Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Eduard A. Skufi: Shtegtimi i një gjeniu për në pavdekësi

| E shtune, 13.07.2024, 07:58 PM |


SHTEGTIMI I NJË GJENIU PËR NË PAVDEKËSI

Një kumt i pa autorizuar kur zemra nuk  mund të heshtë…

NGA DR. EDUARD A. SKUFI, ATHINË

Ajo ishte një ditë korriku e zakonshme, por që fshihte në mënyrë tinzare një të pazakontë  të trishtë, në monohrominë e një surprize fatale. Në agimin e asaj ditë, klithma e një zemre mes aritmie  delirante, tundi me forcë këmbanat  e kobshme të mortit në rezonancë  pa mbarim e objekti misterioz i mendimit u nënshtrua. 1 Korrik 2024  romancieri dhe iluministi i shquar, Ismail Kadare ndërron jetë, kalon përjetësi. As mediumet, as astrologët nuk e parashikuan, sepse ishte e pakollajtë të deshifronin “kodin Kadare“, ai i përkiste një tjetër galaktike. Dhe në finalen e tij, ai shpalosi imazhin në figuracion, ku vera e nxehtë përvëlonte sarkën, ndërsa lajmi i ftohtë, kallkan, në kontrast ngriu zemrën dhe shpirtin  e të gjithëve, që pikonte vec  dhimbje dhe lot. Ndërsa  gëzimi zvarritej skutat e errta spirituale të  ndonjë qënie njerëzore  pa shpirtë…Ike pa  zhurmë, me dinjitet dhe  me  vecantinë tënde . Ike por mbete me veprën  tënde  madhore, që na dhurove  neve dhe gjithë universit . Ku me stilin filozofik dhe artin fin alegorik  përshkron misteret dhe enigmat e atij rendi tiran, hallkat misterioze të zinxhirit që lidhnin lirinë dhe që mbanin peng të ardhmen. Ike pa shumë fjalë, pasi ti flisje  me veprën tënde.

Jeta të vendosi në rolin e një misionari,  në një  survivor  atipik, për ti dhënë dritë atyre ditëve  pa diell! Ti si një Diogjen  modern, pa zhurmë  me  dritën  e  kandilit   kërkoje  njeriun ,  kërkoje virtytet, dhuroje ushqim shpirtëror dhe kulturë. Zhurmën dhe polilogjinë ja le atyre mediokërve meskin, që  si hijet e natës  donin të zvenitnin dritën , me letra anonim dhe mail pas shpine . Ata që të njëjësonin, në përballje me gjitonin e sokakut të të marrëve“, ata që mohonin kontekstin historik  dhe figurën  tënde komplekse. Nuk mund ta kuptonin ata, se ti dhe dritë në dy shekuj, kur   ata nuk ndriconin as shpirtin e tyre. Por ti e ngjite yllin e lavdisë dhe  nderin  e kombit, në kupolën e akademisë franceze të shkencave  morale politike, ku të antarësoi  elita  franceze. I hape atdheut dritaren europiane duke treguar rrugën. Nëse Ptolemeu i dha emrin kombit , ti i dhe nder dhe reputacion. Në një afresk pikant shumë ngjyrësh, historik dhe gjeografik , mbështete  me talent, fantazi dhe kurajo  letërsinë  e vërtetë, pa zinxhir dhe  kur  mungonte  liria. E le Parisin , “Café Le Rostand“  dhe “Jardin  du Luxembourg“, more me veten nostalgjinë dhe sharmin parizien, atëherë kur tranzicioni  penalizonte demokracinë, për   mos  mbetur “të  vonuar“ dhe u transferove   atdhe. Me projeksion  ideve reja dhe  një  vizioni të rinovuar, me  elokuencë    vecantë  letrare, fokusuar   kundrejt mentalitetit dhe kaosit primitiv. Të vetmen  kontratë e bëre me  ndërgjegjen  tënde. Ti  njeriun e thjeshtë e quajte Promete, por nuk denjove të dialogoje me ata tipa zhurmues. Ti ishe, Je dhe do të mbetesh jo vetëm një gjeni, në magji letrare por dhe një illuminist, figurë poliedrike   vazhdimisht  do të  frymëzosh. Mendoj që brezi im ka një brengë, që nuk tha në  kohë “Faleminderit“. Të faleminderit,  o i shquari Kadare, që na bëre bashkëkohës, me figurën dhë veprën tënde. Të faleminderit maestro që     na ndricove  rrugën. Të faleminderit  pendëartë që na bëre     harrojmë  Eseninin  dhe Dostojevskin, Heminguejn dhe Tolstoin , se i gjetëm tek ty. Ti ishe  sintezë e satirës elegante të Nikollai Gogolit, në “Shpirtrat e vdekur”, i Franc Kafkës ekzistencialist filozofik, Xhorxh Orwellit fin dhe antitotalitar, mbase  dhe  i dikujt  tjetër,  duke  u  përpjekur me përkushtim e forcë intelekti dhe arti veçse për progres  dhe emancipim social.  Shumë emigrantë si unë, bashkë me fotot e prindërve, veprat e tua i ruajmë të shtrenjta  dhe i konsultojmë si Biblën. Kjo verë – dimër  e pamëshirshme të rrëmbeu fizikisht, por ti  nuk u shove, le dritën pas. Le pas romantizmin, vlerat etike dhe estetike, gjithcka intelektuale dhe u vendose në pjedestalin e përjetësisë. Tani që fizikisht largohesh, në skenë mbetesh me imazhin krenar dhe observativ, por  pavdekshëm, mes  relikesh në fluiditet, të “ Gjeneralit të ushtrisë vdekur“,   “Dimrin e  madh“, për në “Pallatin  e Endrrave“ ku  ato konvertoheshin   utopi,  dhe  një  mozaik veprash… I dhe një  dimension të ri kulturës shqiptare dhe kombit dinjitetin e humbur! I ngrite kokën lartë shqiptarit përbuzur dhe   fyer  nga ironia  e fatit. Dhe brezat e ardhme do të thonë : « Kur thua magji letrare nënkupton…, kur thua filozofi fine , nënkupton…, Kur thua psikoanalist mes  larmi figurash letrare , nënkupton…, kur thua dritë që ndricon rrugën, nënkupton… vetëm I. Kadaren. Shtegëtimi  i  këtij  gjeniu  për  pavdekësi  la pas veprën e tij, por dhe peripecitë dhe intrigat që e shoqëruan. Do të citoja sentecën  e tij  idiomatike “letërsia e madhe kalon mes ferrit“, duke i shtuar parafrazimin, “ por herët a vonë e gjen rrugën  për parajsë ”. Megjithatë, argumentet sado objektive qofshin, vëshirë ti shmangen  një  perceptimi  subjektiv.  ... Nuk mund të të them, “Lamtumirë“, sepse do të ritakohemi veprat e tua , mes  virtualitetit  tënd, unë  bashkë me  mijëra    tjerë, në një audience kosmopolite.  Pra mbetet një “Faleminderit“ nga zemra  pa mbarim, për ty i madhërishmi I. Kadare ! À bientôt…