Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Edison Ypi: Ja ku gjalloj

| E enjte, 11.07.2024, 07:55 PM |


Ja ku gjalloj

Nga Edison Ypi

Do me më gjet ku jam, ku jetoj, ku gjalloj ? Nisu ku po ndërtohet një pallat pa leje nga një parelli me ekzemë në tru. Mu aty, futu te një tunel i ngushtë që do të dali para me të gjithë madhështinë e vet si nënujori i La Manshit. Pastaj drejt. Kur të shofësh djathtas një kafene që nuk paguan taksat sepse ndihmon partinë gjatë fushtave, kthehu majtas te një fason që ja jep shtetit taksat por puntoreve u merr shpirtin. Mos u frikso nga macja e zezë që do ta presi rrugën me mjaullima fyti dhe shkrepëtima sysh. Mos u merr me një cop mace. Ajo aq di, aq bën, s'ka tjetër zanat, tjetër talent. Vazhdo në drejtim të servisit që me pare kurbeti e ngriti Çimi Hajries, me papërgjegjsi e përdori Timi Sanies, me hajdutllik e falimentoi Gimi Nuries. Prej aty, vrik te dyqani celularve kontrabandë te qoshja e urës njit me një fotograf që dyqanin e mban kot, veç për me shit fshehtas hashash. Nja njëqint metra më tutje spaciatorit, futu te rrugica që të çon te një vilë e madhe me tre kate, të gjitha dyert e dritaret mbyllur. E ngrejti me pare droge Llesh Leshi nga Shijaku, ai që më von e vran tu ja përplas kokën me çizme pas murit, dhe vila met batall, fantazmat hedhin valle natën. Mos u tremb nga qeni me patent që ja kan kap me tel te veshi ke shtëpia me dy kuçedra allçini te porta që nxjerrin zjarr nga goja. Ësht qen legen. As të leh as të kafshon. Gardhit me tela me gjëmba që ta zuri rrugën, hidhi sipër gunën e Selam Musait. Kësaj cisternës që ka blloku kalimin, shpërtheja brenda bombat e Vojo Kushit. Me dyqanin e bulmetit që ka njëqint lloje djathrash njëri më i bardh se tjetri, prej të cilëve asnjëri s'hahet, laji një herë e mirë hesapet, vritja shitsin. Të njëjtën gjë bëje me kasapin e Mishtore-s që ty të jep  kockat, ndërsa miqve tulin. Nga shpia e Gonit që ka pas lujt te filmi "Ishte se ç'na ishte, një gomar me bishte" dhe nga qefi i suksesit vdiq nga damllaja para se me lujt noi film tjetër, deri ke marangozi që e mylli dyqonin se boni sherr me ortakun, mos vrit as mos rrif njeri se jan gjynof. Pastaj kthehu te rrugica djathtas. Ka ky qytet disa vene si kjo rrugica, ku s'futet as ambulanca as zjarrfiksja, ore as guglli po të them. Ku s'hyn guglli, hyn budallallëku. Banorët që nuk pytën kënd kur i ngritën shtëpitë aq afër me njonitjetrin, s'e kan hiç problem djegjen e shpiave, as vdekjen e pleqve. Ata ate dun. Ata atë ëndërrojn. Mos u mërzit. Ja dhe pak. Ky plaku me shkop ulur mbi stol me vështrim nga infiniti është Hysamedini. Para ca vitesh Hysa dha bakshish dhe e falenderoi një mik që i gjeti gocës punë jashtë shtetit. Mirpo miku që kishte qen trafikant femrash, ja çoi gocën në Milano. Hysa u sëmur. Pastaj u çmen. Tani rri gjith ditën para portës, gjith notën cipër celularit për me gjet gocën e humbur si Çaplini Titinën te "Kohët Moderne". Dy dyer mo tutje, i çun lagje, pasi maroi Harry Fultzin dhe msoi zanot, u nis m'Angli. S'pat Fat. U myt në La Mansh bashk me nja dhjetë të tjerë si vetja dhe kamionin ku ishin mçef. Në fund të rrugicës banon Maria. S'pati Fat e shkreta. Mori i burr, pastaj të dytin, pastaj të tretin. Maria i provoi burrat si shalqina me thik te koka. Asnji s'i doli si e desh'. Të gjithë të modifikuar genetikisht. Iku Maria. Pa nam e nishan. S'dihet ku. Parullën e kuqe mbi mur ku shkruhet "Partia mbi të gjitha", e kan ly me gëlqere të bardhë, por akoma lexohet. Njit me parullën osht i dyqon byreqesh. Haje i byrek se u lodhe. Bureku s'ka për të pas brenda gjiz, spinaq, domate, qep. Po, por ka për të pas aromën e qepës, domates, gjizës, spinaqit. Ngopu pra me erën e atyre që byreku pretendon se ka brenda. Edhe pak dhe ja arrive qëllimit për me më gjet. Shtëpi me qelpiça, qur, oborr me hurma, carac, mandarina. Osht e imja. Arrite. Ulu pak boj i çik muhabet me Momën teme, dridhni noi cigare dahon, pini nai kafe turke sa t"vi un. Ou, Moma paska vdek. Muret qekan shem. Zjarri qeka fik. Vatra qeka ftof. Caraci qeka tha. Pusi qeka shterr. Qielli qeka nxi. Qeka vorrezë. Qeka Ferr. S'ka problem. Aty jam. Aty më ke. Aty më gje. Aty gjalloj. Sa të vi pas pak, ulu falju Baba Fetahut, përfytyro Qafën e Martës, nigjo Këngën e Lace Backës.