| E diele, 14.07.2024, 07:57 PM |
Ernest Koliqi shkon në Shkodër - Shkodra dhe mbarë kombi shqiptar pasurohen me bibliotekën e Ernest Koliqit
Nga
Frank Shkreli
Bashkia
Shkodër në bashkëpunim me revistën “Shêjzat” njoftuan lajmin për aktin e
dhurimit të bibliotekës së shkrimtarit të mirënjohur, Ernest Koliqi, nga ana e
revistës “Shêjzat”, Bibliotekës “Marin Barleti”, të qytetit të Shkodrës. Dhurimi i Bibliotekës "Ernest
Koliqi" Bibliotekës “Marin Barleti” në Shkodër u cilësua si një akt
bashkpunimi midis Bashkisë Shkodër me
revistën “Shêjzat” – për transferimin e një koleksioni prej nja 1500 tituj
librash, gazetash e ekstraktesh të ndryshme në bibliotekën publike të Shkodrës,
“Marin Barleti”.
Sipas
lajmeve, biblioteka personale e Ernest Koliqit iu dhurua bibliotekës publike të
qytetit të Shkodrës me nismën e studiuesit të njohur Ardian Ndreca. Thuhet se bëhet fjalë për rreth 1500 tituj
librash dhe koleksione gazetash, të cilat, sipas profesor Ndrecës, dëshmojnë
për personalitetin e Koliqit si mësues, poet, romancier, eseist, përkthyes,
gazetar, dramaturg, por edhe botues, ndër më të njohurat revista ishte
“Shëjzat”.
Duhet
uruar dhe përgëzuar studiuesi Ardian Ndreca që ka bërë të mundur -- siç u
shpreh ai vet për mediat, me këtë rast -- që të shpëtojë aq sa ka mundur nga
bibliotekja origjinale e Koliqit, të cilëën unë e mbaj mend si shumë të pasur. “Në mënyrë krejtsisht të rastësishme
mbërrijta që të shpëtoj këtë pjesë të bibliotekës”, u shpreh ai për median
vendore dhe kombëtare, duke shtuar:
“Ka
shumë dekada në të cilat jam përpjekë që kjo bibliotekë e Koliqit e cila dihej
se ekzistonte në Itali, duhej të kthehej në Shqipëri por për shkaqe të ndryshme
ishte e pamundur me e bë këtë gjë.
Personi që i zotëronte deri para pak vitesh, vdiq dhe në mënyrë
krejtsisht të rastësishme mbërrijta që të shpëtoj këtë pjesë të bibliotekës, me
idenë që sa më shpejt me e kthye në Shkodër dhe me ia dhenë një institucioni
shtetëror, pra një institucioni që përfaqëson të gjithë qytetin dhe është
publik i hapur për të gjithë. Si njësi, janë gjithsejt nja 1500 libra,
ekstrakte, artikuj, ku bajnë pjesë edhe një koleksion gazetash tepër të rralla
të fund viteve 1800 e në fillim të 1900-ave. Libra dhe materiale të botuara në
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Itali në vende të ndryshme dhe në vende të
Ballkanit, të cilat i mungojnë deri më sot fondit të bibliotekës si dhe asaj
kombëtare. Ashtu siç ka ndodhë me Arshi Pipën, para disa vitesh kur vet Pipa ia
dhuroi qytetit të Shkodrës bibliotekën e tij. Kjo gjë ndodhi edhe me
bibliotekën e Ernest Koliqit. Shpresojmë që një gjë e tillë të verifikohet edhe
nga autorë të tjerë shkodranë që kanë jetuar në mërgim…”, ka shpjeguar Profesor
Ardian Ndreca.
Ky
është një zhvillim tepër i rëndësishëm për Shkodrën, për Shqipërinë dhe për
mbarë Kombin. Jam i bindur se ai shikon nga lartë me kënaqësi për arritjen e
bibliotekës së tij, sado të pjesëshme, nga Roma në Shkodër, në dispozicion të
lexuesve shqiptarë, jo vetëm në Shkodër e Shqipëri, por nga të gjitha trojet ku
flitet shqip -- siç e kishte prëcaktuar ai vet në një shkrim se kjo bibliotekë,
është për të gjithë ata: “Që kanë për gjuhë amtare shqipen – ku ma shumë e ku ma
pak – frymzohen nga shpirti i zakoneve arbnore e që sot ndahet në tri pjesë:
banorët e shtetit shqiptar, vëllëznit tanë nën Jugosllavi dhe bashkatdhetarët e
diasporës. Në idealin tonë, që kurrë s’ka për t’u shkimun, këto tri degë
përbajnë nji tanësi gangullore, cilido që të jetë zhvillimi shoqnuer i veçantë
i tyne.” Ernest Koliqi, Bota e re e shqiptare – Shëjzat II, 5-6, 1958.
Edhe
Adrian Ndreca, në hapjen e pavionit të veçant të bibliotekës kushtuar Koliqit,
theksoi gjithashtu se biblioteka “Koliqi” është një vlerë shumë e çmuar për
Shkodrën dhe më gjerë. Një “kthim simbolik” e quajti ai transferimin e
bibliotekës së Ernest Koliqitn ë Shkodër, duke shtuar se Koliqi, së pari, i
përket lexuesve, mbarë lexuesve shqiptarë, ashtu si i përket edhe qytetit të tij
– Shkodrës. Koliqi, shtoi studiues
Ndreca, ka se çka t’u mësojë lexuesve, duke shpresuar që ky rikthim të jetë
edhe tek leximi i veprave të Koliqit, u shpreh ai për median.
Të
pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci
dhe Ministri i Shtetit Elisa Spiropali.
Uroj dhe shpresoj që hapja e sallës “Koliqi” në Bibliotekën publike të
Shkodrës, të jetë fillimi i një procesi zyrtar, sa më të shpejt, që figura e
këtij shkrimtari të madh të Kombit, të hiqet nga lista e zezë komuniste dhe të
vlerësohet nga letrarë, historianë, akademikë dhe shkencëtarë jo-komunistë --
për kontributet e vërteta të tija – ashtu siç janë ato.
Ky
është një akt që duhet të duartrokitet dhe të mirëpritet nga të gjithë
dashamirësit e Ernest Koliqit, adhuruesit e trashëgimisë së tij letrare dhe
atdhetare, por edhe të librave shqipe, në mbarë hapësirën kombëtare. Ernest
Koliqi, siç dihet, ishte i ndaluar dhe i përjashtuar nga regjimi komunist i
Enver Hoxhës dhe për fat të keq edhe gjatë këtyre 30-viteve të ashtuquajtur
“post-komunizëm”, Ernest Koliqi vazhdon të jetë, zyrtarisht, i përjashtuar, i
kritikuar dhe i denigruar nga qarqe të caktuara politike dhe jo-politike --
zyrtare dhe jo-zyrtare -- në Shqipëri.
Mundësimi
i transferimit të bibliotekës së Ernest Koliqi (megjithse jo e plotë nga koha
që e mbajë unë mend nga vizita ime në të, në vitin 1970), është megjithëate një
hap i duhur, i mirëseardhur, megjithëse tepër i vonuar. Ernest Koliqi, “shkoi” pardje në Shkodër, siç
e cilësuan disa media transferimin e bibliotekës së tij të përgjysmuar në
bibliotekën e Shkodrës, por ende nuk mund të thuhet se ai është pranuar në
“shtëpinë” e vet. Ka ardhur koha që
Ernest Koliqit t’i hapen portat e “shtëpisë” së tij – Shqipërisë dhe të
shqiptarisë në përgjithësi, që i deshi aq shumë – për të cilat jetoi, veproi
dhe i mbrojti interesat kombëtare deri në frymën e fundit të jetës së tij.
Biblioteka e Ernest Koliqit në Shkodër vetëm do t’i sjell qytetërim,
Shqipërisë, Shkodrës dhe Kombit shqiptar -- të zhytur për një gjysëm shekulli
në errësirën e indoktrinimit të ideologjisë aziatike sllavo-komuniste. “A ka send má të mrekullueshëm në këtë botë
se me i sjellë qytetnim nji kombi, zhytë n’errsín e padijes.”
Në
përkujtim të Ernest Koliqit me rastin e Dhurimit të Bibliotekës "Ernest
Koliqi", Bibliotekës “Marin Barleti”, Bashkia Shkodër --
“A
ka send mâ të mrekullueshëm në kët botë se me i sjellë qytetnimin nji kombi
zhytë n’ errsín e padijes?
-Ai
që kalon nëpër popull tue hjedhë farën për nji jetë mâ të mirë,
ai
që e ndriçon me nji dritë mâ të bukur tokën qi na ushqen,
ai
që bân me ngadhnjye agimet në muzgun e pacaktuem të shpirtnave;
shkurt:
kush i difton popullit nji udhë të re qytetnije të vërtetë,
âsht
i denjë me qênë i nderuem si gjymsë perendije.”
Marrë
nga novela "Gjaku" – Ernest Koliqi
Profesor Ardian Ndreca me Kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci
Ndër
të pranishëm edhe Dom Nikë Ukgjini -- Foto nga ceremonia marrë nga portali i
Bibliotekës “Marin Barleti” -Shkodër
Një foto që po qarkullon në rrjetët sociale – ku dallohet Ernest Koliqi me shkrimtarët Asdrenin dhe Poradecin, ndër të tjerë – në Kafe të Madhe, Shkodër, 1936
Shkodra
në rininë e Ernest Koliqit – foto nga Biblioteka Marin Barleti