| E shtune, 13.07.2024, 07:49 PM |
Qeveri teknike, jo politike!
Që
nga ri-shpallja e pavarësisë së 17 shkurt-it 2008 dalja e elektoratit në
zgjedhje ishte nën 50 %, që i bie se asnjë qeveri deri tek kjo e fundit nuk e
ka pasur kredibilitetin e plotë shkaku i daljes së ulët në zgjedhje
Shkruan:
Florim Zeqa
Nuk qeveriset me çerekun
e besimit popullor
Në
zgjedhjet e fundit parlamentare të 14 shkurtit 2021 numri i votuesve të
regjistruar ishte 1.794.862, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje ishte 903.379 apo
48.78 %. Kur kjo përqindje të ndahet në dysh, atëherë i bie se Qeveria aktuale
i ka fituar rreth 25 % e jo më shumë të besimit të qytetarëve të vendit.
Dhe
çfarë po ndodh më pas, më vetëm 25 % apo me çerekun e besimit të qytetarëve të
vendit po qeveriset në emër edhe të 75 % popullit që nuk i kanë votuar apo që
nuk kanë dalur fare në zgjedhje!
Me
çerekun e kredibilitetit popullor po manipulohet në vijimësi për kinse besimin
e shumicës së qytetarëve të vendit, duke ushtruar kontroll të plotë ndaj të
gjitha institucioneve të pavarura dhe diktaturë të paparë ndaj qytetarëve të
vendit që mendojnë ndryshe nga pushtetarët.
Të
parët që atakohen janë mediat, ndaj të cilave ushtrohet presion për mos
publikim e aferave skandaloze korruptive dhe prapsive të shumta qeverisëse në
vendin e paradokseve të mëdha.
Edhe
në të kaluarën ka pasur tendenca për futjen e mediave nën ‘grilat e qeverisë’,
por jo sikurse tani, kur ndërhyrjet e qeverisë janë tepër të vrazhda dhe
totalitare sikur në regjimin e kaluar komunist!
Qeveri tenike me
kohëzgjatje 2 dyvjeçare
Për
të mos u zgjatur me vargun e gjatë të shkeljeve dhe abuzimeve të pushtetit me
qytetarët dhe mërgimtarët, po i kthehem temës së sotme për nevojën e krijimit
të një qeverie teknike jo vetëm në rastin e qeverisë aktuale, por edhe në
vijimësi derisa të zgjidhet një qeveri me kredibilitet qytetar.
Që
kjo të ndodh sa më parë dhe sa më shpejt, duhet të nxjerret një akt nënligjor
që e përcakton qartë, se “Në rast se në zgjedhje nuk kalohet 50 % (përqindëshi)
i daljes së qytetarëve në zgjedhje, të mos ketë qeveri politike, por teknike”.
Dihen
kriteret e qeverisjes teknike, fillimisht depolitizohet KQZ-ja, në qeverisjen e
vendit zgjidhen ekspert të fushave përkatëse për secilën qeveri e jo si deri më
tani, juristi me e drejtuar ministrinë e bujqësisë apo mjeku me e drejtuar
ministrinë e drejtësisë!
Nga
paslufta e deri më tani, problematike ishte edhe zgjedhja e presidentit, e cila
gjithnjë u bë mollë sherri e ndarjes në parlament dhe jo figurë unifikuese e
skenës politike. Mbase problemi i zgjedhjes së postit të presidentit nuk do të
zgjidhet asnjëherë pa kaluar në sistemin presidencial.
Largimi
i këtyre paradokseve zgjedhore dhe zgjedhja e njerëzve të merituar nëpër
secilën ministri do të ishte e shëndetshme për të ardhmen e vendit dhe
mirëqenjen e qytetarëve.
Përzgjedhja
e tre emrave për tre institucionet e larta të vendit: parlament, qeveri dhe
presidencë duhet të bëhet nga një komision i zgjeruar i ekspertëve dhe shoqëria
civile me qëllim të krijimit të kredibilitetit dhe kthimit të besimit të
qytetarëve në institucionet e shtetit.
Qeveria
tenike duhet të jetë me kohëzgjatje 2 vjeçare dhe në çdo 6 muaj duhet të
raportojë në Parlamentin e Kosovës për punën dhe aspektet financiale.
Në
këtë mënyrë do të kthehet besimi i qytetarëve dhe do të rritet motivimi i
daljes së qytetarëve në zgjedhje. Në ndërkohë duhet të lind një forcë e re dhe
e shëndoshë politike nga gjiri i popullit dhe jo si inercion i urrejtjes ndaj
klasës aktuale politike.
Florim Zeqa
08.07.2024