| E merkure, 10.07.2024, 07:54 PM |
POEZIA E VDEKJES SI NJË HYMN PËR JETËN
Nga
Timo Mërkuri
Rrënjët
e poezisë “Vdekja është një” të Sadik Bejkos duhet ti kërkojmë në Festivalin e
XI të Këngës në Radio Televizion, mbajtur në datat 22, 23 dhe 24 dhjetor të
vitit 1972, në Teatrin e Operas dhe Baletit,
ku poeti Bejko ishte pjesmarrës me tri tekste këngësh. Se çfarë furtune ra mbi
këtë festival, e dimë të gjithë, por në lidhje me Bejkon vlen të themi se
kritika ndaj teksteve të tij të këngëve u shtri dhe te vëllimi poetik “Rrënjët”
(1972), i cili u vu në indeksin e librave të ndaluar, duke i hequr autorit të
drejtën e botimit, masë që u zbatua deri në vitin 1982 ndërsa për atë vetë
mirret vendimi për ta çuar në minierën e Memaliajt, për “edukim nëpërmjet punës,
pranë klasës puntore”. Me shënimin
absurd në librezën e punës: “trasferohet”, shoqëruar me porosinë orgurzezë :
’Ule kokën e puno ku të dërgon Partia” poeti i pushuar nga puna në RTSH në dhjetor
1973 niset drejt minierës së Memaliajt në janar 1974. Unë ju them se: shumë më
lehtë e kanë patur Odisea dhe Orfeu të hynin në botën e nëndheshme se sa poeti
në këtë minierë ( të nëdheshme)
qymyrguri, ku çdo gjë nxinte, jo vetëm si pasojë e pluhurit të qymyrit por edhe
e porosive “nga lart” që i detyronte njerëzit
t’i shmangeshin jo vetëm takimit fizik, por edhe shkëmbimit të shikimeve
në rrugë.
I-Poezia
"Vdekja është një" e Sadik Bejkos reflekton një periudhë të errët të
jetës së tij dhe një përballje të ashpër me dilemat ekzistenciale të njeriut
nën sforcimin e rëndë të punës në minierë. Kjo poezi, e shkruar në vitin 1975
gjatë kohës kur Bejko ishte i detyruar të punonte në minierën e Memaliajt,
ndriçon me bukurinë e saj unike përmes një peizazhi poetik që shfaqet në një
ambient të zymtë dhe të errët.
Janë
vargjet e strofës së parë:"Njeri në
shenjestër, mbyllur në rreth,” që e paraqesin poetin si një njeri tabelë qitjeje, ku presioni,
kërcënimi dhe mundësia e goditjeve ishte e
vazhdueshme dhe vargu: “Fytit të zgjidhet e të mblidhet një lak” që
ka dy anë, presioni Iijashtëm që i tund litarin para syve (ule kokën dhe puno)
dhe ankthi që të merr frymën nga brenda. Ky varg metaforik shfaq më së miri
situatën dhe gjëndjen që shfaqet te vargjet e: "Hidhesh me përbuzje në gjakosje e gjymtim/Rrezikun prek me duar,
i thua: hajde." të cilat tregojnë një situatë dëshpëruese që reflektohet te vargjet:"Jepi: zgjidhe dilemën për vdekjet e tua:/Të
vdesësh në shpirt, a të vdesësh në gjak?". Ajo që është e re është
fakti se poeti është i ndërgjegjshëm se diktatura kërkon vdekjen e shpirtit të
tij poetik, nuk i kushton rëndësi vdekjes së e njëriut dhe këtë zgjedhje ja
ngarkon poetit, si alibi e pafajsisë shtetërore. Kjo zgjedhje përfaqëson presionin
e jashtëzakonshëm që poeti ndjen dhe dilemat e tij ekzistenciale, ku vdekja
shpirtërore nënkupton humbjen e shpresës, moralit dhe integritetit, ndërsa
vdekja fizike vjen si rezultat i punës së rëndë dhe kushteve të rënda në
minierë.
Si
rrufe shkrepin vargjet:"Ç’rrebelim i
keq ky ndaj vetes, ndaj gjakut tend/ Njeri rrugëhumbur pa shteg, pa majë."
të cilat shprehin rebelimin e brendshëm dhe luftën e vazhdueshme shpirtërore dhe situatës
së tij. Ai ndjen se është i vetmuar, i humbur, pa rrugëdalje, pa shpëtim, pa
një perspektivë të qartë për të ardhmen në këtë qytet të vogël ku: "Njerëzit e qytetit nga ti largohen si prej
shtriganit,/si nga qyteti i rënë nën murtajë.", por dhe ai njëkohësisht
i shmang njerëzit, për ti mbrojtur ata apo për tu mbrojtur prej tyre, sepse: “Këdo të afrohet e sheh si prangë, a si lak”.
Rri e lexon i trishtuar vargjet:"Apo
të tremb vdekja tjetër që të ndjek pa zë?”që shoqërohet me dilemën
ekzistenciale:”Vallë dy vdekje, dy
gremina ke përballë,/Apo një është vdekja, vetëm një?" ku thekson idenë se, pavarësisht mënyrës se si
ndodh, vdekja është një përvojë e unifikuar e dhimbjes dhe humbjes. Në thelb,
poezia "Vdekja është një" e Sadik Bejkos është një testament i
fuqishëm i rezistencës dhe forcës shpirtërore përballë kushteve ekstreme të
imponuara nga diktatura..
II-Poezia
"Vdekja është një" e Sadik Bejko-s ka qasje me rrymat e ekzistencializmit
dhe realizmit të errët, pse trajton temat e jetës, vdekjes, izolimit dhe
absurdit në ekzistencën njerëzore. Këto rryma artistike dhe filozofike shprehin
përvojat e vuajtjes dhe dilemave ekzistenciale të individit në një botë të
pashpresë.
Ekzistencializmi,
një rrymë filozofike dhe letrare, përqendrohet në përvojën individuale të
lirisë, zgjedhjes dhe përgjegjësisë në një botë që shihet e shfaqet si absurde,
pa kuptim të paracaktuar.Poezia e Bejkos reflekton dilemat ekzistenciale, duke
ilustruar përballjen e individit me vdekjen dhe izolimin. Një pasazh i tillë
është "Vdekjen në shpirt, a vdekjen
në gjak," ku tregohet përballja e individit me dy lloje të vdekjeve,
duke theksuar provën e zgjedhjes së tij midis vdekjes shpirtërore dhe asaj
fizike. Ndjenja e izolimit dhe stigmatizimit është paraqitur në vargjet "Njerëzit e qytetit nga ti largohen si
prej shtriganit, si nga qyteti i rënë nën murtajë," duke trajtuar
absurditetin e ekzistencës shoqërore.
Realizmi
i errët, si një rrymë letrare që shfaq realitetin në mënyrë të ashpër dhe të
paidealizuar, përqendrohet në temat e dhimbjes, vuajtjes dhe të keqes në botë.
Poezia e Bejkos pasqyron këtë rrymë në paraqitjen realiste të kushteve të rënda
të punës në minierë dhe dilemave morale të individit. Pasazhi "Zbret në minierë nën peshë terri, Në ujin e
zi, llurbë, djersë e ankth," shfaq realitetin e ashpër të punës në
minierë, duke përdorur një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe të paidealizuar për të
treguar vuajtjen dhe dhimbjen fizike (jo vetëm të poetit). Rebelimi ndaj kushteve
të vështira është shprehur në vargjet "Hidhesh
me përbuzje në gjakosje e gjymtim /Rrezikun prek me duar , i thua: hajde,"
duke ilustruar përballjen e individit me dhimbjen dhe rrezikun, një temë e
zakonshme në realizmin e errët.
III-Poezia "Vdekja është një" e Bejkos
është një dëshmi e fuqishme e vuajtjeve të poetëve dhe intelektualëve që
guxuan të sfidojnë kufizimet e realizmit socialist në Shqipëri gjatë periudhës
së regjimit komunist, i cili impononte një ideologji të ngurtë dhe kontroll mbi
artin e letërsinë, duke kërkuar që poetët të pasqyronin dhe promovonin parimet
e soc.-realizmit, ndryshe kalvari i vuajtjeve do ishte më i vështirë se ai i
Golgothasë. Vargu metaforik:"Njeri
në shenjestër, mbyllur në rreth," përfaqëson poetin dhe intelektualin
që është vënë nën mbikëqyrje dhe izolim për shkak të mendimeve dhe krijimeve të
tij dhe paraqet njëkohësisht presionin dhe kërcënimin që ndjen individi kur
guxon të kalojë kufijtë e realizmit socialist dhe që shpesh vihet para dilemës
ekzistenciale:" Të vdesësh në
shpirt, a të vdesësh në gjak?" sepse të jetosh në izolimin dhe
stigmatizimin e dyfishtë: "Njerëzit
e qytetit nga ti largohen si prej shtriganit,” dhe : “Këdo të afrohet e sheh si prangë, a si lak” do të thotë të jetosh
frikën, ankthin dhe jo jetën.Poetët dhe intelektualët që guxuan të thyenin
kufizimet ideologjike të realizmit socialist realisht u stigmatizuan dhe u
izoluan nga shoqëria, një mënyrë kjo me të cilën shteti demonstronte pasojat e
mosbindjes, që përdorej edhe për të frikësuar të tjerët që mund të mendonin të
sfidonin regjimin. Izolimi është sikur të
jesh zënë poshtë gërmadhave nga ndonjë tërmet dhe: “ I vetëm në greminën më të thellë ke rënë/ me natën në sy, me shkëmbin në
bark”. Vargu” "Zbret në minierë
nën peshë terri, /Në ujin e zi, llurbë, djersë e ankth." paraqet mjedisin
e rëndë dhe të zymtë të minierës, duke treguar peshën e territ dhe kushtet e
vështira të punës ku punon një intelektual i nivelit të lartë dhe mbi të gjitha
një poet, që, me gjithë dëshirën e tij të mirë, nuk gjen dot një element të
“bardhë” poetik. Lodhja, vuajtjet dhe presioni psikologjik që shprehet te
vargjet: “Hidhesh me përbuzje në gjakosje
e gjymtim,/ Rrezikun prek me duar, i thua: hajde." e çojnë poetin gjer
në skajin e fundit të vuajtjeve të tij.
IV-Poezia
"Vdekja është një" e Sadik Bejkos është një akt i fuqishëm rezistence ndaj dhunës së regjimit monist, i cili
kërkonte të mposhtte frymën e lirisë dhe krijimtarisë. Edhe pse poeti u dënua
të punonte në minierën e Memaliajt, një vend që mund të pikturohet si ferr për
shkak të kushteve të tmerrshme, Bejko gjeti forcën për të shkruar këtë poezi,
duke treguar se shpirtin krijues nuk mund ta mposhtte as errësira më e thellë. Kjo
aftësi për të shndërruar një ambient të zymtë dhe të errët në një peizazh
poetik tregon talentin e madh të tij si poet dhe forcën morale për ti
rrezistuar dhunës moniste të prishjes së vizionit të tij poetik. Të kuptojmë një
gjë:vetë mbajtja e Festivalit të XI në Radio Televizion në atë kohë ishte një
kryengritje kundër soc.-realizmit dhe ideollogjisë së partisë shtet, e cila
ndonëse u shtyp, arriti të mbillte farën e kundërshtimit dhe ti tregonte
popullit se matanë dritares së palarë të
soc.-realizmit ishte një botë e bukur dhe e lirë. Fakti që Bejko ishte
pjesmarrës me tre tekste këngësh në këtë festival është një vlerë njerëzore
(dhe artistike) e tij. Dilema ekzistenciale që ju imponua: "Jepi: zgjidhe dilemën për vdekjet e tua:/Të
vdesësh në shpirt, a të vdesësh në gjak?" e cila paraqet presionin
ekstrem për të zgjedhur midis nënshtrimit (vdekja shpirtërore) dhe përballimit
të dhunës fizike (vdekja në gjak) dhe fakti që poeti zgjedh të mos dorëzohet
shpirtërisht,(vetë kjo poezi është dëshmia më e mirë) tregon qëndrimin e tij të fortë dhe të pamposhtur
përballë represionit. Poeti refuzon të dorëzohet, ai përballet me vuajtjet me
një qëndrim rebel dhe të pamposhtur dhe pikërisht kjo përballje simbolizon
forcën dhe qëndrueshmërinë e shpirtit krijues që nuk mund të mposhtet nga dhuna
fizike apo psikologjike e shtetit, që shfaqet në formën e izolimit dhe
stigmatizimit në poezi. Ndaj mendoj se kemi të drejtë të themi se poezia e tij
shndërrohet në një testament të forcës shpirtërore dhe rezistencës së njeriut
përballë dhunës së monizmit dhe vuajtjeve që ai sillte në jetën e poetëve që
rebeloheshin paqësisht, duke plotësuar njohuritë e lexuesit për një realitet të
fshehur dhe për të treguar se si në mes të mjerimit dhe sforcimit ekziston një
dritë dhe shpresë që na tregon rrugën e lirisë.
V- Poezia "Vdekja
është një" e Sadik Bejkos është një dëshmi e forcës dhe pampo-shtshmërisë
së artit përballë dhunës diktatoriale. Pavarësisht presionit dhe shtypjes,
Bejko gjen forcë dhe frymëzim për të krijuar art që ndriçon edhe në errësirën
më të thellë të minierës. Përmes gjuhës së pasur dhe figurative, Bejko arrin të
shndërrojë minierën e errët të Memaliajt në një peizazh poetik që ndriçon me
bukurinë dhe dritën e tij unike, duke shfaqur aftësinë e tij për të gjetur
shpresë edhe në momentet më të vështira, dudke e shndruar përvojën e tij të
dhimbshme në një testament të rezistencës shpirtërore dhe intelektuale, duke
dëshmuar se arti dhe poeti kanë fuqi të madhe për të mbijetuar dhe për të mbajtur
gjallë shpirtin e lirisë dhe në kushte më të errëta. Ky testament është i dallueshëm kryesisht nëpërmjet forcës dhe
dritës së këtyre figurave artistike që janë sinjale jete dhe rezistence poetike
në monizëm. Duke parë figurat artistike me vëmëndje vërejmë se:
Simbolet:"Njeri në shenjestër, mbyllur në rreth"
- përfaqëson poetin si një viktimë të drejtpërdrejtë të shtypjes dhe
persekutimit, si një tabelë qitjeje, objektiv i sulmeve të vazhdueshme dhe të
qëllimshme të regjimit.
"Pa dritë në sy, me
shkëmbin në bark"
simbolizon shkallën e vuajtjes dhe mungesën e shpresës në gjendjen e tij, ku “shkëmbi në bark” përfaqëson barrën e
rëndë të vuajtjes dhe dëshpërimit.
Vargu:"si nga qyteti i rënë nën murtajë"
–simbolizon izolimin dhe stigmatizimin që poeti përjeton, izolim jo vetëm
fizik, por edhe shoqëror, duke e bërë atë të ndjehet si një i huaj në mes të
bashkëqytetarëve të tij.
Metaforat:"Fytit të zgjidhet e të mblidhet një lak"
shfaq kërcënimin e vazhdueshëm të dhunës dhe kontrollit mbi jetën e individit,
duke ilustruar ndjenjën një presioni të
pandërprerë.
Te:"peshë terri" metafora tregon barrën
e rëndë të vuajtjes dhe dëshpërimit që poeti ndien në minierë. Terri është një
simbol i errësirës së brendshme dhe të jashtme që e rrethon.
Vargu:"Hidhesh me përbuzje në gjakosje e
gjymtim" ilustron vendosmërinë e poetit për të përballuar dhunën
fizike me një qëndrim sfidues dhe përbuzës. Ky akt rebelimi dhe sfide ndaj
vetes dhe dhunës që i imponohet është një dëshmi e forcës së tij të brendshme.
Personifikimet:"Rrezikun prek me duar, i thua: hajde"
ku rreziku është personifikuar si një entitet i gjallë që poeti e sfidon dhe e
përballon direkt shpreh guximin dhe
vendosmërinë e tij përballë rrezikut, e cila në vetvete është një akt
rezistence dhe rebelimi kundër shtypjes.
Te
vargu: "Të tremb vdekja tjetër që të
ndjek pa zë?" vdekja është personifikuar si një entitet që ndjek
poetin pa pushim, duke sugjeruar frikën e heshtur dhe të pandër-prerë që ai
përjeton.
Imazhet:"Në ujin e zi, llurbë, djersë e ankth"
shfaqin ndotjen dhe degradimin si dhe kushtet e rënda të punës në minierë, duke
treguar një mjedis të mjerueshëm.
Te
vargu: "Njeri rrugëhumbur pa shteg,
pa majë" poeti shfaqet si një individ i humbur dhe pa drejtim në një
botë të errët dhe pa shpresë. Ky imazh përforcon ndjenjën e izolimit dhe të
qenit në një situatë pa dalje.
Veç
sa më sipër vlen të theksojmë se poezia
“Vdekja është një” e Bejkos është një poezi moderne por që përdor
suksesshëm si një sfond poetik edhe element të tradicionalitetit poetik, si : Elementet
e natyrës, motivet e vdekjes dhe jetës, stili, vargu, rima, metrika të cilat shërbejnë
për të theksuar forcën goditëse të vargut dhe idenë e poezisë.Arti poetik i
shprehur nëpërmjet këtyre figurave dhe elementëve tradicionalë është më i fortë
se diktatura sepse ai arrin të krijojë një realitet alternativ që nuk mund të
kontrollohet nga asnjë formë shtypjeje.
VI-Lind
pyetja : Po pse është arti më i fuqishëm se diktatura?
Arti
dhe poeti janë më të fuqishëm se diktatura dhe dhuna e saj për disa arsye të
thella dhe të ndërlikuara që lidhen me natyrën e krijimtarisë dhe shpirtit
njerëzor:
1.Së
pari është fuqia e shpirtit dhe ndjenjave njerëzore, pse ndryshe nga fuqia e
dhunës fizike, që është e përkohshme dhe e kufizuar, arti dhe poezia burojnë
nga shpirti njerëzor që është i përjetshëm. Poeti, përmes veprave të tij,
shpreh ndjenjat më të thella dhe mendimet më të ndërlikuara, të cilat mbeten të
gjalla dhe ndikojnë te njerëzit edhe pas disa shekujsh.
Poezia
dhe arti kanë aftësinë të prekin zemrat dhe mendjet e njerëzve në mënyrë të
drejtpërdrejtë dhe intime. Ky ndikim emocional është më i fuqishëm se çdo mjet
dhune, pasi prek shpirtin njerëzor dhe inspiron ndjenjën e lirisë e drejtësisë.
2.
Së dyti arti dhe poezia flasin nëpërmjet
simbolikës, mesazheve poetike dhe metaforave që kapërcejnë kufijtë e gjuhës së
zakonshme dhe të komunikimit të drejtpërdrejtë. Këto mjete artistike krijojnë
mesazhe të thella dhe universale që mund të interpretohen dhe të kuptohen nga
breza të ndryshëm në mënyra të ndryshme, duke mbajtur gjallë frymën e
rezistencës dhe lirisë.
Gjithashtu,
në kushtet e censurës, poetët dhe artistët përdorin gjuhën figurative dhe
mesazhe të koduara për të shprehur qëndrimet e tyre dhe për të inkurajuar
rezistencën, mesazhe që janë të vështira
për t'u kuptuar, ndaluar apo shkatërruar nga regjimi dhe për faktin se shprehen
në një mënyrë shumëkuptimëshe.
3.Arti
dhe poezia luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe përcjelljen e kujtesës
historike e kulturore. Njësojë si arti oral që është dokument historik dhe arti
i kultivuar dokumenton vuajtjet, rezistencën dhe përvojat e njerëzve nën
regjimet e ndryshme, duke mbajtur gjallë kujtimin e të kaluarës dhe mësimet për
brezat e ardhshëm.
Kultura
dhe arti gjithmon kanë qenë dhe janë forma të fuqishme të rezistencës kundër
shtypjes e dhunës. Ato krijojnë një identitet të përbashkët dhe një ndjenjë të
përbashkët për komunitetin, që ndihmon në forcimin e shpirtit të rezistencës
dhe qëndrueshmërisë.
4.
Nuk duhet të harrojmë që arti dhe poezia
kanë natyrë universale, ato kanë aftësinë të kapërcejnë kufijtë gjeografikë dhe
politikë, duke bashkuar njerëzit përtej dallimeve kulturore, gjuhësore dhe
kombëtare.Mund të kujtojmë protestat
europiane kundër dënimeve të poetëve dhe shkrimtarëve në shtetet
diktato-riale. Kjo aftësi e artit për të
krijuar lidhje ndërmjet njerëzve është më e fuqishme se çdo ndarje dhe përçarje
që mund të sjellë dhuna dhe represioni shtetëror. Për këtë shtojmë se arti dhe
poezia kanë fuqinë të inspirojnë dhe të motivojnë njerëzit për tu bashkuar kundër
dhunës dhe diktaturës. Kjo ndjenjë e përbashkët e qëndresës dhe e shpresës
është më e fuqishme se çdo frikë apo dhunë që mund të imponojë regjimi. Poeti
dhe artisti, përmes veprave të tyre, dëshmojnë se fryma njerëzore është e
pamposhtur dhe se arti do të mbijetojë dhe do të ndriçojë edhe në errësirën më
të thellë.
Kështu
dhe poezia "Vdekja është një" është një dëshmi e qartë e forcës së
artit për të mbijetuar dhe për të ruajtur shpirtin e lirisë në kushtet më të rënda.
Pavarësisht presionit e shtypjes, Bejko
arrin të shprehet përmes artit të tij, duke na treguar se poeti dhe arti kanë
një fuqi për të mbijetuar dhe për të mbajtur gjallë shpirtin e lirisë. Prandaj
themi se poezia e Bejkos është një testament i forcës së brendshme të artistit
dhe e fuqisë së fjalës poetike për të kapërcyer çdo formë shtypjeje dhe dhune.
Pra, poezia "Vdekja është një" është një dëshmi e forcës dhe pamposhtshmërisë së artit përballë dhunës diktatoriale. Pavarësisht presionit dhe shtypjes, Sadik Bejko gjen forcë dhe frymëzim për të krijuar art që ndriçon edhe në errësirën më të thellë të minierës. Përmes një gjuhe të pasur dhe figurative, ai arrin të shndërrojë përvojat e tij të dhimbshme në një testament të rezistencës shpirtërore dhe intelektuale, duke dëshmuar se arti dhe poeti kanë një fuqi të madhe për të mbijetuar dhe për të mbajtur gjallë shpirtin e lirisë edhe në kushte më të errëta.
Sarandë më korrik 2024
Sadik
Bejko
VDEKJA
ËSHTË NJË
Njeri
në shenjestër, mbyllur në rreth,
Fytit
të zgjidhet e të mblidhet një lak
Mbi-e-nën-tokë
ndër dy vdekje kë do të zgjedhësh:
Vdekjen
në shpirt, a vdekjen në gjak.
Zbret
në minierë nën peshë terri,
Në
ujin e zi, llurbë, djersë e ankth.
Jepi:
zgjidhe dilemën për vdekjet e tua:
Të
vdesësh në shpirt, a të vdesësh në gjak?
Hidhesh
me përbuzje në gjakosje e gjymtim,
Rrezikun
prek me duar, i thua: hajde.
Lot
symbyllur me terrin, me minierën:
Të
fundosh shpirtin është humnerë më e madhe?
Ç’rrebelim
i keq ky ndaj vetes, ndaj gjakut tënd
Njeri
rrugëhumbur pa shteg, pa majë.
Njerëzit
e qytetit nga ti largohen si prej shtriganit,
si
nga qyteti i rënë nën murtajë.
Njeri
i vënë në shenjë, edhe ti i shmang njerëzit,
Këdo
të afrohet e sheh si prangë, a si lak.
I
vetëm në greminën më të thellë paske rënë
Pa
dritë në sy, me shkëmbin në bark.
Ç’hakmarrje
kjo, t’i turresh gjakut tënd?
Apo
të tremb vdekja tjetër që të ndjek pa zë?
Vallë
dy vdekje, dy gremina ke përballë,
Apo
një është vdekja, vetëm një?
Memaliaj,
1975
Si
vdes gruri 1994