| E marte, 09.07.2024, 09:09 PM |
Angazhimi intelektual modern i Ismail Kadaresë për Çamërinë
Nga
Dorian Koçi
Në
vitin 2016 pata kënaqësinë që Prof Xhufi të më ftonte për të qenë bashkëautor
në shkrimin e librit “Çamëria vështrim
historik dhe identitar”, një punim i drejtuar nga Prof. Pëllumb Xhufi, e
shkruar sëbashku me Prof. Pëllumb Xhufin, Profesor Bashkim Kuçukun dhe Profesor
Hajredin Isufin. Në këtë ndërmarrje fisnike na bashkoi dëshira për të shkruar
një rrugëtim historik, identitar e kulturor të Çamërisë ndër shekuj si pjesë e
pandarë e historisë, identitetit dhe kulturës shqiptare. Për kënaqësinë tonë të
veçantë kësaj ndërmarrje profesionale dhe kulturore iu bashkangjit dhe
shkrimtari ynë Ismail Kadare që shkruajti Hyrjen e tij. Në kundërshtim nga çu
dëgjua dhe u shkrua në këto ditë ,duke mos respektuar as kodin njerëzor të
mirrësjesjelljes kur shuhet një njeri, për rolin jo aktiv të shkrimtarit dhe
intelektualit Kadare për çështjen kombëtare, kjo Hyrje tregon qartë angazhimin
e plotë të tij në një diskurs modern që
i bën nder kulturës dhe identitetit tonë. Çamëria shkruan Kadare-bën pjesë në
një nga hartat më të dhimbshme të Europës, atë që ka njohur shpërnguljen. Është
një hartë për të cilën flitet me kujdes, për të mos nxitur acarime të reja, në
këtë botë të shqetësuar. Ndërkaq, heshtjet, gjithashtu mund të acarojnë,
ndoshta më keq. Kontinenti ynë europian është plot me shembuj të tillë
dhimbjesh. . Në rastet e shumta kur flitet për këtë dramë, është theksuar, se
Çamëria nuk është kurrsesi një fantazmë që ngrihet për të errësuar marrëdhëniet
e fqinjësisë midis grekëve dhe shqiptarëve. Përkundrazi, kur popujt e
lehtësojnë ndërgjegjen e tyre nga peshat e vjetra, ata afrohen më fort, dhe,
rrjedhimisht, duke u kuptuar më mirë, e duan edhe më shumë njëri-tjetrin. Ky
libër i ri për historinë e Çamërisë është në vazhdën e një tradite të tillë
pozitive, larg mllefeve dhe smirave kombëtariste. Në të flitet gjerësisht për
të vërtetat historike, mbështetur në dokumente të autoreve shqiptare dhe të
huaj, pa paragjykimet e njohura, ato që me aq lehtësi e kthejnë çdo mirëkuptim
në moskuptim dhe çdo afrim në të kundërtën e vet. Pasqyrimi gjerësisht i
traditave kulturore të Çamërisë, duke nisur nga kultura urbane, nga muzika,
këngët polifonike, vallet dhe veshjet e një bukurie të rrallë, është një
riafirmim i thelbit pozitiv të këtij libri.
Libri
u përkthye dhe u botua dhe anglisht dhe frëngjisht dhe duhet thënë se falë edhe
Hyrjes së shkruar nga Kadare, shkrimtarit që është përkthyer në 45 gjuhë, ai
egziston si referencë në çdo punim bibliografik duke ndërkombëtarizuar edhe
çështjen çame kulturialisht. Europa, Shqipëria
humbi më 1 korrik një figurë e
personalitet që shenjoi kulturën dhe identitetin tonë për gjysëm shekulli. Shqipëria do të ketë gjithnjë e më tepër nevojë për mesazhet e veprës së Kadaresë që plazmojnë identitetin
europian të shqiptarëve.
Ismail Kadare:
Çamëria, harta e
dhimbshme e Europës*
Njerëzit
janë mësuar prej shekujsh me hartat dhe leximin e tyre, sado të larmishme të
jenë ato. Harta shtetesh dhe popujsh, harta historike, klimatike, detare apo
tokësore, ngulitën qysh në bankat e shkollës në kujtesën e nxënësve, me emrat
dhe ngjyrat e tyre dalluese. Më pas, me shtimin e dijenive, njerëzit mësojnë se
ka harta të vjetra dhe të reja, në të cilat disa nga emërtimet mungojnë ose
janë zëvendësuar me të tjera. Kjo është e njohur dhe e shpjegueshme, si pasoje
e zhvillimeve të historisë, kryesisht, të luftërave dhe shpërnguljeve. Kur
viset e populluara zbrazen nga gjindja e vet njerëzore, letërsia dhe arti janë
të fundit që i braktisin. Mund të thyhen ushtritë, të tërhiqen rojet e fisit,
të heshtë diplomacia, arti nuk bindet. Ai kthehet e rikthehet atje, të logu i
vjetër.
Atje
ku ndodhi shkulja, këputja mizore, krimi. Atje ku të tjerët i ndal shenja e
kufirit të ri, traktatet ose rendi i ri i botës. Këto radhë janë pjesë nga
parathënia, shkruar për një antologji letrare-artistike për Çamërinë,
përzgjedhur nga miku im i ndjerë, Ali Podrimja, më 2004. Çamëria bën pjesë në
një nga hartat më të dhimbshme të Europës, atë që ka njohur shpërnguljen. Është
një hartë për të cilën flitet me kujdes, për të mos nxitur acarime të reja, në
këtë botë të shqetësuar. Ndërkaq, heshtjet, gjithashtu mund të acarojnë,
ndoshta më keq. Kontinenti ynë europian është plot me shembuj të tillë
dhimbjesh. Në antologjinë me motive letrare artistike për Çamërinë, është
theksuar në mënyrë të ndjeshme se kjo përmbledhje nuk është as thjesht
politike, as nismëtare e ndonjë fushate.
Është,
në radhë të parë, një libër njerëzor. Libër me vjersha, poema dhe art, shkruar
nga njerëzit për njerëzit. Është një dhimbje, që nuk ikën ngaqë dikush e shpall
të paligjshme. As duke bërë sikur nuk e di. E, aq më pak, kur sillesh pa nderim
ndaj saj. Në rastet e shumta kur flitet për këtë dramë, është theksuar, se
Çamëria nuk është kurrsesi një fantazmë që ngrihet për të errësuar marrëdhëniet
e fqinjësisë midis grekëve dhe shqiptarëve. Përkundrazi, kur popujt e
lehtësojnë ndërgjegjen e tyre nga peshat e vjetra, ata afrohen më fort, dhe,
rrjedhimisht, duke u kuptuar më mirë, e duan edhe më shumë njëri-tjetrin. Ky
libër i ri për historinë e Çamërisë është në vazhdën e një tradite të tillë
pozitive, larg mllefeve dhe smirave kombëtariste. Në të flitet gjerësisht për
të vërtetat historike, mbështetur në dokumente të autoreve shqiptare dhe të
huaj, pa paragjykimet e njohura, ato që me aq lehtësi e kthejnë çdo mirëkuptim në
moskuptim dhe çdo afrim në të kundërtën e vet. Pasqyrimi gjerësisht i traditave
kulturore të Çamërisë, duke nisur nga kultura urbane, nga muzika, këngët
polifonike, vallet dhe veshjet e një bukurie të rrallë, është një riafirmim i
thelbit pozitiv të këtij libri.
Një
popull që gjen kohën e nevojshme të përpunojë me kaq finesë këta tinguj e këto
ngjyra të jetës, pohon një prirje humane e mirëkuptim me botën. Vëmendja ndaj
teksteve të autorëve të huaj e shqiptare, që nga Maksim Artioti i mesjetës së
vonë, lindur në Artë, e gjer të Abedin Dino i Parisit të viteve 1930, pinjollit
më të ri të dinastisë së Dinenjve, mik i Gertrude Shtejn, Tristan Cares e
Pikasos, janë disa nga shembujt e një vizioni humanist e kulturor të Çamërisë,
larg spekulimeve të ngushta politike të ditës.
Problemi
çam ka mbi njëqind vjet që është i pranishëm në zonën juglindore të Europës. Ai
është i ngjashëm me probleme të tjera, herë më të vjetra e herë më të reja, që
janë shfaqur e shfaqën në pjesë të ndryshme të kontinentit tonë. Në pamje të
parë shpesh ato duken të ndërlikuara e të pandryshueshme, madje të
pazgjidhshme, ngaqë lidhen me emancipimin e përgjithshëm të njerëzimit, i cili,
ndonëse, jep përshtypjen e një zhvillimi me ritëm të shpejtë, në të vërtetë
qëllon të jetë më i ngadaltë sesa duket. Krijimi i Europës së bashkuar, në
mesin e dytë të shekullit njëzetë, ka qenë një lajm i madh jo vetëm në përmasa
kontinentale, por ato botërore.
Bashkë
me zhvillimet e reja ekonomike, politike e kulturore, ai krijoi premisat e një
çlirimi të brendshëm shpirtëror, falë të cilit u ringjallën shpresa për
zgjidhje të çështjeve që ngjanin më parë pa asnjë shpresë, përveç mjeteve të
armëve dhe të luftës. Një vizion i ri për kufijtë dhe bashkëpunimin midis
shteteve çon vetvetiu drejt mirëkuptimit të mëtejshëm midis kombeve, çka është
baza që secili prej tyre të ndihet më i plotë brenda thesarit të përgjithshëm
njerëzor, që popullon planetin tonë.
*Hyrja e librit