Mendime
Alfred Lela: Eulogjia e gabuar (e Ramës për Kadarenë)
E diele, 07.07.2024, 06:49 PM
Eulogjia e gabuar (e Ramës për Kadarenë)
Nga
Alfred Lela
Fjalimi
i Ramës në homazhet për shkrimtarin Ismail Kadare, arriti atë që, jo pak herë,
gjestet e kryeministrit arrijnë: të flitet për detajet dhe të harrohet thelbi.
Përcjellja, apo përshpirtja, e Ismail
Kadaresë, shkrimtarit më të mirë të shqipes, dhe një prej më të shquarve të
botës, duhet të ishte dita e ndarjes publike e lexuesve dhe dashamirësve të tij
me të, jo bashkimi në kotësi, edhe njëherë si përherë, me transgresionet e Kryeministrit
Diell.
Burime me dijeni të ceremonisë thonë se, nuk ka qenë
zonja Kadare që ia ka ofruar fjalën e eulogjisë, por kjo ka qenë mënyra që
familja të shpëtonte prej një luzme fjalimesh, pasi 'oferta' e qeverisë ishte
që të flisnin disa prej kabinetit dhe oborrtarëve (dhe ruajna Zot! Elisa vetë).
Kështuqë fjalia “Ismaili do të kishte dashur vetëm ty,
Edi”, ka qenë një dalje me nder nga një situatë përdhosëse.
Ajo që ra në sy është se, edhe Rama vetë, që e ka
kulturën e nevojshme për të mos rënë në banalitetin ku bien përditë vartësit e
tij, u kap jo vetëm në delirin e vet, por edhe atë që mund të quhet ‘betejë
koke’. Ai pati një përballje imagjinare me ‘varrkërkuesit’. Ajo tiradë mund të
kishte qenë fare mirë për një postim në Facebook, por i kalonte me milje
kushtet e një eulogjie, e cila për përkufizim ka ndërmend të
përshpirturin, jo përshpirtësin, të përjetshmen, jo aktualen.
Eulogjitë janë më të suksesshme kur përmbajnë edhe doza
humori ose ironie, të tilla që shigjetojnë, pa helm, jo vetëm autorin, por edhe
atë për të cilin janë bërë dhe që është tashmë në jetën e pasosun.
Rama e drejtoi të gjithë ironinë kudër një pale të tretë,
imagjinare ose të qenë, e cila megjithatë nuk kishte vend përreth arkëmortit ku
prehej mjeshtri i groteskut.
Atë që z. Rama deshi t’jua vishte të tjerëve (varrkërkuesve),
duke i paraqitur si personazhe të Kadaresë, në një novelë imagjinare dhe të
pamundur për t’u shkruar tashmë, në fakt i shkonte atij vetë.
Edi Rama përmbylli kështu me Ismail Kadarenë një raport
të paqetë (ndoshta të lehtësuar vitet e fundit nga pushteti i tij) që i ka
fillesat në vitin 1991. I gjendur në vrullin e tij të preferuar, atë të
ikonoklastit, Edi Rama asohere në fillimet e veta politike, bashkë me një grup
miqsh-ndër ta Ardian Klosi-, kishin si synim ‘rrëzimin’ e mitit të Kadaresë dhe
ngritjes së Kasem Trebeshinës.
Miqtë e tyre tregojnë se ai thirri edhe Spartak Ngjelën
në këtë lozhë anti-Kadare, asokohe i sapoliruar nga burgu. Ngjela, cinik si
përherë, iu përgjigj kështu ofertës: “po rrini ore, mos u merrni me këto punë,
se do t'ju fusë Kadareja në ndonjë novelë dhe do t’u nxjerrë bojën!”.
Në novelat e Kadaresë nuk përfunduan, por ndoshta në
romuzet e bisedave të tij, po. Ajo që nuk mbaroi përgjatë dy dekadave ama,
ishte një kundra-kulturë (ndoshta hapi i parë i cancel
culture këtu te ne) në debatin mbi letërsinë shqipe, me
rrënjët te ajo lëvizje e Ramës & CO për ta anulluar Kadarenë dhe ngritur
Kasem Trebeshinën. Një debat naiv dhe i pavend zgjatej nëpër faqet e shtojcave
letrare të kohës për epërsinë e Trebeshinës ndaj Kadaresë. Një gjë që tashmë e
kishte vendosur vepra e secilit. Një largësi që, edhe më pak i lexuari në
letërsi do ta kuptonte si një hendek të pakapërcyeshëm.
Kjo ‘betejë koke’ me Kadarenë, që me gjasë i ka rrënjët
te të vetëndjerit e Ramës (grafullimi me veten që ia plotësojnë edhe elisëmilvat
e oborrit) u plotësua nga një gabim trashanik. Nuk është edhe aq
ngatërrimi i Majakovskit të Agron Tufës me atë të Ismail Kadaresë, por vetë
fakti se, në eulogjinë e autorit më të madh të shqipes, eulogjisti nuk sjell
një krijim origjinal të autorit, por një përkthim.
Helena psh e di se çfarë mendonte Ismaili për ‘kohën e
humbur me përkthime’ të një shkrimtari.
Për kë pra, e kishte eulogjinë Edi Rama, për poetin rus
Majakovski apo shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare, vepra origjinale e të cilit
ka me mijra fragmente të denja për lexim? Se çfarë ka ndodhur në këtë rast e di
vetë Rama. I ka besuar kujt ia ka çuar dhe nuk e ka kontrolluar, apo këto janë
dënimet e rastësisë. Shkoi e lexoi përkthimin e Agron Tufës, një shkrimtari që
kërkoi azil politik në Zvicër për t’i ikur qeverisjes së tij, në homazhet për
shkrimtarin Ismail Kadare, të cilin në grup me një bandë të vogël të
ish-Bllokut dhe margjinave, donin ta zëvendësonin në majë të letrave shqipe me
Kasem Trebeshinën, një autor që, ashtu si Rama me miqtë e tij, mund të kishte
jetë, por nuk kishte vepër.
politiko.al