bashkë me ta dhe
sipërmarrësit e ndryshëm grabitqarë. Klipi i një kënge dasme kishte dalë i
“shëmtuar” nga peizazhi rrjepur, dëmtuar prej pesëmbëdhjetë vjetësh, që kur
është ndërtuar një rruga e re dhe nuk është vënë dorë për ta gjelbëruar
terrenin siç kishte qenë. Në Qafë - Munaz nuk ke nga ta fotografosh ujëvarën e
mrekullueshme, pasi nuk të lejon impianti i ujësjellësit të Rubikut, ku në vend
që të viheshin “vetullat” janë nxjerrë “sytë”. Nuk është më e para krejt lugina
e Fanit të Madh, nga Rrësheni në Fushë - Arrëz, pasi e kanë gllabëruar
hidrocentralet. Malet nuk kanë gojë e megjithatë ato kanë marrë britmën, jo si
në eposin e kreshnikëve, po nga braktisja “moderne” dhe zhvatja. Munella është
një kurriz malor madhështor, me shumë fshatra mirditas nëpër pllaja e brinja,
që shkon përmes luginave të dy lumenjëve, që mbajnë të njëjtin emër, Fani i
Madh dhe Fani i Vogël, nëntokën e së cilës qeveria “bamirëse” ua ka falur
turqve kapitalistë.
Malet
janë një rezervat i trashëgimisë kulturore, jo krejtësisht i eksploruar. Më
1916 shtegtoi nëpër Gojan, Gjegjan, Munellë, Fan, Orosh etj. albanologu i
njohur gjerman Maksimilan Lambertz, duke fotografuar dhe përshkruar njerëzit
dhe malet, përndryshe ne nuk do të kishim si ta njihnim këtë malësi tonën me
imazhin e asaj kohe. Më 1919 dy gra amerikane të Kryqit të Kuq në Shkodër do të
ngjiteshin në Dukagjin e Munellë për të zbuluar pasuritë natyrore të tyre, siç
i shohim në dy fotografi, që patëm rastin t’i publikonim për herë të parë,
dhuruar bujarisht nga filatelisti i njohur shkodran Luigj Shabani. Dhjetë vjet
më vonë, në vitin 1929, do të përshkonte “Udhën e Madhe” Shkodër - Orosh, ashtu
si krejt malësitë veriore, antropologu amerikan Carleton Coon bashkë me të
shoqen. Por dhe sa e sa dijetarë të tjerë europianë e amerikanë. Ka pasur
njerëz të pasionuar atëherë, ka fatmirësisht dhe sot që duan ta shpëtojnë
thesarin e fshehur të maleve. Arkeologia e njohur Etleva Nallbani shkruante
këto ditë në Facebook rreth misionit arkeologjik të Komanit, që ajo e udhëheq
prej 15 vitesh, duke falënderuar njerëzit e jashtëzakonshëm të Qerretit,
Ukthit, Komanit, të cilët bënë të mundur mbartjen e materialeve me mushka dhe
punuan një javë rresht për instalimin e infrastrukturës së duhur për ekipin e
arkeologëve, që sivjet mbërrinë në 18 - 20 francezë, zviceranë, shqiptarë...
Lumi i Shalës dhe Fani i
Madh, dy pamje të kundërta
Si
të mos mendohen malet? Diku ndodh mrekullia. Diku tjetër vërbimi i tyre. Ngaqë
nuk ka një strategji për rivitalizimin tërësor të malësive. Dukagjini po rilind
së fundi, me rrugën e re nga Prekali, Pulti, Shoshi e Shala deri në Theth, me
Lumin e Shalës të kthyer në një atraskion turistik, që reklamohet përditë dhe
me të drejtë. U nisëm një grup miqsh për ta parë rrugën e re, shkuam deri në
Prekal, por e kishte përshkruar më së miri studiuesi vendas Prelë Milani atë që
po ndodh në pjesën e epërme të saj: “Përshkova unazën në ndërtim e sipër të
rrugës që kam ëndërruar ta shoh të asfaltuar... Gjithë sektori nga Ndërlysa
deri në Kodër - Shëngjergji është nusëruar e tjetërsuar sa thua je në tjetër
mjedis. Po në ata parametra po vijon drejt Pyllit të Shoshit, është shkapërcyer
Sheu i Pepajve dhe rruga po shtrinë krahët mbi fshatin Pylaj. Nuk jam nga ata
qe dua te reklamoj për hatër as të Zotit Kryeministër, as të Kryetarit
Bashkisë, as firmës punuese që nuk po ia di as emrin. Puna e mirë nuk ka shumë nevojë
për fjalë të bukura se shihet vete. Zgjërimi është i bollshëm, shtrimi me
aluvione alpine xhixhë të lara nga “lavatriçja” natyre, rulimi dhe rruga tepsi.
Uroj të vijohet kështu edhe në fazat e tjera! Dita e mirë duket në mëngjes.
Skeptikët e rrjeteve sociale i ftoj të marrin një fiat punto dhe të shkojnë nga
Thethi në Kodër - Shëngjergji dhe të shohin me sytë e tyre si është sot rruga e
Lotajve, ku deri dje nuk kalonte as traktori me goma...” Reportazhi i tij vijon
më të tjera detaje për rrugën.
Nuk
di si ta shpjegosh, e njëjta malësi, dy realitete të kundërta. Ndërsa Lumi i
Shalës po shndërrohet në një “përrallë” alpine për turistët e panumërt, Fani i
Madh përditë e më shumë po rrënohet. Ujët e Fanit nuk është i kristaltë si ai i
Lumit të Shalës, por i ndotur nga llumi i mineralit të Munellës në Kimëz dhe
fabrikës së bakrit në Fushë - Arrës, çka ngjet prej vitesh.
I
marrim shpesh udhët e maleve, me dëshirën që “kambana” për to të mos pushojë,
pasi nuk i kanë braktisur vetëm kumbonët e kishave. Jemi ndaluar për një kafe
te “Tuneli” i Kalivares. Do të kishim dashtë që aty në ballë të urës të shihnim
një obelisk të gurtë, ku të shkruhej: “Ky vend është i dëshmuar në një kumbonë
kishe që në vitin e largët 1154”. Dhe jo vetëm për turistët që marrin përpjetë
Munellës deri te Maja e Kryqit, ku shkoi e s’u kthye më prej tufanit të borës
dukagjinasi i mirënjohur Ndoc Mulaj. Tash që katundet e malësive tona po
zbrazën nga banorët, nga Alpet në Trebeshinë, lypet qe disa shenja të vjetra
historike t’i theksojmë më shumë, në emër të së ardhmes, që asaj të mos i
mungojë gjuha e së shkuarës, “pasaporta” e identitetit shqiptar. Ndoshta ndonjë
ditë ai obelisku i kumbonës së lashtë do të vihet nga bijtë vullnetmirë të
këtyre anëve, por tani për tani aty po punohej për ngritjen e një hidrocentrali
të madh dhe fjalët tona në këtë rast janë veçse kritike, pasi përpos dëmit
ekologjik, mjedisor, ujor, askush nuk mendon për këtë vend e këta njerëz, se si
ata të përfitojnë nga pasuritë natyrore që u përkasin me shekuj. Mjafton të themi
se ka tridhjetë vjet që trajlat me bakër kalojnë orë e çast mbi Urën e
Kalivares e banorët kanë pasur vetëm një “përfitim”, pluhurin e vazhdueshëm mbi
rrugë, shtëpi e bashtina, edhe pse rruga laget rregullisht me autobotët e
minierës. E, pra, këta njerëz nuk janë “jetimë”, qeverisen nga socialistët në
pushtetin qendror e nga demokratët në atë vendor...
Njerëzit
e maleve e kanë në maje të gjuhës pakënaqësinë për gjendjen e pashpresë,
pavarësisht tesërave që mund të mbajnë në xhep. Çojuni atyre një kamër dhe një
mikrofon përpara dhe dëgjojini se ç’thonë për pushtetarët e çdo rangu, siç
folën hapur me ne aty te bar - kafeja në anë të rrugës, ku pihej birrë e
ftohtë. Nga ana tjetër, nuk ka punëtorë për kantierët e punës, bizneset, të
gjithë duan me u punësue në shtet, edhe pse te privati kanë paga më të mira.
Nuk të vjen kush vendas për kamerier, kuzhinier, ata që duan të punojnë vijnë
që nga Filipinet e largëta. Mirëpo këndej, shtojnë jo pa shpoti banorët, shihen
vetëm disa gazetarë shtegtarë që filmojnë gatimet në bujtinat e bjeshkëve,
sponsorizuar nga resortet e ndryshme, kinse po promovojnë turizmin!? Turizmi
malor ka problematika të mprehta ekzistenciale, ende pa filluar dhe nuk janë
vetëm byrekët e shijshëm e gjellët tradicionale që duhen servirur para kamerave
të televizioneve kryesore të vendit. Problemi është kush do të prodhojë? Si do
të mbështeten prodhuesit me grante? Kush do të shërbejë nesër në
agroturizëm?...
Në male, njerëz që bëjnë
punë të vogla...
Ata
rrinë në heshtje. Shoqëria, e përfshirë nga ngjarjet e mëdha, shpesh kalon
pranë tyre pa i vënë re. Sikur ka një “marrëveshje” për të mos folur e shkruar
për të mirën që ndodh ndër ne. Banori i një fshati ndërtonte i vetëm shkallët e
gurta për te kroi i përbashkët. Një djalosh emigrant kishte gdhendur në gur
emrin e fshatit të tij dhe e kishte vendosur në krye të rrugës nga shkohet për
atje. Disa njësi vendore kanë ndërmarrë nismën e pastrimit të varrezave. Mund
të duken gjëra të vogla përballë rrugëve, urave, tuneleve që bën qeveria dhe
firmat e mëdha ndërtuese. Aspak. Këto janë si ato harlikët që mbajnë të lidhur
“murin” e zhvillimit të vendit. Aq më tepër në kohën e një turizmi të
vrullshëm, të shtegtimit nëpër male të turistëve nga e gjithë bota, të cilët
nuk do të pinë ujë në gjurmë të kalit. Na kanë folur për ndihmësmjekun e
Selitës, Pashk Nikolli, që shihet ditë për ditë me çantën e ilaçeve në krah,
nëpër fshatrat e zonës, shtëpi më shtëpi. Vite më parë rrugët e malësive
përshkoheshin kështu në këmbë me sakrifica nga mësuesit, punonjësit e
mjekësisë, të pyjeve, të bujqësisë, minierave, të policisë e të tjerë, kurse
sot numri i atyre që e bëjnë këtë gjë është tejet i paktë. Në fshatin Domgjon,
që e ka mbuluar gjelbërimi aq sa mezi duken shtëpitë, ndalojmë në oborrin e një
kulle të fillimeve të shekullit XX, të cilën i zoti dëshiron me e
rikonstruktue: u “kalbëm” në Kënetën e Durrësit, thotë ai, kështu që dhe pak e
pas daljes në pension dua të kthehem më gjithë grua gjashtë muajt e verës,
fëmijët të vazhdojnë ëndrrën e vet. Nëpër Hebe, Sërriqe, Mollkuqe, Shënmëri,
Vaspas, njerëzit e Fanit merrnin rrugën e Gjakovës, kurse nëpër Qafën e Komit
hidhëshin në Lumë e mbërrinin në Prizren. Atëherë drejtimi i tyre ishte veriu,
fanorët bëhen jo pak të dëgjuar matanë Morinit e Pashtrikut ku bëhen të
shtëpisë, kurse deti ishte diçka ende e largët si një “Mollë e Ndalueme” për
malësorët. Kurse tash tridhjetë vjet është krejt e kundërta, ata morën teposhtë
për kah deti për një jetesë më të mirë. Askush nuk mund të parashikojë sesi do
të jetë e nesërmja, ama e sotmja këtu është pa histori. Ajo sikur ka ngrirë në
këtë kodër që mban një emër të çuditshëm, Moknushë. Në qafën e saj është një
krua, që as e shton e as e pakëson ujin e tij dimër as verë, si të gjithë
burimet e bjeshkëve, ku pi ngapak me dorën e bërë kupë. Aty mund të mbledhësh
një dorë manadredhësa të kuqe kokërrvogla me atë shijen e “vjetër”, që nuk e
kanë kurrësesi ato kokërrmëdhatë, që blejmë në marketet e Tiranës...
Vërtet
dikush rikthehet te kulla e lënë shkret, më së shumti për nostalgji, si për të
përmbushur “amanetin” e të parëve, por kjo është ende pak. Pa dashur të bëjmë
profecinë e së keqes, me këtë trend ikjesh, ku nxiton të ikë dhe njeriu i
fundit, nëse nuk do të ketë një tjetër strategji zhvillimi urbano-rural, ka
gjasë që për një dhjetëvjeçar të mos kemi më bashki në Mirditë, Pukë, Fushë -
Arrëz, Has, Tropojë, por mbase ndonjë “rajon bashkiak” që do të administrohet
nga Shkodra apo Tirana. Sepse a mund të ketë bashki pa banorë? Sado të mbahen
sekret shifrat e censusit të fundit të popullsisë, nuk mbahen sekret ikjet e
përditshme. Dikush po thoshte se mbi 50 familje nuk i rrëgjistrojnë në shtator
fëmijët në shkollat e Rrëshenit etj.
Ja
pse mendohen këto male të lartë!...