Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Visar Zhiti: Plagët dhe koha e askushve

| E diele, 14.07.2024, 07:54 PM |


PLAGËT DHE KOHA E ASKUSHVE

Nga Visar Zhiti

Kjo kohë vrastare e askushve,

e mendimtarëve pa mendime,

me emra dëshmorësh pa plagë lufte,

lumturakësh në humbje a dhimbje,

(për)Fituesish nga burgu ynë

i lirisë së tyre handikapate,

shkërbyes pishtari, që kanë veç tym,

hurin e zi vetëm për rrahje,

që s’ëndërrojnë - grabitës ëndrrash

që veç i hedhin nëpër gropa,

zvarranikë si tel i sertë gjëmbash,

shqiponja boshe, të balsamosura,

ashtu të zhbërë, aq u dha Zoti,

në t’keqen e tyre prapë janë të mangët,

me penën si ushtë Don Kishoti

rrëmojnë, rrëmojnë, rrëmojnë plagët.

Te plagët tona s’i tmerron vrasësi,

por rënkimet që u dashkan fshehur!

Fali, o Zot, nuk dinë se ç’flasin

apo e dinë dhe na e kanë hedhur,

aq sa kërkojnë t’stamposen parave

dhe profilet e tyre gjithsunduese.

Heronj të paqenë të kohës vrastare,

ju, gjithhataja e askushëve.